Shteteve të Bashkuara nuk u duhet Shqipëria për Jeruzalemin, iu duhet për Ballkanin

Nga Ervis Iljazaj – Pas votimit të Shqipërisë pro rezolutës në Kombet e Bashkuara, një pjesë e politikës dhe opinionit publik nuk ka nguruar ta konsiderojë këtë votim si një votë kundër Shteteve të Bashkuara, duke vënë në rrezik marrëdhëniet diplomatike me aleatin tonë historik.

Është naivitet të mendosh, që marrëdhëniet diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë do të ndikohen nga kjo votë. E njëjta gjë u tha edhe kur Shqipëria vendosi të mos pranojë demontimin e armëve kimike, e megjithatë, këto marrëdhënie nuk u tronditën aspak.

Sepse politika e jashtme amerikane është më e sofistikuar se çdo mendje e cekët që shpreson që një votë e tillë do të ndikojë midis dy vendeve, me shpresën se do të përfitojnë politikisht, dhe do të shihen me sy të mirë nga ambasada amerikane në Tiranë.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA, janë marrëdhënie të cilat kanë themele të forta, duke filluar që nga aleanca kundër luftës ndaj terrorizmit, angazhimi i misionit shqiptar në NATO etj.

Por, mbi të gjitha, marrëdhëniet midis SHBA dhe Shqipërisë, kanë një rëndësi të veçantë në Rajonin e Ballkanit. Roli i Shqipërisë si aleate e SHBA është thelbësore në këtë rajon.

Prandaj të gjitha sforcot dhe vendimmarrjet e politikës shqiptare duhet të fokusohen në këtë drejtim. Aq më tepër, kur ndikimi i Shqipërisë për çështjen e Jeruzalemit, është i papërfillshëm.

Në këtë kuptim, politika shqiptare, duhet të tregojë “zellin” e saj proamerikan në betejën gjeopolitike që zhvillohet ne Rajonin e Ballkanit midis superfuqive botërore, si Rusia, Turqia etj.

Sepse pikërisht në këtë rajon, vota e saj pro apo kundër Amerikës merr kuptim të vërtetë. Prandaj, të gjitha diskutimet për votën në OKB të Shqipërisë, janë diskutime absurde për sa i përket ndikimit të saj në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Në radhë të parë duhet të ritheksojmë faktin se, vota kundër SHBA në Kombet e Bashkuara për çështjen e statusit të Jeruzalemit, ishte një votë pothuajse unanime.

Nëse shohim shtetet që votuan pro vendimit të Donald Trump, janë shtete të cilat shumë prej nesh nuk e dinin që ekzistonin më parë.

Në bllok, shtetet më të rëndësishme të Europës, Italia, Franca, Gjermania, por mbi të gjitha, Britania e Madhe, votuan kundër qëndrimit amerikan.

Në radhë të dytë, rezoluta nuk ishte një votë kundër Jeruzalemit Kryeqytet, ishte një votë kundër qëndrimit amerikan për ta shpallur si të tillë në mënyrë të njëanshme, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

Në radhë të tretë, vota e Shqipërisë, nuk ishte votë e ndikuar nga përkatësia fetare, siç u munduan shumë veta ta paraqesin.

Ishte një votë pragmatike pro Europës, pro proceseve të saj të integrimit. Në këtë kuptim, ishte një votë, pothuajse e detyruar politikisht.

Dhe, më e rëndësishmja , është një votë që s’ka asnjë peshë për ndikimin e fateve gjeopolitike në atë rajon.

Për të gjitha këto arsye, debatet e hapura mbi këtë çështje në vendin tonë, janë debate që kërkojnë të ushqejnë lojën politike këtu në Tiranë, dhe asgjë më tepër.

Mirëpo, proamerikanizmin, një pjesë e politikës duhet ta shfaqë atje ku ka rëndësi, gjë të cilën deri më tani nuk e ka bërë.

Le të jemi amerikan për vendimet që na takojnë, këtu në Rajonin e Ballkanit. Sepse, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Shqipërinë në këtë pjesë të Globit, dhe ne, domosdoshmëri jetike për t’i patur përkrah.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Blindohet Londra… çfarë po ndodh në Britani, 24 orë para dasmës mbretërore

Blindohet Londra… çfarë po ndodh në Britani, 24 orë para dasmës mbretërore?...
Read More