Shteti Islamik pësoi humbje gjatë 2017-ës, por mbetet kërcënim

Me afrimin e fundit të 2017-ës, ëndërra e Shtetit Islamik për të patur një kalifat në Irak dhe në Siri është fundosur. Fushata tokësore e trupave të qeverisë irakiane dhe e forcave të mbështetura nga koalicioni në Siri, e kombinuar me forcat ajrore të Perëndimit, e detyroi grupin terrorist të tërhiqej. Megjithatë, edhe pse zyrtarë irakianë, sirianë dhe iranianë deklarojnë fitore ndaj grupit terrorist, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre paralajmërojnë se fundi i luftës është ende larg. Në vazhdim, i hedhim një vështrim disa momenteve nga viti 2017:

Grupi terrorist Shteti Islamik e filloi vitin 2017 me një sulm të përgjakshëm, duke dërguar një atentator në një klub nate të Stambollit, që vrau 39 persona në ditën e parë të vitit, 1 janar.

“Njerëz të kapur në panik, pellgje gjaku, zhurma e të shtënave me armë, shpërthime. Këto më vijnë vazhdimisht ndër mend.”- tregon një dëshmitar.

Por tronditja e shkaktuar nga sulmi terrorist vdekjeprurës, në fakt nuk ishte tregues i realitetit në Irak, ku Shteti Islamik, po ia mbathte, pasi forcat e sigurisë kishin hyrë në Mosul, kryeqyteti irakian i kalifatit të deklaruar të grupit.

“Armiku u shkatërrua, duke lënë prapa armët dhe pajisjet dhe duke ikur me nxitim, pasi ne u shkaktuam humbje të mëdha.”- thotë ky kolonel irakian.

Shteti Islamik u përball me reagime të ashpra edhe në vende të tjera të botës myslimane: tunizianët për shembull, dolën nëpër rrugë për të protestuar kthimin e luftëtarëve.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti i ri amerikan e paralajmëroi Shtetin Islamik dhe grupe të tjera terroriste, se ishin pranë asgjësimit.

“Ne nuk i kemi përdorur aftësitë e vërteta që kemi. Jemi treguar të përmbajtur. Duhet ta heqim qafe ISIS-in, nuk kemi zgjedhje tjetër.”- tha Presidenti Trump.

Si pjesë e një përpjekjeje të përshkallëzuar, Shtetet e Bashkuara u përpoqën për herë të parë, të fuqizonin forcat kundër ISIS-it, duke armatosur me automjete të blinduara Forcat Demokratike Siriane, SDF… në ofensivën e tyre për ta dëbuar grupin terrorist nga Raka, kryeqyteti i tyre sirian.

Gjatë një vizite në Bagdad, sekretari amerikan i mbrojtjes Jim Mattis, tha:

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah ushtrisë irakiane dhe popullit irakian, që është duke luftuar kundër këtij armiku.”

Ndërsa Shteti Islamik u përball me më tepër presion në Irak dhe Siri, ndikimi i tij po ndihej edhe në vende të tjera: në shkurt, një simpatizant i ISISI-t sulmoi me sëpatë rojet e ndërtesës së Luvrit në Paris…

…grupi terrorist po ashtu mori përgjegjësinë për një sulm të Dielën e Dafinave në Aleksandri të Egjiptit, ku u vranë dhjetra vetë.

ISIS-i po ashtu tregoi forcën në Pakistan dhe në Afganistan, duke marrë përgjegjësinë për një sulm në muajin mars në një spital të Kabulit, ku u vranë më tepër se 30 vetë.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën, duke hedhur bombën më të madhe që dispononin mbi një kompleks të rëndësishëm të Shtetit Islamik në Afganistan, në provincën e Nagaharit.

“Dua të shprehem qartë, ne nuk kemi për të hequr dorë nga misioni ynë për të luftuar krahas me afganët për ta shkatërruar ISIS-n në vitin 2017.”- tha komandanti i NATO-s në Afganistan.

Në korrik, Shteti Islamik po humbiste kontrollin e kalifatit të vetë-deklaruar: pas disa muaj luftimesh Mosuli u çlirua.

“Prej këtu, e njoftoj botën për fundin, dështimin dhe shkatërrimin e mitit të grupit terrorist Daesh”, – tha kryeministri irakian….

tre muaj më vonë…ndërsa në Raka festohej dhe luftëtarët e ISIS-it largoheshin nga kalifati i vetëdeklaruar në Siri.

Në tetor në Filipine pati një tjetër dështim për ISIS-in, një betejë 5-mujore për të marrë kontrollin e qytetit jugor Maravi, përfundoi me mposhtjen e grupit.

Tani edhe pse Shteti Islamik ka humbur territore dhe luftëtarë, shtrirja e globale u ndje deri në Stockholm, Paris, Barcelonë dhe Nju Jork…

“ISIS po tregon qartë se ka aftësi për ta vazhduar luftën në shkallë botërore dhe fushatën e sulmeve në Perëndim. Shohim një shtim të aktivitetit të ISIS-it në Afrikën Veriore, në Afganistan dhe në zona të tjera, si Azia juglindore,”- thotë ekspertja e luftës Carafella.

Grupi terrorist duket se po e mban parasysh këshillën e udhëheqësit të vet, Abu Bakr al Baghdadi, në një regjistrim audio në shtator…

“Rruga drejt fitores”, tha ai, “arrihet përmes durimit dhe qëndresës”.

Shkruar Nga
More from Revista User

Kapen dy vëllezërit korçarë, ja për çfarë akuzohen

Dy vëllezër nga Korça janë ndaluar nga policia pasi akuzohen për “Vjedhja...
Read More