Shtyhen negociatat, hapja e tyre caktohet në qershor të vitit 2019

Franca, Holanda dhe Danimarka shprehën rezerva dhe votuan kundër në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, në Luksemburg. Kërkohet më shumë progres në çështje kyçe, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrat e Jashtëm të BE-së shtynë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në qershor të vitit 2019, pasi Franca, Holanda dhe Danimarka shprehën rezerva për dy vendet gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, në Luksemburg. Fillimisht lajmi u konfirmua edhe nga Presidenca bullgare e cila theksoi se dy vendet, veç thellimit të suksesit të arritur në reforma, duhet të shënojnë progres në ato kyçe, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë një lexim ndryshe ka bërë Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn i cili me gjithë shtyrjen, e cilësoi vendimin e ministrave të Jashtëm si një provë për vlerësimin e progresit të rajonit. “I lumtur që Këshilli Europian sheh një dritë për konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë dhe të ardhmen e Maqedonisë Veriore, pas një debati të gjatë. Çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan Hahn. Ndërkohë edhe ministri i Jashtëm i Greqisë qe ndër të parët që e konfirmoi lajmin duke u shprehur se kryediplomatët e BE-së vendosën se do ta japin “dritën jeshile” vitin e ardhshëm.

Tri vendet kundër

Mësohet se vendet që kanë votuar kundër janë Franca, Danimarka dhe Holanda dhe në këtë mënyrë Shqipëria duhet të presë verën e vitit të ardhshëm. Ky vendim është pasuar nga një deklaratë nga shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, i cili tha se ka ende vende skeptike për Shqipërinë. “Janë dy grupe vendesh, një që është më i madhi, 25 vende, mbështet të hapë negociatat në samitin e 2019 dhe 3 vende, Danimarka, Holanda dhe Franca që thonë se duhet të shohin procesin europian, stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit në Europën Juglindore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë BE. E di që disa vende frikësohen nga populizmi, po nuk mund të luftojmë populizmin me hapa pas. Disa vende kërkojnë integrim të thelluar dhe pastaj zgjerimin, dhe kanë të drejtë, po u tregova një histori që e di mirë se çfarë ndodhi në vitet ‘90. Eksperienca jonë është se mund të bëjmë në të njëjtën kohë të dy proceset dhe është më e mirë për Europën”, tha Kotzias para gazetarëve.

DW: Po me kusht

“Po me kusht: Vendet e Ballkanit Shqipëria dhe Maqedonia mund të shënojnë në kalendarët e tyre fillimin e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Europian. Megjithëse ato nuk do të zhvillohen aq shpejt sa kanë shpresuar. Fillimisht duhet të plotësojnë kushtet”, kështu e jepte lajmin e shtyrjes së negociatave Deutsche Welle. Sipas medias gjermane marrja e vendimit nga vendet e BE u bë mbas zhvillimit të diskutimeve shumë të vështira, dhe DW nuk harron të shtojë se “Që bisedimet e pranimit mund të kthehen mbrapsht apo të pezullohen krejt e tregon aktualisht rasti i Turqisë”. Ndërsa sipas Zërit të Amerikës disa vende kërkonin shtyrjen pa afat të procesit. Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorësh. Nga një anë, janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin”, u shpreh ai.

Bushati: Integrimi, rrugë e pakthyeshme

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se “Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”, pasi ministrat e Jashtëm të BE-së shtynë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në qershor të vitit 2019. “Është përcaktuar një afat kohor, qershori i vitit 2019 për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Edhe në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi është përcaktuar një afat kohor”, deklaroi Bushati në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së martës. Ministri shtoi se “Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh shumë qartë, gjithashtu edhe Presidenca e BE-së” dhe tanimë, sipas tij, Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE. “Kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria nga momenti që mori statusin e vendit kandidat është impresionues, por që duhet të thellohet edhe më tej në muajt në vijim”, deklaroi Bushati. “Diskutimet e sotme dëshmuan një gjë që kemi kohë që e themi; kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria sidomos nga momenti i marrjes së statusit kandidat është një kurs reformat impresionues, i cili duhet të thellohet më tej në ditët dhe muajt në vijim. Do të ulemi me KE pa humbur kohë në mënyrë që qershori i vitit të ardhshëm ta gjejë Shqipërinë në një proces sa më solid. Për fat të keq, këto ditë një pjesë e mirë e politikës shqiptare, e medias kishin vendosur 28 qershorin si ditën e bastit apo larjes së hesapeve me qeverinë dhe Edi Ramën a thua se procesi i integrimit ka lidhje me fatin e një qeverie. Ky është një proces që ka lidhje me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Më vjen mirë që basti i këtyre spekulantëve nuk i përmbush sot”, ka thënë ndër të tjera ministri Bushati në deklaratën e tij.

Reagimet politike

Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. “Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar”, shkroi Rama në rrjetin social. “Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon”, shtoi në postimin e tij kreu i qeverisë. Ndërkohë Petrit Vasili po në rrjetet sociale u shpreh se “Kryeministri është fajtori i vetëm që na la jashtë Europës, falenderimet janë idiotësira. Kryeministri vendosi publikisht votbesimin e tij tek hapja e negociatave këtë qershor. Këtë votebesim e humbi në mënyrë tragjike për veten e tij. Tani duhet të largohet sa më parë. Për ish-ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, hezitimi i disa shteteve për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë është i lidhur me situatën absurde në të cilën ndodhet vendi ynë. Ish-kryeministri Sali Berisha në reagimin e tij shprehet se “Krimi i organizuar, korrupsioni, dështimi i reformës në drejtësi bllokuan hapjen e negociatave me Shqipërinë”. Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e konsideron dështim për negociatat vendimin e marrë nga Bashkimi Europian. Ai thotë se nuk u miratua asnjë çelje negociatash as me kusht. “Pse dhe cilin falenderon Ministri Bushati për dështimin e Negociatave?! Më e ndershme do ishte të jepte dorëheqjen së bashku me Qeverinë Rilindase.  Fatkeqësi kombëtare kjo nga keq qeverisja, bashkëjetesa me krimin, drogën, korrupsionin, nga modelet lindore, që deklarohet nga kjo qeveri se po aplikon në një vend Perendimor”, shkroi Shehu në rrjetet sociale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbroni nishanet nga dielli, rrezik për kancer lëkure

Nëse vërejmë ndryshime në formën, madhësinë, ngjyrën e nishanit duhet t’i drejtohemi...
Read More