Shuhet Afrim Koçi: Përkthyesi i 100 titujve nga kryeveprat botërore

Përkthyesi legjendë i gjuhës gjermane Afrim Koçi ndahet nga jeta, me një pasuri prej 100 titujsh nga kryeveprat botërore lënë trashëgimi shqipes, në letërsi dhe gjuhë. Në moshën 79-vjeçare Koçi bëri ndarjen fizike, por duke krijuar te lexuesi një Babel gjuhësh e njohje kulturash. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit mbahet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar

Përkthyesi legjendë i gjuhës gjermane Afrim Koçi ndahet nga jeta, me një pasuri prej 100 titujsh nga kryeveprat botërore lënë trashëgimi shqipes, në letërsi dhe gjuhë. Në moshën 79-vjeçare Koçi bëri ndarjen fizike, por duke krijuar te lexuesi një Babel gjuhësh. “Lajm i hidhur për kulturën shqiptare. Kolegu dhe miku im Afrim Koçi, punëtor i palodhur i përkthimit të letërsisë botërore, i mbaroi ditët e tij”, shkruan Aurel Plasari në rrjetin e tij social, i cili në vitin 2012 i ka dedikuar përkthyesit një ditë të veçantë për kontributin e tij në përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore që e motivoi këtë edhe me shënimin e 80 viteve të “Index Translationum”, një bibliografi ndërkombëtare e përkthimeve, e cila përgatitet nën kujdesin e UNESCO-s që prej vitit 1932. Me prezencën e përkthyesit në këtë takim, kemi ndoshta mesazhet më të plota që ka lënë Koçi për përkthimet e tij, ku ndër të tjera veçojmë këtë mbresë: “Sot përkthimi ka shumë defekte. E para e punës, njerëzit sot nuk përkthejnë për pasion, por për të nxjerrë jetesën, ndonëse te ne përkthimi paguhet shumë pak. Nga ana tjetër, nuk ka kritikë dhe vlerësime të punëve të veçanta për të nxjerrë në pah të mirat dhe të metat e përkthimeve. Kushdo mund të nxjerrë një libër në treg, mjafton të ketë ca para për ta promovuar dhe e bën të duket si libri më i mirë. Përkthyesit sot janë të harruar, sepse nuk ndihmohen fare nga institucionet shtetërore. Gjithçka i është lënë shpirtit tregtar të botuesit dhe duke qenë se botuesve u leverdis të marrin edhe përkthyes pa përgatitjen e duhur, mjafton t’i paguajnë më pak, kjo sjell edhe mungesën e një sistemi vlerash”. Ashtu siç Koçi ka rrëfyer, përkthimin e ka nisur nga mjedisi familjar, rritur në një shtëpi plot libra, me dy motra që dinin rusishten, gjuhë përmes të cilës kaloi edhe në letërsitë e vendeve të tjera.

“Unë nuk mendoj se kam bërë më shumë se të tjerët, por unë kam qenë nxënës i Petro Zhejit, i Sotir Cacit, i Bujar Dokos dhe kam hipur në ato shkallë që kanë ngritur ata më parë. Falënderoj ministrin Bumçi për vlerësimin që i bëri përkthimit, që në të vërtetë nuk është në vëmendjen e duhur dhe zotin Plasari për këtë iniciativë. Për mua do të thotë shumë, sepse është vlerësim i gati gjithë jetës sime”, pat thënë për mediat Koçi. Për të përkthimi ishte profesion dhe art, dhe nga ana tjetër një punë e vështirë, mbetur e pavlerësuar. I pyetur se çfarë e bën dallimin e përkthimit në dy kohë, para dhe pas viteve ’90, si dhe për librin sot, përgjigja e Koçit ishte: “Kjo është ndarja klasike që i bëhet jetës në Shqipëri, sepse në të vërtetë nuk ka ndarje, është vazhdimësi. Asgjë nuk krijohet në boshllëk. Epokën e komunizmit e dallonte një kufizim ideologjik, por nga ana tjetër kishte seriozitet profesional. Sot ka liri veprimi e zgjedhjeje, por nuk ka shumë profesionalizëm në shumicën e përkthimeve. Dua të tërheq vëmendjen te libri, sepse është një pasuri e madhe që të zhvillon moralisht dhe të jep shumë më tepër se ‘facebook’, ‘twitter’ apo këto rrjete sociale që janë mekanizma budallallepsje. Të lexosh një libër është njësoj sikur të bisedosh me një shok të mençur. Pavarësisht anëve të tjera jo të këndshme, e mira e përkthimit është se kur nis punën, të duket sikur futesh në parajsë e bisedon me njerëz shumë të mençur”.

Ndërsa Biblioteka Kombëtare dje ka përcjellë përmes medias një homazh për përkthyesin duke vënë në dispozicion gjithë informacion e të dhënave mbi këtë përkthyes. “Përkthyes dhe redaktor, Afrim Koçi, për rreth 45 vjet ka sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emrat më në zë të kulturës dhe letërsisë botërore. Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ‘60. Në fondet e BKSH ruhen mbi 90 tituj, përkthime e redaktime nga gjermanishtja, rusishtja, italishtja, anglishtja nga disiplina të ndryshme si letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi duke nisur nga sprovat e tij të para “Novela amerikane te shekullit XIX” (1973); “Kthimi” (1976) i Jan Myrdal; “Kufiri i hijes” (1976) i Joseph Conrad; “Drama” (1978) i Henrik Ibsen. Për të vijuar më tej me “Farefisi” (1980) i Zhigmond Moric; “Nën rrotë” (1980) i Herman Hesse; “Drama” (1981) i Maksim Gorkij; “Reportazhet e Topgungaçit” (1984) i Robert Escarpit; “Kronikë e kohës së Karlit IX” (1989) i Prosper Merimee; “Ora e gjermanishtes” (1989) i Siegfried Lenz; “Jashtë derës” (1989) i Woflgang Borchert”. Pas viteve ’90 në gjuhën shqipe do të vijnë mjeshtërisht shkrimtarë nobelistë dhe të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë botërore si “Iluminacione” (1998) të Walter Benjamin; “Abrahami nuk ka faj” (1998) të Ephraim Kishon; “Anestezi Lokale” (2000) të Gunter Grass; “Legjenda e pianistit : një monolog” (2003) i shkrimtarit italian Alessandro Bariço; “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri : 1939-1944” (2006) i Hubert Neuwirth; antologjinë “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas viteve ’45” (2007); “Epshi” ( 2007) i nobelistes Elfriede Jelinek; “Macja dhe miu” (2008) i Guntter Grass; “Mali magjik” (2009) i Thomas Mann; “Kasandra” (2012) i Christa Wolf; “Koha e ngrirë” (2014) i autores Anna Kim; “Portret grupi me një zonjë” (2015) i Heinrich Böll; “Haxhi Murati” (2016) i Lev N. Tolstoj; “Në gjurmët e një përralle” (2016) i Jan-Philipp Sendker etj. Krahas tyre qëndrojnë edhe vepra dhe studimet më të rëndësishme në fushën albanologjisë dhe historisë si “Studime shqiptare” të Johann Georg von Hahn; “Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona” (2008) i Peter Bartl; “Mehmet pushtuesi : botësulmuesi në kapërcyell kohe” (2005) i Franz Babinger etj. Për herë të parë në Koçi solli në gjuhën shqipe veprat monumentale të Eqerem Vlorës, “Kujtime” (2001), “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri : skicë historike” (2010) si dhe “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar” (2003), përkthyer nga origjinali në gjuhën gjermane. Një vëmendjen e veçantë përkthyesi Koçi i ka kushtuar edhe përkthimit të letërsisë për fëmijë si “Veti dhe Babsi” (2000) i Christine Nostlinger, “Beni do Sarën, Sara do Timin” (2004) i shkrimtareve Carola Holland dhe Edith Schreiber-Wicke, “Beni dhe Ana” (2016) i Peter Hartling; “Aventurat e bletës Maja” (2010) i Valdemar Bonsels etj. Afrim Koçi është shpallur Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë “Fan Noli”, akorduar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në vitin 2010 për përkthimin e “Malit magjik” të Thomas Mann, i Shtëpisë Botuese “55”. Ndërsa Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.

Aurel Plasari: Lajm i hidhur për kulturën shqiptare

“Kolegu dhe miku Afrim Koçi, punëtor i palodhur i përkthimit të letërsisë botërore, i mbaroi sonte ditët e tij. Do t’i jenë mirënjohës jo vetëm bashkëkohësit, por edhe brezat që do të vijnë për përkthimin e një biblioteke të tërë veprash dhe kryeveprash. Ndër të tjerë autorësh si Gothe, Tolstoi, Bjelinski, Ibsen, Prosper Merimé, Joseph Conrad, Gorki, Thomas Mann, Alexis Kivi, Szigmond Moricz, Ludwig Renn, Heinrich Bol, Robert Escarpit, Günter Grass, Max von der Grün, Peter Haertling, Hermann Hesse, Siegfrid Lenz, Peter Weiss, Heinrich Mann, Ivan Olbracht, Max Frisch, Klaus Mann, Walter Benjamin, Wolfgang Borchert, Oivind Bolstad, Jostein Gaardner, Elfride Jelinek, por edhe albanologësh të rëndësishëm, si: Franz Babinger, Peter Bartl, Ekrem bey Vlora etj.”. 

Mimoza Hysa, përkthyese: Nderim të thellë për një punë murgu

“Kur shuhet përgjithnjë një përkthyes i talentuar, gjuhës shqipe i meken fjalët… përmes gjuhës së tij magjike kam dashuruar autorët e mi të preferuar: Jelinekun, Crista Wolfin apo Tomas Mannin dhe kam kuptuar se veç një përkthyes i formuar mund të kalojë lehtësisht nga përkthimi i letërsisë klasike në atë moderne, siç lehtësisht mbajnë çdo mur të spërdredhur themelet e forta.
Nderim të thellë për një punë murgu, larg dukjes dhe shtirjes, për një përkushtim të heshtur mbi 40-vjeçar në rrugën e vështirë të përkthimit, nderim të thellë për të heshturin shumëgjuhësh Afrim Koçi!”.

Shpëtim Çuçka: Afrim Koçi, një nga përkthyesit që ka punuar për kulturën kombëtare

Përkthimi, si dega e dytë e krijimtarisë artistike, për të mos thënë është i injoruar, le të themi që është i shpërfillur dhe i lënë në harresë. Përkthimi është një mision kulturor dhe këtë bënë përfaqësuesit e shkollës sonë kulturore të përkthimit, duke synuar pasurimin e kulturës kombëtare me vlerat më të qëndrueshme të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Afrim Koçi është një nga këta përkthyes që ka punuar për kulturën kombëtare. Le të mbetemi me besimin se studimet e ardhshme rreth historisë së përkthimit shqiptar, Afrim Koçin, do ta vënë në vendin e vet të merituar.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arresti kardiak, çdo vit vdesin tre mijë persona

Doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.