Shuhet regjisori Mihallaq Luarasi: I dënuar në diktaturë për dramën e parë, pa perde…

Dje në mbrëmje është ndarë nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi, në moshën 88-vjeçare. Mësohet se regjisori ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, pasditen e djeshme rreth orës 16:30. Një nga regjisorët më aktivë, rezistencë të teatrit dhe skenës Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen e famshme “Njollat e Murrme”, në 1968.

Dje në mbrëmje është ndarë nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi, në moshën 88-vjeçare. Mësohet se regjisori ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, pasditen e djeshme rreth orës 16:30. Një nga regjisorët më aktivë, rezistencë të teatrit dhe skenës Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen e famshme “Njollat e Murrme”, më 1968. Një ditë pas nderimit me Flamurin e Festivalit IV të Teatrit, Enver Hoxha jep urdhër për ndalimin e dramës si manifestim i liberalizmit, se kjo shfaqje teatri dilte nga binarët e estetikës socrealiste, dhe denonconte në ironi, se rruga e komunizmit nuk ishte ajo që po ndërtonte diktatori. Autorët dënohen me burg. Për herë të fundit, pas afro 50 vjet, regjisori i dramës Mihallaq Luarasi shënon daljen në publik pikërisht për këtë dramë, kur për herë të parë në janar të vitit 2016, njoftoi për gazetën MAPO se është gjendur version i plotë në dorëshkrim duke dorëzuar edhe foton unike nga drama, ku luan Edi Luarasi dhe Vangjush Furrxhi dhe që e mbante shpresa se do të mund ta realizonte në skenë, sërish. Së paku ndonjë fragment.

Ka qenë një proces i hapur gjyqësor kur të dy autorët e “Njollës…” kanë pranuar fajësinë se goditën vijën e partisë. Por, kjo shfaqje nuk arriti as në këto 27 vite të vihej në skenë duke menduar se teksti nuk ekzistonte. Në intervistën për MAPO, Luarasi pat thënë se është befasuar kur ka parë dorëshkrimin, por nuk di të thotë nëse ishin individë apo Arkiva që e zbuluan, madje edhe familja e Minush Jeros, dramaturgut, ka mohuar ekzistencën e dramës.

Kështu kjo dramë bëri bujë, edhe pse spektatorët, për herë të parë, u ndeshën direkt me skenën pa perde te “Njollat e murrme”. Premiera në Korçë pati shumë sukses. Edhe në Tiranë, në Festivalin e katërt të Teatrit drama fitoi Flamurin e Festivalit, e rrëmbeu të gjitha çmimet. Gjithë byroja politike e dyndur në sallë tha fjalët më të mira, i lavdëroi autorët edhe Mehmet Shehu. Kjo ndodhi të dielën e 1968, derisa të hënën në mënyrë të pazakontë kërkon ta shohë shfaqjen Enver Hoxha. “Kjo shfaqje është një vepër revizioniste dhe mishëron manifestimin e liberalizmit në Shqipëri”, u desh kjo fjali e diktatorit, që suksesi të mbyllej brenda një dite. Drama u izolua për të mos u shfaqur kurrë më. Ndërsa viti ‘73 riktheu çështjen. Dramaturgu Minush Jero dhe regjisori Mihallaq Luarasi arrestohen duke u dënuar me 8 vjet burg. “Në teatrin tonë, në atë kohë, në përgjithësi zotëronte një skematizëm ku ngrihej në idil personazhi kryesor, dhe kërkohej medoemos heroi, të cilit duhej t’i jepej toni”, ka treguar Luarasi vite më parë mbi këtë ngjarje unike.. Ndërsa revolucioni psikologjik i Jeros kundërshtonte krejtësisht “njeriun e ri” të partisë, duke mohuar ekzistencën e tij. “Ai prirej vetëm te filozofia se njeriu është njeri dhe nuk ka transformim të tij. Si dramaturg ai ishte me një botë të brendshme krejt origjinale, pikërisht këtë kërkonte të zbërthente dhe në teatër. Atë çka i sugjeronte vetë jeta, realiteti, ishte fokusi i dramës së Jeros. Ndërsa kishte guximin, vullnetin për t’i thënë gjërat e vërteta”, ka treguar Luarasi.

Kjo është nga proceset e rralla e cila është zbardhur totalisht duke treguar se si artistët nuk mund të ndërtonin asnjë alibi ndaj hakmarrjes së diktatorit. Ndaj Luarasi do mbahet mend si njeriu që solli të plotë edhe këtë memorie të Teatrit shqiptar sa qe gjallë. I lindur në Korçë, më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë, Luarasi kreu shkollën e mesme në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë. Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisorët e shquar të periudhës më të ndritur e cilësorë të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin II kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tillë”. Më 1966 vë për herë të parë në skenë në Teatrin Migjeni të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”. Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Williamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme.

Në teatrin AZC të Korçës punoi pesë vjet dhe realizoi një sere shfaqjesh të paharruara, si “Të pamposhtur”, “Pas dy vjetësh”, “Flakë në shtëpi” etj. Më 1972 në teatrin A. Moisiu të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Pacramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u ndesh përsëri me Diktatorin, i cili kësaj herë nuk ia fali “fajet” e vazhdueshme dhe urdhëroi burgosjen e tij. U dënua me tetë vjet heqje lirie. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990. Në dhjetor 1990 largohet në Hungari. Më 1991-1992, vë në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qoses “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 e fton Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vë në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad. Mihal Luarasi është regjisor i disa spektakleve te mëdha në Teatrin e Operës dhe Baletit, si “Karmen”, “La traviata”, “Pranvera”, “Opera për tre grosh” etj.

Gjatë qëndrimit ne Hungari, ka botuar një sërë shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003 u botua libri i tij “Teatri Kombëtar në udhëkryq” dhe pas dy vjetësh libri i dytë me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera “Kujtesa që nuk fle”.

Në vitin 2001 Luarasi shkruan dramën “Gomone” që u vu në skenë në TK, në 2003, nga regjisori Gëzim Kame. Në këtë vit ai kthehet përfundimisht nga Hungaria. Vë në skenë në TK dramën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve” në 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar. Në 2006 shkruan dhe vë në skenë dramën “Korbi i bardhë”, që vazhdon të shfaqet me sukses (2007).

Sot në orën 12.00 homazhet e lamtumirës për regjisorin në Skenë 

Pas njoftimit për ndarjen nga jeta të regjisorit Mihallaq Luarasi, Teatri Kombëtar duke shprehur ngushëllimet ka njoftuar se nesër dt.31 Tetor ora 12:00-14:00 do të mbahen homazhet në ambjentet e Teatrit Kombëtar për t’i dhënë lamtumirën e fundit. “Mihal Luarasi do të mbetet gjithmonë i paharruar për kontributin e tij të lartë në rritjen artistike të teatrit shqiptar, duke sjellë në skënë shfaqje të nivelit të lartë artistik.”

 

Përparim Kabo: Ike Mihal Luarasi dhe teatri është në zi

Mund të ketë qenë ndër të parët, Përparim Kabo, që ka ndarë dhimbjen për humbjen e regjisorit Mihallaq Luarasit, si mik i afërt i tij. Në një postim në facebook, Kabo ka kaluar memorien në kujtimet dhe miqësinë e tyre: “Ike mik i shtrenjtë dhe ma zbraze shpirtin…tek të shihja të shtrirë pa jetë nuk doja ta besoja…Ike mik dhe le një boshllëk te familja jote e mrekullueshme…Ike Mihal Luarasi dhe teatri është në zi, ike nga kjo botë për të cilën u përpoqe ta bëje më të mire me artin tënd regjisorial, ta bëje më humane me dramën shqipe, ta bëje një botë me dritë fal përkushtimit dhe kalvarit tënd… Ike Mihal dhe do më mungosh, poezitë nuk do ti lexojmë dot më bashkë por unë do ti dërgoj në qiell…Sa kujtime kemi bashkë, sa ëndrra sa biseda dhe sa brenga….Ike miku im megjithëse tu luta para dy ditësh me poezinë titulluar të Lutem mos fluturo…por ja në këtë vjeshtë ike, lamtumirë mik i shtrenjtë…Më mori malli që tani…”, shkruan Kabo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bashkëqeverisja, arma e fundit e komunikimit politik të Edi Ramës

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama njihet si Kryeministri që më shumë se...
Read More