Shumë vonë Martin Schulz!

Nga Katharina Kroll

Çfarë lëvizjesh marramendëse. Të mërkurën Martin Schulz u duk si fitues. Ai arriti maksimumin për partinë socialdemokrate në bisedimet për koalicionin qeverisës me partinë kristiandemokrate të Angela Merkelit. Ministria e Punës, ajo e Financave dhe Ministria e Jashtme, që do ta drejtonte ai vet. Tani ai mbetet pa asnjë post. I tërhequr nga kreu i partisë, ai po ashtu humbet edhe postin e preferuar të tij si ministër i Jashtëm. Përse ndodhi kjo lojë e trishtueshme?

Martin Schulz e stërmundoi partinë me shumë kthesa të forta dhe bëri shumë gabime strategjike. Këtë ai e kuptoi edhe vet dhe donte të shpëtonte me postin e ministrit të Jashtëm, duke hequr dorë vullnetarisht si kryetar partie. Por Martin Schulz i bëri hesapet pa Sigmar Gabrielin. Ky i fundit është i preferuar.

Të gjithë indinjatën dhe mllefin e tij Gabriel e shprehu në një intervistë: “Vajza ime e vogël më tha sot në mëngjes: ‘Ti nuk duhet të mërzitesh babi, tani do të kesh më shumë kohë për ne. Është më mirë me ne se me atë burrin, me flokë në fytyrë’”. Anembanë u citua dhe mund të lexohet kjo intervistë. Madje kjo është edhe tema numër një e bisedave në Berlin. Ministri i Jashtëm në detyrë dhe ish-kryetari i partisë Gabriel flet përmes fjalëve të vajzës së vet. Nuk mund të ketë teatër më të shëmtuar se kaq mes dy burrave, që dikur e quanin veten shokë. Përmes kësaj fjalie bëhet shumë e qartë se ç’po ndodh pas kuintave në partinë tradicionale SPD!

Edhe Merkeli është tani në tension

Martin Schulz e di, që nuk mund ta marrë më veten prej kësaj goditjeje. Kokulur ai tërhiqet tani. E me këtë ai do t’i bëjë shërbimin e fundit partisë. Ai shpreson që kështu do t’u jepet fund “urgjentisht” debateve për personelin në SPD. Me këtë ai do t’i vërë në lëvizje anëtarët e partisë, që të miratojnë marrëveshjen e koalicionit me unionin e Angela Merkelit. Sepse miratimi i marrëveshjes nga baza e SPD-së është pengesa tjetër përpara, në mënyrë që të mund të krijohet qeveria e re.

Martin Schulz nuk mund të mbështetej më te partia e vet, që e zgjodhi atë me 100 për qind të votave kryetar dhe kandidat për kancelar para zgjedhjeve. Në fund SPD-ja dukej si një parti tërësisht e refuzuar. Për ta nxjerrë atë tani nga ky batak është një detyrë e vështirë e kryesisë së mbetur të partisë. Pyetja është, nëse mund të realizohet kjo deri më 4 mars, në ditën vendimtare të votës së anëtarëve të partisë. Në rast të kundërt jo vetëm SPD ndodhet përballë rrënojash, por edhe vetë kancelarja Merkel.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vrasja e Devi Kasmit: Dritë-hijet e arrestimit të biznesmenit 26-vjeçar

Mario Meshini, pronar i një kompanie transporti ndërkombëtar i kishte kërkuar Devi...
Read More