Si doli Vangjush Dako në përgjimet e EULEX-it të Kosovës


Detaje të tjera dalin nga çështja hetimore ndaj kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Burimet thonë për “Panoramën” se Vangjush Dako ka dalë krejt rastësisht në përgjimet që po kryente një prokuror në Kosovë.

Ky i fundit kishte disa vite që mbante nën përgjim një grup trafikantësh kosovarë, të cilët transportonin drogë nga Kosova në drejtim të Durrësit. Prej andej, droga trafikohej me gomone drejt Italisë.

Mirëpo, sipas burimeve, grupi kosovar kishte njerëz të besuar në Durrës. Këta persona formonin një grup tjetër që merreshin me transportin e lëndës narkotike që vinte nga Kosova drejt Italisë.

Pikërisht, duke përgjuar trafikantët kosovarë, prokurori arriti të zbulonte pjesëtarët e grupit shqiptar që bashkëpunonin me to. Teksa u vunë nën përgjim edhe disa pjesëtarë te grupit kosovar që vinin në Durrës për lëndën narkotike, u evidentuan edhe telefonatat e dyshuara me kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Në momentin që emri i kryebashkiakut doli në skenë, në lojë u fut edhe EULEX-i, i cili kërkoi të merrte në ngarkim dosjen, pasi në të ishte përfshirë një zyrtar i lartë shqiptar. Kështu, dosja e prokurorit kosovar i kaloi EULEX-it dhe të tjera përgjime më të detajuara u kryen.

Më pas, një pjesë e materialit të saj mbërriti në Prokurorinë e Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore. Gjithashtu, burimet thonë se çështja mund të kalojë edhe te Krimet e Rënda, pasi në të përfshihet emri i një zyrtari të lartë.

Përgjimet mendohet se janë zhvilluar në periudhën e zgjedhjeve, dhe personat me të cilët komunikonte Vangjush Dako dyshohet se janë përfshirë edhe në skema të blerjes së votave. Për këtë histori, pati edhe shumë akuza nga opozita, e cila ka thënë ditën e hënë se një prokuror i Durrësit është transferuar në Shkodër pas presioneve të Kryeministrit Rama për çështjen e përgjimeve të Vangjush Dakos.

AKUZAT E OPOZITËS:

Të hënën, përmes një deklarate për mediat, kreu i opozitës Lulzim Basha denoncoi publikisht ekzistencën e këtyre përgjimeve për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ndërkohë që një ditë më parë edhe ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se përgjimet e Dakos kanë ndodhur gjatë fushatës elektorale, duke shtuar se në këto përgjime është i regjistruar edhe vëllai i Kryeministrit.

“Gjushi, i vetmi sherholder me Ramën në narkokabinetin aktual, është i regjistruar në biseda kriminale me banda trafikantësh edhe nga EULEX-i i Kosovës. E vërteta është se nga EULEX-i nuk është i regjistruar vetëm Gjushi, por dhe shumë më rëndë, vetë Rama. Në disa nga këto regjistrime, veçanërisht ato të grupit të Xibrakës, rezultojnë të përfshirë direkt dhe me lidhje shumë imtime Edi dhe Olsi Rama.

Këto regjistrime u janë dhënë, përveç instancave që drejtojnë shërbimin e jashtëm në Bruksel, edhe disa prej shërbimeve të vendeve kryesore”,- deklaroi Berisha./Panorama.com.al/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Fevziu: Qarkullojnë përgjime të një kryetari të rëndësishëm bashkie

  Nga Blendi Fevziu  Kanë mjaftuar disa materiale të publikuara në dhjetë...
Read More