Si duhet lexuar Saimir Tahiri sot dhe çfarë po paralajmëron ai…


Më 24 tetor të vitit të kaluar, jo nga Hotel “Rogner”, por nga kryesia e Kuvendit, Saimir Tahiri ende minister i Brendshëm bëri publike një dokument të prokurorisë së Katanias ku thuhej se ndaj tij nuk rezultonte nisje hetimesh.

“I komunikohet kërkuesit Saimir Bashkim Tahiri, lindur në Shqipëri në datën 30/10/1979, nuk rezultojnë, deri në datën e kërkuar, nisje hetimesh nga Prokuroria që lëshon dokumentin. Katania 23/10/2017”, shkruhej në dokumentin e bërë publik me zë të lartë nga Saimir Tahiri.

Si sot, edhe në atë konferencë, Tahiri nuk i kishte të vogla dozat patetike kur foli kundër të gjithëve, i vetëm përballë drejtësisë duke shpotitur sa të majtë e sa të djathtë për të vërtetat që i dinte vetëm ai.

Në më shumë se një vit hetime ndaj tij, Saimir Tahiri ka dalë dy herë në konferencë për shtyp.

Një herë për të thënë me një dokument italian se nuk është nën hetim, dhe një herë (sot) për të thënë të kundërtën, po me dokument italian se ai ishte nën hetim nga organet e vendit fqinj porse ato e nxorën të pastër.

Tahiri është i vetëdijshëm për deklaratat e tij duke pranuar atë që kish thënë një vit me parë, porse hetimet nisën më vonë (me 27 tetor) me kërkesë të tij dhe se kudo në këtë histori ishte futur një dorë e zezë:

“… Unë i tregova publikut se mua hetimi i Prokurorisë shqiptare nuk më mjafton dhe për të vërtetën time unë kërkova të hetohem edhe në Itali. Pas konferencës time të njëjtën gjë bëri edhe prokuroria. Janë prokurorë ata që shpërndanin gjysmë lajm dhe gjysmë letra. Prokurori i Antimafias italiane në përfundim të hetimeve kërkuan pushimin e hetimeve ndaj Samir Tahirit se nuk ka asnjë përfshirje në asnjë aktivitet të paligjshëm. Sot unë kam vendimin e anti-mafias italiane. Unë sot kam vendimin e gjykatës ku thuhet se pushohen hetimet për Saimir Tahirin sepse nuk ka lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm. Dora e zezë e shpërndau në disa media. Ajo që ka rëndësi sot është vetëm një gjë. Unë u akuzova dhe nuk bëra politikë, nuk u fsheha, nuk sajova. Unë u përballa. Sot jam i vetmi politikan shqiptar që vetëm sepse përmendet në bisedat e disa trafikanteve hetohet dy herë jo njëherë”.

Tahiri, sërish u shfaq i vetëm kundër të gjithëve, kundër klasës politike 30-vjeçare, kundër makinacioneve politike, duke paralajmëruar me gjasë një lëvizje të re politike, por jo brenda PS-së

Sepse kur bie fjala për akuzat që shoqërojnë politikanët, Tahiri i fut në një thes te gjithe, të majtë e të djathtë, që nga përpjekjet e Sali Berishës për të shpëtuar Ilir Metën (duke kujtuar darkën me kumbulla të Kryemadhit), qendrimet e kësaj të fundit dhe “kryemëdhenjve” e deri tek akuzat për vëllain e Fatmir Xhafajt, kunatin e Lulzim Bashës dhe baxhanakun e Edi Ramës.

“Më vlen më shumë e vërteta ime, këtu në vendin tonë, kur ua do interesi, politikanë e gazetarë analistë çirren studiove, nuk mbahet përgjegjësi për motrën, vëllanë, gruan, djalin vajzën, kunatin, baxhanakun…”, tha ai.

Pas deklaratës, Saimir Tahiri u pa duke u puthur e perqafuar me disa mbështetës si për të treguar se rruga e tij do të jetë e gjatë.

“Të mblidhemi dhe të godasim palaçot në politikë që kanë grabitur këtë vend dhe që të mos i shpëtojnë drejtësisë së popullit”, tha befas ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shpërthen vëllai i Olldashit: Demokratët nuk ua kanë borxh këtë katastrofë

    Pesë vjet pas ndarjes nga jeta, demokratët kanë përkujtuar një...
Read More