Si duhet t’i përgjigjet Basha provokimit të kryeministrit, zotërinj ambasadorë?

Nga Ndriçim Kulla*

Që nga koha e Luftës së Trojës, 3000 vjet më parë, kur lideri grek Agamemnoni sakrifikoi vajzën e tij Ifigjeninë për kauzën e përbashkët, nuk ishte parë në politikën botërore një skenë si ajo e 13 majit në Tiranë, kur lideri i opozitës shqiptare doli në një miting proteste së bashku me familjen, gruan dhe dy vajzat në moshë të mitur. Basha e bëri këtë sepse qeveria kishte ngritur një stuhi akuzash, duke alarmuar edhe ndërkombëtarët, se Basha kishte bërë një skenar të dhunshëm për këtë ditë.

Për këtë arsye, lideri i opozitës Basha, për të dhënë garanci të plota para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se nga ana e tij dëshironte zhvillimin paqësisht të mitingut të protestës së 13 majit dhe se nëse ndodhte dhunë, do të ishte vepër e Ramës, doli në krye të protestës me familjen e tij. Me këtë Basha përgënjeshtroi të gjithë zërat se opozita kishte përgatitur një skenar të dhunshëm në 13 maj. Kur lideri i opozitës del në miting me familjen, aq më tepër me fëmijët e tij të mitur, çfarëdo ngjarje e dhunshme nuk mund të jetë veçse e zbatuar nga qeveria. Kjo për arsye se askush nuk rrezikon jetën e fëmijëve të tij për të fituar kapital politik. Në qoftë se në 13 maj do të kishin ndodhur incidente, përgjegjësia do t’ i shkonte kryeministrit.

Asnjëherë në një miting, as në ata të dhjetorit 1990 e as në ata të marsit 1992, që më kanë përlotur, nuk më ka ndodhur të përlotem aq shumë sa duke parë skenën e mësipërme ku lideri shqiptar kishte nxjerrë vajzat e tij për të mbrojtur jetën e protestuesve nga skenarët e dhunës së qeverisë. Duhet të kisha penën e Euripidit apo të Gëtes që kanë shkruar për Ifigjeninë, që ta përshkruaja saktë këtë skenë.

Për shkak të këtyre Ifigjenive të vogla shqiptare, z. Rama nuk i vuri në zbatim planet e tij provokuese që kishte përgatitur për 13 majin. Jo sepse ai do t’i kursente ato, por se faji do t’i mbetej vetëm atij. Që kishte skenarë të dhunshëm të përgatitur për t’u vënë në zbatim nga qeveria, kjo u kuptua nga shumë shenja. E para, mediat pranë qeverisë e pastaj edhe Policia kishin bërë aluzione në ditët para protestës se opozita kishte përgatitur skenarë dhune me marinsa amerikanë të dalë nga fantazia e drejtuesve enveristë që i shikojnë marinsat si armiq politikë. Ata nuk e kuptojnë dot se edhe një marins amerikan vjen në Shqipëri si në një vend mik, takon edhe miq të angazhuar në politikë dhe këta nuk mund të jenë veçse antikomunistë, sepse marinsat kanë traditë antikomuniste të madhe. Por ata nuk vijnë për të përmbysur pushtetin me dhunë.

  Në një shkrim editorial të gjatë në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryeministri Rama bëri ironi me numrin e pakët, sipas tij të pjesëmarrësve në miting, duke thënë:

“Të gjithë demokratëve të zakonshëm, që e duan Shqipërinë njësoj si unë, si ne të tjerët, që s’jemi votues të Partisë Demokratike, kam dëshirë t’u them vëllazërisht sot: Mos u ligështoni! Pamja gjysmë e zbrazët e bulevardit sot, më trishtoi edhe mua, jo më ju! Më trishtoi sepse, pavarësisht se jam kundërshtar natyral i PD-së, nuk ndihem aspak mirë që një parti e madhe shqiptare është katandisur sot në një fantazmë të jetës sonë politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri”.

Problemi kryesor në këtë deklaratë nuk është që kryeministri gënjen haptazi duke përdorur foto nga çastet kur protestuesit janë duke u mbledhur apo duke u shpërndarë. Ky është problem më i vogël. Problemi kryesor është që kryeministri e provokon liderin e opozitës në një mënyrë që justifikon çdo reagim nga ana e këtij të fundit. Ku ka shembull në botën demokratike që të dalë kryeministri pas një mitingu paqësor të opozitës dhe iu drejtohet mbështetësve të opozitës duke shprehur keqardhjen që janë aq pak sa nuk mbushin dot bulevardin.

Pse  vallë kryeministri po e sfidon opozitën, që ajo të detyrohet që të tregojë forcën e saj?! Çfarë duhet të bëjë lideri i opozitës përballë elektoratit të tij, pas kësaj? Të thërrasë një tjetër miting proteste apo më saktë demonstratë siç e quajti Edi Rama atë të 21 janarit dhe këtë herë të shkojë pa familjen e tij dhe të rrethojë Kryeministrinë e ta mbajë të rrethuar siç tentoi të bënte  Rama në 21 janar, duke mos e lejuar kryeministrin të hyjë në zyrën e tij? E pastaj kur kryeministri dhe ambasadorët të kërkojnë të hiqet rrethimi, lideri i opozitës të thotë se ata shikojnë fantazma pasi zona përreth Kryeministrisë është bosh, se siç ka thënë vetë kryeministri Rama se PD është “katandisur në një fantazmë të jetës politike” në “bulevardin gjysmë të zbrazët”?

Pse nuk i tërheqin vërejtje ambasadorët Ramës për provokimin e tij ndaj liderit të opozitës në këtë  klimë të nxehtë politike por vazhdojnë të qëndrojnë të njëanshëm si ambasadorë të palës? Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë nesër nuk do të kenë të drejtë t’i tërheqin vërejtje Bashës për veprimet radikale që mund të jetë i detyruar të bëj bëjë mbas këtyre provokimeve të kryeministrit.

Një tjetër gjë shumë e rëndë që ndodhi në 13 janar ishte kërcënimi i Policisë së Shtetit për pjesëmarrësit e mitingut të ardhur nga jashtë Tiranës.

Por në anën tjetër, në komunikatën e saj, Policia thoshte:

“Policia menaxhoi me shumë profesionalizëm dhe korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 60 autobusëve, 80 mikrobusëve, i fugonëve dhe rreth 700 autoveturave të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë, përfshirë këtu edhe nga njësitë administrative të Tiranës”.

Ku ka shembull në botën demokratike që Policia në komunikatën e saj për zhvillimin e një mitingu që e pranon se ishte paqësor, të japë numrin e detajuar të makinave të ardhura nga jashtë kryeqytetit me pjesëmarrës të opozitës? Kur Policia flet për 60 autobusë, 80 mikrobusë, 700 autovetura, ky është një mesazh që iu jepet mbështetësve të opozitës se iu kemi evidentuar të gjithëve dhe më vonë do të keni pasoja.

Pas deklaratës provokative të sipërpërmendur të tij si duket kryeministri, pret që lideri i opozitës të bëjë atë që ai nuk ka zgjedhur ta bëjë dhe për të cilën deri tani është akuzuar se ka ndërmend të bëjë. Kryeministri Rama në fakt këtë gjë kërkon duke menduar se ai është në gjendje që ta shtypë edhe protestën e mundshme radikale të opozitës, nëse ndodh dhe pastaj do të qeverisë pa opozitë, duke e eliminuar atë që para zgjedhjeve enveriste që kërkon të bëjë në 18 qershor.

    *publicist

Shkruar Nga
More from revista mapo

250+, programi që lidh akademinë me biznesin

Universiteti Europian i Tiranës materializon lidhjen e studentit me tregun të punës....
Read More