Si e kam njohur Arbën Xhaferin

Nga Mustafa NanoRevista Mapo

Arbën Xhaferin e kam takuar për herë të parë në Tiranë. Nuk e mbaj mend datën e saktë. Por di që ka qenë viti 2000. Sabri Godo, Genc Ruli e Ardian Klosi kishin hedhur idenë për të krijuar një forum intelektual në Tiranë, dhe kjo u bë e mundur shpejt e shpejt. Isha edhe unë pjesë e atij forumi, që nuk pati jetë të gjatë, megjithatë. U shkri pas disa takimesh. Ato pak herë që u mblodhëm e patëm bërë të udhës të ftonim ndonjë shqiptar të njohur nga Prishtina apo Tetova që të na fliste mbi botën “e vet” ende të panjohur ndër ne, por edhe ndonjë ekspert të Tiranës që na ndriçonte lidhur me çështje të ndryshme, si: arsimi, shëndetësia etj. Mbaj mend që këtë praktikë e përuruam me një ftesë për Arbën Xhaferin. Dhe ka qenë ky rasti, kur i kam dhënë dorën për herë të parë. Ma mbajti gjatë, por pa mundur të ma shtrëngonte. Unë e kam zakon t’ua shtrëngoj dorën njerëzve, por në atë rast u kujdesa që të mos e bëja. Ai ishte i sëmurë me Parkinson.

Atë ditë na foli mbi idenë e tij të bashkimit kombëtar. Na foli mbi një orë, dhe e bëri me një rrjedhshmëri të habitshme. Mua m’u duk se ishte përgatitur gjatë për atë rast, por dikush tjetër aty ishte i mendimit se ai kish kohë që i kish hyrë thellë kësaj çështjeje, kish menduar gjatë për të, e prandaj i kish të gjitha idetë të sistemuara në kokë. Ritmi i zvargur në të folur, që i bëhej edhe më i zvargur prej sëmundjes, ia bënte ligjërimin paradoksalisht më të bukur (“Mendje të bukur”, e ka quajtur Përparim Kabo disa ditë pas vdekjes në një shkrim të vetin). Unë nuk e kisha njohur para se të sëmurej, dhe nuk kisha ide mbi mënyrën e tij të të folurit, por kur e dëgjoja të fliste ashtu, me atë ritëm që zgjatej si një fill i dobët që mund të këputej nga çasti në çast, por që kurrë nuk këputej, më bëhej të mendoja se Parkinsoni “i kishte bërë një nder”. Të bëhej se pauzat me fjalëve, prej të cilat karakterizohet çdo sintaksë humane, ai i kishte zëvendësuar me ca si pauza brenda fjalëve, midis germave, dhe pikërisht te këto pauza të fundit ai e gjente kohën për të menduar fjalët e radhës, që i vinin shí në çastin e duhur. Kur fliste, buzët mezi i hapeshin, gjë që e shndërronte ligjërimin e tij në një gati murmurimë. Kriminologët, sikur t’u duhej t’i bënin leximin labial asaj që ai thoshte, do të hiqnin shumë para se t’ia arrinin qëllimit. Kriminologët? Hëm, Arbën Xhaferi ishte gjëja e fundit që atyre mund t’u binte për hise.

Edhe kur qeshte, goja i hapej vetëm pak. Por nuk është se qeshte shpesh. Ishte një burrë i trishtuar. Trishtimi ishte gjendja e tij normale, gjë që ndoshta mund të vinte prej çalltisjes së pafrytshme për t’ia gjetur një kuptim kësaj jete. Për të mos e lënë këtë çalltisje t’i shkonte fare dëm, një kuptim jetës së vet ia kish gjetur, sidoqoftë. Më shumë se sa “gjetur”, do ishte mirë të thuhej “dhënë”. I gjithë lajtmotivi i bisedave të mia me të ka qenë kombi, interesi kombëtar, çështja kombëtare. Unë nuk i kam mbajtur shënim bisedat me të (nuk mbaj shënime mbi takimet që bëj), por sikur të më duhej ta sintetizoja thelbin e shqetësimit të tij, ky thelb do të ishte: “E vetmja gjë me kuptim në këtë botë është kombi, i vetmi identitet kolektiv që e përkufizon qenien tonë është ai kombëtar”. Më bëhej se ishte gati të harronte që nuk besonte në Zot, e të më thoshte se kombi është një konstruksion divin, e se gjuha shqipe është një dhuratë që e kemi nga Zoti. Mirëpo ai nuk besonte në Zot, sidomos në Zotin e feve monoteiste. Ca më pak në Zotin e myslimanëve. Ateizmi ishte një nga shtyllat e formimit të tij kulturor; dhe midis feve monoteiste, Islamin e shihte me sy veçanërisht kritik. Dhe duhet thënë që e njihte mirë doktrinën islame. (Në këtë kuptim ceremonia fetare e varrimit të tij, dhe ai hoxha që recitonte vargje kuranike pranë varrit të tij, ka qenë gjëja më e pakuptueshme në atë rrethanë; nuk u mor vesh se cili idiot e kishte organizuar atë teatër absurd).

Kish një kontradiktë në të gjithë këtë histori. Sikur nuk pajtoheshin shumë edhe ideja e bashkimit/forcimit të një kombi shumëfetar, edhe kritika ndaj fesë më të rëndësishme mes shqiptarëve. Brenda tij rrinin rehat edhe mendimtari, edhe patrioti. Mendimtari e njihte këtë kontradiktë, por patrioti përpiqej të mos e evidentonte. Ai kishte vesin e të gjithë mendimtarëve shqiptarë të të gjithë kohërave: nuk i interesonte e vërteta përpara interesit kombëtar. E në këtë pikë duhet thënë se kemi të bëjmë me një ves të elitave të atyre kombeve që janë ende në një proces ngjizjeje a formimi a konsolidimi. Kemi diskutuar gjatë mbi këtë temë në takimet e mëpasshme, që kanë qenë të shumta. Dhe nuk binim dakord. Më saktë, binim dakord të mos binim dakord.

Arbën Xhaferi pra ishte i prirur të shihte virtytet, arritjet, dispozicionet pozitive, e më pak, ndoshta aspak, veset, cenet, papërsosmëritë apo mbrapshtitë e kombit shqiptar e të shqiptarëve. E ndiqte shumë jetën e kryeqytetit shqiptar, për të cilin mendonte se e bartte “ex officio” rolin e lokomotivës së trenit nacional. Nuk e bezdiste fare qasja autoreferenciale e elitës së Tiranës. Përkundrazi, e shqetësonte fakti që kjo elitë nuk kishte vetëdijen se duhej ta luante këtë rol edhe më fort. E kurrë nuk e çonte në mendje se kjo elitë, edhe sikur t’ia njihte vetes këtë rol, nuk kishte fuqinë për ta luajtur. Ai e vlerësonte intelligentsia-n e Tiranës shumë më tepër se sa ajo vlente në të vërtetë. Vlerësonte shumë edhe gazetarët e median. “Unë i njoh mediat në Ballkan dhe gazetaria televizive e Tiranës është më e mira”, më tha një herë në Tetovë. Ishte koha kur Top Channel-i ishte bërë ekrani i të gjithë shqiptarëve.

Ai nuk bënte asnjë përpjekje për ta përkufizuar veten politikisht. Në agjendën e tij kishte veç një përparësi: Kombi e çështja kombëtare. Diskutime të tjera në botën shqiptare, si fjala vjen, ai mbi të majtën e të djathtën, sidomos grindja politike mbi këtë argument, i ngjante një pesë me hiç. Nuk ma ka thënë ndonjëherë, por nuk di pse jam i sigurt që e ka çuar shpesh në mendje një paralele mes intelektualëve e politikanëve të Tiranës, që në kohë të vështira për kombin kanë bërë sherre të kota e të mëdha me sho-shoqin, ndonjëherë duke e tërhequr gjithë kombin në vallen e këtyre sherreve banale, dhe eksponentëve të klerit e të elitës së Kostandinopojës në vitin 1453 që, ndonëse qyteti ishte i rrethuar nga turqit që bërtisnin “Allahu akbar” e “vdekje të pafeve”, haheshin me një pasion të paparë lidhur me gjininë e engjëjve. “Engjëjt janë femra”, thoshin ca. “Jo, engjëjt janë meshkuj”, thoshin të tjerët.

Edhe vlerësimet politike nuk i bënte bazuar në emocionet e ditës apo në zhurmën mediatike mbi bëma korruptive të njërit apo tjetrit. Në një bisedë mbaj mend të më ketë thënë (nuk jam në gjendje ta riprodhoj në mënyrë besnike; po bëj një përmbledhje me fjalët e mia të asaj që më tha): “Politikanët nuk duhet të gjykohen mbi kritere morale; ata nuk duhet të gjykohen as prej motivimeve e qëllimeve që kanë patur; ata duhen gjykuar prej pasojave të veprave të tyre”. Ne ishim duke folur në atë rast për Fatos Nanon e Sali Berishën, por mua më dukej se, teksa fliste, në mendje kish Enver Hoxhën. Si të shumtët e shqiptarëve që nuk e kanë jetuar drejtpërdrejt regjimin e Enver Hoxhës, Arbën Xhaferi i njihte këtij të fundit disa merita në kompaktësimin e unifikimin e kombit në planin socio-kulturor. Nuk është se e shprehte qartazi këtë gjë. E linte të nënkuptuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse i doni politikanët të jenë protagonistë edhe në gusht?

Nga Mustafa Nano “Lulzim Basha ka ikur, ka lënë vendin, ka marrë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *