Si e kam njohur Dritëro Agollin

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo 

Për herë të parë, me sa më kujtohet, jam takuar me Dritëro Agollin në Rogner, në hollin e hotelit. Ai, i shoqëruar nga dy a tre vetë, po dilte. E unë, i vetëm, isha duke hyrë. E pikasa i pari, e bëra t’i përvidhesha. Gjithnjë kështu bëja me njerëz që unë i njihja prej kohësh për shkak të statusit të tyre publik (aktorë, shkrimtarë, artistë, etj, me imazhin e të cilëve isha rritur). Nuk po mësohesha dot me idenë se edhe unë isha njësoj publik e se mund të barabitesha me ta përsa i takonte popullaritetit. Kisha edhe atë përunjësinë e atij që është bërë popullor rishtazi. Duhet të ketë qenë rreth vitit 2000, kur për shkak të daljeve të shpeshta në televizionet e reja që ishin krijuar, fytyra ime ishe bërë si parja e kuqe brenda një harku të shkurtër kohe. Provoja një lloj zori të pashpjegueshëm në ato rrethana, ndihesha si në faj, mú sikur të kisha bërë një kundravajtje ligjore a të kisha dhunuar ndonjë normë bazike morali. Sidomos kur përballë më dilnin personazhe të prerjes së Agollit, që jetëgjatësia e famës dhe e suksesit i shndërronte dashje pa dashje në legjendë.

Por ndërkohë, doja të merrja vesh nëse Agolli më kish parë, apo jo. E kur me bisht të syrit kuptova se pamja ime i kishte tërhequr vëmendjen, unë nuk munda t’i rezistoja tundimit për t’i folur. U drejtova nga ai. I dhashë dorën. Mirëpo, aty për aty më doli një problem i paparashikuar. Nuk dija si t’i drejtohesha. Me “zoti Agolli” nuk mund të dilja huq, nuk kish pse, por më dukej një formë e ftohtë, gjithsesi. Dhe në momentin e fundit më doli një “profesor, si jeni”. Ishte hera e parë, dhe e fundit duhet thënë, që e përdorja këtë “profesor” ashtu si e përdorin të shumtët, dmth për t’iu drejtuar njerëzve që i respektojnë, s’ka gjë se këta të fundit veç profesorë nuk janë. Po shkëmbenim përshëndetjet rutinë, kur Agolli më bëri një nga ato pyetjet e veta të papritura: “Cili shkruan në familjen tënde?” “Askush”, i thashë. “Nuk ka mundësi”, më tha. “Ka mundësi që ç’ke me të”, iu përgjigja, duke u mbërthyer prej ndjesisë se po zhvilloja një bisedë hëm surreale, hëm të lezetshme. “Ti ke stil, dhe stili nuk lind nga hiçi; prandaj them se nuk ka mundësi”, vijoi ai me këmbënguljen e tij. Doja t’i thoja se ishte ai që kishte stil, gjë që dukej jo vetëm nga librat e tij, por edhe nga ajo bisedë, që  mua po më sillte në mendje ca shënime të Gorkit mbi takimet që ai kishte patur me Tolstoin e madh në Jasnaja Poljana.

Duhet t’ia ushqeja atë bisedë, sidoqë ndjeja se nuk kisha ndonjë gjë për të thënë. Unë vija nga një familje e thjeshtë, shumë e thjeshtë. “Shkrimtari i vetëm në familjen time ka qenë gjyshja ime që ka vdekur para tre vjetësh; nuk mund të gjeje gjë më të paditur se ajo; fjalori i saj, gjithë-gjithë, nuk i kapte 200-300 fjalët; por i përdorte ato fjalë si askush tjetër në këtë botë; ishte e veçantë, dmth me stil”, i thashë unë qetë-qetë, duke qenë i sigurt se kisha folur veçse për një ndjenjë detyre. “Po ajo është shkrimtarja; nga ajo ke dalë”, shpërtheu me hare Agolli, sikur të kishte dëgjuar një zbulim. Ishte shumë argëtuese ajo situatë. Agolli, si të donte që ato fjalë të mos i merreshin me shaka, m’u kthye seriozisht. “Mos e shiko me të qeshur këtë punë: është kështu si të them unë; pse çfarë i di shkrimtarët ti? Ja, si gjyshja jote janë, që dinë të përdorin fjalët; madje t’i marrim të keqen asaj”. Në atë moment, fiksimi i Agollit pas kësaj gjëje nuk më bëri dot të mos e shihja si gallatë atë “zbulim”, por ajo bisedë nuk m’u nda nga mendja asnjëherë më pas. Erdhi një moment që zura ta besoja “mufkën” e Agollit. E besoj edhe sot. Nëse është e vërtetë se asgjë nuk lind nga asgjëja, atëherë mua më duhet të them se shkrimtar, ky që jam, kaq sa jam, kështu si jam, jam bërë prej gjyshes sime, që ishte një nga pak njerëzit që kishte ngjyrë mes atyre që më kanë rrethuar në të ritë tim.

Ndërsa hera e fundit me Agollin ka qenë në Pogradec, në barin e hotelit “Millenium”. E gjeta ulur në një nga tryezat jashtë. Ishte me dikë tjetër. E takova. Më ftoi të ulesha. Dhe fjala ndoqi fjalën. Zumë të flisnim për njeriun që është i çuditshëm, aq i çuditshëm sa nuk njeh as veten. Dhe Agolli, për t’ma ilustruar idenë e tij se “ne njerëzit nuk jemi në gjendje të njohim veten” më tregoi një ngjarje me Manush Alimanin, që atij ia kish treguar Ramiz Alia. Agolli dinte shumë historira të këtij lloji, shenjë tjetër se ai ishte i lidhur me kohën e vet. Kurrë nuk e fshehu këtë gjë. Të gjithë e dinë, tanimë. E prandaj, edhe detraktorët më gojëprishur vazhdojnë të thonë për të: Mbeti komunist deri në fund, e për këtë i heqim kapelen.

Alia e Alimani kishin një moshë, ishin nga Shkodra, ishin të lidhur me Lëvizjen Komuniste. Në periudhën e veprimtarisë ilegale në Shkodër, në një bisedë mes miqsh që këta të dy kishin patur me të tjerë ilegalë atëmot, kishte ardhur fjala te torturat. Secili kishte thënë të vetën, ndonjëri duke shitur in advance edhe dëngla heroizmi. Në një çast të bisedës u dëgjua zëri i Manush Alimanit: “Shikoni, miqtë e mij! Mua torturat më kallin datën. Jam i sigurt se nuk mund t’i duroj dot. Prandaj, nëse ndodh që mua të më kapin, duhet të ndërroni bazat që keni, duhet të fshiheni, duhet të ikni në mal, a prapa diellit, pasi unë do ta vjell gjithçka do duan të dinë për ju.” Dhe rasti, cinik e ironik si rrallë herë tjetër, deshi që Manush Alimanin ta arrestonin në Shkodër në maj të vitit 1944. Fundin e ngjarjes e dini, besoj. Manush Alimani vdiq në tortura.

Agollin e herës së fundit e kam në mendje me sytë që i morën një shkëlqim me të mbyllur rrëfimin mbi Manush Alimanin. Kushedi pse? Ndoshta sepse ai, si shkrimtar që ishte, më shumë magjepsej prej tensionit artistik që barte ngjarja reale sesa tronditej nga përfytyrimi i vuajtjes që kishte hequr Alimani. Apo jo? Bah! Vetëm Agolli e ka ditur këtë gjë. Megjithëse edhe mund të mos e ketë ditur. Njeriu nuk është e thënë ta dijë se çfarë di. Kështu do thoshte vetë Dritëro Agolli.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lamtumirë Hajrie Rondos: Pasionit të heshtur të gruas

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.