Si e kam njohur Gramoz Pashkon


Nga Luljeta Minxhozi
*

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të bëja një refleksion për Gramoz Pashkon. Gramozi është një figurë e shumëfishtë, me shumë pamje të tij, nga të cilat unë njoh vetëm një, pamjen e tij akademike. Ai ka qenë Gramoz Pashko, pedagogu atipik por edhe kolegu atipik për kohën.

Unë e kam njohur në vitin 1983 kur kam filluar të jem asistente në Fakultetin e Ekonomisë dhe bëja seminaret e lëndës së Historisë së Mendimit Ekonomik që jepte si lektor Pashko dhe njëkohësisht isha anëtare e departamentit të ekonomisë politike të kapitalizmit.

Unë bëja seminaret e ekonomisë politike të kapitalizmit, që ishte e fokusuar në tre librat e volumit të parë të kapitalit të Marksit, dhe ky ishte fillimi i një jete të re për mua. Dukej si një privilegj shumë i madh për atë që emërohej pedagog në fakultet në atë kohë edhe pse duhet të ishe një student ekselent, vetëm 10-a. Por në fakt jeta ishte shumë e vështirë sepse universitetit ishte një strukturë shumë e ngurtë. Kush ishte profesor, kush ishte drejtues departamentesh, katedra quheshin në atë kohë, ishin shumë të largët për asistentet dhe qëndrimi ndaj të rinjve ishte shumë diskriminues.

Ju keni ardhur me vetëm 10-a, por ju duhet të bëni dhe 8 provime të tjera që ta plotësoni këtë standardin për të qenë profesor, mësues, lektor, pastaj fillonte një rrugë e gjatë, shumë e gjatë, që ti të bëje atë doktoraturën e asaj kohe, që quhej kandidat i shkencave, kështu që shkalla e diskriminimit ndaj të rinjve ishte shumë e lartë.

Falënderimin e parë të njohjes sime me Gramoz Pashkon do t’ia jap faktit që më ndihmoi të jem 30 vite më pas një pedagoge shumë e mirë. Ai ishte një liberal në shpirt dhe mënyrën e të qenit të tij kundër atij sistemi të ngurtë e shprehu me mbështetjen e pakufizuar që u dha të rinjve. Na mësoi si të bënim mësim, na mësoi si të kërkonim. Shumë në Tiranë asaj kohe e njihnin Gramozin me shprehjen “një magazinë pa inventar”, por në fakt nuk ishte as pak ashtu. Ai kishte një privilegj të kishte një akses të pakufizuar të të gjitha burimet shkencore që hynin në Shqipëri në atë kohë. Si pasojë e këtij aksesi kishte ca skeda të çuditshme të bardha, nuk e di ku i gjente, dhe mbante shënime pafund në ato skeda.

I skedonte dhe na i shpërndante sipas interesit që kishte secili nga ne, dhe na jepte të gjithëve t’i lexonim. Dhe kjo ishte e vetmja mënyrë që ne mund të kontaktonim të renë në atë kohë, kjo ishte, duket sot absurde, por nuk kishte asnjë kontakt tjetër me të renë, ose nëpërmjet atyre skedave të Gramozit ne gjenim se ku do të kërkonim. Gramozi na mësoi si të jepnim mësim.

Kur mbas dy vitesh mua m’u dha e drejta që të bëja leksione, më caktuan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Gramozi bënte mësim në Degën e Merceologjisë që ishte pjesë e fakultetit Ekonomik, por zhvillonte mësim në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ato hollet e leksioneve ishin shumë të mëdha dhe unë isha aq e vogël me trup sa nuk arrija t’i shikoja deri në fund. Gramozi më mësoi: “ti do ecësh, të shkosh në mes të studenteve dhe t’iu flasësh”. Por kjo ishte një risi në formën e mësimdhënies, atëherë edhe të kritikonin për këtë, nuk mund t’iu afrohesh studentëve. Ti do rrije në një katedër prej dërrase dhe që atje do t’u flisje. Për mua ishte e pamundur qëndrimi në katedër dhe thashë më mirë po bëj kështu. Por ishte aq e vështirë, duhet të mbaje mend gjithë leksionet, duhet të ishe shumë interaktive me studentët, gjë që e pata të vështirë në fillim. Me thane se ky nuk është leksioni standard, por këmbëngula unë nuk kam zë, nuk e dominoj sallën me zë kështu që më lejoni të jap mësim sipas kësaj metode. Pra, Pashko më mësoi të jem një pedagoge shumë e mirë, t’i shoh studentët në sy, sepse atje e kupton nëse studenti të do apo nuk të do.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja në kontributin e Gramoz Pashkos, të cilin ai natyrisht e shpërndau dhe në pjesën tjetër të shoqërisë, ishte përpjekja e tij për të qenë edhe kërkuesi atipik. Ai kërkonte të studionte jo atë që i duhej sistemit, por atë që e shtynte kurioziteti i tij shkencor. Pra, nuk ishte konformist edhe këtë e dëshmon kushdo që e ka njohur. Nuk kishte atë mënyrën tipike të veshjes që ne kishim në atë kohë, ngurtësinë në sjellje, në gjestikulacion, ai e kishte shumë të shfrenuar këtë pjesë dhe ishte pjesë e karakterit të tij, pjesë, e cila u shfaq edhe më shumë kur ai hyri në politikë.

Gramozi kërkonte atje ku ishte e pamundura, në ato skema të ngurta që të lejonte kërkimi për ekonominë në ato kohë. Gramozi ka bërë doktoraturën e parë dhe ndoshta është e vetmja në ekonomi, në atë periudhë përpara viteve ’90. Doktoratura ishte në dy stade, kandidat i shkencave, atë që bënin të gjithë akademikët, kush do të qëndronte lektor, por ishte dhe një stad tjetër, kërkimi i thelluar me shkallë shumë të lartë të individualitetit dhe origjinalitetit në studim, dhe kjo shkallë provohej ose garantohej nga disa komisione që ishin në nivel nacional dhe Gramozi e bëri në atë kohë.

Bota njihte stanjacion dhe rritje ekonomike, por nuk njihte stagflacion, i cili për 15 vjet bllokoi gjithë vendet e zhvilluara nga ’75 deri afër ’85. Dhe pikërisht këtë fenomen kaq të ri, ekonomia shqiptare nuk njihte as inflacion, asgjë, sepse paraja ishte e përcaktuar, tregje financiare nuk kishte, bankat ishin vetëm shtetërore, vetëm këmbenin ose kryenin disa shërbime të shpejta, pra ky ishte një koncept komplet i ri, i panjohur më parë. Aty guxoi dhe bëri këtë doktoraturë që ishte shumë e rrallë për kohën. Ai me atë dha një shembull, një sinjal, që kështu duhet të bëni nëse doni të bëni kërkim duhet të bëni një kërkim të vërtetë. Mos bëni atë kërkimin e zakonshëm që të gjithë ne bënim në atë kohë, temat na i caktonte dekanati, thonin këtë temë do bëni në doktoraturë dhe ne vazhdonim e bënim. Ai na mësoi se si të kërkonim dhe në përgjithësi të gjithë ne bëmë tema që i diskutuam gjatë me të. Dhe na ndihmoi në vitin 1995, prapë e kujtuam, e falënderuam kur të gjitha doktoraturat u rishikuan, të gjitha doktoraturat e para viteve ’90 u rishikuan nga një komision shtetëror. Një pjesë e madhe e kolegëve tanë nuk patën fatin ta rikonfirmonin doktoraturën, unë isha nga ato që e rikonfirmova dhe edhe një herë i thashë, faleminderit Gramoz për atë ndihmë që na dhe.

Ai donte të bënte një gjë të vlefshme që të rronte gjatë, dhe kjo gjë e vlefshme të gjithë ne që kemi punuar me të, që kemi qenë nxënës të tij në një farë mënyre, asistentë të rinj, e kemi bartur këtë histori. Nëse do të bësh një gjë të mirë, bëje me themel, mos e bëj për të kaluar kohën. Ky është mesazhi që unë mora nga Gramozi në atë kohë. Gramozi ishte i pari ekonomist që, jo vetëm që bëri doktoraturë në atë kohë, por që guxoi dhe iu bashkua një projekti europian të drejtuar nga një grup studiuesish suedezë për të bërë një analizë të thelluar të të gjitha vendeve të bllokut komunist. Unë mbaj mend që tema e madhe ka qenë “Political Economy of Reforms”, sepse reformat kishin filluar në ish-Bashkimin Sovjetik, kishin filluar pjesërisht në Hungari dhe pritej të ndodhte procesi i reformimit, pra cila ishte filozofia mbi të cilën vendet ishin gati ta bënin këtë reformë. Ekonomisti që iu bashkua këtij projekti nga Shqipëria ishte pikërisht Gramozi, jo se s’kishte të tjerë, mund të kishte dhe ekonomistë të tjerë në xhiro, por ai pati qëndroi në fakultet dhe e pa Fakultetin e Ekonomisë si vendin ku ai mund të kontribuonte, mund të shpërndante atë shpirtin e vetë liberal, qoftë te studentët, qoftë te pedagogët e rinj dhe më pas në një rreth më të gjerë se sa fakulteti Ekonomik.

Unë besoj që të gjithë ata që kanë punuar me Gramozin e kanë këtë përshtypje. Ishte shumë tip i çuditshëm, thashë atipik, unë po i them këto në mënyrë të rregullt por ai nuk i bënte këto në mënyrë të pëlqyeshme për sistemin. Për shembull ai thoshte: “ejani sonte për darkë”, gjente një sebep dhe na thërriste. Unë jam shumë skematike për vete, mundohem ta kem jetën në kontroll dhe një pjesë e suksesit tim në akademi, duke bërë mësim, e kam marrë pikërisht nga ajo mendja e hapur dhe kontakti që Gramozi vendoste me çdo njeri. Profesorëve tanë nuk mund t’u flisje në ato kohë, tani unë e kuptoj që ata nuk kishin asnjë dije të vlefshme, më vjen keq për ta, por ishin aq larg nga ne sa ne nuk guxonim t’i pyesim asnjë gjë, mesa duket kjo barriera i mbante ata në piedestalin e tyre edhe me padije. Ndërkohë që po t’ju flasësh të rinjve, kupton që ata kanë shumë më tepër dije, dhe ti bëhesh kurioz, kuriozitetin e kanë më të madh të rinjtë se të moshuarit. Kështu që duke qenë në kontakt me ta, ti mëson, e merr atë kuriozitetin dhe e përdor. Kjo ishte ajo që unë mësova nga Gramozi.

*Fjala e prof. dr. Luljeta Minxhozi në Konferencën Shkencore “Të rimendojmë politikat fiskale”, mbajtur gjatë Ditëve Liberale të Dardhës, organizuar nga Instituti Europian Pashko dhe departamenti i Financës në UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hope Hicks, drejtoresha e re e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë

Çdo gjë që duhet të dini rreth Hope Hicks, drejtoresha e re...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.