Si e kam njohur Igli Taren

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo

Një ditë vere të vitit 2002, në kohët që bëja Deja vu-në në Top Channel, më merr një mik në telefon e më thotë se kishte parë në Tiranë, Igli Taren. “Nuk ke pasur asnjë sportist në Deja Vu; nëse ka një që duhet ta ftosh në studion tënde, ai është Igli Tare”, më tha zëri në telefon. Në fakt, ishte një ish sportist që unë e kisha ftuar në Deja vu, por nuk më kishte ardhur. Ishte Agim Fagu. “Programi Deja Vu më pëlqen, por unë kam marrë një vendim për të mos shkuar në  asnjë studio televizive”, më tha, pa bërë asnjë përpjekje për ta fshehur se programet talk show të televizioneve shqiptare i ishin zvjerdhur. (Me që ra fjala, do të flas në një rast tjetër se si e kam njohur Agim Fagun që, sipas meje, është një nga pak ekselencat, uf sa pak, që shoqëria shqiptare prodhoi në kohët e vështira të regjimit komunist; atij nuk iu dha mundësia të provonte se ishte kompetitiv në botën e madhe, por të gjithë ne e dinim apriori se ai ishte kompetitiv; dhe në këtë pikë Agim Fagu ishte një përjashtim; si rregull, Shqipëria e asaj kohe nuk kish fuqi të prodhonte ndonjë gjë kompetitive).

“Igli Tare është shumë i kërkuar nga gazetarët në Itali; dhe jo vetëm nga gazetarët sportivë”, më saktësoi miku i telefonit, që ishte një ndjekës i mirë i futbollit në Itali. Kaq gjë e dija, ç’është e vërteta. E shihja që e intervistonin vazhdimisht, dhe më bënte përshtypje që, në ndryshim nga shumë futbollistë italianë, dinte të mos ishte banal në përgjigjet e veta. Dhe kjo ishte arsyeja që e përfshinin edhe në çështje jo sportive. Kur ai vetë vendoste të përfshihej në çështje të tilla, e bënte këtë me një elegancë që në fushën e futbollit nuk e kishte (si futbollist kishte pikat e veta të forta, e jo më kot ka luajtur me Brescian, Bolonjën, Lazion, etj, por kishte edhe limitet e veta, megjithatë). Mbaj mend se në një rast gazetarët donin ta “përplasnin” me Umberto Bossi-n, bossin e Legës së Veriut që, mes britmave kundër emigrantëve, iu vërsul edhe Iglit vetë, por ky i fundit nuk lejoi që ta tërhiqnin zvarrë në një debat që s’ishte i tij. La të kuptohej se as që e dinte se kush ishte Umberto Bossi (me sa më kujtohet). Me siguri nuk ishte e vërtetë që ai nuk e dinte, por ishte një mënyrë për t’i bërë bisht një debati që nuk i përkiste.

E ftova Iglin në Deja vu. Nëpërmjet njërit prej vëllezërve. Nuk bëri të vështirin. Përkundrazi, ra dakord aty për aty. Ndër të ftuarit veçanërisht të famshëm që kam pasur në programin tim, Igli Tare ka qenë më pak tekanjozi. Më saktë, nuk ishte hiç tekanjoz. Kishte një lloj përunjësie që njerëzit e suksesshëm nuk para e kanë. Personalisht, u kapa në befasi nga kjo përunjësi. Veç një mirësi që buron nga rropullitë mund ta mbajë njeriun të përunjur edhe pasi ka arritur majat. “Fotot zgjidhi si të duash; veç me politikën e Tiranës nuk dua të ngatërrohem; nuk është se nuk kam qëndrime, por thjesht nuk dua të flas”, mbaj mend që më tha. Dhe ashtu u bë. Biseda u fokusua te sporti, te kombëtarja, te Carlo Mazzone, te teknika e goditjeve me kokë, te Roberto Baggio. Me këtë të fundit ai luante te Brescia. Dhe përbënin një nga dyshet sulmuese më simpatike të momentit në Serinë A. Kishte një lloj kimie të çuditshme mes të dyve. “Merreshin vesh në ajër”, do thuhej këtej nga anët tona, dhe këtu kemi një rast që kjo shprehje e jona idiomatike merr një kuptim literal. “Në ajër” i bënte të shumtat e gjërave futbollisti Igli Tare.

Tare nuk reshti së foluri për Baggion në atë bisedë, gjë që ishte e kuptueshme. Roberto Baggio ishte një nga futbollistët më të njohur të botës, e është një nga më të mirët në historinë e futbollit italian (një pjesë mendojnë se ka qenë më i miri in assoluto; mes këtyre që e mendojnë këtë gjë është edhe Gianni de Biasi, që e ka shprehur më shumë se njëherë). Dhe Iglit i qëlloi jo vetëm të luante në një skuadër me të, por edhe të luante krah tij në sulm. Ky fakt ka përbërë me siguri një kulm në karrierën e tij si sportist.

Ajo bisedë me Igli Taren në Deja vu më ka mbetur në mendje për shumë gjëra, por atë do ma bënte të paharrueshme edhe një rrethanë tjetër. Ishte një nga Deja vu-të e fundit të sezonit. Ka qenë korrik (e si mund ta gjeje ndryshe Iglin në Shqipëri?), dhe atë ditë bënte shumë vapë. Studioja ku regjistroja programin ishte një gjë e improvizuar brenda Piramidës, pa ajër të kondicionuar. Dhe atë ditë neve na është dashur që ta ndërpresim regjistrimin mbi dhjetë herë në harkun e 45 minutave. Ishte Bujar Kokonozi që ia bënte prej regjisë: “Stop! Të hyjnë grimieret!” Hynin grimieret, dhe na fshihnin djersët. Por me t’u larguar ato, ne mbuloheshim sërish nga djersët, që na shkonin rrëke. Dhe vini re: nuk është se po ekzagjeroj kur flas për rrëke djerse. Ka qenë njëmend kështu. “Stop, stop”, -ia bënte një herë në disa minuta regjisori, që nga njëra anë nuk ishte i gatshëm të bënte asnjë lëshim e kompromis në kurriz të cilësisë së regjistrimit, e nga ana tjetër provonte empati për ne që vuanim nën zagushinë e korrikut e dritat e prozhektorëve të studios. Në fund Kokonozi, ndonëse tentoi gjithë truket e mundshme në postprodukson,  e konsideroi programin të patransmetueshëm. Por ai u transmetua. Shikuesit me atë rast ndoqën me interes Igli Taren, por nuk mund t’u shpëtonte fakti që ai ishte i mbytur në djersë. Unë ca më shumë se ai.

Kushdo që do të ishte në vend të  Igli Tares, do të ngrihej nga ndenjësja e studios e do të thoshte: “Jo jo, kjo punë nuk ka kuptim kështu, në këtë studio është si në ferr, ne duhet të gjejmë një kohë tjetër për ta bërë këtë program”. Por ai nuk bëzajti. E përballoi deri në fund a thua se i duhej për CV ajo intervistë. E përballoi sikur të ishte një ndeshje finale, të cilën mezi e kish pritur. Dhe kjo ishte një shenjë tjetër e përunjësisë së tij.

Mua më erdhi keq më shumë se atij për atë situatë. Mezi e kisha pritur të bëja një bisedë të shtruar e të relaksuar në studio me Igli Taren, dhe në atë rrethanë po bëja të kundërtën: mezi po prisja që atij regjistrimi t’i vinte fundi. Che sfiga, do thuhej në gjuhën që Igli Gare flet të shumtën e kohës këto kohë. Por unë shpresoj se do kem një rast tjetër për ta ribërë një bisedë me të. Dhe në këtë rast përballë do të kisha një personazh edhe më të rëndësishëm: drejtorin sportiv të Lazios.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nuk na duhet një qeveri antimafie, na duhet një prokurori antimafie

Nga Ervis Iljazaj Nga ngjarjet e fundit, është e qartë që Shqipëria...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.