Si hetohet fibromialgjia dhe tri mënyrat e trajtimit

Te fibromialgjia, shenjat shtohen përgjatë ditës, shfaqen në mëngjes, vijnë duke u shtuar gjatë pasdites dhe arrijnë kulmin e acarimit në darkë. Teksa acarohen nga ngarkesa e përditshme në punë, stresi fizik dhe emocional, ndryshimet e temperaturave të ambientit, ndryshimeve të fluksit hormonal te femrat përpara dhe gjatë ciklit menstrual, si edhe në menopauzë apo edhe nga faktorë të ndryshëm emocional 

Fibromialgjia nuk është sëmundje por një çrregullim nga i cili mund të vuajë kushdo. Shfaqet me dhimbje muskuloskeletike, e shoqëruar me lodhje, çrregullime të gjumit, memories dhe humorit. Edhe pse këto ankesa mund t’i ndeshni te shumë sëmundje të tjera, veçanërisht te fibromialgjia dhimbjet e gjithë trupit, lodhja, çrregullime të gjumit, memories dhe humorit, janë shenja të cilat fillojnë menjëherë pas një traume fizike, kirurgji, infeksion apo stresi psikologjik, në disa raste të tjera shenjat grumbullohen gradualisht pa gjetur një shkaktar që i shpërthen. Në një intervistë për “Mapo” doktor Ervin Rapushi, mjek reumatolog shpjegon se te fibromialgjia, shenjat shtohen përgjatë ditës, shfaqen në mëngjes, vijnë duke u shtuar gjatë pasdites dhe arrijnë kulmin e acarimit në darkë. Sipas doktorit reumatolog, nëse fibromialgjia nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët, shenjat mund të zgjasin përgjithmonë ose në disa raste ato mund të zhduken për disa muaj dhe të rikthehen. Për këtë arsye ai apelon për kontrolle, teksa sqaron edhe tri alternativat e trajtimit të problemit.

Çfarë është fibromialgjia dhe si mund të kuptojmë se po vuajmë prej saj, shenjat?

Fibromialgjia është një çrregullim i cili karakterizohet nga dhimbje muskuloskeletike e gjithëpërhapur e shoqëruar me lodhje, çrregullime të gjumit, memories dhe humorit. Fibromialgjia shton ndjesinë e dhimbjes duke ndërhyrë në rrugën e përçimit të dhimbjes në tru. Fibromialgjia nuk është një sëmundje ajo është një çrregullim i përbërë nga shumë simptoma (ankesa) të cilat të veçuara i gjejmë në patologji të ndryshme. Shenjat nganjëherë fillojnë pas një traume fizike, kirurgji, infeksion apo stresi psikologjik, në disa raste të tjera shenjat grumbullohen gradualisht pa gjetur një shkaktar që i shpërthen. Shenjat e fibromialgjisë shtohen përgjatë ditës, shfaqen në mëngjes, vijnë duke u shtuar gjatë pasdites dhe arrijnë kulmin e acarimit në darkë. Shenjat acarohen nga ngarkesa e përditshme në punë, stresi fizik dhe emocional, ndryshimet e temperaturave të ambientit, ndryshimeve të fluksit hormonal te femrat përpara dhe gjatë ciklit menstrual, si edhe në menopauzë apo edhe nga faktorë të ndryshëm emocional. Nëse fibromialgjia nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët, shenjat mund të zgjatin përgjithmonë ose në disa raste ato mund të zhduken për disa muaj dhe të rikthehen.

Cilët janë shkaktarët e saj dhe kush preket më së shumti?

Nuk dihet ende se kush janë shkaqet e fibromialgjisë, por janë shumë faktorë të cilët kur kombinohen të gjithë së bashku shpërthejnë simptomat dhe i japin jetë fibromialgjisë.  Disa nga shkaqet më të shpeshta të cilat listohen sot janë: gjenetika, pasi fibromialgjia tenton të prekë familjarët e individëve të prekur prej saj, supozohet se mund të ketë një mutacion gjenetik në familjarët e këtyre pacientëve të cilët janë më të prekshëm prej këtij çrregullimi; infeksionet qofshin këto nga viruset apo bakteriet etj., mendohet se mund të fillojnë apo të rëndojnë fibromialgjinë; trauma fizike apo emocionale, në disa raste fibromialgjia mund të shpërthejë pas një traume aksidentale, stresi fizik është lançuar tashmë si një shpërthyes i fibromialgjisë.

Më të rriskuar për të zhvilluar fibromialgji janë:

  • gjinia, fibromialgjia diagnostikohet më shpesh te femrat se sa te meshkujt;
  • historia familjare, ke më shumë mundësi të zhvillosh fibromialgji nëse ke një familjar apo një të afërm të rrethit të parë i cili vuan me këtë çrregullim;
  • faktorë të ndryshëm risku përfshijnë edhe nëse ju vuani nga patologji të tjera si osteoartritis, artriti rheumatoid, lupusi eritematoz sistemik etj.

Cilat janë mënyrat e diagnostikimit të saktë të kësaj patologjie?

Në të shkuarën mjekët kontrollonin në 18 pika të trupit për të gjetur se sa prej tyre janë të dhimbshme. Rekomandimet e fundit nuk kërkojnë gjetjen e pikave të dhimbshme në trup. Fibromialgjia kërkohet në një person i cili paraqet dhimbje të përhapura në trup për më shumë se tre muaj në mungesë të një patologjie specifike që t’i shkaktojë këto simptoma. Nuk ka një test (analizë) laboratorike e cila konfirmon diagnozën e fibromialgjisë, por rekomandohet që të realizohen disa teste laboratorike të cilat përjashtojnë sëmundje të tjera që paraqesin simptoma të ngjashme me ato të fibromialgjisë. Disa nga këto teste të cilat rekomandohen janë: gjaku komplet, shpejtësia e sedimentimit të rruazave të kuqe (eritrosedimentaconi), faktori rheumatoid (FR), CCP (cyclic citrullinated peptide), analizat për funksionin e gjëndrës tiroide (fT4, fT3, TSH).

Si trajtohet dhe çfarë mund të bëjmë që të ndihemi më mirë?

Trajtimi i fibromialgjisë është treplanësh: medikamentoz, jo medikamentoz dhe kujdesi ndaj vetes. Asnjë prej këtyre planeve i vetëm nuk arrin të kontrollojë simptomat e fibromialgjisë. Qëllimi i trajtimit është të minimizojë shenjat dhe të përmirësojnë performancën e aktivitetit të përditshëm.

Trajtimi medikamentoz

Medikamentet ndihmojnë për të reduktuar dhimbjen e fibromialgjisë dhe përmirësojnë gjumin, disa nga medikamentet e rekomanduara janë:

  • Qetësuesit e dhimbjes, medikamentet që rekomandohen janë AINS (anti inflamatorët jo steroid), si: diclofenac, ketoprofeni, ibuprofeni, naprokseni, por këta përdoren për periudha të shkurtra kohe pasi paraqesin efekte anësore dhe në disa raste kur pacientët paraqesin edhe sëmundje të caktuara ata janë të kundërindikuar. Analgjezikët si acetaminofeni (paracetamoli), codeina, tramadroli mund të përdoren për kontrollin e simptomave për pak ditë ndërsa narkotikët janë të kundërindikuar pasi ata mund të krijojnë vartësi dhe mund t’i përkeqësojnë shenjat me kalimin e kohës.
  • Antidepresantët, duloksetina, amitriptilina ndihmojnë në qetësimin e dhimbjes, lodhjes së shkaktuar nga fibromialgjia dhe përmirësimin e gjumit.
  • Medikamentet antiepileptike, disa medikamente të cilat përdorën në trajtimin e epilepsisë si gabapetina dhe pregabalina janë treguar të efektshme në kontrollin e shenjave të fibromialgjisë, ata kanë marrë aprovimin nga FDA (Food and Drug Adminsitration) për trajtimin e fibromialgjisë.

Trajtimi jomedikamentoz

Disa terapi të tjera jomedikamentoze ndihmojnë për të reduktuar efektet e fibromialgjisë mbi shenjat e saj dhe aktivitetin e përditshëm. Disa prej tyre përfshijnë:

  • Fizioterapinë, disa ushtrime fizioterapike përmirësojnë performancën, forcën dhe qëndrueshmërinë muskulore. Ushtrimet fizioterapike në ujë janë në mënyrë të veçantë shumë ndihmuese.
  • Terapinë e punës (ergoterapia), ergoterapisti ndihmon në përshtatjen e simptomave të fibromialgjisë me profesionin duke bërë të mundur që disa aktivitete të punës të cilat shkaktojnë stres në aktivitetin e përditshëm në punë të përjetohen më lehtë, efektin e saj e ka mbi lodhjen dhe stresin e fibromialgjisë e nxitur nga profesioni.
  • Terapinë në grup, ku nën drejtimin e një terapisti një grup pacientësh të cilët janë diagnostikuar me fibromialgji diskutojnë së bashku për simptomat, njihen me to dhe ndihmojnë në përjetimin më të lehtë të tyre.

Mjekësia alternative 

Është e vjetër në trajtimin e disa shenjave qoftë edhe të izoluara të fibromialgjisë, ajo aktualisht konsiderohet komplementare së bashku me terapinë medikamentoze dhe atë jomedikamentoze të perënduara më sipër për trajtimin e fibromialgjisë. Ato veprojnë duke reduktuar stresin dhe dhimbjen. Shumë prej teknikave të saj nuk janë studiuar plotësisht në trajtimin e fibromialgjisë.

  • Agupuntura është një teknikë kineze e vjetër, e cila konsiston në inserimin e ageve të vogla fine përmes lëkurës në thellësi të ndryshme në disa pjesë të trupit. Sipas teorisë së agopunkturës, aget ndikojnë në fluksin e gjakut duke ndryshuar nivelet e neurotransmetuesve në tru dhe medulen spinale. Disa studime kanë treguar efekte pozitive të agopunkturës në trajtimin e  fibromialgjisë dhe disa të tjera jo.
  • Masazhoterapia është një metodë e vjetër por ende në përdorim. Ajo përdor disa teknika masazhi të ndryshme të cilat ndikojnë në muskujt e skeletit. Masazhoterapia relakson muskujt, përmirëson lëvizshmërinë e kyçeve dhe përmirëson efektin e trajtimit medikamentoz. Ajo ndikon edhe në uljen e stresit dhe gjendjes së ankthit.
  • Yoga dhe tai chi, janë dy metoda (ushtrime) të cilat kombinojnë meditimin, lëvizjet e ngadalta, frymëmarrjen e thellë dhe relaksin për kontrollin e disa shenjave. Të dyja metodat janë parë efikase në kontrollin e fibromialgjisë.

Sa u takon këshillave, si mund të ndryshojë jeta e një të sëmuri me fibromialgji?

Në këtë pikë arrijmë në atë që folëm më sipër në trajtimin treplanësh të fibromialgjisë, ku në dy planet e para folëm për trajtimin medikamentoz, jomedikamentoz dhe plani i tretë është ai i kujdesit ndaj vetes. Kujdesi ndaj vetes janë një grup këshillash të përgjithshme apo një plan i hartuar nga mjeku apo terapeuti, të cilat kanë të bëjnë me stilin e jetës, modifikimin e tij. Kujdesi ndaj vetes është i një rëndësie të veçantë në menaxhimin e fibromialgjisë.

Shenjat e fibromialgjisë janë të larmishme dhe përfshijnë:

  • dhimbje muskulore të vazhdueshme (kronike), tërheqje (spazma) muskulore ose ndjesinë e ngurtësimit të muskujve;
  • lodhje të moderuar apo të shprehur dhe ndjesinë e rënies së “energjisë” nga dita në ditë;
  • çrregullime të gjumit apo e demonstruar kjo edhe në formën e ndjesisë së lodhjes kur ngrihesh në mëngjes nga gjumi, e njëjtë kjo me ndjesinë që ke kur shtrihesh për të fjetur;
  • ngurtësim kur zgjohesh në mëngjes nga gjumi apo kur qëndron gjatë në një pozicion të caktuar;
  • vështirësi në përqendrim apo në performimin e aktivitetit të përditshëm, çrregullime të kujtesës, të gjitha këto përbëjnë atë që quhet “mjegullia e fibromialgjisë”;
  • dhimbje të barkut (abdominale), ndjesinë e fryrjes së barkut, të vjella, konstipacion e alternuar me diarre duke imituar simptomat e sindromës së zorrës së irrituar;
  • dhimbje koke tensive apo migrenoze;
  • ndjesi të shtuar në fytyrë aq sa edhe irritohen kur u kalon rryma e ajrit në fytyrë apo kur ekspozohen në diell kanë ndjesinë e djegies së saj;
  • ndjeshmëri të shtuar ndaj aromave, zhurmave, medikamenteve, të ftohtit, disa ushqimeve, dritës së shndritshme ;
  • ndjesinë e gjendjes së ankthit apo të depresionizmit;
  • mpirje në fytyrë, krahë, duar, këmbë;
  • sapo kanë ndjesinë për të urinuar duhet të shkojnë menjëherë me urgjencë në tualet, urinim të shpeshtë pa ndjesinë e djegies së urinës (irritim i fshikëzës së urinimit);
  • ulje të aftësive ushtrimore dhe dhimbje muskulore pas ushtrimeve qoftë edhe të lehta;
  • ndjesinë e ënjtjes në këmbë dhe në duar por pa patur një ënjtje të vërtetë.

Këshillat

  • Redukto stresin, nëpërmjet zhvillimit të një plani për të shmangur apo të zvogëlosh ekspozimin ndaj stresit emocional. Kjo realizohet nëpërmjet krijimit të hapësirave të relaksimit gjatë orëve të përditshme në punë apo kryerjen e ushtrimeve të përmendura më sipër në kohën jashtë punës.
  • Realizimin e orëve të mjaftueshme me gjumë, dy nga simptomat më të shpeshta që ankojnë pacientët me fibromialgji është dhimbja dhe lodhja, të cilat ndikojnë në çrregullimin e gjumit. Për të realizuar orët e mjaftueshme me gjumë rekomandohet që të praktikohen disa zakone për gjumin, si të shkosh për të fjetur dhe të ngrihesh nga shtrati në të njëjtin orar çdo ditë, si dhe të shmanget dremitja përgjatë ditës.
  • Ushtrohu rregullisht, e cila nënkupton realizimin e ushtrimeve fizike rregullisht, fillimisht realizimi i tyre mund të rriti disi shkallën e dhimbjes por kryerja e tyre gradualisht dhe rregullisht ndihmon në zbutjen e simptomave. Disa ushtrime të këshillueshme janë ecja (shëtitjet), noti, aerobi në ujë, çiklizmi. Një mjek fizioterapist mund të sugjerojë një program ushtrimesh të cilat mund të realizohen në shtëpi, ushtrime stretching (relaksuese), të cilat rregullojnë posturën (qëndrimin) dhe relaksojnë muskujt.
  • Krijo një ritëm të përditshëm, që do të thotë të mbash të njëjtin nivel aktiviteti të përditshëm. Të mos abuzosh të bësh më shumë aktivitet fizik apo edhe emocional në ditët që ndihesh më mirë dhe kjo bën që të kesh më shumë ditë të këqija në ditët në vazhdim. E gjithë kjo e lidhur me mbingarkesën fizike dhe nervore e cila e shpreh veten e saj në ditët në vazhdim me acarimin e simptomave të fibromialgjisë.
  • Bëj një jetë të shëndetshme, nënkupton ushqehu shëndetshëm nëpërmjet përdorimit të ushqimeve që përmbajnë fibra, elimino ushqimet pikante, limito marrjen e kafeinës dhe substancave të tjera të cilat nxitin stresin.
Shkruar Nga
More from revista mapo

Rimbursim automatik i TVSH-së për mbi një mijë biznese eksporti

Qeveria thotë se ka ndërmarrë një paketë lehtësimi procedurash dhe penalitetesh, e...
Read More