Si i vrau shteti fëmijët Aliçe e Dritan Negollari

aksident-kavajaNga Alfred Lela

Rrethanat ku mbetën të vdekur dy fëmijë, tre dhe pesë vjeç, motër e vëlla, mund të përshkruhen si ‘fat i keq’, aq sa mund të konsiderohen edhe si një ndërhyrje apo ndikim ‘nga lart’, një deus ex machina, ku rolin e Zotit e luan Shteti.

Kronika tashmë është e ditur, por duhet përsëritur për të përshkallëzuar jo suspansën, por babëzinë dhe cinizmin e njerëzve që mbushin zyrat e administratës shqiptare dhe që duheshin të ishin mbrojtësit e interesit publik dhe individual të shtetasve. Silvana 24-vjeçare me tre fëmijët e vet ishte nisur për të takuar në burgun e Rrogozhinës, Sokolin, bashkëshort e baba, i rënë në burg për ndërtimin e një shtëpie në tokë të vet. Aty ku kish qenë e vjetra, pretendojnë familjarët e tij.

Diku në Kavajë, automjeti që drejtohej nga nëna e tre fëmijëve ka dalë nga rruga, duke goditur trafikndarësen. Përplasja ka qenë vdekjeprurëse për dy nga tre fëmijët dhe sipas raporteve mediatike, nënës së re i është dashur të nxjerrë vetë nga makina të vegjlit e vdekur. Familjarët e saj pretendojnë se fati i zi i aksidentit automobilistik është ndjekur edhe nga shpërfillja e mjekëve në spitalin e Durrësit.

Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet bazuar edhe mbi përfundimet e ekspertizës, e cila shënjon gjendjen e rrugës, ose më saktë ndërprerjen e trafikndarëses, si vendimtare në pasojat e aksidentit. Këtu fillon edhe implikimi i shtetit. Trafikndarësja ishte këputur për të siguruar akses te një karburant në anë të rrugës. Raportet mediatike qarkullojnë emrin e një zyrtari të lartë, shefi i kabinetit të ministrit Haxhinasto, Krislen Kerit, me interesa pronësie në karburantin në anë të rrugës.

Qëndrimi i ministrit të linjës, z. Haxhinasto nuk ka qenë më shumë se shtampa standarde e zyrtarit shqiptar të çdo niveli ‘e hetimit të thellë dhe të paanshëm’. Shefi i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika, duke iu përgjigjur ose më saktë shmangur pyetjes së TV Klan, ka prodhuar fjalinë e papërgjegjshme ‘nuk ka ndodhur asgjë’. Në fakt, ka ndodhur shumë: dy fëmijë 3 dhe 5 vjeç janë sot të vdekur, sepse z. Xhika, z. Keri, e me radhë më lart e më poshtë tyre, gjithë zhgani i administratorëve të shtetit, nuk munden të bëjnë të ndodhë atë për të cilën zgjidhen, emërohen dhe paguhen: punën e tyre.

Fati i familjes Negollari është lidhur nyjë pikërisht te kjo mungesë gatishmërie e shtetit për të interpretuar drejt rolin e vet, në raport me punët dhe detyrat publike, dhe në anën tjetër, paradoksalisht, për të shprehur gatishmëri të tepruar që për punët apo kundërvajtjet e vogla të individit, të nxirret menjëherë shpata e rëndë e ligjit. Sokol Negollari ndodhej në burg për një ndërtim në tokë të vet (për një leje të pasiguruar ende dhe hamendësoni pak cilat kanë qenë pengesat: ato të zakonshmet, nuk bëhet gjë pa lek nën dorë).

Kështu një familje shqiptare u përgjysmua në rrugën e vështirë për të takuar një pjesë të vetes, të kufizuar me burg nga arroganca e shtetit ndaj individit (burgosja e Sokolit, kryefamiljarit) dhe, në ekstremin tjetër, nga papërgjegjshmëria, po e pushtetit, për të ngatërruar kufijtë e shtetit me interesat personalë të administratorëve.

Vdekja e dy të vegjëlve nuk është një gjë e vogël. Në shenjtërinë e jetës, fëmijët janë lart në majë. Opinioni publik apo shoqëria civile që del në protesta për çdo pemë të rrëzuar e çdo pallat të ngritur, duhet të shkojë përtej zemërimit apo keqardhjes disaorëshe, edhe kur rrëzohen nga majat e jetës në humbellat e vdekjes fëmijët e këtij vendi.

Sa iu takon grave e burrave deputetë, nëna e baballarë fëmijësh, ndoshta hartimi i një projektligji që i bën më drakoniane ligjet e sigurisë në rrugë dhe i dënon më ashpër të shkujdesurit apo abuzuesit, do të qe më me vend se sa leximi i hartimeve apo shkëmbimi i sharjeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Pakti për reformizmin”, pakt për të mbetur në vend

Nga Fitim Zekthi Pak ditë më parë një grup profesorësh të Universitetit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.