Si iu përgjigj Kadare, pyetjes fatale të gazetarit për diktaturën

Vjollca Hajdari, (gazetare, politologe, etnologe dhe përkthyese në Berlin), ka intervistuar shkrimtarin Ismail Kadare me rastin e botimit nga Fischer Verlage, të romanit “E penguara”, përkthyer nga Joachim Rëm. Intervista është marrë në kafenenë e preferuar të shkrimtarit “Le Rostand”, ku ka qenë së bashku me zonjën e tij, Helena. Më poshtë po sjellim fragment nga intervista botuar në faqet kulturore të fundjavës, 22 korrik 2017, të gazetës së madhe gjermane “Die Welt” 

Gojët e liga flasin se ju nuk e keni marrë çmimin Nobel për letërsi sepse, sipas tyre, ishit “në harmoni” me sistemin e atëhershëm komunist, sa kohë që ju jeni i njohur si zëri universal kundër totalitarizmit. A nuk qëndron ky pohim në kundërshtim me qëndrimin tuaj? A ka ardhur koha që t’i hiqni qafesh përgjithmonë të tilla deklarime?

Po nis nga fundi. Ju keni të drejtë, por nuk është punë e shkrimtarëve të merren me sqarime të tilla. Çështja e raporteve të letërsisë me një regjim tiranik është zakonisht e ndërlikuar. Historia nuk jep ndonjë regjim që të mos ketë patur acarim me letërsinë. Regjimi, sidomos ai totalitar, përpiqet ta fshehë këtë acarim. Madje, shpesh i bën lajka letërsisë, në kohën që bën çmos ta ketë nën kontroll, ta përgjojë, t’i kujtojë burgun, madje vdekjen. Armiqësia midis letërsisë dhe tiranisë buron natyrshëm nga natyra e të dyjave. Dihet se letërsia e ka në thelbin e saj lirinë, emancipimin, demokracinë, ashtu sikurse tirania ka të kundërtën. Te rasti i shkrimtarëve të njohur, sa më e madhe të jetë njohja, aq më dramatik bëhet problemi. Një diktaturë nuk e duron dot autoritetin paralel, pa përmendur smirën, tiparin shpesh numër një të çdo sunduesi. Një paradoks i njohur shfaqet në këtë rast: në një regjim mizor mund të zhvillohet një letërsi e klasit të parë. Regjimi përpiqet të përfitojë prej saj. Janë të njohura klishetë për letërsinë që e nderon vendin, etj., duke nënkuptuar, madje, regjimin. Letërsia nuk e ka bërë kurrë këtë. Në qoftë se është fjala për nderim, ajo ka nderuar vetveten. Rendet diktatoriale nuk shquhen vetëm për egërsi, por edhe për dinakëri. Vite me radhë ato kanë përgatitur dosje të fshehta për shkrimtarët, sidomos për përbaltjen e tyre.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kam qenë një ndër të parët që kam kërkuar hapjen e arkivave të fshehta. Sot që po bisedojmë bashkë, pas 27 vitesh, kjo ende s’ka ndodhur. Edhe kur rastësisht është zbuluar ndonjë dokument arkival, në vend që kjo të nxiste kërkimin e mëtejshëm, është rrethuar me heshtje. Para disa vitesh më ra në dorë, rastësisht, një raport i hetuesisë sekrete shqiptare të vitit 1982. Meqenëse raporti është botuar në shtyp dhe ribotuar më pas, po jua tregoj juve, për të krijuar një ide se çfarë janë këto dosje të fshehta, për të cilat flasin të gjithë, por s’i ka parë askush.

Për çfarë bëhet fjalë në këtë raport?

Në këtë raport kërkohet të vërtetohet se shkrimtari me të cilin ju bisedoni sot, I.K., ka qenë pjesëmarrës i një grupi komplotist, që synonte rrëzimin e shtetit. Siç e shihni, nuk flitet për vogëlsira, por për gjëra “serioze”, nga ato që të çonin drejt e në pushkatim. Ju, po të keni kureshtje, mund ta gjeni lehtësisht atë raport. Është teksti i marrjes në pyetje të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, dr. Ziçishti, vdekur nën torturë në po atë vit. Në raport janë “hollësitë e komplotit”, bashkë me emrin e hetuesit, i cili është ende gjallë në Shqipëri, i patrazuar nga askush. I pyetur nga një gazetare e re shqiptare, hetuesi ka pranuar origjinalitetin e tekstit.

Çfarë ka ndodhur pastaj?

Puna është mbyllur me kaq. Ato “gojët e liga” që përmendët ju në këtë intervistë, (midis tyre ka edhe gazetarë të huaj), nuk treguan asnjë interes për këtë dokument, që tregon natyrën e raportit të shkrimtarit me shtetin diktatorial. Pas rënies së komunizmit, s’më ka shkuar mendja të mburrem se paskam qenë pjesëmarrës i komplotit kundër shtetit, sepse thjesht kjo s’ka qenë e vërtetë, por dosja sekrete është aty. Ajo tregon fare qartë se shteti e kishte gati arkivolin për shkrimtarin dhe nuk priste veç urdhrin për të. Gjë që kishte ndodhur në shumë raste të tjera.

A mund ta shtjelloni më gjerësisht fenomenin, duke u nisur nga ky fakt?

Shkrimtari nuk është çudibërës. Ai nuk mund të ndreqë prapësitë e një vendi që ka marrë rrokullimën, siç ka qenë rasti i Shqipërisë komuniste. Ndërkaq, shkrimtari mban përgjegjësi për letërsinë që krijon, në të gjitha rrethanat, qoftë dhe në ato që duken të pamundura. Sidomos shkrimtari i njohur. Sa më e madhe të jetë njohja, aq më e ndjeshme bëhet përgjegjësia.

Meqenëse po bisedojmë bashkë dhe meqenëse ju më bëtë pyetjen, më lejoni të përgjigjem më saktësisht për rastin tim. Jam bërë i njohur jo pas rënies së komunizmit, kur mund ta përshkruaje zymtinë e tij, pa u rrezikuar nga asgjë. Do të shtoja se nuk e kam shkruar veprën në ndonjë breg liqeni të Zvicrës, pra jashtë Shqipërisë tiranike, por brenda saj. Ja çka ndodhur saktësisht. Më 1960 isha një shkrimtar tepër i njohur në Shqipërinë staliniste. Ndërkaq më 1970 ndodhi diçka e rrallë: Pas përkthimit të një libri në Paris, për një kohë të shkurtër fitova njohje botërore, çka në atë kohë do të thoshte njohje perëndimore. Tronditja nuk është e paktë në një rast të tillë. Për vetë shkrimtarin, për lexuesit e tij, për shtetin komunist, ku ai jeton. Ndërkaq, ajo që mund të jetë dukur si një ngjarje e mrekullueshme, mund të kthehet befas kundër teje. Ashtu siç ndodhi vërtet. Shkrimtari gjendet midis një dyshimi të vazhdueshëm. Në thelb të dyshimit është pyetja: përse bota perëndimore, «borgjezia», armikja jonë e betuar, ndërsa urren Shqipërinë tonë heroike, bolshevike etj., ty të pëlqen kaq fort? Nuk po zgjatem për gjendjen që u krijua. Shteti paranojak shqiptar u gjend i papërgatitur. Ndaj meje kishte heshtje dhe dosje të fshehta, ndoshta si ajo që ju tregova. Kurse haptas nuk thuhej asgjë. Me sa kam kuptuar, prisnin që unë vetë “t’i tregoja vendin borgjezisë”. Me fjalë të tjera, të deklaroja: ju më pëlqeni, por unë jam armiku juaj! Asgjë e tillë s’ka ndodhur asnjëherë. Nën presionin botëror u lejua takimi i gazetarëve “borgjezë” me mua. Janë dhjetëra intervista të botuara që mund të gjenden dhe unë po ju them me përgjegjësi të plotë morale se nuk ka askund, asnjë paragraf, nga ato që do të ëndërronin stalinistët shqiptarë. Kjo ishte prova e parë që e kam kapërcyer dhe ku shteti, s’kam ndrojtje ta them, e uli kokën.

Ishte e vështirë kjo?

Natyrisht. Gjithë puna është që ta kesh mbledhur mendjen që të mos shtrembërosh thelbin e së vërtetës. Desha të nënvizoj këtu se përgjithësisht gazetarët perëndimorë, duke e marrë me mend pozitën time të vështirë, kanë treguar kujdes, për të mos ma rënduar atë. Megjithatë donin apo s’donin ata, momenti i rrezikshëm vinte papritur. Sidomos kur intervistat ishin drejtpërdrejt në TV.

Si dukej një moment i tillë?

Më kujtohet një rast i tillë, pikërisht në Gjermani, në TV berlinezGazetari më bëri befas një pyetje që ishte, si të thuash, fatale për shkrimtarët që vinin nga Lindja. Zoti Kadare, a mund të shkruani ju kundër regjimit? Pyetja, e bërë qoftë pa qëllim provokimi, ishte në vetvete më e bezdisshmja e të gjithave. Kisha dëgjuar se nuk ishin të paktë shkrimtarët që ishin zënë ngushtë prej saj. Përgjigjet e tipit se një gjë e tillë s’kishte pse të shtrohej përderisa shkrimtari i intervistuar nuk kishte ndonjë problem me regjimin etj. etj., ngjanin në çdo rast të varfra.

Në heshtjen e shkurtër që u krijua, fati më ndihmoi që të ruaja gjakftohtësinë e të përgjigjem me një «jo»! E fill pas kësaj, të shpjegoja arsyen: në vendin tim, ligji e ndalon një gjë të tillë.

Përgjigja dukej më e guximshme se ç’ishte në të vërtetë. Duke u kthyer me avion në Shqipëri, rrugës mendoja se si mund të mbrohesha, në rast se kjo përgjigje ishte gjykuar “e keqe”. Gjëja e parë që më vinte ndërmend ishin mijëra pllakatet që mbushnin Shqipërinë anekënd me fjalët: “Rroftë diktatura e proletariatit!”. E pra, ky vend nuk e fshihte aspak se ishte diktaturë, me fjalë të tjera, se s’lejonte asgjë që ta prekte, për të ardhur gjer te ndalimi me ligj i “propagandës borgjeze” etj. etj.

Kur e keni vizituar Gjermaninë dhe çfarë përshtypjesh keni nga shteti gjerman?

Përgjigje: Gjermania ka qenë e pranishme në Shqipëri qysh pas rikthimit të saj në Europë. Sipas një tradite, që po vendosej në Ballkan, dinastia e parë mbretërore europiano-shqiptare, ka qenë ajo gjermanike, qysh në vitin 1914, me miratimin e Fuqive të Mëdha. Për fat të keq, këtë fazë të parë të integrimit të Shqipërisë në Europë, (ëndërr që vazhdon ende sot që po bisedojmë bashkë), e prishi Lufta e Parë Botërore. Pas një mbretërie shqiptare që u mbyll në mënyrë dramatike, Shqipëria përfundoi në një shtet fashist, i cili ra bashkë me boshtin italo-gjerman. Më pas vazhdoi historia e njohur e vendosjes së komunizmit, e miqësisë tepër pasionante me kampin komunist, e armiqësisë po aq pasionante me të, e miqësi-armiqësisë me kinezët, e izolimit të trishtuar, gjer në rënien e komunizmit. Gjatë gjithë kësaj kohe, Gjermania Perëndimore ishte i vetmi shtet perendimor që, duke përfituar nga armiqësia e Shqipërisë me kampin komunist, u përpoq ta tërhiqte atë drejt Europës. Misioni i ndërmarrë prej Shtrausit ishte i pamundur ngaqë Shqipëria, duke qenë vërtet armiqësore me ish miqtë e saj komunistë, ishte ndërkaq më staliniste se ata!

Nuk ishte e lehtë të kuptohej kjo! Ndërkaq në Shqipëri u përhap një shpresë me “shansin gjerman”. Ishte fjala gjithmonë për Gjermaninë Perëndimore. Dy-tre udhëtime të miat, për shkak botimesh në gjermanisht, ndodhën pikërisht në këtë Gjermani “kapitaliste”. Kurse në Berlin kam hyrë për herë të parë gjysmë fshehtazi! Nuk po zgjatem me këtë histori groteske, që vazhdoi deri në kohën që Shqipëria u gjend, më në fund, bashkë me Gjermaninë e sotme, në Aleancën Atlantike. Mund të them me bindje se pavarësisht nga paradokset e krijuara prej historisë, një ndjesi pozitive për gjermanët dhe Gjermaninë ka qenë gjithmonë e pranishme në Shqipëri. Ka gjasë që shpjegimi për këtë mund të ketë lidhje me mirënjohjen ndaj shkencëtarëve gjermanë, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe, më thellë dhe më seriozisht se të gjithë, duke përfshirë edhe vetë shqiptarët. Kjo mund të duket e tepruar në qoftë se nuk keni dijeni për adhurimin pa kufi ndaj gjuhës që, në sytë e shqiptarëve, kishte marrë ndërkaq aureolën e një martireje, sidomos pas ndalimit me dekret të saj nga shteti osman.

Ju falenderoj për kuriozitetin që është vërtet mbresëlënës. Më lejoni ta përfundoj bisedën tonë me një pyetje: Para tre vjetësh presidenti turk Erdogan ishte në Kosovë dhe e quajti Kosovën Turqi. Ç’mendoni për këtë?

Jam në dijeni për këtë deklarim të tij dhe e vetmja gjë që mund të them është se kur e kam lexuar nuk iu kam besuar syve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Autoritarizmi si “demokraci e shmangur”

Nga Mirela Oktrova* Sa herë që zhvillimet politike kombëtare marrin pamje të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *