Si mbërriti ‘Hakmarrja’ tek pafajësia

orik shytiIsh-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për pafajësinë e 10 të akuzuarve të një prej betejave më të gjata të drejtësisë shqiptare. Vëllezërit Shyti fajësuan Berishën për gjithçka iu ka ndodhur dhe thanë se ai do t’i paguante

Gjykata e Apelit mbylli dje dosjen e “Hakmarrjes për Drejtësi”, duke liruar nga akuzat 10 të pandehurit e kësaj çështjeje, që për rreth 21 vite zvarritej nga njëra gjykatë në tjetrën.

Kjo dosje gati e harruar ishte riaktivizuar kohët e fundit pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që “orientonte” pafajësinë e të pandehurve, sikurse ndodhi dje.

Një trup gjykues me gjyqtarë të komanduar nga KLD, me kryesues Alaudin Malajn dhe anëtarë Sotiraq Lubonja, Artur Kalaja, Stavri Kallço dhe Etleva Theme, vendosi të shpallë të pafajshëm vëllezërit Orik dhe Leart Shyti, si dhe tetë të pandehurit e tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen jashtë vendit.

Të vetmit që ishin në qeli dhe që do të lirohen pas vendimit të djeshëm janë Dritan Hate dhe Gentian Caka.

Ndërsa vëllezërit Shyti dhe Altin Arapi tashmë kanë fituar azil politik në Zvicër dhe Belgjikë dhe menjëherë pas vendimit të djeshëm reaguan duke bërë përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzat e ngritura ndaj tyre për më shumë se 20 vite.

Dosja e quajtur “Hakmarrja për Drejtësi” ka kaluar nëpërmjet një kalvari të gjatë gjyqësor, ku fillimisht u gjykua në Gjykatën e Tiranës dhe më pas ndoqi të gjitha shkallët e gjyqësorit, për t’u rikthyer sërish në shkallën e parë, por këtë radhë në Gjykatën e sapokrijuar të Krimeve të Rënda.

Kjo çështje u regjistrua në këtë gjykatë në vitin 2004 dhe shqyrtimi i saj nisi pas dy vitesh, derisa në korrik të vitit 2008, Krimet e Rënda dënuan me dy burgime të përjetshme dhe 170 vite burg të pandehurit e “Hakmarrjes për Drejtësi” të akuzuar për 17 krime të rënda.

Ky vendim u la në fuqi një vit më pas edhe nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Por pak muaj më parë, Gjykata e Lartë i hapi rrugën jo vetëm rigjykimit, por edhe pafajësisë së “Hakmarrjes”, pasi në vendimin e saj u shpreh se shumë prej provave janë të pavlefshme ose të papërdorshme.

“Ky kolegj ka konstatuar se në fazën e hetimit paraprak janë lejuar shkelje të rënda procedurale, të cilat kanë sjellë si rezultat pavlefshmëri ose papërdorshmëri të akteve procedurale….ato duhet të përjashtohen si prova kundër të gjykuarve”, -thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë, marrë më 6 mars të vitit të shkuar.

Mbi këtë arsyetim, çështja u dërgua për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda, por në mungesë të gjyqtarëve, KLD komandoi pesë gjyqtarë nga apelet e zakonshme për formimin e kolegjit penal.

Që në nisje të këtij procesi gjyqësor, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi gjykatës dërgimin e çështjes për shqyrtim në shkallën e parë, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë gjyqësor dhe vlerësimin e të gjitha provave të kontestuara nga Gjykata e Lartë.

Prokuroria ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet në tërësinë e saj, gjë të cilën sipas akuzës nuk mund ta bëjë Gjykata e Apelit.

“Kthimi i çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, bëhet më se i domosdoshëm edhe në kushtet kur përsëritja e plotë e shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, si shprehet Gjykata e Lartë, nisur nga kompleksiteti i kësaj çështjejeje, numri i veprave penale objekt akuze dhe numri i të pandehurve në gjykim, si dhe morinë e deklarimeve dhe provave të përdorura nga ana e gjykatës së themelit, të cilës i janë dashur rreth 180 seanca gjyqësore dhe një periudhë kohe gjykimi që ka zgjatur mbi 3 vjet, gjykata e apelit e ka pothuaj të pamundur të zhvillojë një përsëritje të plotë të shqyrtimit gjyqësor, në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe asaj ndihmëse”, -thuhet në kërkesën e prokurorisë, drejtuar Apelit të Krimeve të Rënda.

Por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga gjykata, e cila vendosi të shpallë të pafajshëm 10 të pandehurit, të cilët nga sot nuk kanë asnjë akuzë përveç Altin Arapit, i cili është dënuar për vrasjen e shoferit të ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Menjëherë pas vendimit reaguan vëllezërit Shyti, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri Berisha akuzon kreun e qeverisë për shpalljen të pafajshëm të asaj që ai e quan organizata terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.

“Edvin Kristaq Rama, sot, në përputhje me një marrëveshje elektorale të vitit 2013 me grupin terrorist “Hakmarrja për Drejtësi”, shpalli të pafajshëm drejtuesit kryesor të grupit, vëllezërit Shyti, djem të xhelatit të diktaturës komuniste Harejdin Shyti, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga gjykatat shqiptare”, shkruan ish-kryeministri.

Sipas tij, pas këtij akti kriminal pritet që kryebanditi Edvin Kristaq Rama të lirojë, në përputhje me detyrimin e tij, Aldo Baren dhe bandën e tij, për të plotësuar kështu radhët e banditëve që i mungojnë atij!

Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili e quajti vendimin ndaj Hakmarrjes për Drejtësi si skenar të kryeministrit Rama për të vjedhur zgjedhjet.

“Kur i ngelen edhe pak muaj në pushtet, Edi Rama ka arritur t’i sigurojë lirinë organizatës më kriminale në vend, Hakmarrjes për Drejtësi. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është thjesht një zbardhje e urdhrit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë dyshim, që është ai pas kësaj goditjeje të rëndë ndaj ligjit dhe rendit”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, heshtja e kryeministrit gjendet në trojet e Tiranës të bëra pallate kur ai ishte kryetar bashkie me këtë bandë, ndërsa tani e njëjta heshtje fsheh synimin për të vazhduar bashkëjetesën me krimin dhe qëllimin e tij për të dhunuar zgjedhjet. Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ende nuk kanë reaguar për këtë vendim.

Organizata “Hakmarrja për Drejtësi” është gjykuar për dy dekada në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor në Shqipëri për vepra penale të quajtura “akte terroriste”, për disa grabitje të armatosura, për vendosjen e një bombe te ish-marketi i VEFA-s në Tiranë, vrasjen e ish-drejtorit të burgjeve, si dhe rrëmbimin e një fëmije.

Anëtarët e kësaj organizate, tre prej të cilëve kanë përfituar azil politik jashtë Shqipërisë i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, por vendimet e gjykatave konfirmuan dënimet e ashpra për ta, të cilat u bënë nul nga vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Sipas avokatit Dylber Mani që ka ndjekur për më shumë se 12 vitesh këtë proces gjyqësor gjithçka filloi më 16 tetor të vitit 1996, kur në një emision special doli para mediave, ministri i Brendshëm i asaj kohe, për të dhënë “haberin” se është zbuluar një “organizatë terroriste me karakter politik për të rrëzuar demokracinë”, e krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti, djali i Aredin Shytit, ish-zëvendësministër dhe ministër i Brendshëm për periudhën Janar-Korrik 1991, i dënuar me 17 vjet heqje lirie me akuzën “vrasje me dashje indirekte” për ngjarjen e ndodhur në Shkodër më 2 prill 1991.

Përveç armëve, në sekuencat filmike të dhëna nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, sipas avokatit Mane, tregoheshin të filmuara dokumente, ndër të cilat: “kode sekrete komunikimi”; “platforma dhe skema e funksionimit të organizatës”; “plane për krimet që kishin kryer nga viti 1992-1996 dhe ato që do kryenin, duke përfshirë edhe vrasjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, asokohe President i Republikës.

Vëllezërit Shyti paralajmërojnë Berishën: Do paguash personalisht

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda kanë reaguar edhe vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, të cilët me anë të një deklarate paralajmërojnë ish-kryeministrin Sali Berisha se do të paguajë personalisht për dëmin që iu ka shkaktuar për 21 vite me radhë.

Në një letër të gjatë, vëllezërit Shyti thonë se nuk janë ndjerë kurrë fajtorë, por sot janë edhe ligjërisht të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura djallëzisht dhe të mbrojtura egërsisht nga Sali Berisha.

“Vendosmëria e tij për të na dënuar kishte rëndësi për të. Njëra nga arsyet pse donte të na dënonte është e provuar. Ajo ka të bëjë me përpjekjet për të fshehur krimin që kishte kryer ndaj nesh. Për arsyet e tjera nuk duam të hamendësojmë”, -thonë vëllezërit Shyti.

Sipas tyre, edhe pse ishin të bindur se, prej 25 vjetësh, në Shqipëri fjala helm e plumb e Sali Berishës është më e rëndësishme se Kushtetuta, se çdo ligj, se çdo institucion e pushtet, prapëseprapë nuk mendonim se shqyrtimi i çështjes nga Gjykata e Lartë do zgjaste gati pesë vjet.

Në letër ata shprehen se “rreziqet që kemi kaluar dhe dëmet morale e materiale që kemi pësuar nuk janë as të pakta, as nga ato që harrohen. Ndërkohë, jemi të vetëdijshëm se suksesin e Sali Berishës e kanë mundësuar edhe mangësitë tona. Ai e ka ditur që në krye të herës se ne nuk jemi trima të çomanges, por ka bërë gjithçka për të na paraqitur si të tillë, se kështu lartësonte veten si “trim mbi trimat”, mbante të mbuluar krimin e kryer, i bënte të efektshme kërcënimet që u drejtonte të pabindurve në emër të “Hakmarrjes” dhe të suksesshme trysninë mbi kundërshtarët”.

Në fund letra mbyllet me një mesazh për ish-kryeministrin Berisha.

“Dëmin moral dhe ekonomik që na ka shkaktuar Sali Berisha përgjatë 21 vjetëve nuk do t’ia kërkojmë shtetit. Kjo do ishte e padrejtë, sepse vetë shteti ka qenë i marrë peng nga Saliu. Tani që, falë vullnetit të SHBA dhe BE, shteti po çlirohet do bëjmë ato që ligji parashikon dhe do t’ia arrijmë që Saliu të paguajë personalisht. Me shërbëtorët që ka përdorur për të krijuar prova të rreme le ta zgjidhë vetë”, shkruajnë vëllezërit Shyti.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Listat e Partisë Demokratike, fitorja e pestë e Bashës

Nga Ervis Iljazaj Mbas shpalljes së listave të deputetëve shpërtheu më në...
Read More