Si mund ta lërë në këtë gjendje Bibliotekën Kombëtare, Kryeministri që vjen nga kultura?

Nga Ervis Iljazaj

Neil Gillman shkruante se “Një qytet që nuk ka një bibliotekë, nuk është një qytet. Mbase pretendon të quhet qytet, por nëse nuk ka një bibliotekë nuk mund të mashtrojë askënd”.

Kur kjo shprehje vlen për një qytet, imagjino për një komb që nuk e ka një të tillë, se çfarë mund të thuhet. Në fakt Shqipëria e ka një Bibliotekë Kombëtare, por pamjet e saj të përmbytura të ditëve të fundit janë dëshpëruese. Thuhet që librat po thahen me tharëse nga punonjësit e saj. Kjo pastaj, është një tragje-komedi më vete.

Përtej këtij fakti, është e papranueshme që një shi i disa orëve, të përmbytë një nga institucionet më të rëndësishme që mund të ketë një shoqëri, Bibliotekën e saj Kombëtare. Sepse, aty gjendet në të vërtetë pasqyra e një shoqërie, kultura dhe identiteti i saj, dhe është e pafalshme që të katandisesh në atë gjendje.

Ndoshta duket pa rëndësi, por pamjet e Bibliotekës Kombëtare të përmbytura, ndoshta janë pamjet më dëshpëruese të ditëve të fundit që mund të shikonim. Me ato pamje, fare lehtë del në pah indiferenca e atyre që na qeverisin kundrejt dijes. Mirëpo, nëse do të sundosh një shoqëri në mënyrë të lehtë, lërë të paditur. Dhe, lënia e Bibliotekës Kombëtare në atë gjendje është padyshim një atentat i qëllimshëm ndaj dijes së një shoqërie, dhe ky nuk është atentati i parë në këtë aspekt.

Është e pafalshme që qeveritë shqiptare, të të gjitha kohërave, nuk kanë gjetur asnjëherë dëshirën dhe vullnetin për t’iu dhënë shqiptarëve një bibliotekë dinjitoze, ashtu sikurse e meritojnë. Sepse, Biblioteka Kombëtare, nuk është vetëm një vend ku depozitohen libra, por një godinë e cila tregon shumëçka për një shoqëri.

Aq më tepër është e pafalshme për një Kryeministër si Edi Rama që vjen nga kultura. Kjo qeveri ka harxhuar para pafund nga buxheti shqiptar për rilindjen urbane dhe estetikën në përgjithësi. Jo vetëm kaq, por moderniteti ka qenë filozofia qeverisëse e Edi Ramës.

Në disa raste shumë mirë ka bërë, pasi disa nga ndërhyrjet e rilindjes urbane kanë qenë të domosdoshme. Por, është absolutisht e papranueshme që nuk gjenden fonde për të ndërtuar një Bibliotekë Kombëtare të denjë.

Nëse shkon jashtë Shqipërisë, e kupton se çfarë do të thotë një Bibliotekë Kombëtare, sepse kjo e jona nuk është aspak e tillë. Jo vetëm në vendet europiane, por edhe këtu në Rajon, Maqedoni, Kosovë, apo ndonjë vend tjetër afër nesh, Bibliotekat Kombëtare janë krejtësisht një gjë tjetër nga ajo që ndodhet këtu në Tiranë.

Kështu që, me gjithë ato rrugë të shtruara, nëpër fshatra apo në ndonjë cep të Shqipërisë që nuk kanë asnjë rëndësi, do të ishte mirë që fondet që shkojnë për to, që nuk janë të pakta, të shkonin për një Bibliotekë Kombëtare të re.

Kësaj që kemi sot, me pamjet që u panë nga përmbytja, i ka dalë boja me Kohë. Ajo nuk është një Bibliotekë Kombëtare, por thjesht një magazinë ku magazinohen libra. Në fakt, me ato pamje që pamë, as këtë funksion nuk e kryen më. Ajo godinë nuk vlen më as si magazinë librash, për turpin e politikës shqiptare dhe njerëzve që merren me kulturën në Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ermal Meta reagon i emocionuar pas koncertit në Tiranë: Toka ime

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta ka reaguar i emocionuar pas koncertit...
Read More