Si protestë kundër një ministri, pjesëmarrja ishte më se e mjaftueshme

Nga Ervis Iljazaj

Komentet që pasuan mbas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike u fokusuan më shumë te numri i pjesëmarrësve, duke lënë në harresë kauzën për të cilën ishte thirrur ajo.

Po të shtosh këtu dhe komentet për përplasjen e policisë me protestuesit, kauza kundër ministrit Xhafaj, pothuajse doli nga agjenda e opinionit publik.

E megjithatë, pjesëmarrja në një protestë të opozitës është e rëndësishme. Sepse tregon frymën që ajo përcjell, besueshmërinë e saj dhe shumë aspekte të tjera të një force politike.

Nga shumë kjo protestë u konsiderua si e dështuar, për shkak se pritshmëria për pjesëmarrjen ishte më e madhe, që për hir të së vërtetës nuk ishte nga më masivet që ka organizuar Partia Demokratike kohët e fundit.

Por, protesta e Partisë Demokratike, kësaj herë, kishte një specifikë. Ishte një protestë e thirrur kundër një ministri dhe jo kundër një qeverie, e cila nuk ka mbushur ende një vit nga zgjedhjet. Në këtë kuptim, s’ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe për sa i përket mbështetjes që ka qeveria në përgjithësi.

Dhe si e tillë, si një protestë kundër një ministri, pjesëmarrja ishte e mjaftueshme. Një ministër kaq “ meriton”. Sepse, të kuptohemi, edhe pse Partia Demokratike, me anë të retorikës së saj, e paraqiti protestën për të mobilizuar njerëzit, kundër qeverisë, kundër Edi Ramës dhe rrëzimit të tij, qytetarët e dinë fare mirë, që një gjë e tillë është pothuajse e pamundur.

Në këtë kuptim, pjesëmarrja në protestë, është një zakon i vjetër shqiptar, me anë të së cilës, gabimisht vlerësojmë drejtësinë e një proteste ose jo.

Në fakt, më e rëndësishme është kauza ndaj protestës dhe jo pjesëmarrja e saj. Mund të duket si një frazë klishe, por është më se e vërtetë. Ende nuk jemi mësuar të debatojmë nëse një protestë është e drejtë apo jo, por të rreshtuar në llogoret politike, merremi më shumë me pjesëmarrjen, a thua se është një ndeshje futbolli dhe jo një çështje që duhet të na shqetësojë.

Askush nuk mund të priste që Partia Demokratike do të duartrokiste faktin se vëllai i Ministrit të Brendshëm është i dënuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, dhe që vazhdonte të ishte i lirë në vendin ku vëllai i tij ishte në një konflikt interesi moral dhe parimor.

Kështu që, protesta e Partisë Demokratike, përtej faktit nëse kishte pjesëmarrje të madhe ose jo, ishte e natyrshme. Nëse nuk do të zhvillohej do të ishte çudi.

Megjithatë, Partia Demokratike bëri një gabim strategjik. Nëse do të ndalej tek e vetmja e vërtetë që kemi deri më tani, tek ajo që vëllai i Ministrit ka një dënim përfundimtar, dhe që qytetarët shqiptarë kanë të drejtën e tyre të kenë një pretendim minimal për të mos patur një ministër në një situatë të tillë, atëherë, ndoshta kauza e tyre do të ishte edhe më e fortë. Mbajtja e një kauze të tillë morale, politike, pa nxjerrë dhe sajuar historira me video përgjime, apo me nxitje me personazhe si “Babalja” do ta ndihmonte PD-në të ishte më e besueshme.

Mirëpo, përpara protestës, Partia Demokratike, me videot që nxori, e futi çështjen e ministrit Xhafaj në një situatë totalisht të kundërt dhe të vështirë, duke i dhënë kështu terren mazhorancës për të reaguar.

Prandaj, pjesëmarrje e vogël apo jo, çështja e Fatmir Xhafajt, do të vazhdojë të jetë në qendër të retorikës politike edhe për shumë kohë. Një barrë, dhe një siklet, që politika shqiptare po iu krijon qytetarëve, të cilët nuk e meritojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studentët e UET fitojnë çmimet për projektet inovatore nga Sigal Uniqa

SIGAL UNIQA si një nga kompanitë më të mëdha në fushën e...
Read More