Si të aplikoni për nënshtetësinë zvicerane në vitin 2018

Marrja e nënshtetësisë zvicerane nuk është aspak e lehtë. “The Local”, ju tregon për dhjetë gjërat që duhet të bëni për të fituar nënshtetësinë zvicerane dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga 1 janari i vitit 2018.

Zvicra ka dy procese për marrjen e nënshtetësisë. Natyralizimi i zakonshëm (ose i rregullt), është ai që shumica e njerëzve e kalojnë dhe ai i thjeshtëzuar, ku natyralizimi është një proces më i shkurtër dhe më pak i komplikuar, që zakonisht vlen për bashkëshortët e huaj dhe fëmijët e shtetasve zviceranë.
Ka më shumë se një sërë kërkesash. Për marrjen e natyralizimit të rregullt, i huaji duhet të përmbushë kërkesat e përcaktuara nga tri nivele të qeverisjes: komuna, kantoni dhe Konfederata.

Pas ndryshimeve në ligjin federal për të huajt, që hyri në fuqi më 1 janar 2018, një aplikues duhet të ketë jetuar në Zvicër për dhjetë vjet (më parë 12) ose më pak nëse keni kaluar adoleshencën tuaj këtu dhe keni një leje qëndrimi C. Ata gjithashtu duhet të tregojnë se sa i përmbahen ligjit dhe rendit zviceran, nuk paraqesin kërcënim për vendin dhe të jenë të integruar.

Zakonisht, kantonet dhe komunat u tregojnë autoriteteve federale se sa i integruar mendojnë se është një aplikant, megjithëse ligji i ri federal përcakton një numër detyrimesh, duke përfshirë kërkesën që ju të inkurajoni anëtarët e familjes tuaj që të integrohen gjithashtu, transmeton albinfo.ch.

Nëse keni pasur përfitime kohët e fundit, nuk mund të aplikoni. Një ndryshim tjetër në vitin 2018 është se nëse keni kërkuar ndihmë sociale në tri vitet e fundit ju nuk mund të aplikoni për nënshtetësi, përveç nëse e ktheni shumën që keni marrë.

Koha që keni jetuar në kantonin tuaj është një faktor i madh. Ju mund të keni jetuar dhjetë vjet në Zvicër, por sa kohë keni jetuar në vendin tuaj të tanishëm të banimit? Mos prisni të lëvizni kantonin (ose edhe komunën) dhe pastaj të aplikoni për nënshtetësi, çdo kanton ka rregullat e veta për këtë, por të gjithë presin që të keni jetuar në zonë për një kohë të caktuar. Ndërsa kantonet, duke përfshirë Gjenevën dhe Bernën kërkojnë vetëm dy vjet vendbanim, disa kërkojnë më shumë kohë, me St. Gallen që përcakton tetë vjet.

Ju duhet të flisni gjuhën lokale. Aftësitë e duhura gjuhësore kanë qenë gjithmonë të nevojshme për nënshtetësinë zvicerane, edhe pse kërkesat dallojnë nga kantoni në kanton. Por, me ndryshimet e vitit 2018, tani ekziston një nivel më i lartë i kërkuar i aftësisë gjuhësore. Kandidatët duhet të demonstrojnë shkathtësi të shkrimit A2 dhe shkathtësi të folura B1.

Rregullat kantonale dhe komunale dallojnë shumë. Çdo kanton ka kërkesa të ndryshme, zakonisht të përqendruar rreth asaj se sa të integruar jeni në bashkësinë ku jetoni. A keni miq zviceranë dhe kolegë pune që ju konsiderojnë pjesë të komunitetit? A njihni një ose dy gjëra për zonën lokale?

Banorët vendas mund të luajnë rol kyç. Shumica e kantoneve ose komunave mund të kërkojnë të përballeni me një intervistë për të dëshmuar integrimin dhe njohuritë për Zvicrën, ku mund të pyeteni se sa liqene ka në kantonin tuaj, cilat janë festat publike dhe emrat e festivaleve.

Duhet një kohë për të fituar nënshtetësinë. Kjo ndryshon nga vendi ku jetoni, por duhet të pritni disa vjet. Kantoni i Vaudit deri më tani ka caktuar deri në dy vjet e gjysmë, por thuhet se do të reduktohet në 18 muaj pas janarit 2018. Dhe gjatë këtij procesi nuk duhet të lëvizni, sepse duhet të filloni nga fillimi.

Mund të jetë proces i kushtueshëm. Ndërsa Konfederata kërkon vetëm 50-150 franga, shpenzimet e përcaktuara nga kantonet dhe komunat mund të jenë shumë më të larta. Në Gjenevë për një aplikim për të rriturit duhet të paguani 1250 franga, plus komunat nga 500 deri në 1000 franga shtesë. Dhe, e gjitha kjo me mundësinë që mund të refuzoheni.

Mundësia juaj e suksesit mund të varet nga ku jetoni. Sipas “Tages Anzeiger”, Zvicra perëndimore është më bujare me natyralizimet sesa kudo tjetër. Statistikat zyrtare tregojnë se Cyrihu ka pajisur me nënshtetësi shumicën e njerëzve në vitin 2015 (9,607), por gjithashtu ka popullsinë më të madhe prej 1,5 milionë banorë. Kantoni i Gjenevës, popullsia rreth gjysmë milioni, natyralizoi 6,093 njerëz në 2015.

Më shumë informata për të aplikuar:

https://www.ch.ch/en/naturalisation-switzerland/

Shkruar Nga
More from Revista User

Parashikimi i motit për sot/ Rikthehen reshjet e dëborës?

Qarkullimi i masave ajrore të lagështa do të bëjnë që i gjithë...
Read More