Si të parandaloni kancerin e zorrës së trashë, ndër më të përhapurit

Duhet të kryhen testet dhe ekzaminimet të cilat evidentojnë praninë ose jo të sëmundjes. Apeli për kontrolle mjekësore shkon për të gjithë, pasi çdokush mund të zhvillojë polipe, por risku është më i madh në personat mbi 50 vjeç, në ata që janë mbipeshë dhe duhanpirës, ose në personat që kanë histori familjare për polipe ose për kancer të zorrës

Dieta e pasur në yndyra shtazore, mishi i kuq dhe dieta e varfër në fruta dhe perime është një ndër faktorët kryesorë predispozues për kancerin e zorrës së trashë. Nëse kjo sëmundje zbulohet herët është një ndër llojet më të shërueshme të kancerit gastrointestinal. Ndaj mjeku gastrohepatolog, Altin Cekodhima, teksa thotë se ka shtim të frikshëm të personave të prekur nga kjo sëmundje, ai apelon për kontrolle të rregullta të cilat duhet të fillojnë të kryejnë të rriturit mbi 50 vjeç, duhanpirësit, personat mbi peshë dhe ata me histori familjare të prekjes nga ky kancer.

Doktori shpjegon gjithashtu se një ndër masat parandaluese për kancerin e zorrës është kolonoskopia sepse në këtë mënyrë polipet zbulohen në stade të hershme dhe mund të hiqen në mënyrë të sigurt dhe të plotë. Po kështu, mjeku gastrohepatolog për “Mapo” detajon faktorët e riskut që zhvillojnë këtë sëmundje brenda trupit tonë, cili është kujdesi që duhet treguar për të parandaluar dhe në rast të problemeve me zorrën e trashë, cilat janë shenjat që sinjalizojnë probleme të rënda, dhe cili është trajtimi i duhur.

Doktor cilët janë faktorët e riskut të kancerit kolorektal?

Faktor rreziku më i shpeshtë është historia familjare me kancer të zorrës së trashë (kolorektal). Në qoftë se keni një prind i cili ka patur kancer kolorektal, rrezikoni dyfish, që do të thotë se rrezikoni deri në 12% për t’u sëmurur nga kanceri kolorektal. Në qoftë se keni dy të afërm me kancer, risku rritet nga 5-5.5, që do të thotë nga 30-35 % për t’u sëmurur nga kanceri gjatë jetës suaj. Prandaj është e rëndësishme të dini historinë tuaj familjare në lidhje me kancerin. Një tjetër faktor risku është nëse ju vetë keni vuajtur me parë nga polipe prekanceroze ose nga kanceri i rektumit apo i zorrës.

Cili është roli i dietës në kancerin kolorektal?

Është pranuar gjerësisht se dieta e pasur në yndyra shtazore, mishi i kuq dhe dieta e varfër në fruta dhe perime është një  faktor kryesor predispozues për kancerin kolorektal. Kjo është shumë e dukshme në studimet e bëra në Japoni, ku dieta ndryshon me atë të Amerikës dhe përqindja e kancerit kolorektal është shumë e ulët, por kur japonezet migrojnë në vendet e Amerikës, ndryshimet e shpejta në dietë bëjnë që ata të jenë të rrezikuar njësoj si amerikanët ndaj kancerit kolorektal.

Si mund të korrigjojmë dietën tonë për të parandaluar kancerin kolorektal?

Nuk ka të dhëna nëse ndryshimet afatshkurtra në dietë mund të ndryshojnë tendencën për polipe dhe kancer. Gjithsesi, në qoftë se brezi i tanishëm i të rinjve nisin të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, ka shumë arsye të mendojmë që kur ata të jenë 50-60 vjeç, prevalenca për kancer kolorektal do të jetë më e ulët se e jona.

Konsiderohen që të gjitha polipet prekanceroze?

Kemi disa lloje polipesh, që zhvillohen në zorrë dhe rektum. Vetëm një lloj prej tyre, adenoma njihet si prekanceroze. Adenomat janë përafërsisht 40% te meshkujt në moshën mbi 55 vjeç. Vetëm një në 200 adenoma mund të kthehet ne kancer, por nuk e dimë saktësisht se cila prej tyre mund të kthehet në kancer. Nga ana tjetër, pothuajse të gjithë kancerat kolorektalë lindin nga adenoma.

Cilat janë mënyrat konkrete të ndjekjes dhe trajtimit të pacientëve me polipe?

Risku për të pasur shumë adenoma në të ardhmen, pasi kemi hequr një, varet nga madhësia, numri dhe nga pamja mikroskopike e adenomës. Pacientët me më shumë se tri adenoma rrezikohen më shumë për të patur adenoma të tjera brenda një kohe të shkurtër. Është e rekomandueshme përsëritja e kolonoskopisë 1-2 vjet më vonë. Vlerësimi pas heqjes së një adenome të madhe në një kohë të shkurtër bën të sigurt heqjen e plotë të polipit. Dihet që kolonoskopia mund të mos vizualizojë një numër të konsiderueshëm të adenomave. Sa më të vogla të jenë adenomat, aq më i lartë është risku të na shpëtojnë pa u parë gjatë ekzaminimit, kështu që rekomandohet gjithmonë përsëritja e ekzaminimit në harkun kohor 3-5 vjet. Në këtë mënyrë, edhe po pati shpëtuar ndonjë adenomë gjatë ekzaminimit nuk ka shanse që ajo të rritet shumë në përmasa ose të malinjizohet (të kthehet ne kancer) përpara se të zbulohet.

A ka lidhje midis të pasurit gastrit dhe kancerit kolorektal? Po me sëmundjen Crohn, me sindromin e zorrës së irritueshme, apo me sëmundjen inflamatore të zorrës? Është ndonjëra nga këto e lidhur me kancerin kolorektal?

Nuk ka lidhje midis gastritit dhe sindromit të zorrës së irritueshme me kancerin kolorektal. Pacientët me kolit ulceroz apo sëmundjen Crohn të zgjatur në kohë janë tepër të rrezikuar ndaj kanceri kolorektal. Pasi koliti ulceroz ka qenë i pranishëm për 7-8 vjet, rekomandohen kolonoskopi të rregullta, të shpeshta në kohë me biopsi për të kapur në kohë çdo ndryshim kanceroz në mukozën e zorrës.

A është shumë e rrallë të pasurit kancer nën moshën 30 vjeç?

Po. Më pak se 2% e kacereve të kolonit ndodhin nën moshën 40 vjeç. Kur pacientët kanë kancer nën moshën 50 vjeç ekziston një dyshim i fortë se ai mund të ketë predispozicion trashëgimie siç janë polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar.

A luan mosha ndonjë rol në rrezikun e kancerit kolorektal?

Po. Sa më shumë ju jetoni aq më i lartë bëhet risku për kancer. Risku është shumë i ulët në moshën 40 vjeç dhe ai gradualisht rritet pas moshës 50 vjeç dhe më vonë bëhet më i lartë çdo dekadë të jetës suaj.

Në qoftë se jeni diagnostikuar i ri me kancer, a ekziston mundësia që ai të kthehet më vonë?

Po, ekziston për dy arsye; në qoftë se ka një formë të trashëguar të kancerit, ka shumë shanse që të përsëritet më vonë në jetën tuaj. Operacioni i projektuar për këto sindroma zakonisht përfshin heqjen e krejt zorrës së trashë; jashtë arsyes së trashëgimisë, padyshim ka diçka për ata persona që u është shfaqur kanceri në fillim. Me fjalë të tjera ata persona janë të prirur për t’u sëmurur me kancer. Në qoftë se zorra e tyre është e aftë të prodhojë njëherë kancer, është e mundur që ajo të prodhojë përsëri. Vetëm 4% e të gjithë kancereve kolorektalë ndodhin për shkak të një mutacioni gjenetik të trashëguar.

A vlerësohen të gjithë polipet e hequr në zorrë në laborator për të detektuar kancerin?

Ne rekomandojmë që të gjithë polipet në kolonoskopi të hiqen dhe të çohen në laborator për të vlerësuar natyrën e tyre sepse nuk mund të vlerësojmë kurrë një polip vetëm nga pamja e jashtme. Disa polipe të zorrës nuk e rrisin rrezikun për kancer dhe nuk kanë nevojë për një mbikëqyrje të veçantë. Megjithatë, të gjithë polipet prekanceroze rrisin rrezikun për të pasur polipe të reja prekanceroze ose kancer, të cilat kërkojnë ndjekje të veçantë.

A ka teste gjenetike të besueshme në dispozicion për të përcaktuar riskun e kancerit kolorektal?

Vetëm 4% e kancereve kolorektale ndodhin për shkak të mutacioneve gjenetike të trashëguara. Për pacientët me ketë mutacion të trashëguar në familje, testet laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe cili jo. Për 96% e të gjithë kancereve kolorektale, testet gjenetike të gjakut nuk ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Ndonjëherë mund të shohim në përbërjen gjenetike të tumorit në vetvete, por kjo mbetet ende në kuadrin e punës kërkimore.

Çfarë lloje të veçanta ndjekjesh kërkojnë polipet prekanceroze në zorrë?

Duke marrë parasysh numrin dhe përmasat e polipeve prekanceroze të gjetura ne zorrë, si dhe lidhjen me historinë familjare dhe histori të mëparshme të pacientit për polipe apo kancer kolorektal, vendoset intervali se kur duhet përsëritur kolonoskopia.  Zakonisht në qoftë se janë hequr një ose dy adenoma të vogla dhe pacienti nuk ka faktor individual risku, kolonoskopia e ardhshme mund të bëhet pas 5 vjetësh. Në qoftë se janë hequr dy ose më shumë polipe të mëdhenj, ekzaminimi i radhës bëhet pas 3 vjetësh.  Megjithatë, doktori juaj mund t’ju rekomandojë kohë më të gjatë ose më të shkurtër bazuar në cilësinë e kolonoskopisë, përgatitjes së zorrës, dhe në varësi të faktorëve te tjerë të riskut.

Nëse për të bërë kolonskopinë e radhës duhet të kalojnë zakonisht një apo dy vjet, a mund të supozojmë atëherë se polipet rriten shumë ngadalë?

Supozohet që një polipi i duhet rreth 5 vjet që të zhvillohet dhe afërsisht 5 vjet të tjera që të kthehet në kancer.

A mund të përcaktohet se sa kohë ka që është shfaqur tumori kanceroz? A rriten në një normë të caktuar tumoret kanceroze të zorrës?

Rritja e tumorit kanceroz të zorrës është shumë e ndryshueshme. Nuk mund të gjykohet nga përmasa apo shkalla e invazimit se sa kohë ka që është prezent tumori. Arsyeja është se shpejtësia e rritjes së kancerit të zorrës varet pjesërisht nga agresiviteti i vetë kancerit dhe pjesërisht nga aftësia mbrojtëse e trupit. Stadi në të cilin kanceri kolorektal bëhet i dukshëm është në varësi të këtyre dy faktorëve të sipërpërmendur. Çdo pacient është i ndryshëm.

A e rrisin pijet alkoolike rrezikun për kancer kolorektal?

Nuk ka të dhëna që sugjerojnë se alkooli i tepruar mund të çojë në polipozë apo kancer të zorrës së trashë. Megjithatë zbulimet e fundit kanë treguar se përdorimi i pijeve alkoolike në sasi të vogla mund të parandalojë polipet dhe kancerin e zorrës së trashë. Mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin kolorektal është një dietë e shëndetshme, ku përfshihen: frutat, perimet, ushqime me sa më pak yndyrë shtazore, kufizimi i përdorimit të mishit të kuq, përdorimi i sasive të pakta të pijeve alkoolike, një peshë normale trupore dhe rritja e aktiviteti fizik. Kolonoskopia zakonisht është i vetmi test i saktë depistimi.

Çfarë testimesh rekomandohen?

Ka disa teste depistuese që bëhen te njerëzit pa simptoma për të parandaluar kancerin ose për ta kapur atë në stadet e tij fillestare. Ekziston gjithashtu një grup tjetër testimesh, të cilat shpesh janë të njëjtat me ato depistueset dhe kryhen te pacientët që kanë shenja për të diagnostikuar praninë e kancerit.

Testi më i zakonshëm që përdoret për të diagnostikuar pacientët me shenja të zorrës së trashë të cilat sugjerojnë për kancer, është kolonoskopia. Ajo është mënyra e vetme më e kujdesshme dhe më e sigurt për depistimin e kancerit kolorektal, edhe pse është testi më i shtrenjtë.

Testime të tjera depistuese janë feçet me gjak okult, sigmoidoskopia dhe skopia me kontrast bariumi. Teste të tjera depistuese janë akoma nën shqyrtim, si kolonoskopia virtuale dhe testi gjenetik DNA në feçe.

Kolonoskopia virtuale – është aq e saktë sa mendohet?

Kolonoskopia virtuale është një teknikë e re depistimi për polipet dhe kancerin e zorrës së trashë. Studimet kanë treguar së kolonoskopia virtuale nuk është aq e saktë. Kohët e fundit analiza e gjakut okult në feçe nuk po përdoret shpesh sepse doktorët nuk e kryejnë saktë atë.

Si mund të komentohet ky fakt?

Në studimet e bëra kryerja e testit gjak okult në feçe ka treguar më shumë rigorozitet dhe ka ndihmuar uljen e vdekshmërisë nga kanceri kolorektal në 33% të popullatës. Megjithatë saktësia e kolonoskopisë është më madhe se analiza e gjakut okult në feçe. Zakonisht preferohet të kryhet kolonoskopia. Në qoftë se feçe me gjak okult bëhet në laborator, ajo përsëritet tre herë në vit nën një dietë specifike. Në qoftë se gjaku okult në feçe është kryer me ekzaminim me gisht nga mjeku, rekomandohet të bëhet edhe në laborator. Në qoftë se gjaku okult në feçe rezulton pozitiv, rekomandohet të bëhet analiza e gjakut okult në feçe edhe në laborator.

Hapat për bërjen e kolonoskopisë

Në përgjithësi kolonoskopia rekomandohet nga mjeku i familjes, ose pacienti mund të takojë direkt mjekun gastroenterolog.

– Për kryerjen e kolonoskopisë është shumë e rëndësishme që zorra të jetë e pastruar mirë që mos shpëtojë asnjë situatë sado e vogël dhe pacienti të ketë një ekzaminim sa më të rehatshëm.

– E vetmja mënyrë e trajtimit të kancerit të zorrës është heqja e tij.

Cili është sedacioni (qetësuesi) i zgjedhur për kolonoskopinë?

Mënyra më e shpeshtë e përdorur deri tani për sedacionin (qetësuesin), e përdorur gjatë procedurës së kolonoskopisë është qetësuesi në gjendje të zgjuar që konsiston në qetësimin e pacientit, i cili nuk ndien asnjë dhimbje apo shqetësim tjetër gjatë kolonoskopisë, vetëm se ai nuk vihet në gjumë të thellë siç ndodh në rastin e anestezisë së plotë.

Sa kohë zgjat procedura? Për sa kohë mund të marrim përgjigjen?

Procedura zgjat përafërsisht 15-30 minuta dhe pacientët marrin raportin e shkruar të procedurës menjëherë pas ekzaminimit.

Në qoftë se diagnoza është kancer, cilat janë mundësitë trajtuese për pacientin?

E vetmja mënyrë trajtimi i kancerit është heqja e tij. Në disa raste kjo bëhet nëpërmjet kolonoskopisë, në rastet kur kanceri është pjesë e ndonjë polipi. Zakonisht heqja e kancerit kërkon heqjen e 25 cm të zorrës përreth kancerit së bashku me indet që përmbajnë gjëndra limfatike, arterie dhe vena në lidhje me segmentin e zorrës së trashë. Në qoftë se kanceri është përhapur përsëri në gjëndrat limfatike, pas heqjes së tij rekomandohet kimioterapia. Në qoftë se kanceri është përhapur në organet e tjera (si p.sh. në mëlçi), kurimi është shumë i vështirë qoftë edhe kur përhapja është fare e vogël.

Në qoftë se nuk zbulohet tumori përpara stadit të tretë, a do të thotë që kjo situatë është agresive apo ka kohë të gjatë që tumori është prezent?

Stadi i tumorit ka lidhje me kohën kur ai ka qenë i pranishëm. Megjithatë stadi i tretë është tumor agresiv dhe ka pak gjasa për kurim në krahasim me situatën në stadin e parë dhe të dytë.

A i pakësojnë efektet anësore të trajtimit preparatet e fundit të kimioterapisë?

Çdo preparat kimioterapie ka një listë efektesh anësore dhe momentalisht janë një sërë mundësish zgjedhjeje për pacientin apo për doktorin.  Në përgjithësi, sa më agresiv të jetë preparati i kimioterapisë, aq më i lartë është rreziku i efekteve anësore.

Çfarë do të thotë ekzaktësisht fjala “kurë” në këto raste?

Kura në përgjithësi i referohet parandalimit të rishfaqjes së kancerit kolorektal pas 5 vjetësh mbasi ai është hequr. Në përgjithësi numri i të mbijetuarve bazohet në stadin e tumorit. Për stadin e parë të kancerit mbijetesa zgjat për 5 vjet ose shanset e kurimit janë 90-95%. Shanset e kurimit ose mbijetesa vazhdon dhe përkeqësohet në stadin e dytë deri në 80% dhe për stadin e tretë ajo është 40-60% dhe 10% për stadin e katërt.

A janë mjekët gastroenterologë ata të cilët e drejtojnë trajtimin, apo dalin nga skena pasi e diagnostikojnë kancerin?

Pasi kanceri është diagnostikuar, trajtimi në qoftë se është kirurgjikal zakonisht kryhet nga kirurgu kolorektal. Në qoftë se nevojitet kimioterapia apo radioterapia trajtimi drejtohet nga mjeku onkolog.

Gjithsesi, për ekzaminimet e radhës, për të mbajtur nën kontroll ecurinë e trajtimit, nevojitet mjeku gastroenterolog. Të gjithë personat, me ose pa shenja, mbi moshën 49 vjeç duhet të bëjnë kolonoskopi depistuese.

Ka të dhëna që pastrimi rregullisht i zorrës mund të parandalojë polipet apo kancerin kolorektal. Faktorët e njohur të rrezikut për polipe dhe kancer të zorrës janë disa dhe ato janë të pandryshueshëm, si për shembull përbërja jonë gjenetike, mosha e shoqëruar me situatë inflamatore të zorrës si sëmundja Crohn apo koliti ulceroz.

Faktorët e rrezikut që janë në dorën tonë dhe mund të kontrollohen nga ne, janë: evitimi i duhanit, mbajtja e një peshe normale, aktiviteti fizik i përditshëm, dietë e pasur me fruta, perime dhe fibra duke mënjanuar yndyrat shtazore dhe mishin e përpunuar.

Pjesa e brendshme e zorrës së trashë, mukoza, është e veshur me qeliza qe prodhojnë mukus duke i dhënë asaj pamjen e kuqe të shndritshme. Shumë njerëz kanë përshtypjen se zorra e tyre është e bllokuar nga mbetjet ushqimore dhe mendojnë se ajo ka nevojë për pastrime të herëpashershme për të qenë e shëndetshme, por kjo është një ide e gabuar.  Pas këtij diskutimi tashmë ju e dini se sa i rëndësishëm është parandalimi i kancerit kolorektal, i cili vret afërsisht 50.000 njerëz në vit.  Sigurohu që të gjithë miqtë dhe familjaret e tu të kenë bërë testet depistuese për kancerin kolorektal, duke ndihmuar kështu në parandalimin e një sëmundjeje vdekjeprurëse.

 

Këshilla

Për të ulur riskun e formimit të polipeve dhe të kancerit të zorrës së trashë:

Përdorimi i frutave, perimeve dhe krunde;

Sa më pak yndyra në dietën tonë;

Limitim i konsumimit të alkoolit dhe duhanit;

Qëndroni fizikisht aktivë dhe mbani një peshë trupore optimale;

Përdorni kalcium pasi studimet tregojnë që përdorimi i kalciumit mund të parandalojë rishfaqjen e adenomave të zorrës, por nuk dihet nëse kalciumi ka ndonjë benefit mbrojtjes për kancerin kolorektal. Kujdes problemet kardiake nga kalciumi!

Përdorni aspirinë rregullisht pasi ajo redukton riskun për polipe. Por duhet ditur që aspirina rrit riskun për hemorragji gastro-intestinale, kështu që flisni më parë me mjekun për këtë;

Konsideroni mundësitë tuaja nëse ju jeni në risk të lartë për kancer të zorrës. Nëse keni histori familjare për polipe ose kancer duhet të bëni kolonoskopinë që në rini.

Shkruar Nga
More from Redaksia

SHÇBA po heton rolin e policëve në ngjarjen me patentat e Tahirit

“Kam ngarkuar SHKB-në të hetojë dhe për përgjegjësitë që kanë policët në...
Read More