Si t’i lexojmë lëvizjet e shumta që po lindin nga poshtë?

Nga Ervis Iljazaj

Është e qartë se ajo që deri më tani quhej liberal-demokracia, e cila bazohej te përfaqësimi politik, te qeverisja e elitave, apo edhe te ndërkombëtarizmi është në krizë të thellë. Dekada e ardhshme, është dekada e nacionalizmave dhe e populizmave në tërësi. Që në thelb të tyre, janë e kundërta e sistemit liberal-demokratik.

Shenjë e kësaj janë padyshim revoltat e shumta ose lëvizje shoqërore që zhvillohen gjithmonë e më shumë në vendet përtej Shqipërisë, por edhe brenda saj, siç është rasti i protestës së studentëve, që më shumë se sa specifikisht për një tarifë, me të gjitha gjasat protestojnë kundër elitës politike për arsye të mungesës së shpresës në të ardhmen.

Çfarë është në thelb populizmi gjithmonë e në trend në shumicën e vendeve?

Me pak fjalë populizëm, do të thotë populli në politikë. Në kuptimin që edhe një shtëpiake çfarëdo, në një qytet të humbur mund të merret me politikë, dhe të jetë vendimmarrëse për fatet e shoqërisë?

Suksesi i populizmit vjen pikërisht nga kriza e përfaqësimit politik. Gjithmonë e më shumë, elita politike që deri më tani bazohej te një regjim demokratik përfaqësues, është larguar nga problematikat e qytetarëve duke krijuar një lloj kaste, e cila harroi misionin e saj të përfaqësimit. Si reagim i krizës së përfaqësimit politik, tanimë qytetarëve po u ofrohet një alternativë e kundërt me atë të demokracisë përfaqësuese, e cila kërkon të na propozoje se populli mund të bëjë politik, ose atë që quhet demokracia direkte. Me fjalë të tjera, populli merr në dorë fatet e tyre.

Mirëpo, pikërisht ky është rreziku i populizmit. Sepse, ata që drejtojnë këto lëvizje, janë duke krijuar iluzionin se demokracia direkte mund të funksionojë. Mirëpo, ky është një iluzion i rrezikshëm dhe utopi, që çdokush që ka një minimum njohurie historike dhe politike, e kupton fare mirë që kjo rrugë të çon drejt totalitarizmit.

Sepse, populistët, mendojnë që populli është një trup organik i vetëm dhe i ngjashëm, dhe që nëpërmjet demokracisë direkte, mund të marrë vendime për të gjithë. Ndërkohë që, shoqëria e hapur dhe demokratike përbëhet nga kultura të ndryshme, ide të ndryshme, dhe interesa të ndryshëm. Kështu që, deri më tani, këta interesa janë munduar të realizohen nëpërmjet demokracisë përfaqësuese. E cila, në vendimet e saj, kishte si parim vendimmarrjet që negociojnë këta interesa, pavarësisht se këta vendimmarrës janë zgjedhur vetëm nga mazhoranca e një shoqërie dhe jo nga të gjithë.

Në këtë kuptim, ta trajtosh popullin si një trup organik të vetëm dhe të ngjashëm, dhe t’i krijosh iluzionin se ata mund të vendosin për fatet e tyre nëpërmjet demokracisë direkte, nuk është gjë tjetër veçse të krijosh rrugën drejt totalitarizmit, i cili pretendon se vendos në emër të tij.

Është e vërtetë që demokracia përfaqësuese dhe liberale sot është në rrezik për faj të vetë këtij regjimi. Por, fakti që ky sistem demokratik është në krizë dhe aktualisht ka defekte të mëdha, nuk do të thotë që të propozosh si alternativë një sistem të kundërt me të siç është demokracia direkte dhe populiste, i cili nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Prandaj, debati duhet fokusuar te si të përmirësojmë regjimin e demokracisë liberale dhe përfaqësuese dhe si të korrigjojmë defektet e mundshme të saj. Dhe jo të propozojmë si alternativë të saj një sistem totalisht të kundërt, që ngjall vetëm emocione dhe asgjë racionale. Dhe nëse ka një gjë që autokratët shfrytëzojnë për pushtetin e tyre, janë pikërisht emocionet popullore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqiptarët po luftojnë për Teatrin e tyre Kombëtar

Një ligj i dyshimtë lejon shitjen e pronës publike për një firmë...
Read More