Si u bë Rumania qendra e trafikimit të seksit në Europë

Lëvizja e lirë nëpër Europë, varfëria e madhe në shtëpi dhe mungesa e politikave efikase qeveritare kanë lënë me mijëra gra rumune të cënueshme ndaj rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Ndërsa muzgu bie mbi Berlin, shumë gra dhe vajza të veshura me shumë pak rroba dalin në rrugën Kurfurstenstrasse dhe në rrugët pranë saj – lagja më e famshme e tregtisë së seksit në kryeqytetin gjerman.

Shumë nga këto gra, thonë banorët vendas, vijnë nga Rumania, Bullgaria dhe Ukraina. Disa janë padyshim të mitura.

Ndërsa bie nata, gjithnjë e më shumë gra dalin në vendet e tyre të punës, zakonisht i lënë aty burra në makina të vjetra. Gratë janë të kujdesshme me të huajt, por disa prej tyre mund të dëgjohen duke folur në gjuhën rumune.

Shumica e tyre nuk kishin industrinë gjermane të seksit në mendje kur imagjinonin të ardhme të ndritshme për veten e tyre në BE, ashtu siç Rumania nuk kishte parashikuar që prostitucioni të bëhej një nga “eksportet” kryesore pasi iu bashkua BE-së në vitin 2007.

Por statistikat zyrtare nga Gjermania dhe disa shtete të tjera të BE-së tregojnë se shtetaset rumune përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të punonjëseve të seksit në këto vende.

“Kur flitet për trafikimin e seksit, Rumania shihet si një nga përcaktuesit e trendeve në Europë, pranë Shqipërisë,” tha për BIRN Silvia Martis Tabusca, një profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare e specializuar në emigracion në Universitetin Rumun Amerikan.

Një eksportuese kryesore e punëtoreve të seksit në BE

Një kabinë telefoni në Britani me postera ku reklamohen vajza që ofrojnë seks. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sipas statistikave zyrtare, deri në janar 2017, vetëm rreth 1,200 nga rreth 8,000 punëtore seksi në Berlin janë regjistruar atje. Shumica ishin nga Rumania dhe Bullgaria.

Mbikëqyrja statistikore mbi industrinë e seksit në Gjermani është përmirësuar që nga korriku 2017, kur Gjermania miratoi Aktin e Mbrojtjes së Prostitutës – me qëllim të frenimit të trafikimit të qenieve njerëzore duke i detyruar punëtoret e seksit të regjistroheshin pranë autoriteteve lokale.

Qoftë nëse ato punojnë në rrugë, në shtëpi publike apo si eskorta, punëtoret e seksit, siç quhen zyrtarisht – pas regjistrimit, të marrin një dokument me një foto që e mbajnë gjatë punës; ato kanë të drejtë gjithashtu të marrin një certifikatë me një pseudonim për të mbrojtur identitetin e tyre.

Blerja e seksit është e lehtë edhe në pjesë të tjera të Gjermanisë. Atje punonjëset e seksit nga Rumania gjithashtu duket se përbëjnë shumicën.

Në Bavari, pas futjes së legjislacionit të ri vitin e kaluar, 2,200 punëtore seksi u regjistruan tek autoritetet lokale.

Një e treta e këtyre prostitutave të regjistruara kishin shtetësi rumune, ndërsa më pak se 18 për qind ishin shtetase gjermane, tha Zyra e Statistikave e Shtetit të Bavarisë më 2 korrik 2018.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 2018 për Trafikimin e Personave e përshkroi Rumaninë si vend burimi, tranziti dhe destinacioni për gratë dhe fëmijët që i nënshtrohen trafikimit seksual, si dhe për burrat, gratë dhe fëmijët që i nënshtrohen punës së detyruar.

Raportet e mëparshme vjetore përfunduan me të njëjtin përfundim: Rumania ka miratuar mjaft legjislacion për të luftuar trafikimin e seksit, por nuk është vënë në zbatim.

Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, e ka njohur problemin. Në shkurt, gjatë një fjalimi me rastin e raportit vjetor të vitit 2017 të policisë rumune, ajo tha se kufizimi i trafikimit të seksit ishte një nga prioritetet e saj.

“E di që ju po bëni përpjekje për të luftuar këtë të keqe dhe ju kërkoj t’i intensifikoni këto përpjekje dhe të vendosni theksin në parandalimin e kësaj,” tha Dancila.

Megjithatë, për dy vjet, qeveria rumune nuk qe në gjendje të krijojë një plan veprimi kundër trafikimit të personave, edhe pse plani i fundit i veprimit skadoi në 2016.

Në vitin 2018, kabineti më në fund miratoi një plan të ri, i cili duhet të zgjasë deri në vitin 2022.

Agjencia Kombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore mori një grant prej 160,000 eurosh për të financuar fushatat ndërgjegjësuese kundër trafikimit të seksit në vitin 2018 dhe kundër lypjes së detyruar në rrugë në vitin 2019.

Megjithatë, ndërsa në Europën Perëndimore zbulohen gjithnjë e më shumë raste të trafikimit të seksit, Rumania identifikoi vetëm 662 viktima të trafikimit njerëzor në vitin 2017, numri më i ulët në dekadën e fundit.

Pavarësisht kësaj, ekspertët dhe studimet tregojnë se Rumania ende ka një problem të madh me eksportin e krimit të organizuar. Disa raporte ndërkombëtare madje ia atribuojnë shumicën e trafikimit të qenieve njerëzore në Europë sindikatave rumune të krimit.

Për këtë problem fajësohet pjesërisht lëvizja e lirë nëpër Europë, e kombinuar me një shkallë të lartë të varfërisë në Rumani dhe mungesë të politikave qeveritare efikase.

Nga shtëpitë publike në Britani në fermat në Sicili

Një prostitutë rruge duke folur me një klient të mundshëm në Torino, Itali 2005. 

Kjo situatë lë mijëra gra rumune të cenueshme ndaj rrjeteve të mirë organizuara të trafikimit njerëzor.

Punonjëset rumune të seksit emigrojnë sipas të njëjtit model si punëtorët sezonalë të bujqësisë, tregojnë studimet e para nga BIRN.

bujqësisë sezonale, studimet e shikuara nga shfaqja e BIRN.

Por shumë, ndoshta shumica, nga gratë dhe adoleshentet rumune të gjetura në shtëpitë publike në Perëndim janë shfrytëzuar dhe skllavëruar, të detyruara të lëvizin nga një vend në tjetrin nga rrjete trafikimi të mirë organizuara.

Gjermania, si dhe Britania dhe Italia, janë disa nga destinacionet kryesore të tregtarëve rumunë të seksit, qofshin ato gra të detyruara të kërkojnë mënyra për të mbajtur  apo rrjete të trafikimit të njerëzve që shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët në nevojë.

Në Britani, gratë rumune janë grupi më i madh i identifikuar midis viktimave të mundshme të trafikimit të seksit: 38 për qind e totalit, sipas raportit të Grupit Parlamentar të të Gjitha Partive për Prostitucionin dhe Tregtinë Globale të Seksit mbi shfrytëzimin e organizuar seksual, të publikuar më 6 maj.

Rumunët gjithashtu e bëjnë grupin më të madh – 40 për qind – të individëve nën hetime për trafikim të qenieve njerëzore në Britani gjatë viteve të fundit.

Në Leiçestershajër, një konte në Anglinë qendrore, policia gjeti 421 gra në 156 bordello provizore- apartamente private të përdorura nga rrjetet e prostitucionit dhe trafikimit dhe që reklamohen në internet. Shumica e grave, 86 për qind, ishin rumune.

Situata ishte e ngjashme në rajone të tjera britanike.

Në Northumbria, në Anglinë veriore, 75 për qind e prostitutave të identifikuara ishin rumune, ndërsa në Bristol, në perëndim të Anglisë, 83 për qind e grave të hasura gjatë bastisjeve gjatë dy viteve ishin rumune. Situata ishte e ngjashme edhe përsa i takon prostitucionit në rrugë, tregoi raporti.

Në Itali, trafikimi seksual bashkë-ekziston me skllavërinë. Gazeta The Guardian e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2017 raportoi se mijëra gra rumune janë detyruar të punojnë si skllave dhe prostituta nga pronarët e tokave në rajonin e Raguzës, Sicili.

Mediat italiane dhe ato ndërkombëtare në tetor të vitit 2017 zbuluan se 7,500 gra rumune që punonin nëpër ferma në ishullin italian detyroheshin gjithashtu të ishin skllave seksi.

Në qershor të vitit 2018, policia në Sicili akuzoi pesë burra rumunë për trafik njerëzor pasi oficerët bastisën disa ferma të dyshuara për shfrytëzim dhe prostitucion të detyruar të punëtoreve.

Silvia Dumitrache, drejtoreshë e Shoqatës Rumune të Grave në Itali, tha për BIRN se rrjetet rumune të trafikimit ndoshta po bëjnë më shumë para sesa trafikantët e drogës.

Të gjithë punonjësit e OJQ-ve në terren e dinë se shumë gra të reja që zbresin nga autobusët në Itali rrezikojnë të abuzohen dhe shfrytëzohen për punë ose për seks.

Praktika shpesh tolerohet nga komunitetet lokale, ndërsa viktimat e durojnë këtë, sepse, fatkeqësisht, gratë rumune janë mësuar me një shkallë të lartë dhune familjare në shtëpitë e tyre, tha ajo.

“Shoh vajza të reja që vijnë në Itali dhe zbresin nga minibusë. Ata i joshin ato me atë që ata e quajnë “teknika e djaloshit të dashuruar”. Disa vajza të reja, prindërit e të cilave punojnë tashmë jashtë vendit, joshen në Itali nga të rinjtë që u premtojnë ndihmë për të gjetur familjet e tyre dhe që të gjejnë një punë. Në vend të kësaj, ata u marrin dokumentet dhe i fuain në një shtëpi publike,” shpjegoi Dumitrache.

Rekrutuesit prezantohen si “të dashurit e përsosur”

Një infermiere 32-vjeçare, e cila kërkoi të identifikohej si Carmen, i mbijetoi kësaj përvoje të vështirë kur ajo ishte rreth 18 vjeçe.

Ajo arriti t’i shpëtonte një rrejti trafikimi njerëzish që operonte në vendlindjen e saj në Rumaninë lindore, por edhe pas vitesh të tëra terapi, ajo ende nuk flet hapur për këtë.

“Dua ta lë këtë në të kaluarën dhe të përpiqem të vazhdoj para me jetën time,” shpjegoi ajo.

Ndërsa prindërit e saj ishin duke u divorcuar, Carmen ra në dashuri me një “të dashur të përsosur”, një djalë i ri me një makinë të bukur, i cili i jepte asaj dhurata dhe e çonte nëpër udhëtime të bukura. Ai ishte një shok i djalit të një biznesmeni vendas.

Megjithatë, në vitin 2004, atë e mbyllën në një apartament ku dy burra e përdhunuan atë gjatë të gjithë një fundjave.

I dashuri i saj mori 100 euro për këtë punë, e cila ai i kishte thënë se duhej që ajo të blinte biletën e avionit për në Itali, ku ata synonin të jetonin një jetë më të mirë.

Kur Carmen u zhduk nga shtëpia për një fundjavë të tërë dhe u kthye e rrahur dhe e përdhunuar, nëna e saj e divorcuar e mbylli atë në dhomën e saj të gjumit, sepse ajo ishte “e shthurur”.

Për shkak se kishte makthe, nuk mund të hante dhe bërtiste gjatë natës, e ëma e shtroi atë në një klinikë psikiatrike për një muaj.

Ata si përfundim u larguan nga qyteti. Ajo i mori provimet e shkollës së mesme dy vjet më vonë dhe më pas vazhdoi shkollën për infermieri. Ata nuk i denoncuar kurrë këto incidente në polici. Nëna e saj ende nuk flet me të për këtë episod.

Shtirja për një lidhje dashurie mbetet forma më e zakonshme e rekrutimit, sipas një studimi nga Trafikimi si Ndërmarrje Kriminale, TRACE, një projekt dyvjeçar i financuar nga Programi i Kuadrit të Shtatë i Bashkimit Europian, i cili zgjati midis majit 2014 dhe majit 2016.

Studimi përfshiu edhe Agjencinë e Rumanisë kundër Trafikimit të Personave, e cila funksionon nën Ministrinë e Brendshme.

“Trafikuesi i josh vajzat dhe i bën një sërë premtimesh. Metoda e djalit të dashuruar përdoret sidomos me vajzat e brishta (nigel i ulët inteligjence, në institucionet e kujdesit të të rinjve, me të dhëna problematike). Periudha e lidhjes dashurore para se ato të joshen drejt prostitucionit është shkurtuar dhe metodat për ta detyruar “të dashurën” drejt prostitucionit janë bërë më të dhunshme dhe të rafinuara, shpesh duke përdorur fotografi apo video të realizuara me celularë për t’u bërë shantazh vajzave,” shpjegoi studimi.

Ekspertja ndërkombëtare e së drejtës Tabusca, e cila ka studiuar trafikimin dhe mënyrën e funksionimit të rrjeteve të ndryshme, thotë se trafikantët rumunë të seksit praktikisht e kanë patentuar “mashtrimin e djalit të dashuruar” në të gjithë Europën në vitet 2011-2013.

Teknikat e manipulimit dhe kontrollit të bandave të krimit të organizuar mbi viktimat janë bërë aq të avancuara psikologjikisht saqë viktimat ndonjëherë e kanë të vështirë të kuptojnë se po shfrytëzohen.

Në Britaninë e Madhe, për shembull, gratë shpesh kanë përshtypjen se ato nuk shfrytëzohen, por se kanë shkuar me dëshirë drejt prostitucionit, tha ajo.

Nëse në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000 praktika ishte që viktima të kontrollohej duke kufizuar lirinë e tyre dhe duke u marrë pasaportat, vitet e fundit, trafikantët bëjnë marrëveshje me viktimat, duke i bërë ato të besojnë se ato e kanë një zgjedhje.

Ata u marrin vetëm gjysmat e parave, por gratë duhet të mbulojnë shpenzimet e akomodimit, veshjet dhe vaktet.

Edhe qiraja i paguhet kryesisht një anëtari të rrjetit, “kështu që ato zor se mund të çlirohen nga kontrolli i shfrytëzuesve të tyre,” shtoi Tabusca.

Krim që është e vështirë të gjykohet

Në vitet e fundit, më shumë trafikantë rumunë njerëzish përfunduan në burg në vendet e Europës Perëndimore si Britania, Irlanda, Spanja apo Holanda sesa në Rumani.

Kjo është pjesërisht për shkak se hetimet rumune të zbatimit të ligjit mbështeten në tregimet e viktimave dhe ato nuk janë të përditësuara me metodat e avancuara të krimit të organizuar në Perëndim.

“Nuk mund të vërtetohet në gjykatë, nëse viktima nuk është e vetëdijshme që po shfrytëzohet, edhe pse paratë që ajo fiton shkojnë te mbajtësi,” tha Tabusca.

“Në Rumani, pa një kallëzim penal zyrtar nga një viktimë kundër trafikantit ose rrjetit të trafikimit, nuk ka asnjë çështje gjyqësore kundër rrjetit – dhe shumica e rasteve të zbuluara nga policia përfundojnë të etiketuara si prostitucion,” theksoi ajo.

Një pengesë tjetër për hetimin e rrjeteve është mungesa e programeve dhe lehtësive të duhura për mbrojtjen e viktimave. Viktimat që raportojnë trafikimin marrin pak ose aspak mbrojtje.

Raporti i fundit i publikuar në vitin 2016 nga Agjencia Kombëtare kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore thotë se Rumania në mënyrë teorike ka disa qendra për t’i ardhur në ndihmë viktimave të trafikimit, të administruara nga këshillat vendorë.

Në praktikë, atyre u mungojnë burimet njerëzore dhe fondet dhe nuk mund të strehojnë viktima nga një qark tjetër ndryshe nga ai në të cilin ndodhet qendra.

Në situata të dëshpëruara, viktimat e trafikimit mund të akomodohen për periudha të shkurtra në streha për viktimat e dhunës në familje, ku ato nuk marrin kujdesin e duhur. Duke qenë se ndihma e vetme ligjore ofrohet nga avokatët publikë, kjo zakonisht nënkupton se ato e shohin avokatin e tyre vetëm në gjykatë.

Gjithashtu, emrat e viktimave dhe informacionet personale shpesh publikohen në të dhënat e gjykatave në portalet e Ministrisë së Drejtësisë.

Në disa vendime për trafikimin e qenieve njerëzore apo shfrytëzimin seksual, të cilat BIRN i ka parë të publikuara në portalin në internet të Ministrisë së Drejtësisë, çështjet janë bazuar tërësisht në dëshminë e viktimës dhe emri dhe adresa e viktimës nuk janë hequr nga vendimi i publikuar i gjykatës.

Kjo është arsyeja pse viktimat shpesh thjesht zhduken para se hetimi të marrë fund dhe fati i tyre mbetet i panjohur.

Një çështje problem për shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar është se ndjekja penale dhe burgosja e disa prej anëtarëve të bandës – të cilët mund të zëvendësohen lehtësisht – nuk e zgjidh problemin, shpjegoi Tabusca.

Ndryshe nga vendet e tjera të BE-së, Rumania nuk ka një njësi efikase të hetimit financiar që mund të gjurmojë pastrimin e parave si duhet dhe të identifikojë rrjetet e trafikimit dhe jo thjesht individë.

“Në Rumani deri më tani nuk ka pasur hetime financiare serioze për krimin e organizuar,” shpjegoi Tabusca.

“Hetuesi financiar vë re disa anomali të fluksit të parave në nivel rajonal ose kombëtar: por trafikantët zakonisht nuk kanë burime ligjore të ardhurash. Ata shfaqin një mënyrë luksoze jetese dhe shumicën e kohës ka prova të mjaftueshme trafikimi në gjetjen e burimit t parave,” thotë ajo.

Në Rumani, edhe kur trafikantët arrestohen apo përfundojnë në burg, asetet e rrjetit kurrë nuk i ngrijnë apo konfiskojnë. “Prandaj, rrjeti mbijeton,” vuri në dukje ajo.

Prokurorët rumunë të krimit të organizuar janë të vetëdijshëm për mangësitë.

Më 8 qershor, kur ata lajmëruan se kishin shkatërruar një rrjet në Braila, një port në Danub në Rumaninë juglindore, aktakuza vuri në dukje se për vite me radhë ata nuk qenë në gjendje ta asgjësonin rrethin kriminal sepse drejtuesit vazhdonin ta rindërtonin grupin nga jashtë.

Ky rrjet rekrutonte gra dhe të mitur dhe i detyronte ata të prostituonin në Rumani, ose i eksportonte ata në Republikën Çeke, Gjermani, Britani, Belgjikë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Për t’i shpëtuar ligjit, ata gjithashtu i kanë dhënë ryshfet oficerëve të policisë, tha aktakuza.

Në qershor, prokurorët e krimit të organizuar arrestuan 19 persona që kishin lidhje me këtë çështje, përfshirë një person të famshëm televiziv dhe djalin e një ish-senatori. Ata u ndaluan nën akuzat si trafikues njerëzish përfshirë të mitur dhe drogë, si edhe ryshfet, shpërdorim detyre dhe tregti me ndikim.

Ndërsa policia dhe prokurorët në Bukuresht dhe qytete të tjera po bëhen gjithnjë e më besues te vetja për hetimin dhe shkatërrimin e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, situata është shumë ndryshe në qytetet e vogla dhe zonat rurale, ku tregtia vazhdon në heshtje.

Rrjetet atje funksionojnë shpesh nën mbrojtjen de facto të policisë ose politikanëve vendas, tha për BIRN një polic në një qytet në Rumaninë lindore në kushte anonimiteti.

“Ne i gjobisim vajzat dhe të gjitha ndalojnë këtu, sepse të gjithë këtu e njohin njëri-tjetrin. Është një komunitet shumë i vogël,” shpjegoi ajo.

“Asnjëri prej tyre nuk flet për shfrytëzim, shumë madje as që e dinë se çfarë do të thotë kjo. Ato mendojnë se e bëjnë këtë për të dashurit e tyre dhe për një të ardhme më të mirë, dhe gjithashtu sepse, në një rajon të varfër si i yni, le ta pranojmë, njerëzit me para kanë gjithashtu pushtet,” shtoi ajo.

Rrethi vicioz i varfërisë

Një grua duke lypur. Foto ilustruese Wikipedia.

Sociologët dhe studimet e ekspertëve e shohin varfërinë si shkakun kryesor të cenueshmërisë ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit. Sipas organit statistikor të BE-së, Eurostati, një e pesta e popullsisë së Rumanisë është në rrezik varfërie.

Por pak studime eksplorojnë lidhjet komplekse midis zbutjes së varfërisë, politikave sociale mbi përfshirjen dhe faktorëve të tjerë socialë kontekstualë që i çojnë kaq shumë gra rumune të jenë punonjëse seksi.

Studimi më i fundit mbi punonjëset e seksit në Rumani, publikuar në shkurt të vitit 2018 nga Carusel, një organizatë joqeveritare asistence sociale me qendër në Bukuresht, zbuloi margjinalizimin dramatik të punonjësve të seksit, si burra edhe gra, si dhe mungesën e qasjes së tyre në përkujdesin social, atë mjekësor dhe mosbesimin e tyre të plotë ndaj autoriteteve.

Para kësaj, studimi më i fundit u publikua në vitin 2009.

Trafikimi i qenieve njerëzore dhe seksi komercial ishin një pasojë e një mungese të përgjithshme të vetëdijes për të drejtat e grave, tha studimi.

Punë për gratë me arsim të ulët zakonisht nënkuptojnë paga të ulëta dhe orë të gjata, të cilat nuk i lejojnë ato të rrisin fëmijët.

Sidomos në zonat rurale, nënat e reja nuk kanë mbështetje financiare dhe sociale, ndërsa institucionet lokale nuk zbatojnë rregulloret zyrtare mbi kujdesin social dhe punën. Shumica e punonjëseve të seksit në Rumani ishin nëna që luftonin me varfërinë, tha gjithashtu studimi.

Për shumicën e tyre, shtoi ai, prostitucioni nuk ishte zgjedhja e tyre e parë, por erdhi pasi ndryshuan disa vende pune që paguanin shumë pak për orare të zgjatura.

Megjithatë, për shumicën e prostitutave “të pavarura”, kjo lloj pune mezi u siguron mbijetesën dhe s’është ndonjë begati afatgjatë.

I njëjti studim tregoi gjithashtu se puna vjen me një stigmë të fortë sociale, edhe pse Rumania e ka dekriminalizuar prostitucionin në 2014.

Nëse policia i kap punëtorët e seksit, ata gjobiten. Në zonat rurale, gjoba të tilla fillojnë ose vazhdojnë ciklin e varfërisë, sepse shumë prej tyre nuk i përballojnë dot gjobat.

Punonjëset e seksit gjithashtu udhëtojnë në vende të tjera të BE-së, ku ofrojnë seks komercial. Por këto udhëtime kanë tendencë të zgjasin vetëm disa javë dhe të bëhen më pak të shpeshta me moshën. Shumë punonjëse rumune të seksit gjithashtu ankohen se shpesh përballen me diskriminim në BE për shkak të kombësisë së tyre.

Sociologu Dani Sandu, studiues në Departamentin e Shkencave Sociale dhe Politike i Institutit të Universitetit Europian, tha për BIRN se prostitucioni dhe trafikimi i qenieve njerëzore mbeten të papërmbajtura në Europën Lindore, sidomos në Rumani, Moldavi dhe Ukrainë, sepse këto vende kanë popullsinë më të madhe rurale të varur nga bujqësia për të mbijetuar në zonat rurale dhe ato të vogla urbane – 35 për qind.

Në vendet e tjera post-komuniste në rajon, si Bullgaria dhe ish-Jugosllavia, komunizmi e reduktoi dramatikisht të ashtuquajturën bujqësinë e mbijetesës në vetëm 4-5 për qind të popullsisë, shtoi ai.

“Hipoteza ime është se ky tranzicion nga komunizmi në post-komunizëm mbiekspozoi kategoritë sociale nga zonat rurale dhe ato të vogla urbane në një disonancë kognitive shumë të keqe. Mjetet e tyre të mbijetesës nuk ofruan më të njëjtin nivel të të ardhurave si më parë, kështu që ata filluan të udhëtonin dhe të dilnin me mjete të reja dhe të shpejta për të marrë ato të ardhura,” tha ai.

“Prostitucioni ishte një nga metodat e para për të siguruar të ardhura,” shtoi ai.

Fakti që Rumania mbetet një nga burimet kryesore të prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore në shumë vende të BE-së tregon se, pasi “sipërmarrësit e seksit” zbuluan këtë mënyrë për të fituar para në vitet 1990, disa prej tyre zhvilluan tregtinë e tyre edhe më tej dhe u bënë “specialistë” në “degën” e tyre.

“Problemi ishte se shteti rumun nuk dinte se si ta trajtonte këtë problem,” theksoi ai.

Edhe pse shumë raste të trafikimit të zbuluara në vendet e tjera të BE-së përfshinin grupe rumune të krimit të organizuar, në nivel lokal, ato perceptoheshin si probleme të shteteve të tjera, sepse ata kishin një kërkesë për tregti seksuale.

“Pasi fola jo zyrtarisht me politikëbërës dhe njerëz nga administratat lokale, u habita kur mësova se ata nuk kishin asnjë ide për të gjitha këto gjëra,” tha Sandu për BIRN.

“Shumica ishin nën përshtypjen se punonjësit e seksit bëjnë jetë të denja dhe nuk janë pjesë e popullsisë në rrezik varfërie për të cilën ata duhet të kujdesen. Ose më keq, ata mendonin se disa grupe janë “të predispozuar” për krim dhe prostitucion,” përfundoi ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vuçiç befason për Kosovën dhe i lë shije të mirë Ramës, por….

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij në ‘Facebook’ një...
Read More