Si u ndez seanca: “Kush refuzon punë, nuk meriton asnjë cent ndihmë ekonomike”

 

Teksa kryeministri Edi Rama po fliste për ndihmën ekonomike në foltoren e Kuvendit, kreu i PD-së, dhe deputetët e opozitës i janë afruar foltores duke i kërkuar llogari Ramës për gjuhën e përdorur, duke i quajtur “zogjtë e korbave”.

“Tritan, ne nuk krahasohemi me kohën e zogut po përballë zogjve të kjohës që jeni ju dhe fluturoni si korbat mbi çdo gropë që hapët duke kërkuar llogari prej nesh. Urdhëro, vazhdoni fluturoni, po ta mësojnë njerëzit se ju jepnit 38 mln dollarë për ndihmën ekonomike, ne japim 48 mln dollarë. Subvencioni juaj për energjinë, ujin librat e kështu me radhë ishte minimal”, tha Rama në fjalën e tij. Kaq mjaftoi dhe për pak sekonda deputetët e opozitës iu afruan foltores. Pas tërheqjes së vëmendjes nga kryetari i Kuvendit, deputetët e opozitës u larguan.

“Si të gjitha reformat që tentuat po nuk i bëtë kurrë, kjo është një reformë që nisi në qershor të 2014 duke u pilotuar në tre qarqe, Elbasan, Tiranë dhe Durrës ku nga procesi i pilotimit dhe zbatimi i kësaj skeme rezultuan as më shumë e as më pak po 19.700 deklarime të rreme, subjekte abuzive që merrnin ndihmën ekonomike nga ju dhe që nuk meritonin ta kishin”, tha Rama.

Ka një të dhënë shumë të rëndësishme në këtë proces. 70 për qind e aplikantëve të përjashtuar nga kjo skemë janë në moshën 24-45 vjeç, plotësisht të aftë për punë. Nga ana tjetër ka një ligj që e detyron sistemin kombëtar të punësimit që gjithkujt që është i aftë për punë, t’i ofrojë një punë. Deri më tani, vetëm në pak ditë, 1211 njerëz kanë shkuar në zyrat e punës. Ka nga ata që janë regjistruar si punë kërkues, ka nga ata që refuzojnë të regjistrohen si punëkërkues. E pra, kush është i aftë për punë dhe kujt i ofrohet një punë dhe refuzon, nuk meriton asnjë cent nga kontributet e përbashkëta të shqiptarëve nga ku buron edhe ky fond solidariteti”.

Rama tha se mezi e preste mocionin për debat me 15 Mars. “Unë isha gati që sot, por këta siç e patë nuk ishin gati. Këta duan të bëjnë një fluturim në Shqipëri si tufë zogjsh dhe të pozojnë me varfërinë si përfaqësuesit e të varfërve ndërkohë që ne do të vazhdojmë të reformojmë Shqipërinë, të bëjmë shtet dhe të ndajmë qartë të gjithë ata që duan të punojnë me të gjithë ata që duan të vegjetojnë.”

Pas fjalës së kryeministrit, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mbylli seancën.

Përpara tij, kryetari i Partisë Demokratike tha se i është hequr ndihma ekonomike 20 mijë familjeve, ndërsa për ta nuk ka pasur asnjë shpjegim.

“Asnjë fjalë nuk thanë përmbi 20 mijë familje shqiptare që ju është hequr ndihmë ekonomike dhe buka e gojës. Asnjë fjalë. Nuk shkojnë t’i vizitojnë, por kur kanë zgjedhje shkojnë t’i blejnë me 50 milekëshin e thesit të miellit të Habilajt, Balilajt, Tahirit”, u shpreh Basha.

Basha tha se vendimi për heqjen e ndihmës ekonomike është vetëm i Edi Ramës dhe sipas tij ky është një vendim Kriminal, “pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë bazë ligjore”.

“Ndihma ekonomike është një detyrim i qeverisë. Këta kanë shpikur një sistem pikëzimi, por refuzojnë ta bëjnë publik. Nuk ka krim më të madh se sa me vetëdije t’u heqësh bukën e gojës këtyre familjeve. Vini të krekosur nga milionat e vjedhurave përmes pushtetit tuaj. Këtu nuk llogaris edhe 5 mijë të tjerë me aftësi të kufizuar, të cilët e meritojnë ndihmën ekonomike pasi nuk kanë asnjë të ardhur”, u shpreh kreu demokrat.

Më tej, Basha u shpreh se shteti i ka lekët për të paguar të gjitha familjet në nevojë. “Po këto lekë shkojnë në xhepat e Edi Ramës dhe ministrave të tij, të hajdutëve dhe bandës së hajdutëve. Këta i kanë lekët dhe këtë dje ua tha “Transparency International” kur konfirmoi përshkrimin e Komisionit Europian për një Shqipëri të kapur nga një bandë qeveritare të zhytur në korrupsion e krim”.

Ndërkohë, në fund të fjalës së tij, Basha tha se negociatat me BE janë në rrezik dhe sipas tij për shkak të korrupsionit të Edi Ramës.

“Negociatat në rrezik prej krimit e korrupsionit, bashkohuni shqiptarë, opozitën e keni gjithmonë me vete. Bashkohuni ta çlirojmë vendin nga këta 50 banditë ne jemi shumica të marrim fatin tanë në duart tona”, tha Basha.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Eksportet, ekonomia shqiptare nuk po shfrytëzon kapacitet e veta

Vlerësimi i FITCH: Shqipëria nuk do të jetë në gjendje që të...
Read More