Siç ka qenë do të jetë (PD-ja)

Nga Mustafa Nano

Në PD po bëhet një debat që po shoqëron garën për të marrë kreun e saj. Një pjesë janë kundër një pjese. Dhe debati po merr forma të ashpra. Pse erdhi puna në këtë pikë? Sepse Partia Demokratike humbi zgjedhjet. Sikur t’i kishte fituar zgjedhjet, asnjë debat nuk do të kishte. Madje, kundërshtarët e Bashës nuk janë menduar dy herë për të bërë pohimin se, sikur Basha t’i kishte fituar zgjedhjet, ne do t’i hiqnim kapelen. “Nuk është problemi që Basha humbi; problemi është që ai humbi keq; sikur ai të kishte ruajtur numrin e deputetëve që patëm pas humbjes së vitit 2013, çdo gjë do ishte ok, dhe unë nuk do të hapja gojën”, -tha në një moment Astrit Patozi. Me fjalë të tjera, nëse Basha do të merrte një rezultat të kënaqshëm, qoftë edhe humbës, atëherë nuk do të kishte rëndësi mënyra se si ai e bëri listën e kandidatëve për deputetë, nuk do të kishte rëndësi që ai nuk ka mbledhur forumet e partisë prej kohësh, që ai e izoloi PD-në prej komunitetit ndërkombëtar, që kunati i tij i famshëm vlen më tepër se kushdo tjetër në Partinë Demokratike, që ai e bojkotoi parlamentin, që ai e ngriti çadrën për të mbrojtur veten dhe e shkrehu çadrën duke i dalë kundër vetes etj. etj., (të gjitha këto janë akuza e pretendime që janë ngritur nga kundërshtarët e Bashës pas zgjedhjeve; ndonjëra edhe para zgjedhjeve).

Të kuptohemi, nuk është se po marr në mbrojtje Lulzim Bashën. Kjo do të ishte gjëja e fundit që do më shkonte në mendje për të bërë. Unë vazhdoj të mendoj për Bashën atë që kam menduar gjithnjë. Nuk kam njohur në politikën shqiptare gjë më të pavlefshme. Ai politikisht nuk është asgjë, është një enë e zbrazët. Mirëpo, pikërisht ky është edhe problemi i kundërshtarëve të Bashës në PD. Ata po njësoj nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Sikur ata të përfaqësonin diçka në politikë, sikur të kishin një kauzë të tyren, tek e cila të besonin, nuk do duhej të mbanin rezultatin në zgjedhje si kriter që ndan të mirën  nga e keqja. Përkundrazi, do duhej të vazhdonin të luftonin për kauzën e tyre edhe sikur Basha të korrte të njëjtën fitore që ka korrur Rama në anën tjetër (ky është, në të njëjtën masë, një problem edhe për PS-në; ja, njihni ju ndonjë socialist që të mos ketë hipur në trenin e fitores? Kur të vijë humbja do ta shihni se si do të shqyhen me sho-shoqin; thjesht për t’i zënë vendin Ramës).

Ndokush mund të thotë se kërkesa e kundërshtarëve të Bashës për një garë të barabartë për kreun e partisë është një gjë parimore, s’ke ç’thua. Nuk është hiç kështu, në fakt. Një betejë është parimore kur ajo ngrihet mbi një parim. Por duhet të jesh naiv të besosh se kundërshtarëve të Bashës në PD u digjet barku për garën e barabartë. Një pjesë syresh kanë afro dy dekada në politikë, dhe ata kurrë nuk janë dëgjuar të flasin për një garë të barabartë brenda partisë së tyre. Ashtu siç nuk janë dëgjuar të flasin edhe për çështje të tjera më të rëndësishme se sa barazia e garës brenda partisë. Dhe është kjo heshtje e tyre, përveç të tjerash, që ka krijuar një kulturë të caktuar brenda PD-së, ku një militant vlen më tepër se secili prej tyre e më tepër se çdo parim demokratik. A nuk janë ata që kanë përsëritur pa fund frazën se “partia demokratike është parti qëndrestarësh”, pa e çuar në mendje që kjo ka qenë e është një frazë idiotike? Le t’ia shohin hairin kësaj partie qëndrestarësh tani. Para ca ditësh, ishte një qëndrestar ai që donte t’ia mbyllte Eduard Selamit portën e selisë së PD-së. Pas ca ditësh, do të jetë një qëndrestar tjetër që do t’u mbyllë portën  Topallit e Co. E askush nuk do të çuditet. Askush nuk do dalë t’i mbrojë. Sepse as këta nuk kanë mbrojtur askënd në rrethana të ngjashme. Madje, as në këtë rastin e fundit me E. Selamin nuk u bënë të gjallë, nuk dolën të thoshin se “guximi i atij talebanit për t’i mbyllur derën e selisë një kandidati për postin e kryetarit është i papranueshëm dhe skandaloz”. Pse? Sepse ata vetë nuk janë gjë tjetër, veçse ca qëndrestarë. Sikur të varej prej tyre, edhe ata do kishin dashur t’ia mbyllnin atë derë Eduard Selamit, siç po duan t’i mbyllin derën e kandidimit. Është gjë e shëmtuar edhe teza që po mbrojnë, sipas së cilës “Eduard Selami është duke bërë lojën e Bashës me kandidimin për postin e kryetarit”. E vërteta është se Selami po futet në mënyrë budallaqe në këtë garë, po futet për të humbur, dhe se, duke mos kërkuar kushte për një garë të barabartë, po i jep legjitimitet një gare që duket e trukuar që në nisje, por këtë po e bën sepse kështu ia thotë rradakja, e jo sepse ka pranuar të bëjë një lojë të Bashës. Nuk ka asnjë provë se Selami është duke bërë një lojë të dikujt tjetër.

Po pse e thonë këtë pa pasur prova? Sepse kështu janë mësuar të flasin. Janë mësuar të ngrenë zërin veç kur dikush u prish një llogari personale. Dhe Selami po u prish një llogari personale. Ashtu siç ua prishi Basha. Sikur ky i fundit t’i kishte futur në lista, asnjëri nuk do ta hapte gojën për të denoncuar mënyrën e shëmtuar të përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë. Përkundrazi, do ishin në krah të Bashës në këtë betejë. Nga e di unë këtë? E di, sepse beteja e Jozefina Topallit kundër Bashës nuk ka ndonjë ndryshim nga beteja në favor të Bashës e Tritan Shehut, Genc Pollos etj. Që të dy, ashtu si të gjithë, mendojnë për bythën e tyre. Këtë gjë kanë bërë gjithë jetën; kanë menduar për veten. Sa për të tjerat, gjërat kanë qenë siç janë, me fjalë të tjera kundërshtarët e Bashës në PD, ashtu si edhe Basha vetë, nuk dihet se çfarë përfaqësojnë politikisht. Ata mbahen për konservatorë, por e vetmja gjë konservatore që kanë është prapambetja e tyre, e në këtë kuptim nuk kanë pse të mburren, pasi konservatorë të këtij lloji janë që të gjithë, demokratë e socialistë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, pleq e të rinj.

Nuk di nëse e kanë pyetur veten ndonjëherë se çfarë do të mbetej prej tyre në histori, sikur ata të largoheshin sot nga politika. Jozefina Topallit do t’i mbetet adhurimi për Berishën e “një plumb ballit që do donte t’u jepej komunistëve”. Patozit do t’i mbeten shkrimet e shfrimet kundër kundërshtarëve, që gjithëherën kanë një qenë kredenciale të mira në atë parti. Kur nuk kanë gjë për të thënë, ata i vërsulen partisë kundërshtare. Dhe pas kësaj, i zë gjumi rehat. Bregut do t’i mbeten lotët që ka derdhur në momentin kur dikush dha dorëheqjen nga kreu i partisë. Arben Imamit do t’i mbetet viti ‘97, kur i hipi tankut. Bashës do t’i mbeteshin ecejaket në katin e shtatëmbëdhjetë të shumëkatëshit para RTSH-së. Tritanit preshi. Rulit trimëria pas beteje. Pollos asgjë fare. E kështu me radhë. Gjithë pjesa tjetër e karrierës së tyre politike ka qenë “ngri kartonin, ul kartonin, e adhuro udhëheqësin”.

Kriza si kjo e këtyre ditëve janë një rast i mirë për të evidentuar më të mirën e vetes. Por edhe në këtë rast ata nuk po dinë të bëjnë diferencën. Sepse nuk munden. Janë pa kauzë. Pa ide. Pa një projekt të drejtimit të PD-së. E vetmja ide e tyre në këtë mes është thirrja “Basha ik”. Me sa duket, ngatërrojnë dëshirën me një projekt. Përfundimi? Në PD po hahen – këtu po përdor një gjetje banale që është shumë in vogue këto kohë – për të qenë pjesë e tepsisë. Për asgjë tjetër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Asnjë rregullore nuk mund të përjashtojë Kryetarin e Opozitës nga Parlamenti

Nga Ervis Iljazaj Si rrallë ndonjëherë, Kryetari i Opozitës është përjashtuar nga...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.