SIGAL UNIQA dhe UET: 2 mijë euro për studentët me idetë më novatore në tregun e sigurimeve

Universiteti Europian i Tiranës dhe Sigal Uniqa kanë prezantuar së fundi projektin që do të nxitë studentët në prurjen e ideve novatore në fushën e tregut të sigurimeve. Studentët fitues do të përfitojnë çmime të shumta, ku vendi i parë shpërblehet me 2000 euro nga kompania Sigal.

SIGAL UNIQA si një nga kompanitë më të mëdha në fushën e siguracioneve në vend në bashkëpunim me UET ka prezantuar projektin “PROJECT AND IDEA INNOVATIONS IN INSURANCE MARKET” në kuadrin e partneritetit strategjik që Universiteti Europian i Tiranës ka lidhur me Sigal Uniqa. Ky projekt konsiston në kërkim tregu, krijim dhe zhvillim produkti, strategji marketingu dhe komunikimi, analizë financiare në fushën e sigurimeve, ndërsa studentët fitues do të përfitojnë çmime të shumta, ku vendi i parë shpërblehet me 2000 euro nga kompania Sigal, çmimi i dytë një kontratë pune me këtë kompani, ndërsa çmimi i tretë do të përfitojë sigurim falas.

Ky projekt nxit studentët drejt inovacionit si edhe i inkurajon në punën në ekip.

“Projekti shkon drejtpërdrejt në përfitim të studentëve dhe kjo ndoshta është risia e këtij projekti të UET-it për gjithë studentët dhe ne bashkë. Lidhet drejtpërsëdrejti me punën tuaj, të kërkimit, të hulumtimit në treg, të ideve të reja kreative dhe të inovacionit për të cilat të gjithë kompanitë sot kanë nevojë”, u shpreh prof. asoc. dr. Ermira Qosja gjatë prezantimit të këtij projekti.

Për administratorin e Universitetit Europian të Tiranës, Arbi Agalliu, kjo nismë tregon filozofinë e këtij institucioni të arsimit të lartë për të ndërthurur nocionet teorike me tregun e punës.

“Zoti Ponari, të cilin kam kënaqësinë e veçantë ta falënderoj, ka qenë bashkëpunëtor me universitetin ngahera, duke filluar më përpara si anëtar i Bordit të Tregut të Punës, në departamentin e Financës dhe më pas me bashkëpunimet e vazhdueshme me universitetin”, -u shpreh Agalliu, pa harruar të theksojë kontributin personal dhe iniciativën e pedagoges Ermira Qosja.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Uniqa, Avrni Ponari, u foli studentëve rreth rrugëtimit të kësaj kompanie sigurimesh në tregun shqiptar.

“E kemi filluar me 400 mijë dollarë, ndërsa sot ka mbi 121 milionë Euro asete dhe është e pranishme në tri shtete; Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni me 7 kompani sigurimesh, 6 kompani sigurimesh në formë pensionesh, një kompani që rritet dhe ka një strukturë mjaft të konsoliduar dhe që ka gjithmonë themelin te stafi, sepse stafi është ai që e përbën çdo siguri sigurimi”.

Ponari theksoi rëndësinë që kanë shoqëritë e sigurimeve të cilat shesin përgjegjësi dhe nivel, sipas tij. “Në rast se këto të dyja nuk koordinohen së bashku, atëherë shoqëria e sigurimit është e destinuar të dështojë. Pra, shet një letër me përgjegjësi intelektuale dhe me përgjegjësi financiare, e cila reflektohet te njerëzit që e kanë në dorë”, shtoi ai.

Ideja e këtij bashkëpunimi të Sigal Uniqa dhe UET ishte organizimi i një konkursi ku studentët pjesëmarrës do të ndahen në gjashtë skuadra, ku secila syresh do të paraqesë ide novatore dhe do të shihet mundësia nëse mundet të implementohen në tregun e sigurimeve.

“Uniqa, (mëmë) ka shpallur një konkurs për inovacionet me të reja, gjatë tri viteve të ardhshme, dhe ka vendosur një buxhet 500 milionë euro për ide, për sistemin IT, sepse e ardhmja i përket asaj. Ndoshta do të jetë Google ai që do të na sigurojë, ndoshta do të jetë dikush tjetër, ndoshta do ketë gjëra, të cilat pas tri vitesh asnjëri nga ne nuk e di se çfarë do të jenë dhe një investim prej 500 milionë eurosh për të kapur idetë më të mira dhe për të prodhuar ide”, –shtoi Ponari, ndërsa ky projekt do të shërbejë për të kuptuar sa e njohin të rinjtë tregun, çfarë idesh kanë dhe sesi munden ata të promovojnë dhe shesin produktet, të sigurojnë klientë të rinj e pse jo edhe të ndërtojnë produkte të reja.

Sa u përket çmimeve ku i treti do të përftojë paketë sigurimi falas, i pari 2 mijë euro ndërsa çmimi i dytë me mundësi punësimi në Sigal, Ponari ka sqaruar se nëse krijohet një ide vërtet novatore nga puna në grup mund të punësohet e gjithë skuadra prej pesë studentësh.

Prof. asoc. dr. Ermira Qosja u ka sqaruar më konkretisht të rinjve se ku konsiston ky projekt që fillimisht është konceptuar brenda Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut, por që më pas do të shtrihet edhe tek Informatika Ekonomike dhe Financë-Bankë.

“Ideja është që të përfshihen sa më shumë grupe studentësh të Masterit, por edhe Bachelor nuk është i përjashtuar, madje është i ftuar”, i ka inkurajuar studentët Qosja.

Pjesëmarrja në këtë konkurs bëhet përmes një aplikimi ku dorëzohet një abstrakt apo një projekt-ide e lidhur me temën kryesore të projektit.

Afati përfundimtar për aplikimet do të jetë data 25 mars, ndërsa tri ditë më vonë, komision Sigal Uniqa dhe nga UET do zgjedhë 6 grupet më të mira. Për këtë është vënë në dispozicion edhe një adresë email-i, [email protected], ku studentët e interesuar mund të dërgojnë abstraktin me rreth 200 fjalë, ku qartësohet çfarë do të synohet të ofrohet dhe grupi i projektit.

Më tej, nga fundi i muajit mars deri në fund të majit, 6 grupet do punojnë në mënyrë të pavarur. “Sigurisht nëse do kenë nevojë për informacion nga Sigal do ta marrin, nëse do kenë nevojë për ndihmën e pedagogëve, gjithashtu do ta kenë. Për të lehtësuar impenjimin tuaj në këtë, ne do vendosim që për 6 grupet hartimi i idesë së projektit të jetë pjesë e detyrave tona të kursit apo e temave tona të diplomës. Sepse pikërisht ky është synimi, që idetë, kreativiteti, gjithçka që e zhvilloni brenda jush dhe grupeve me të cilat bashkëpunoni ta çojmë dhe ta bëjmë në një farë mënyre të shitshme për industrinë” –u tha studentëve pedagogia, ndërsa shtoi se ky është projekti i parë i një rëndësie të tillë që UET organizon me mbështetjen e një kompanie biznesi.

Në tregun që zhvillohet me shpejtësi, kompanitë e biznesit hasin nevojën e vazhdueshme për ide të reja, të cilat shpesh i gjejnë brenda tyre, por i kërkojnë edhe në treg. Sipas Qoses, studentët, e veçanërisht atë të nivelit Master janë targetgrupi më i mirë për t’i zhvilluar këto ide. Në këtë mënyrë mund të pikasen talentet dhe mund të afrohen pranë bizneseve të interesuara.

Fituesit e këtij konkursi do të shpallen më 30 maj të këtij viti.

 

UET, pse është i rëndësishëm kërkimi shkencor për një universitet

Kërkimi shkencor në UET zë një vend qendror dhe është bazë e mësimdhënies dhe veprimtarisë së stafit universitar. Kërkimi shkencor bazohet në tri shtylla: Studimet e Doktoratës, Revistat shkencore, si dhe Biblioteka dhe/ose njësia e lëndëve metodologjike në UET, nga niveli Bachelor deri në atë Doktoral.

Programet e Doktoratës kanë një rëndësi kyçe, pasi nxjerrin hulumtuesit e parë dhe punonjësit e parë shkencorë të përgatitur në UET. Po ashtu, Programet e Doktoratës ofrojnë udhëheqje shkencore për kandidatët doktoralë dhe strukturojnë punën kërkimore të stafit pedagogjik sipas drejtimeve specifike kërkimore.

Veprimtaria kërkimore shkencore në UET mbështetet gjithashtu në revistat periodike shkencore, botimet prestigjioze me objekt studimi në shkencat sociale, ato të ekonomisë, psikologjisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, historisë etj. Kjo veprimtari mbështetet nga shtëpia botuese UET Press. Këto punime periodike shkencore janë organe të fakulteteve dhe qendrave të kërkimit shkencor të UET-it, që pasurojnë debatin akademik dhe ofrojnë prurje cilësore, jo vetëm të autorëve shqiptarë, ndërsa Zyra për Zhvillimin e Projekteve dhe Kërkimit në Universitetin Europian të Tiranës ofron një gamë të gjerë ekspertize në shkencat sociale, ekonomi, ligj, edukim, komunikim dhe teknologji informacioni, me synim përfshirjen në studime dhe kërkime inovative, të orientuara drejt politikave dhe zhvillimit të aktiviteteve në fushat e sipërpërmendura. Universiteti Europian i Tiranës ka lançuar Programi i madh kërkimor 2015-2020, i cili inkuadron 7 projekte kërkimore me drejtimin e profesorëve më të mirë në UET, të cilët bëjnë një riorganizim të përgjithshëm të kërkimit shkencor sipas disa niveleve sipas programit “Shqipëria Inovative 2015-2020”. Çdo vit përfshihet një buxhet prej 500 mijë eurosh që i dedikohet në formën e granteve kërkimore që jepen kundrejt matjes së indikatorëve të performancës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letërkëmbimi i Skënderbeut me Sulltanët

Krahasim i shkurtër midis dorëshkrimit të gjetur nga Mark Palnikaj në Bibliotekën...
Read More