Sigerta, studentja e shkëlqyer që “lexon” pa sy

gerta sina - foto kryesoreMë 15 korrik, 567 studentë të UET hodhën kapelet e diplomimit. Por një prej tyre ka një histori për t’ju treguar;  pothuajse e verbër, Sigerta Sina, ia doli, me ndihmën e miqve e pedagogëve, që të përfundojë studimet për Psikologji me nota shumë të mira.

Ajo e afron fytyrën e saj shumë afër tëndes dhe të sheh ngultas kur të flet. Ky veprim do të dukej si veprim i çuditshëm nëse nuk do ta dije më parë se je duke folur me një vajzë që është pothuajse e verbër. Me 18 për qind shikim nga njëri sy dhe 20 për qind në syrin tjetër, Sigerta Sina, vetëm 21 vjeç, e ka fituar këtë zakon të të afruarit pranë personit me të cilin flet që nga mosha 14 vjeç kur iu shfaq për herë të parë një sëmundje e rrallë që quhet “Stangardt Syndrome”. Ajo mundohet të përdorë sa të mundë 20-përqindshin e mundësisë që sytë e saj kanë akoma për të të parë në sy, për të të dalluar tiparet e fytyrës. Me pak vështirësi ia arrin kësaj, madje arrin edhe të ecë pa ndihmën e një shoqëruesi në rrugë,  por mundësitë e syve të saj për të parë nuk bëjnë të mundur që Gerta të lexojë librat dhe leksionet.

Gerta nuk lexon dot…dhe shkolla që ajo sapo ka mbaruar nuk është një shkollë për të verbër, është një universitet normal.

“Në klasë lexoj me ndihmën e studentëve të tjerë, shokëve e shoqeve të mia, kur jam duke dhënë provim, pedagogët më lexojnë pyetjet. Kur shkoj në shtëpi kam një kushërirë që më lexon me zë librat dhe leksionet që duhet të mësoj për në shkollë”. I duhen vetëm disa sekonda të të shpjegojë  se si ia doli të përfundojë shkollën, dhe jo vetëm ta përfundojë, por ta përfundojë me nota shumë të mira. “Si ka mundësi që ata që kanë sy, nuk i përdorin sytë për të lexuar e për t’u shkolluar”- thotë Gerta duke e fshehur në velin e të qeshurës pengun më të madh të saj.

E qeshura e Gertës, siç e thërrasin të gjithë, është gurgullitëse si uji i një burimi që vërshon në pranverë. Ndërsa Manushaqja, e ëma, e shikon sikur nuk e ka parë ndonjëherë ujin që vërshon nga një burim pranvere.

Ajo është kaq e emocionuar, gati-gati nuk e beson se është pikërisht vajza e saj, ajo për të cilën mund të ketë qarë me net të tëra e të mallkonte fatin e keq të gjeneve që i trashëgoi një sëmundje kaq të rrallë. Por në krah të syve me lot të mamasë, Gerta është shumë e lumtur, shumë e shpenguar ashtu si qindra studentët e tjerë që po festonin marrjen e diplomës.

“Nuk dua ta dëgjoj mamin, e di ajo është shumë emocionale”, thotë ajo kur Manushaqja kërkon të japë një opinion.

“Nuk arrij dot ta besoj që vajza ime po e mbaron shkollën pa pasur mundësi të lexojë librat. Por e vërteta është se ajo asnjë ditë këtu në UET nuk është ndjerë sikur është një studente me aftësi të kufizuara në mësimnxënie. Sakrificat që kemi bërë unë dhe të gjithë si familja, si dhe mbështetja e stafit të UET dhe e pedagogëve, ka bërë që ajo sot të jetë këtu duke festuar diplomimin dhe me rezultate të shkëlqyera. Jam shumë e lumtur”, thotë mamaja e Gertës.

Gerta ka përfituar një bursë sociale në UET në vitin e dytë kur transferoi studimet nga një universitet tjetër. Për këdo tjetër me një problem të tillë do të ishte pengesë e madhe në dëshirat dhe ecurinë akademike. Por jo për Gertën. Atë nuk e ndaloi asgjë, as një problem shëndetësor, që në ditën e diplomimit të hidhte kapelen së bashku me shokët e saj. “Unë erdha në vitin e dytë në UET. Në fillim kisha vështirësi nga ndërrimi i ambientit, pasi kisha nevojën për të pasur një njeri afër për të më orientuar. Ky vit ishte më i bukuri, sepse isha më e qetë dhe më aktive në universitet pasi u njoha edhe me sistemin e institucionit.”  Madje viti i tretë ka qenë edhe më i miri për të, ku nuk kanë munguar rezultatet maksimale. Gerta pranon se ka shumë vështirësi në të lexuar, por ky nuk ka qenë fare një problem për të arritur atë që dëshiron.

Ndër momentet më të sikletshme përmend rastet kur nuk ka qenë e sigurt nëse ka hapur derën e auditorit të saj apo jo, por kur studentët e tjerë ia bënin me dorë, ajo kuptonte se ishte në vendin e duhur.

Duke lexuar për sindromën Stangardt, për të cilën pak prej jush mund të kenë dëgjuar, kupton se kjo sëmundje prek një 8 mijë njerëz në botë dhe shkaktar për të është një problem gjenetik shpeshherë i trashëguar. Ajo është një sëmundje e pashërueshme, nuk ka akoma asnjë kurë mjekësore për të dhe pse po bëhen studime. I vetmi lajm i mirë është se rrallë ndodh që kalon në verbëri të plotë. Në fakt kjo sëmundje rreth moshës 20 vjeç ka pak a shumë fazën finale, pra një verbërim deri në 20 për qind të shikimit.  Në një prej broshurave të simptomave të sëmundjes thuhet se njerëzit me sëmundjen Stargardt kanë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme dhe për të ruajtur pavarësinë e tyre. Atyre u duhen pajisje të veçanta si për shembull makina elektronike të leximit apo sisteme video me zmadhim që t’ua bëjë jetën më të lehtë. Sëmundja mund të ketë një ndikim të rëndësishëm emocional. Puna, socializimi, lëvizja dhe aktivitete të tjera që mund të ketë ardhur lehtësisht në të kaluarën ka të ngjarë të bëhen shumë sfiduese.

Si një studente e psikologjisë mesa duket Sigerta është bërë terapiste e vetvetes. Ajo është shumë sociale, aktive në shkollë dhe sigurisht mëson shumë duke pranuar ndihmën e të tjerëve. Gerta është dhe e dashuruar dhe ëndrra e saj është që bashkë me të fejuarin të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një përgjigjeje pozitive nga Lotaria amerikane. Ç’do të bëjë në Amerikë? Pa u menduar dy herë ajo thotë se ka ndërmend që të vazhdojë studimet për psikologji dhe duke e marrë tashmë problemin e saj fizik si një gjë të mirëqenë me të cilin do të jetojë gjithë jetën, ajo mendon për një jetë normale, familje dhe pse jo një klinikë psikologjike për fëmijë.

“Dëshiroj të vazhdoj më tej me psikologjinë. Më specifikisht dua të vazhdoj me psikologjinë për fëmijët, pasi gjithmonë kam pasur marrëdhënie të mira me ta. Ndihem shumë mirë kur jam në kontakt me fëmijë”, thotë Gerta.

Edhe një herë mamaja kërkon të thotë diçka, sikur të mund t’i shprehte të gjitha emocionet që ndjen një nënë në këto momente. Falenderimet e saj sërish janë për shkollën. “Kam parë mbështetjen jo vetëm nga ana akademike, por edhe nga ana shpirtërore që stafi i ka dhënë vajzës sime. Kur fëmija ndihet mirë, është lumturia më e madhe për një prind”, thotë ajo ndërsa e ndjek me sy vajzën që qesh e bën selfie me shoqet e klasës.

Ceremonia e diplomimit, flasin studentët ekselentë. Fatjona Brahimi nga cikli bachelor dhe Odeta Cacaj nga masteri ndajnë eksperiencat, emocionet dhe kujtimet e tyre për vitet e studimit në UET. Të dyja nga dega e psikologjisë, të dyja me rezultate maksimale.

fatjona ibrahimi - studenteFatjona Brahimi: Tre vite në UET, vite sfide, njohjesh dhe zbulimesh

Pranon se ka nota të shkëlqyera, por nuk i pëlqen ta cilësojnë si studente ekselente. E sapo diplomuar në psikologji, Fatjona Brahimi është studentja me mesataren më të lartë ndër studentët e bachelorit. “Tre vite në UET nuk kanë qënë vetëm studimi. Tre vite në UET kanë qenë vite sfide, njohjesh, zbulimesh. Nga eksperienca në UET kam mësuar se ekziston një mundësi e dytë për çdo rast. Është një nga ato mësime që duhet ta provosh para se ta besosh. Pas tre vitesh studimi në UET, e vetmja gjë e sigurt është se ndihem e lumtur me zgjedhjen që kam bërë. Rrugëtimi im akademik sigurisht që nuk mbaron me kaq. Dhe dija nuk është asnjëherë e tepërt. Do ishte naive nga ana ime të thoja se jam e plotësuar nga ana akademike, por mund të them që jam përpjekur të përvetësoj sa më shumë nga ajo që më është ofruar, dhe do jetë mjaftueshëm për të vazhduar rrugën më tej. Nga ana sociale, klubet studentore, shkollat verore dhe pranverore, aktivitetet jashtë kurrikulës, të gjitha këto janë mundësi që mbase në të gjitha universitetet në Shqipëri, vetëm UET i ofron. Një tjetër arsye pse jam e lumtur me zgjedhjen. Ndërsa rrugëtimi shpirtëror, ai është krejtësisht individual. Përvoja në UET ka qenë pjesë e rrugës sime, dhe unë kam bërë të pamundurën të nxë sa më shumë mësime në këtë rrugë. Por UET-i ka edhe një gjë: di të të bëjë për vete. Ja, për shembull tani që po kryej këtë intervistë, ndjej ngazëllim, sepse mundi i tre viteve nuk ka kaluar pa u vënë re. Punon dhe shpërblehesh. Kjo ta mban shpirtin gjallë”, thotë Fatjona. Por studimet nuk kanë pasur vetëm çaste arritjesh, por edhe vështirësi. Një moment të tillë Fatjona e mban mend. “Ishte detyra e parë e dorëzuar. Isha në ankth. S’ia kisha idenë si mund të bëhej vlerësimi. Kisha dëgjuar nga studentë të tjerë përpara meje që ‘në universitet zor se të jepet nota që meriton’. Plus isha edhe me bursë, pasi kisha marrë bursë ekselence që në vit të parë nga rezultatet e maturës, dhe domosdo, pritshmëritë rriten. Presion pa fund. E megjithatë, ky moment i vështirë, u kthye pikërisht në një nga momentet më të bukura të eksperiencës në UET. Isha vlerësuar me pikë maksimale në detyrën e parë. Në atë moment kuptova se në UET, puna e mirë shpërblehet”, kujton ajo. Studimet i do shumë, ndaj do që të eksplorojë mundësitë e tregut të punës. Ndoshta, në këtë rrugëtim, do të zbulojë edhe hapin e ardhshëm akademik që do të ndërrmarë.

odeta cacaj- studenteOdeta Cacaj: Kam arritur të bëj investimin e jetës sime

“Të studiosh në UET do të thotë të bëhesh pjesë e një familjeje të madhe. Gjatë këtyre 5 viteve jeta ime studentore ka qënë e larmishme dhe e pasur nga ana akademike, marrëdhënieve sociale dhe shpirtërore. Tashmë unë jam pjesë dhe produkt i UET, i cili më ka shoqëruar, mbështetur dhe udhëhequr në arritjet e mia akademike. Momenti i diplomimit për mua është mbyllja dhe hapja e një kapitulli të ri në rrugëtimin drejt karrierës”, shprehet Odeta Cacaj, studentja ekselente e programeve të studimeve master. Por si është të jesh ekselente? Ajo thotë se: “Ndryshimi vjen nga edukimi i brezave. Kërkesat duhet të fillojnë njëherë tek ty si individ dhe më vonë të kërkosh nga të tjerët. Të jesh pjesë e rrjetit të ekselencës është një sodisfacion i madh, të qënurit ekselent nuk përfshin vetëm arritjet personale akademike, por gjithashtu aktivizim dhe angazhim të studentit në aktivitete, programe, projekte, konferenca dhe nisma duke kontribuar në përmirësimin dhe në arritjet që janë në funksion të të gjithë universitetit. Të gjitha këto mundësi UET i ofron, ekselenca vetëm duhet të zgjedh.”

Për të kanë qenë të shumta momentet e bukura në universitet gjatë këtyre pesë viteve, por mbi të gjitha vlerëson cilësimin si studentja me arritjet më të larta akademike në të dyja ciklet e studimit. “Arsimimi është absolutisht një investim për të ardhmen dhe jo një shpenzim dhe mund të them se me cilësinë e mësimidhënies dhe me arritjet e mia të larta akademike kam arritur të bëj investimin e jetës sime. Studimet në nivelin master janë të domosdoshme për tregun e punës, nuk mund të thuhet luks, pasi studimet në master janë ato që kanë në fokus praktikën dhe përgatitjen profesionale për një konkurrim sa më cilësor në tregun e punës”, thotë Odeta.

Përfundimi i masterit për të nuk do të thotë përfundim i studimeve, por nisja e një rruge tjetër shumë të bukur por të vështirë. Ajo do të fokusohet në një kërkimin shkencor në fushën e psikologjisë për të ndërtuar një karrierë akademike.

 

civici- diplomimiAdrian Civici: Një komb i pasur është një komb i ditur

Fjala e Presidentit të UET, Prof. Dr. Adrian Civici, mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit në vitin akademik 2015-2016

“Para disa kohësh në UET ne i dhamë titullin “Honoris Causa” Lord Anthony Giddens, një ndër sociologët më të famshëm në botë. Në fjalimin e tij u shpreh se ka ardhur një kohë e re, që ka po aq risqe nga teknologjitë e reja, në  sfidat me të cilat përballet njerëzimi, por po aq edhe mundësi që njerëzit e ditur, njerëzit e shkolluar të mund t’i vinin këto dije në shërbim të zhvillimit. Moralin e tij ne e pasqyruam në sfidën e Universitetit Europian të Tiranës, “Bëhuni gati, një kohë e re po vjen”. Gjithnjë e më shumë konstatojmë se koha e re ka ardhur dhe ne jemi pjesë e kësaj kohe të re. Sfida më e madhe e kësaj kohe të re është pikërisht dija, teknologjia dhe inovacioni. Ne sot e kemi ceremoninë e shtatë në historinë 10-vjeçare të Universitetit Europian të Tiranës dhe pikërisht përtej kënaqësisë, gëzimit dhe nderit që ju diplomoheni shikojmë edhe veten në pasqyrë se çfarë diplomash dhe çfarë studentësh kanë dalë nga UET, duke na bërë mua dhe kolegët të ndihemi krenarë që pjesa dërrmuese e atyre që janë diplomuar janë profesionistë të mirë, figura të jetës publike dhe njerëz me dinjitet dhe integritet. Kjo na bën krenarë, por në të njëjtën kohë edhe më të përgjegjshëm për atë që bëjmë dhe ofrojmë.

Kur ne ishim të rinj, në çdo bibliotekë të familjeve shqiptare kishte tri lloje librash. Ishin ato që quhen vepra që të bënin korrekt me ideologjinë e kohës. Prindërit tanë kishin librat e shkollës dhe gjatë gjithë jetës krenoheshin për diplomën e tyre dhe librat me të cilët kishin studiuar. Së treti, kishte edhe një seri romanesh dhe librash të tjerë, të cilat tregonin se ishe njeri i kulturuar dhe bënin përpjekje. Koha sot tregon se jo vetëm tri lloje librash, por sado libra të kesh në bibliotekë, asnjëherë nuk mund të mendosh që je i ditur, që e ke ndjekur dijen dhe zhvillimin. Duke lexuar një personazh të shquar dhe shumë të dashur si Umberto Eco, i cili thoshte se “I ditur nuk është ai që lexon shumë libra, por ai që trembet se nuk ka lexuar aq libra sa duhet”. Në këtë kontekst do të doja t’i bëja gjithsecilit një thirrje që ta konsideronin librin dhe dijen si shokun, mikun, të dashurin dhe personin më të afërt. Asgjë nuk do të thotë dhe unë po përfitoj të bëj një provokim intelektual, libri nuk është një send luksi që po e mbajte në bibliotekë të bën më të ditur ose të kulturuar, por, sërish sipas Umberto Ecos është malli që duhet konsumuar më shumë për të qenë një armë në jetë.

Ju diplomoheni sot, filloni një profesion që do t’ju hapi dyer të pafundme në raport me dijen. 250 vite më parë Adam Smithi shtronte pyetjen se si mund të pasurohet një komb. Në çdo shekull janë dhënë përgjigje të ndryshme. Përgjigja që jepet sot është se një komb bëhet i pasur kur është një komb i ditur, kur di të ndërtojë institucione dhe ka tendencat e inovacionit dhe teknologjisë. Nëse ka një institucion që mund ta bëjë më së miri këtë është universiteti dhe Universiteti Europian i Tiranës këtë e ka filozofinë e tij natyrisht me ndihmën dhe bashkëpunimin tuaj për të qenë të sigurt se cilido prej nesh kur të largohet nga kjo ceremoni të jetë i sigurt se ka bërë maksimumin që është jo vetëm një qytetar i edukuar, që e njeh demokracinë por edhe një profesionist që e fillon karrierën me një bazë të mirë dijesh që i shërben jo vetëm atij, por gjithë shoqërisë”.

foto tek shkrimi per kapelen akademikeSimbolika e kapeles akademike

Kjo simbolizon që shkenca dhe dija janë afatgjata, duke qëndruar krejtësisht indiferente ndaj tendencave të modës afatshkurtër. Në Oxford, kapelja katërkëndore filloi të përdoret që në vitin 1675.

Tashmë është një traditë që në çdo ceremoni diplomimi studentët të veshin kapelet dhe pelerinat. Por ndoshta pak e dinë se nga ka ardhur kjo traditë dhe cilat janë ngjyrat që duhen përdorur. Origjina e kapeles dhe pelerinave vjen nga veshjet e kardinalëve dhe Papëve të Romës që në vitet 1000. Një veshje e tillë e veçonte klasën fetare nga pjesa tjetër e shoqërisë. Një ndër hipotezat e studiuesve është se ka një lidhje të fortë të kostumeve që përdoren në ditën e diplomimit dhe Erazmit të Roterdamit. Ai ishte një teolog kritik ndaj zhvillimeve të Kishës Katolike të kohës, por në të njëjtën kohë edhe një erudit që zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten dhe greqishten. Si pjesë e humanizmit, dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e universiteteve europiane. Në ditët e sotme, në krahasim me shumicën e kapeleve “laike”, kapelet akademike qëndrojnë si kujtesë e gjallë ndaj traditave shkencore. Kjo simbolizon që shkenca dhe dija janë afatgjata duke qëndruar krejtësisht indiferente ndaj tendencave të modës afatshkurtër. Në Oxford, kapelja katërkëndore filloi të përdoret që në vitin 1675.

Në vende të ndryshme, ngjyrat simbolizojnë diplomimin në profesione të ndryshme. Për shembull në Itali të diplomuarit në jurisprudencë duhet të përdorin ngjyrën blu, ata në farmaci të kuqen e mbyllur, në sociologji portokallinë ndërsa për të diplomuarit në arkitekturë dhe inxhinieri përdorin të zezën. Në Francë të diplomuarit në arte përdorin ngjyrën e verdhë ndërsa ata në mjekësi rozën e mbyllur. Spanjollët e diplomuar në filozofi dhe letërsi përdorin blunë e hapur ndërsa ata në shkenca ekonomike përdorin portokallinë. Gjithsesi, përtej ngjyrave, veshja akademike dhe kapelja simbolizojnë rezistencën e dijes ndaj ndryshimeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mundësia e fundit për kompromis

Zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, do zhvillojë takime me drejtuesit...
Read More