Sigurimi i cilësisë, një nevojë e brendshme e universitetit

Universiteti Europian i Tiranës është një ndër universitetet që sistemin që garanton cilësinë e brendshme të universitetit e ka instaluar më herët se sa institucionet e tjera të arsimit të lartë. Krahas me ndërtimin e sistemit ka ngritur dhe njësinë bazë që garanton sigurinë e cilësisë së brendshme. Dy janë stekat e cilësisë për UET, të plotësojë të gjitha standardet ligjore të cilësisë dhe të kthehet në një qendër ekselence akademike, -shprehet dr. Tomi Treska, i cili rikthehet në këtë sistem pasi e ndërtoi disa vite më parë, kur ky universitet i besonte imazhin e tij sloganit: Cilësia na diferencon!

Këshilli për Sigurimin e Cilësisë në UET funksion si nevojë e brendshme e universitetit për përmirësimin e disa standardeve që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë në të gjitha aspektet e funksionimit të një universiteti; që nga mësimdhënia, kurrikulat, librat, rritja e nivelit të studentëve, punësimi i tyre, ndërkombëtarizimi etj.

Profesor Treska, i cili është dhe Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET, thotë se cilësia e një institucioni akademik matet nga shumë faktorë dhe organizimi i një mekanizmi të veçantë për këtë qëllim është i domosdoshëm përveç akreditimit që i bëhet universitetit nga agjenci të jashtme të sigurimit të cilësisë siç janë agjencitë shtetërore apo të huaja të akreditimit.

Çfarë është zyra e cilësisë e ndërtuar në UET?

Sigurimi i cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri së pari, është një detyrim politik që buron nga dakordësia e Shqipërisë në procesin e Bolonjës. Sipas Bolonjës cilësia garantohet në dy komponentë kryesorë, cilësi e brendshme dhe cilësi e jashtme. Cilësia e brendshme është përkthyer nga koncepti i Bolonjës në kuadrin ligjor të arsimit të lartë në Shqipëri. Si nga qeveria e mëparshme edhe te qeveria e sotme, ai është një detyrim ligjor për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Ndërsa cilësinë e jashtme e garantojnë agjencitë pranë Ministrisë së Arsimit. Ka dy komponentë sigurimi i cilësisë të brendshme në një institucion të arsimit të lartë. Sistemi dhe organizmi, mekanizmi ose institucioni. Universiteti Europian i Tiranës është një ndër universitetet që sistemin që garanton cilësinë e brendshme të universitetit e ka instaluar më herët se sa institucionet e tjera të arsimit të lartë. Krahas me ndërtimin e sistemit ka ngritur dhe njësinë bazë që garanton sigurinë e cilësisë së brendshme. Ndërkohë që të gjitha aktet ligjore, nënligjore janë shoqëruar me një dokumentacion të pasur brenda universitetit europian posaçërisht për të garantuar cilësi, dhe për t’ju përgjigjur dhe logos që kemi patur dikur “Cilësia na diferencon”.

Si funksionon kjo njësi?

Përveç sistemit është ngritur dhe ajo që ne e themi Komisioni për sigurimin e brendshëm të cilësisë. Unë kam qenë krijues dhe kryetari i parë i Komisionit për sigurimin e brendshëm të cilësisë. Ajo është si një organizëm i pavarur që mbështetet mbi bazën e të drejtës që i jep ligji i arsimit të lartë, statuti i Universitetit Europian të Tiranës dhe rregullorja e brendshme e këtij institucioni dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore. Objekt i kontrolleve të Komisionit për sigurimin e brendshëm të cilësisë janë të gjitha entitetet akademike në UET. Është një nga pikat e forta që është identifikuar në të gjitha proceset e akreditimit dhe të rankimit, ku ka kaluar universiteti ynë.

Pse shtrohet sot më fort dhe më me përgjegjësi forcimi i sigurisë së brendshme të cilësisë në një universitet?

Së pari, ka ndryshuar ligji i arsimit të lartë. Kemi një ligj të ri të arsimit të lartë të miratuar në vitin 2015. Njëkohësisht janë duke u formuluar, draftuar dhe miratuar vendimet e Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij ligji të ri dhe udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit. Një nga prioritetet dhe kërkesat kryesore ligjore por jo vetëm është forcimi i cilësisë së arsimit të lartë. Janë pjekur të gjitha kushtet që të kalojmë nga masivizimi i arsimit të lartë në një arsim të lartë cilësor. UET-i duke qenë i vetëdijshëm për këtë ka forcuar kërkesat për sigurimin e brendshëm të cilësisë në universitet. Unë e ndiej këtë sepse është krijuar një ekip i brendshëm që merret posaçërisht me rishikimin e të gjitha dispozitave të brendshme të universitetit, me synim forcimin e cilësisë së mëtejshme të këtij universiteti. Duke u rikthyer në këtë front të ri unë marr përgjegjësi të reja për të garantuar rritjen e cilësisë në Universitetin Europian të Tiranës.

Çfarë nënkuptojmë kur themi cilësi në një universitet?

Së pari, zbatimi i gjithë kuadrit ligjor, në mënyrë korrekte dhe njëkohësisht duke kërkuar të njëjtën gjë nga të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë. Standarde të njëjta të zbatimit të cilësisë sipas kuadrit ligjor në Shqipëri. Së dyti, cilësi do të thotë rritje e kualifikimit ose e cilësisë së burimeve njerëzore. Konkretisht të stafit ose të personelit akademik. Nëse do t’iu referohemi shifrave sigurisht që Universiteti Europian i Tiranës edhe sikur të krahasohet para 3-4 vjetësh, ka një cilësi më të lartë të personelit akademik jo vetëm me tituj dhe grada, por edhe me shkollime jashtë Shqipërisë në vendet perëndimore. Rritje e cilësisë në UET, do të thotë rritje e përmbajtjes së të gjitha lëndëve dhe programeve të studimit që zhvillohen në këtë institucion. Nëse do të krahasojmë silabuset do vëmë re që brenda 3 vjetësh është bërë një hov cilësor, në pikëpamje të reflektimit të modeleve më të mira anglosaksone në programet e studimit dhe lëndore që kemi këtu. Veçanërisht në përcaktimin e literaturës së detyrueshme për studentin. Tashmë prej 2-3 vjetësh çdo titullar lënde është i detyruar që në literaturën e detyrueshme për studentët në programin e lëndës të vendosë një nga tekstet më të avancuara të bibliotekave më të njohura universitare në perëndim. Ne për hir të cilësisë nuk pranojmë autorë shqiptarë me përjashtime, që kanë hartuar tekste akademike. Së katërti, rritja e cilësisë së studentëve që hyjnë në Universitetin Europian të Tiranës. Nëse do të shohim statistikat, mesatarja e studentëve që janë regjistruar në universitetin tonë, rritet nga viti në vit. Tjetër element i cilësisë është ndërkombëtarizimi i universitetit tonë. Ne tashmë kemi mbi 100 marrëveshje të nënshkruara me universitete të tjera. Jemi ndër të parat universitete në Republikën e Shqipërisë që kemi përfituar grande nëpërmjet programeve ndërkombëtare të Bashkimit Europian, si Erasmus + etj. Është element i cilësisë. Ne garantojmë shkëmbimin jo vetëm të studentëve, por edhe të stafit akademik për të dhënë mësime atje dhe për të mirëpritur staf të huaj për të dhënë mësim këtu. Tjetër indikator i rritjes së cilësisë është përmirësimi i infrastrukturës dhe logjistikës në funksion të cilësisë së mësimdhënies. Ne vazhdojmë të mirëmbajmë dhe të investojmë për gjithë infrastrukturën mësimore didaktike që duhet të vihet në dispozicion të mësimdhënies nëpër auditorët tanë. Ka shumë indikatorë ku mund të përmendë dhe pasurimin e fondit të bibliotekës së universitetit me literaturë të përditësuar si fizike, por edhe biblioteka online, të cilat janë në dispozicion të studentëve. Së fundmi është dhe zbatimi i LMS-së, sistemit kompjuterik që është në funksion të studentëve dhe të gjithë personelit akademik, qoftë për mësimdhënie, qoftë për dërgimin e leksioneve, materialet shtesë, për marrjen e informacionit në kohë reale dhe kështu me radhë.

Nëse do kishim një stekë ku synon UET-i?

Dy janë stekat kryesore. Steka e parë është të përballojmë me sukses, të jemi të parët në të gjitha kërkesat për akreditime, rankime, licencime që bën ministria. Por kjo nuk është e mjaftueshme, pritshmëritë tona janë edhe më të larta. Steka jonë e dytë është standardi. Pritshmëritë tona që Universiteti Europian i Tiranës të kthehet në një qendër ekselence akademike të kërkimit shkencor dhe të punësimit të studentëve të tij me përqindje të lartë në tregun e punës.

Elementët kryesorë të cilësisë:

-Zbatimi i gjithë kuadrit ligjor të arsimit të lartë në mënyrë korrekte.

-Rritje e kualifikimit ose e cilësisë së burimeve njerëzore, konkretisht të stafit ose të personelit akademik.

-Rritje e cilësisë në UET, që do të thotë rritje e përmbajtjes së të gjitha lëndëve dhe programeve të studimit që zhvillohen në këtë institucion.

-Rritja e cilësisë së studentëve që hyjnë në universitet duke synuar thithjen e studentëve me mesatare të lartë.

-Ndërkombëtarizimi i universitetit. UET ka mbi 100 marrëveshje të nënshkruara me universitete të tjera, përfitimi nga programet ndërkombëtare të Bashkimit Europian si Erasmus + etj.

– Përmirësimi i infrastrukturës dhe logjistikës në funksion të cilësisë së mësimdhënies.

– Pasurimi i fondit të bibliotekës së universitetit me literaturë të përditësuar si fizike, por edhe biblioteka online, të cilat janë në dispozicion të studentëve.

-Zbatimi i LMS-së, sistemit kompjuterik që është në funksion të studentëve dhe të gjithë personelit akademik, qoftë për mësimdhënie qoftë për dërgimin e leksioneve, materialet shtesë, për marrjen e informacionit në kohë reale dhe kështu me radhë.

-Nxitja e punësimit të studentëve, krijimi i rrjetit ALUMNI në këtë funksion.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Night of a regime: Vendet e braktisura komuniste

Fotografi Antonio Fantasia prej vitit 2014 ka punuar mbi një projekt me...
Read More