Sikur një qindarkë z. Kokëdhima



Rama-Kokedhima-300x215Nga Besart Kadia

Le të jemi të qartë: Koço Kokëdhima nuk duhej të kishte kërkuar apo të kishte pranuar të ishte deputet në parlamentin shqiptar. Veprimtaria e tij kishte aq shumë jehonë në publik, sa çdo shkarje e tij do të trondiste edhe vetë qeverinë. Rasti Kokëdhima në fakt zbulon hipokrizinë e madhe që ka parlamenti shqiptar sot. Ku Partia “e majtë” Socialiste është e rrethuar nga sipërmarrës që i rrinë pranë e presin një tender nga qeveria, që t’i shërbejnë me pastërti publikut”.

Ka diçka jo të zakonshme dhe që nuk i rri mirë as komunitetit të biznesit, as publikut dhe as politikës, kur sipërmarrësi vesh rrobat e politikës. Të jesh publik dhe të dëgjohesh ka disa mënyra dhe z. Kokëdhima i kishte provuar thuajse të gjitha. Ai kishte zë nëpërmjet gazetës “Shekulli”, që ndoshta dëgjohej më shumë se çdo deputet tjetër në parlament, ishte publik falë rubrikës dhe emisionit “Si të bëhesh milioner?”, kishte influencë falë sipërmarrjeve të tij të suksesshme në biznes dhe më e rëndësishmja kishte dhe veshin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Por duke dashur që të jetë dhe politikan dhe sipërmarrës, z. Kokëdhima i ka humbur të dyja në sytë e publikut dhe ka hapur një debat akoma dhe më të madh sesa ai dekriminalizimit në Shqipëri.

Në një shkrim të para disa kohëve, një nga komentuesit e Financial Times shkruan “ unë nuk do ta quaja veten sipërmarrës të suksesshëm sikur një qindarkë e vetme të kishte shkuar drejt biznesit tim nga financat publike”. Kjo etikë e të bërit biznes ka ndihmuar të rinjtë perëndimorë të shohin gjithnjë mundësinë e inovacionit e të jenë “në shërbim” të publikut me produkte të reja. Por i vetmi inovacion që kanë bërë sipërmarrësit shqiptar është futja në politikë dhe influencimi nga brenda i ndarjes së fondeve publike. Kjo i ka shndërruar zgjedhjet si një garë për të zgjedhur sipërmarrësin, që mbron më mirë interesat e veta me votat e tua. Lobim i klasit të parë!

Heqja e mandatit të Kokëdhimës ekspozon fenomenin Kokëdhima dhe jo rastin Kokëdhima. E njëjta praktikë i dogji mandatin dhe deputetit Beqja në atë kohë. Shqetësimin për prezencën e këtij fenomeni e vëmë re jo për rastësi dhe me zëvendësuesin e z. Kokëdhima. Lajmet njoftojnë se mandatin e tij do ta zërë një tjetër sipërmarrës i tenderëve publikë që nga viti 1997, që ka vendosur që “know-how” e tij ta ofrojë për shtetin e publikun, ku PS e ka promovuar nga nënkryetar bashkie më 2010, drejtor të sigurimeve shoqërore e më pas drejtor porti e tani deputet. Mediat në 2013 raportuan për 20 kandidatë të PS, që ishin sipërmarrës ose 31% e kuotave totale të përfaqësimit parlamentar. Duhet të ketë diçka që një pjesë dërrmuese e deputetëve të majtë lënë bizneset e tyre të suksesshme dhe janë gati të sakrifikojnë për një pagë më të ulët, por me stres më të lartë në shtet. Rilindja e kësaj praktike shpjegon më shumë se çdo indikator i FMN-së apo Bankës Botërore, se përse ka rënë konsumi dhe konfidenca në ekonomi.

Z.Kokëdhima mësohet të jetë mbrojtur në gjykatë se duan t’i prishin karrierën politike për 2 milionë lekë të vjetër tender që ka përfituar. Me të vërtetë, në pamje të parë një shumë e vogël për të hequr një mandat deputeti, do të mendonin disa. Por është fenomeni, jo rasti Kokëdhima, që na shqetëson nga kjo Rilindje.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Kryeministri blen një makinë të përdorur për gruan

Kryeministri britanik, David Cameron e befasoi shitësin e një pike makinash të...
Read More