Sindroma e gjelit të detit dhe ringritja e të djathtës

Nga Gentian Gaba

Përfytyrojeni veten në vendin e një gjeli deti, të cilin po e majmin për Vit të Ri. Pasi vëren se njerëzit po i japin për të ngrënë çdo ditë pa i kërkuar ndonjë gjë si shpërblim, gjeli i detit herët a vonë do të bindet se qenka rregullsi e Natyrës që njerëzit ta ushqejnë përditë. Nëse ka prirje dhe kohë për përsiatje filozofike, gjeli i detit mund edhe të formulojë teori të ndryshme pak a shumë logjike, për të shpjeguar arsyet pse ekziston një rregull i tillë në univers. Pastaj, në 31 dhjetor, gjelit të detit i ndodh diçka sa e papritur, aq edhe e tmerrshme…

Filozofi Betrand Russell e ka sajuar këtë metaforë për të ilustruar problemin madhor të Induksionit në dije. Një formë tjetër shembëllzuese e problemit do të ishte “Mjellma e zezë” e titullit të librit të Nassim Nicholas Taleb. Para se të zbulohej Australia, zoologët në Europë ishin të bindur se mjellma nuk mund të jetë veçse e bardhë, meqë të gjitha mjellmat që ishin vrojtuar deri atëherë kishin qenë të bardha. Mirëpo pastaj, një ditë prej ditësh, europianët zbuluan se në Australi ekzistuakëshin mjellma të zeza. “Një vrojtim i vetëm”, shkruan Taleb, “mjaftoi për të hedhur poshtë një pohim të përgjithshëm, të formuluar në bazë të vrojtimeve të konfirmuara, për mijëra vjet me radhë, të mjellmave të bardha”. Taleb: broker, filozof është kundërshtar i vendosur i establishmentit të ekspertëve, profesorëve, ekonomistëve dhe sulmon ballazi empirizmin.

Sa u duhet besuar ekspertëve dhe rezultateve negative të së djathtës? A ka arsye të mendohet se humbja në zgjedhjet e 25 qershorit të ketë shënuar pikën e moskthimit për këtë forcë politike?

Nëse do të përdornim deduksionin, pra të nxjerrim përfundime nga premisat e deri tanishme të politikës sonë, 29% e votave të fituara dhe dominimi politik, ekonomik dhe mediatik i së majtës do të dukej i pathyeshëm. Ndonëse duket sikur janë ngritur premisat për një dekadë socialiste, Rama dhe e majta me këto zgjedhje kanë arritur apogjeun politik, pra pikën më të lartë; tani, ndryshe nga gjeli i detit, e djathta duhet të guxojë të mendojë se këto katër vite do të shënojnë fillimin e fundit të hegjemonisë ramiane.

Ndoshta Rama këtë e ndjen edhe vetë, dëgjesat publike tregojnë se brenda tij ka një garë kundër kohës. Me çdo mjet arriti rikonfirmimin, një pjesë e shqiptarëve i falën edhe gabimet e legjislaturës së shkuar, por në katër vitet që vijnë ai ka një faturë të madhe për të shlyer. Kontribuuesit në fitore e 74 mandateve do të duan haraçin, një pjesë e tyre vjen nga një nënbotë e errët dhe agresive, shpagimi ose pakënaqësia e tyre do të përcaktojë të ardhmen e Kryeministrit.

Në 2018 Rama kompleton dy dekada në politikë, dhe në 2021 do të ketë arritur një moshë kritike për një statist estet dhe hedonist: atë të 57 pranverave; jo më i ri dhe jo më një risi në politikë, do të transformohet në një totem të pakënaqësive të një populli që gosti të preferuar ka kritikën. Për më tepër që një pushtet i madh, timoni, do të thotë edhe përgjegjësi të mëdha, saktësi në ndarjen e tepsisë. Mandatin e parë nuk e bëri dot, me shumë gjasa nuk do ta bëjë dot edhe të dytin.

Në atë pikë të karrierës së tij politike, Partia Socialiste do të jetë përballë një dileme për përcaktimin e liderit të ri. Beteja për të ardhmen e PS-së ka nisur nën hijet e dy delfinëve, Veliaj dhe Tahiri, por përplasja e pashmangshme do të krijojë pasoja në artikulimin e jashtëm të saj, gjë që mund të pengojë ardhmeje në pushtet.

Në këtë kontekst Partia Demokratike, në pikën e saj më të ulët, duhet të nisë rrugëtimin drejt së ardhmes. Rizgjedhja e Bashës në krye të PD-së përcakton hapin e parë drejt ringritjes, për disa të djathtë përfaqëson ndoshta një barazim të humbjes së 25 qershorit. Një barazim që shënon vazhdueshmëri, triumfin e një investimi politik në figurën e një të riu që i fillon parabola ngjitëse. Në futboll barazimi vlen një pikë, në politik asnjë.

Në këtë “ground zero”, PD-ja është në një moment ideal për një akt ringritjeje të bazuar mbi vlerat më të mira të saj, vazhdimin e misionit të Partisë Demokratike në shoqërinë shqiptare për atë çka ajo përfaqëson nga dhjetori i vitit 1990 e këtej. E vetmja mënyrë që PD ka për të kapërcyer vështirësitë e këtij katërvjeçari (sikurse e bëri edhe në vitin 2005), është duke ngjallur frymë dhe besim tek elektorati shqiptar tek alternativa e saj. Basha, këtë radhë brenda parlamentit dhe me një grupim të ri, duhet të ndërtojë fabulën e tij; një model qeverisje jo vetëm të ndryshëm nga ai i socialistëve, por një model të ri, të çliruar edhe nga hijet e tjetërsimeve dhe patologjive të rritura brenda PD-së në vitet e qeverisjes. Duhet t’ju transmetojë shqiptarëve, duke nisur nga të djathtët, ëndrrën dhe vizionin e tij për të ardhmen e vendit. Një vizion i qartë moral si një mjellmë e zezë që t’iu prishë Vitin e Ri të vitit 2021 rivalëve politikë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse mungojnë korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Nga Ervis Iljazaj Sipas një raporti të publikuar dje nga Agjencia Qendrore...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *