Sipërmarrja në Shqipëri së shpejti me një Qendër Ekselence në Inovacion


Qendra UET lançoi projektin rajonal InnoPlatform 
– Platforma Inovative për zhvillimin e SME-ve në vend. Qendra UET është partner IPA në projektin InnoPlatform – Ofrimi i Mekanizmave dhe Platformave Inovative për zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në zonën e Ballkanit Mesdhetar përmes rritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve për inovacion.

Forumi Ekonomik Botëror dhe Indeksi i Inovacionit Botëror tregojnë se kur bëhet fjalë për konkurrueshmërinë dhe inovacionin e ekonomive dhe kompanive kombëtare, vendet e rajonit të Ballkanit Mesdhetar, pa përjashtim, mbeten prapa vendeve të BE-së dhe ekonomive të zhvilluara.

Sipas Vlerësimit të Performancës së SME-ve të Drejtorisë së Përgjithsme për Industrinë dhe Sipërmarrjen të Komisionit Europian, rajoni i Ballkanit Mesdhetar mbetet prapa mesatares së BE-së kur bëhet fjalë për inovacionin dhe risitë e përdorura nga SME-të. Arsyet janë të shumta, kryesisht të lidhura me mungesën e njohurive dhe qasjen e kufizuar të SME-ve në mbështetjen e posaçme, mjetet dhe përdorimin më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Projekti i ri i Qendrës UET –  INNOPLATFORM – synon t’i adresojë këto sfida duke lehtësuar inovacionin dhe duke mbështetur ndërkombëtarizimin dhe inovacionin në SME në rajon – shprehet Dr Blerjana Bino, drejtuese e projektit për Qendrën UET.

Projekti InnoPlatform ka filluar në gusht 2017 dhe do të zgjasë dy vjet deri në korrik 2019 me një shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet aktiviteteve të parashikuara në projekt, Qendra UET dhe Universiteti Europian i Tiranës do të mbështesin SME-të lidhur me rolin e inovacionit. Kjo do të realizohet duke avancuar njohuritë ekzistuese dhe duke zhvilluar një sërë mjetesh (InnoTools) dhe shërbimeve (InnoScorecard dhe InnoRegion) për përmirësimin e kapaciteteve të SME-ve në përdorimin e inovacioneve në proceset e punës si dhe të produkteve dhe shërbimeve të ofruara.

Prof. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës, në rolin e ekspertit të ekonomisë, shprehet në studimin e tij se: “Në debatet politike e ekonomike flitet shumë për “përfundimin e periudhës së tranzicionit në Shqipëri ” dhe fillimin e një situate specifike « post-tranzicion » ku fillin udhërrëfyes e luan procesi i integrimit evropian dhe domosdoshmëria e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Në vitet e fundit kemi hyrë në një stad të ri politikash ekonomike të cilat synojnë reforma dhe transformime të rëndësishme strukturore, zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin në ekonominë evropiane dhe ndërkombëtare. Dhe e gjitha kjo në një kontekst intensiv të adaptimit me normat dhe standardet e “acquis communitaires”, të cilat janë dhe objektivi final i strategjive dhe politikave të zhvillimit ekonomik e social në periudha afat-mesme dhe afat-gjata.

Por, të hysh në Evropë, në radhë të parë do të thotë të kesh koncepte të qarta dhe të ndërtosh e konsolidosh një sistem të plotë ekonomiko-social kapitalist”. Në këtë kuptim, projekti InnoPlatform që shënjestron sipërmarrjet për t’i mbështetur ato me instrumenta e shërbime ka një rëndësi të veçantë në përforcimin e kapaciteteve të tyre për inovacion dhe pra për të qenë më të përgatitura për të përballuar me sukses konkurrueshmërinë.

Dr. Besarta Vladi, eksperte për inovacionin, u shpreh gjatë takimit se: “inovacioni është shëndëruar tashmë edhe për Shqipërinë në një fjalë kyçe jo vetëm në akademi, por edhe në politikëbërje dhe në sipërmarrje. Ndërkohë që punohet e flitet shumë rreth inovacionit në kompanitë e mëdha, më pak vëmendje i është kushtuar sipërmarrjeve të vogla.

Ka ardhur koha të fokusohemi edhe tek mundësitë dhe potenciali në rritje i sipërmarrjeve të mesme e të vogla sa i takon përdorimit të inovacionit për prodhim dhe shërbime”. Qendra UET përmes këtij projekti synon të ndërtojë edhe bazën e të dhënave me indikatorët kyç të matjes së inovacionit në sipërmarrje dhe ta rendisë kështu Shqipërinë në InnoScorecard të Europoës si edhe vendet e tjera të rajonit.

Më tej Dr Vladi shprehet se ndërkohë që Raporti i Konkurrueshmërisë Globale GCI dhe Indeksi Global i Inovacionit GII flasin për parametrat e inovacionit në nivel makroekonomik (përfshi dhe të dhëna për Shqipërinë) të dhënat sa i përket inovacinit në nivel firme për vedin tonë, deri tani nuk kanë qënë pjesë e raportimeve në nivel ndërkombëtar. Duke qënë se SME-të zënë numrin më të madh të sipërmarrjeve në vend, dhe roli i tyre si promotor të zhvillimit ekonomik është gjithnjë në rritje, rezultatet e këtij studimi synojnë të kontribuojnë pozitivisht në përmirësimin e performancës së tyre në të ardhmen, sidomos lidhur me parametrat që kanë të bëjnë me inovacionin.

Dr. Ani Mbrica, eksperte për mjedisin e biznesit, theksoi në takim se “Shqipëria është përmirësuar sa i takon treguesve për bërjen e biznesit, kjo sipas edhe renditjeve botërore të 2016 dhe 2017. Megjithatë InnoPlatform kërkon një studim të thelluar përpara ndërmarrjes së veprimeve konkrete në mbështetje të SME-ve dhe këtu sfida qëndron në mbledhjen e të dhënave, në mënyrën sesi ato raportohen, apo edhe në aksesin që kërkuesit kanë”.

Studimi i InnoPlatform do të vihet në dispozicion të të gjithë të interesuarve dhe kërkuesit mund t’i përpunojnë më tej këto të dhëna.  Ka nevojë për edukim të sektorit privat për mënyrën e mbledhjes së të dhënave, por mbi të gjitha të institucioneve publike për të ndërtuar bazat kryesore të të dhënave në linjë me standardet ndërkombëtare. Ndërlidhja universitet – sipërmarrje – shoqëri civile në këtë rast është lehtësuese për këto procese dhe e dëshirueshme – sikurse synon të realizojë edhe projekti në fjalë.

Po cilat do të jenë rezultatet dhe përfitimet e Projektit InnoPlatform?

Sipas Dr Blerjana Bino, së pari projekti do të ofrojë shërbime dhe instrumenta për sipërmarrësit lidhur me zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja duke përdorur përqasje inovative. Kjo do të ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë së SME-ve në vende në rajon. Do të themelot një rrjet i Qendrave të Ekselencës, të cilat do të ofrojnë ekspertizë dhe mbështetje të jashtme për SME-të, konsulentët dhe aktorë të tjerë në rajon për të nxitur bashkëpunimin ndër-kufitar.

Për Shqipërinë, Qendra e Ekselencës në Tiranë pranë Qendrës UET dhe Universitetit Europian të Tiranës si edhe të tjerat në rajon do të jenë si laboratorë për inovacion dhe do të pajisen me ekspertizë, njohuri dhe pajijsje (si printerë 3-dimensionalë për të prodhuar prototipin e parë të produkteve të reja). Këto Qendra të Ekselencës si pjesë e Platformës së Inovacioneve të Ballkanit Mesdhetar (InnoPlatform) do të mbështesin vazhdimisht nevojat e NMV-ve për inovacion.

Së dyti, ekspertët e projektit janë duke zhvilluar studime mbi mjedisin kombëtar dhe rajonal, sfidat dhe barrierat për inovacion ,rritje dhe ndërkombëtarizim të bizneseve, si dhe modeleve të inovacionit. Kështu njohuria dhe ekspertiza e arritur gjatë projektit së bashku me mjetet InnoTools, udhëzimet dhe hapja e Qendrave të Ekselencës do të të rrisin bashkëpunimin ndërmjet SME-ve dhe instituteve kërkimore për mbështetjen direkte të SME-ve për t’i udhëzuar të nxjerrin produkte dhe shërbime të reja inovative dhe të pëmirësojnë proceset e tyre të punës.

Projekti InnoPlatform zbatohet në kuadër të Programit Transnacional Interreg BalkanMed 2014-2020, për thirrjen e parë të projekteve, në bazë të Marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Autoritetit Menaxhues të Programit Interreg Balkan-MED.

Partnerët e tjerë me të cilët Qendra UET do të zbatojë së bashku projektin janë:

Qendra e Menaxhimit të Njohurive (Center for Knowledge Management-CKM) në Maqedoni, si drejtues të projektit;

Instituti i Teknologjisë Kompjuterike dhe Shtypit Diofantus (Computer Technology Institute and Press “Diophantus”) në Greqi;

Universiteti Burgas (Burgas Free University) në Bullgari;

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Limasol (Limassol Chamber of Commerce Industry) në Qipro;

Shoqata e Kompanive të Teknologjisë së Informacionit të Greqisë Veriore (Association of Information Technology Companies of Northern Greece) në Greqi;

dhe si partner vëzhgues:

Universiteti Bedfordshire – Shkollën e Biznesit (University of Bedfordshire Business School) në Angli,

Universiteti Jashar (Yasar University) në Turqi.

Vizitoni: http://innoplatform.eu/index.php/en/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vota në OKB, SHBA-të i heqin ndihmat kundërshtarëve edhe Shqipërisë

    Në fjalimin mbi gjendjen e vendit, që zgjati 1 orë...
Read More