Sipërmarrja, së shpejti me një Qendër Ekselence në Inovacion

Qendra UET lançoi javën që shkoi projektin rajonal InnoPlatform – Platforma Inovative për zhvillimin e SME-ve në vend. Qendra UET është partner IPA në projektin InnoPlatform – Ofrimi i Mekanizmave dhe Platformave Inovative për zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në zonën e Ballkanit Mesdhetar përmes rritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve për inovacion.

Forumi Ekonomik Botëror dhe Indeksi i Inovacionit Botëror tregojnë se kur bëhet fjalë për konkurrueshmërinë dhe inovacionin e ekonomive dhe kompanive kombëtare, vendet e rajonit të Ballkanit Mesdhetar pa përjashtim mbeten prapa vendeve të BE-së dhe ekonomive të zhvilluara.

Sipas Vlerësimit të Performancës së SME-ve të Drejtorisë së Përgjithshme për Industrinë dhe Sipërmarrjen të Komisionit Europian, rajoni i Ballkanit Mesdhetar mbetet prapa mesatares së BE-së kur bëhet fjalë për inovacionin dhe risitë e përdorura nga SME-të. Arsyet janë të shumta, kryesisht të lidhura me mungesën e njohurive dhe qasjen e kufizuar të SME-ve në mbështetjen e posaçme, mjetet dhe përdorimin më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Projekti i ri i Qendrës UET – INNOPLATFORM – synon t’i adresojë këto sfida duke lehtësuar inovacionin dhe duke mbështetur ndërkombëtarizimin dhe inovacionin në SME në rajon – shprehet dr. Blerjana Bino, drejtuese e projektit për Qendrën UET.

Projekti InnoPlatform ka filluar në gusht 2017 dhe do të zgjasë dy vjet deri në korrik 2019 me një shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet aktiviteteve të parashikuara në projekt, Qendra UET dhe Universiteti Europian i Tiranës do të mbështesin SME-të lidhur me rolin e inovacionit. Kjo do të realizohet duke avancuar njohuritë ekzistuese dhe duke zhvilluar një sërë mjetesh (InnoTools) dhe shërbimeve (InnoScorecard dhe InnoRegion) për përmirësimin e kapaciteteve të SME-ve në përdorimin e inovacioneve në proceset e punës, si dhe të produkteve dhe shërbimeve të ofruara.

Prof. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës, në rolin e ekspertit të ekonomisë, shprehet në studimin e tij se: “Në debatet politike e ekonomike flitet shumë për përfundimin e periudhës së tranzicionit në Shqipëri  dhe fillimin e një situate specifike «post-tranzicion», ku fillin udhërrëfyes e luan procesi i integrimit europian dhe domosdoshmëria e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Në vitet e fundit kemi hyrë në një stad të ri politikash ekonomike të cilat synojnë reforma dhe transformime të rëndësishme strukturore, zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin në ekonominë europiane dhe ndërkombëtare. Dhe e gjitha kjo në një kontekst intensiv të adaptimit me normat dhe standardet e “acquis communitaires”, të cilat janë dhe objektivi final i strategjive dhe politikave të zhvillimit ekonomik e social në periudha afatmesme dhe afatgjata. Por, të hysh në Europë, në radhë të parë do të thotë të kesh koncepte të qarta dhe të ndërtosh e konsolidosh një sistem të plotë ekonomiko-social kapitalist”. Në këtë kuptim, projekti InnoPlatform që shënjestron sipërmarrjet për t’i mbështetur ato me instrumente e shërbime ka një rëndësi të veçantë në përforcimin e kapaciteteve të tyre për inovacion, për të qenë më të përgatitura për të përballuar me sukses konkurrueshmërinë.

Dr. Besarta Vladi, eksperte për inovacionin, u shpreh gjatë takimit se: inovacioni është shndërruar tashmë edhe për Shqipërinë në një fjalë kyçe jo vetëm në akademi, por edhe në politikëbërje dhe në sipërmarrje. Ndërkohë që punohet e flitet shumë rreth inovacionit në kompanitë e mëdha, më pak vëmendje iu është kushtuar sipërmarrjeve të vogla. Ka ardhur koha të fokusohemi edhe te mundësitë dhe potenciali në rritje i sipërmarrjeve të mesme e të vogla sa i takon përdorimit të inovacionit për prodhim dhe shërbime. Qendra UET përmes këtij projekti synon të ndërtojë edhe bazën e të dhënave me indikatorët kyçë të matjes së inovacionit në sipërmarrje dhe ta renditë kështu Shqipërinë në InnoScorecard të Europës, si edhe vendet e tjera të rajonit.

Më tej dr. Vladi shprehet se ndërkohë që Raporti i Konkurrueshmërisë Globale GCI dhe Indeksi Global i Inovacionit GII flasin për parametrat e inovacionit në nivel makroekonomik (përfshi dhe të dhëna për Shqipërinë) të dhënat sa i përket inovacionit në nivel firme për vendin tonë, deri tani nuk kanë qenë pjesë e raportimeve në nivel ndërkombëtar. Duke qenë se SME-të zënë numrin më të madh të sipërmarrjeve në vend, dhe roli i tyre si promotor të zhvillimit ekonomik është gjithnjë në rritje, rezultatet e këtij studimi synojnë të kontribuojnë pozitivisht në përmirësimin e performancës së tyre në të ardhmen, sidomos lidhur me parametrat që kanë të bëjnë me inovacionin.

Dr. Ani Mbrica, eksperte për mjedisin e biznesit, theksoi në takim se “Shqipëria është përmirësuar sa i takon treguesve për bërjen e biznesit, kjo sipas edhe renditjeve botërore të 2016 dhe 2017. Megjithatë InnoPlatform kërkon një studim të thelluar përpara ndërmarrjes së veprimeve konkrete në mbështetje të SME-ve dhe këtu sfida qëndron në mbledhjen e të dhënave, në mënyrën sesi ato raportohen, apo edhe në aksesin që kërkuesit kanë”. Studimi i InnoPlatform do të vihet në dispozicion të të gjithë të interesuarve dhe kërkuesit mund t’i përpunojnë më tej këto të dhëna. Ka nevojë për edukim të sektorit privat për mënyrën e mbledhjes së të dhënave, por mbi të gjitha të institucioneve publike për të ndërtuar bazat kryesore të të dhënave në linjë me standardet ndërkombëtare. Ndërlidhja universitet–sipërmarrje–shoqëri civile në këtë rast është lehtësuese për këto procese dhe e dëshirueshme–sikurse synon të realizojë edhe projekti në fjalë.

Po cilat do të jenë rezultatet dhe përfitimet e Projektit InnoPlatform?

Sipas dr. Blerjana Bino, së pari, projekti do të ofrojë shërbime dhe instrumente për sipërmarrësit lidhur me zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja duke përdorur përqasje inovative. Kjo do të ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë së SME-ve në vende në rajon. Do të themelohet një rrjet i Qendrave të Ekselencës, të cilat do të ofrojnë ekspertizë dhe mbështetje të jashtme për SME-të, konsulentët dhe aktorë të tjerë në rajon për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar. Për Shqipërinë, Qendra e Ekselencës në Tiranë pranë Qendrës UET dhe Universitetit Europian të Tiranës, si edhe të tjerat në rajon do të jenë si laboratorë për inovacion dhe do të pajisen me ekspertizë, njohuri dhe pajisje (si printerë 3-dimensionalë për të prodhuar prototipin e parë të produkteve të reja). Këto Qendra të Ekselencës si pjesë e Platformës së Inovacioneve të Ballkanit Mesdhetar (InnoPlatform) do të mbështesin vazhdimisht nevojat e NMV-ve për inovacion.

Së dyti, ekspertët e projektit janë duke zhvilluar studime mbi mjedisin kombëtar dhe rajonal, sfidat dhe barrierat për inovacion ,rritje dhe ndërkombëtarizim të bizneseve, si dhe modeleve të inovacionit. Kështu njohuria dhe ekspertiza e arritur gjatë projektit së bashku me mjetet InnoTools, udhëzimet dhe hapja e Qendrave të Ekselencës do të rritin bashkëpunimin ndërmjet SME-ve dhe instituteve kërkimore për mbështetjen direkte të SME-ve për t’i udhëzuar të nxjerrin produkte dhe shërbime të reja inovative dhe të përmirësojnë proceset e tyre të punës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PUNK dhe EHO

-Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviq I dashur Mustafë, Urrejtja serbo-shqiptare ka episode...
Read More