Sistemi zgjedhor është i rëndësishëm, por jo sa sjellja e aktorëve politikë

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha ka mbledhur aleatët e tij për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Basha insiston për rëndësinë e saj dhe, ky është një lajm i mirë, pasi për herë të parë sistemi zgjedhor është kthyer në çështjen e parë të legjislaturës , ndryshe nga seç jemi mësuar, që ai ngelet ligji i fundit i saj.

Theksi është vendosur te domosdoshmëria e gjetjes së mekanizmave për të evituar manipulimin e votës, si për shembull votimi elektronik. Po ashtu, është propozuar një sistem zgjedhor mazhoritar.

Të gjitha këto ide për reformën zgjedhore janë të rëndësishme, që nga instrumentet që evitojnë manipulimin e votës e deri te mekanizmi i përkthimit të votave në mandate.

Megjithatë, më e rëndësishme se ato, janë sjellja e aktorëve politikë si dhe sjellja e votuesve.

Votimi elektronik, me siguri që do të ulë ndjeshëm manipulimin e votës, por më e rëndësishme është kultura politike e votuesit shqiptar. Manipulimi i votave nëse është kulturë shoqërore, nuk ka mekanizëm apo ligj që mund ta ndalojë atë.

I njëjti arsyetim vlen edhe për sistemin zgjedhor. Padyshim për partitë e mëdha politike është i përshtatshëm një sistem mazhoritar, pasi rrit shanset për të fituar zgjedhjet dhe për t’u shkëputur nga varësia e partive të vogla. Ndërsa partitë e vogla kërkojnë gjithmonë një sistem proporcional për të arritur të përfaqësohen në Parlament.

Nëse sistemi mazhoritar kryesisht avantazhon një qeveri të qëndrueshme dhe sistemin politik dypartiak dhe cenon përfaqësimin politik, e kundërta ndodh me një sistem proporcional, i cili favorizon përfaqësimin politik, por jo një qeveri të qëndrueshme.

Andaj, vendet e ndryshme mundohen të gjejnë korrektues për njërin apo tjetrin sistem, për të eliminuar efektet radikale që ka secili prej tyre.

Kështu që diskutimet për efektet që kanë sistemet e ndryshme ne politikën shqiptare dhe në sistemin qeverisës, shpesh lënë jashtë një indikator shumë të rëndësishëm. Sjelljen e partive politike në raport me këto sisteme.

Faktet e politikës shqiptare, por edhe jashtë saj, e tregojnë më së miri këtë gjë.

Për shembull, Shqipëria ka patur sistem mazhoritar, por në të njëjtën kohë dhe një numër të madh partish politike në Parlament dhe qeveri koalicionesh. Në vitin 2008 kur u ndryshua sistemi në proporcional, numri i partive politike në Parlament u ul ndjeshëm. Më flagrant është rasti i zgjedhjeve të fundit. Partia Socialiste fitoi e vetme zgjedhjet me një sistem proporcional.

Mekanizmat elektoralë nuk mund të merren në analizë nëse brenda saj nuk futen dhe sjellja e aktorëve politikë.

Diskutimi për sistemet zgjedhore është më shumë kompleks se sa një formulë matematikore.

Më së tepërmi është çështje kulturore, shoqërore dhe konteksti politik. E rëndësishme është që një sistem zgjedhor të mundësojë një qeveri të qëndrueshme dhe përfaqësuese.

Të gjitha diskutimet për aspekte të demokracisë që mundëson ai, si për shembull kthimin e të gjithave votave në mandate, që është një pretendim i përhershëm i partive të vogla, janë të pavërteta. Nuk ekziston asnjë i tillë që t’i kthejë të gjitha votat në mandate, për faktin se një sistem zgjedhor ka si qëllim jo vetëm përfaqësimin, por dhe qeverinë e qëndrueshme.

Për këto arsye, Lulzim Basha është në një rrugë të drejtë në insistimin e tij të reformës zgjedhore, por politika nuk është vetëm çështje teknike, është çështje sjelljesh, përtej tyre. Andaj është mirë që politikën opozitare ta fokusojë dhe në substancën e saj dhe jo vetëm në rregullat e lojës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi Rama fitoi si antipopulist dhe do të qeverisë si populist

Nga Ervis Iljazaj Bashkëqeverisja me qytetarë është slogani i ri i Edi...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.