Skema e falsifikimit të pronës 100 milionë euro në Karaburun



ÇÇ6Prokuroria e Rrethit Vlorë urdhëroi sekuestrimin e 220 hektarëve tokë në zonën e Karaburunit, pasi dyshohet se është përfituar nga dokumente të falsifikuara. Hetimet e institucionit të akuzës dhe dyshimet se janë përfshirë edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hipotekës.

Prokuroria e Vlorës sekuestron 220 hektarë tokë, me vlerë tregu prej 100 milionë eurosh në Karaburun, pronë e dyshuar se është përfituar me dokumente të falsifikuara.

Hetimet për këtë rast janë nisur kryesisht nga ana e institucionit të akuzës dhe më pas gatë procesit hetimor ka pasur kallëzime edhe nga shtetas, të cilët pretendojnë pronësi mbi këtë sipërfaqe.

Sipërfaqja prej 220 hektarë ndodhet në zonën e njohur si Shën Vasil në Karaburun dhe është regjistruar fillimisht në emër të Rajmond Mezi.

“Nga hetimet e kryera, është provuar se pasuria e mësipërme është regjistruar në regjistrin hipotekar datë 12.10.2012, me përshkrimin “Një sipërfaqe kullotë prej 220 ha, në vendin Karaburun sipas kufijve”, në emër të shtetasit Rajmond Mezi. Pas regjistrimit të kësaj pasurie, ajo është ndarë në dy pjesë të tjera, me sipërfaqe prej 130 ha dhe 90 ha. Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar te persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë pasqyruar më pas edhe në regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme”.

Kështu shprehen burime zyrtare të prokurorisë së Vlorës, pas një hetimi të gjatë që kanë kryer për këtë çështje. Sipas institucionit të akuzës, rezulton se është falsifikuar dokumenti datë 13.5.1943, në bazë të të cilit figuron si pronar, shtetasi Jakup Mezi.

Ky dokument i falsifikuar është paraqitur me pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për njohjen e pronësisë trashëgimtarit Rajmond Mezi.

“Nga hetimet, rezulton se edhe vendimi gjyqësor civil nr. 1360, datë 29.12.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, përmes të cilit është kthyer fizikisht sipërfaqja e pronës prej 220 ha, është i falsifikuar” –pohon prokuroria.

Gjithsesi, përvetësimi i kësaj prone nuk është kryer pa pasur bashkëpunim dhe nga të dhënat që paraqet akuza, mësohet se nën hetim aktualisht janë edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Hipotekës së Vlorës.

“Lidhur me sa më sipër, deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve e kryer në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” -shprehet prokuroria.

Më interesante është pjesa e fundit e akuzave, pikërisht ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtari kriminale.

Hetuesit dyshojnë se pas tjetërsimit të kësaj prone janë investuar edhe para me të ardhura të dyshimta.

Gjithsesi, do të jetë gjykata ajo që në bazë të provave që do paraqesë institucioni i prokurorisë, do vendosë për sekuestrimin total të kësaj prone.

Nga hetimet e deritanishme, ka dalë një numër i madh personash, të cilët dyshohet se janë të implikuar në falsifikimin e dokumenteve për këtë pronë.

Nga përllogaritjet që bëhen në bazë të vlerës së tregut, prona në Karaburun prej 220 hektarësh kap vlerën e 100 milionë eurove.

Duke qenë pronë me vlerë kaq të lartë, dyshohet se në falsifikimin e dokumenteve janë përfshirë një numër i madh zyrtarësh.

Ndonëse ende nuk shprehen zyrtarisht, burime konfidenciale nga policia dhe prokuroria shprehen se në ditët në vazhdim nuk përjashtohet mundësia edhe e lëshimit të urdhër-ndalimeve.

Problemi i tjetërsimit të pronave në bregdet nuk është një fenomen i panjohur.

Agjencitë e kthimit dhe kompensimit të pronave, në bashkëpunim edhe me hipotekat e rretheve Durrës, Shkodër dhe Vlorë, dyshohet se kanë tjetërsuar me dokumente të falsifikuara qindra hektarë tokë, që duhet të ishin në pronësi të shtetit, por u janë dhënë individëve apo grupe individësh.

Përveç Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo Hipotekave, në “lojën e zaptimeve” është përfshirë edhe gjykata.

Janë me qindra vendime të dyshimta të çështjeve të pronësisë që kanë marrë verdiktin nga gjyqësori.

Për momentin, puna e prokurorisë është përqendruar në Vlorë dhe Himarë, aty ku ka të dhëna dhe denoncime të shumta, që pronat publike, pranë vijës bregdetare, i kanë kaluar personave të ndryshëm, ku në disa raste janë falsifikuar edhe dokumentet zyrtare.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjykata vendos arrestimin e Xhelilit! Shkarkimi shkon në Kushtetuese

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish-kryebashkiakun e...
Read More