Skënderbeu dhe Shqipëria në Europën mesjetare dhe të sotme

Nga Ndriçim Kulla

Janë të paktë heronjtë e vjetër të Europës që janë kaq të njohur sa Gjergj Kastrioti. Kush ndër ta ka patur fatin e kaq shumë jetëshkruesve, madje jetëshkrues “të llojit okular” që kanë mundur të shohin me sytë e tyre atë çfarë kanë përshkruar në veprat e tyre? Kush ndër ta, e ka patur jetëshkrimin kaq të përhapur nëpër mbarë Europën, sa Gjergj Kastrioti për të cilin folën gati të gjitha gjuhët e saj?

Kemi pra një Skënderbe historik, e këtë Skanderbe historik, e kemi fatos, e kemi të panjollë, simbol e pasqyrë të denjë për jetën tonë kombëtare. Me tej, në shume prej burimeve historike kemi më fort një Skënderbe të veprave, se sa një Skënderbe të mendësisë e të ndjenjave, pasi kështu shkruhej atëherë historia: ndodhi e vepra, e sidomos luftime, gjithçka pra që mund të përmblidhet në atë tipologji që në modernitet ka marrë emrin “histori betejash”. Kujdesi i historisë psikologjike e sociologjike moderne nuk i trazonte aspak historianët e vjetër.

 Ndaj, për të kuptuar se cila ishte mendësia e tij udhëheqëse, prioritare, cilat ishin ato ndjesi parësore qe e drejtuan Kastriotin kah asaj epopeje të pastër që ai krijoi, duhet bërë një ristudim i historiografisë së tij. Problemi i parë dhe themelor ka të bëjë me ndarjen e fortë, apo ndoshta dhe me kundërshtinë mes morisë së burimeve dokumentare nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, e traditës biografike dhe asaj popullore, qoftë epike ose jo. E mangët dhe e cakëzuar, me të dhëna gati burokratike. Ndërkohë që sot, para së gjithash, ne gjendemi përballë jetës dhe bëmave të Skënderbeut në një epokë në të cilën dokumentacioni i arkivave, në pjesën e vet në të madhe, e ka të pamundur të flasë. Po për ç’arsye?

 

Për shkak se arkivat e Shqipërisë së asaj epoke (si në pjesën tjetër të Ballkanit) nuk ekzistojnë më, as në një masë minimale. Arkivi i Venecias, që duhej të qe më i bollshëm nga të gjithë, siç dihet, ka pësuar një djegie të madhe në fillim të shekullit XVI; aq më tepër, se nga fillimi i këtij shekulli ai nuk ruante asgjë tjetër përveç asaj serie të madhe aktesh zyrtare të quajtura ndryshe komemoriale, të shpërndara nga ana e Senatit. Kësisoj, mungojnë të gjitha ato relacione të guvernatorëve të provincave apo të ambasadorëve të ndryshëm që në kohët e mëparshme, aq të pasura në lajme si ç’janë, formonin njërin prej repertorëve më të çmuar për historinë e Europës së asaj kohe. Ndërkohë urdhëresat e Senatit, e akoma më shumë, nëpër aktet e komemorialeve, ngjarjet që përbëjnë edhe vetë motivacionin e tyre vetëm sa përmenden shkarazi.

Një fatkeqësi analoge duhet të ketë goditur edhe në Arkivin e Vatikanit, që po njësoj duhej të qe goxha i pasur mbi këtë argument historik: për epokën e Skënderbeut. Në të ruhet pak a shumë veç seria e Regjistrave të Vatikanit, në të cilat janë të renditura të gjitha aktet e korrespondencës zyrtare papnore. Së bashku me regjistrat financiarë; relacionet e nuncëve, letrat e ipeshkëve, të mbushura me lajme, bashkë me dokumentet e ngjashme të mëvonshme, kaq të pasura e kaq të çmuara për historianët, u shkatërruan në mënyrë barbare përgjatë bastisjes së famshme të Romës, në gjysmën e parë të shekullit XVI, duke shërbyer si ushqim dhe shtrojë për kuajt e përdhosësve.

Shumë më vonë, në kohën tonë, në vitin 1944, pësoi të njëjtin fat edhe Arkivi i madh i Napolit, i djegur nga gjermanët në tërheqje e sipër, çka solli humbjen totale të dokumentacionit aragonez. Fati e donte që pjesën më të madhe të këtij arkivi, edhe për mbretërinë e Napolit, aragonezët ta ruanin në Barcelonë, ku ai është ende sot e kësaj dite i konsultueshëm.

Nuk mund ta dimë, nëse ai është shfrytëzuar apo jo tërësisht nga Marinesku, edhe pse ajo shumë që ai ka mundur të nxjerrë, ka vlejtur për të dokumentuar figurën historike të Skënderbeut me një peshë shumë më të konsiderueshme sesa ajo që kritika e mëparshme historike besonte t’i kish atribuuar. Mund të përdoren, gjithashtu, edhe arkivat e kancelarisë turke të Kostandinopojës, por ato ende dhe sot janë të mbyllura edhe për vetë studiuesit turq, përderisa risitë më të fundit të historiografisë kastriotiane nga turke, përbëhen veçse nga disa kronika.

Mbeten vetëm arkivat e shtetit dhe të atyre fuqive të kalibrit më të vogël, që nuk kanë patur relacione të drejtpërdrejta dhe konstante me Skënderbeun. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se në to nuk mund të gjesh asgjë. Në ato kohë, për shembull në Itali, shtetet e vogla autonome ishin të shumtë e, duke qenë të vegjël, qenë vazhdimisht ose të rrezikuar ose dyshimtarë për të qenë të rrezikuar; kësisoj përkujdeseshin shumë të mbaheshin vazhdimisht të informuar për çfarëdolloj ngjarje që kishte të bënte me ta ose me miqtë apo armiqtë e tyre. Ndaj, mund të ndodhë që arkivat e këtyre shteteve të vegjël t’i zhvillojnë kërkuesit lajme të papritura.

Ka për shembull disa lajme mbi disa fitore betejash të Skënderbeut, të njohura nëpërmjet biografive, por që nuk rezultojnë nga dokumente të plota të vërteta nëpër arkivat e përmendura më sipër, përveçse ndonjë copë letre konfindenciale në Arkivin e kështjellave të Milanos. Një arkiv i këtij lloji, që mund të rishikohet, duke u konsideruar si një prej arkivave të rangut të parë a të dytë, do të qe ai i Republikës së vjetër të Raguzës, që pati marrëdhënie të përzemërta e relacione të dendura me Skënderbeun, edhe pse lidhjet e tij me këtë Republikë nuk qenë si ato me Romën, me Venecian apo me Napolin.

Nëse marrim historinë për mësues të jetës e jo për t’u bërë mësues të historisë, nuk lipset të marrim aspak parasysh përpjekjet e disa projektuesve të mendësisë moderne mbi botën e Europës së atëhershme: Kjo tezë e stilizon idenë kombëtare në një mjegull hegeliane, duke e ngritur atë në qiell në njërën anë, e duke zbrazur prej saj jetën morale dhe shpirtnore, që vetëm feja e tradita historike e shekujve të tërë të historisë arrijnë t’ia japin. Ndjesia atdhetare është e vjetër, po aq sa shoqëria politike është e natyrshme për çdo njeri. Veçse, mendësia atdhetare nuk ka qenë gjithmonë njësoj në rrjedhën e historisë, ajo përshtatet sipas kohëve dhe rrethanave.

Ndaj, kush do të donte ta kuptonte vërtet karakterin dhe fizionominë e Gjergj Kastriotit si atdhetar, duhet ta vendoste atë pikërisht në atë fazë të mendësisë atdhetare që qe e tija.

Për këtë luftëtar, në gji të Europës ku ushtonte zëri i Evgjenit IV, i Kalistit III, i Piut II, ideali atdhetar s’mund të ishte tjetër veçse ai i moçmi dhe i përjetshmi i tokës së shqiptareve, pro aris et focis, e që më vonë do të ngrihej në kohët e pavarësisë, për atme dhe fe. Të tillë e aspak ndryshe na e dëftojnë atë letrat qe ai dërgoi në Romë e përhapi nëpër Europë, aktet e Papëve, zëri i përbashkët dhe i padyshimtë i jetëshkruesve të tij, bashkë me gjithë atë besim me të cilin e mbështeti Europa. Le ta shohim në këtë këndvështrim mënyrën se si ai u kthye në Ringjallësin e kombit.

Duke ekzaltuar atë kreni trimërore që është shkasi më i fortë i psikikës shqiptare, në kuptimin se Shqipëria ishte pararoja e Europës së krishterë kundra barbarit turk, duke rimëkëmbur tempujt me ndihmë të fetarëve martire, me shembull të përshpirtmërisë së vet Gjergj Kastrioti ringjalli fenë e lashtë të të parëve. Me ardhjen e Skënderbeut, menjëherë mbarë vendi i Shqipërisë, princërit dhe populli, qytetet dhe fiset malore, bizantinë, shqiptarë e latinë u bënë në një zjarrin e vetëm të dashurisë së Shqipërisë. Me fuqinë dhe zotësinë e vet luftarake, çdo vit e më ngadhënjyese, me ndihmat dhe bekimet e Papës, me atë sigurim të patrandur që ai i jepte për lavdinë qiellore, Gjergj Kastrioti arriti të ringjallë njëherësh edhe shpresën e Shqipërisë.

Fuqia e tij nuk ishte shpata por krahu, thotë gojëdhana. Nuk është vetëm shpata dhe krahu, mund të themi ne, por zemra dhe fuqia e tij shpirtërore e përlavduar nga dashuria për vendin e tij bekuar nga Zoti.

Por si vallë ndodhi kështu ?! Kërkon Papa ta kurorëzoje mbret, e kur gjithçka është gati, papa vdes duke shuar edhe misionin e tij jetësor. Tjetërkush do të ligështohej duke parë t’i shembej ideali, për të cilin kish punuar e lakmuar. Ai s’e merr ndore aspak e vazhdon si më parë, si prijës i thjeshtë. Gjendet Atdheu në nevojë. Kapedani krenar nis e merr rrugën për të shëtitur nëpër oborret e Italisë për të kërkuar ndihmë. Miq e gjini e tradhtojnë, gjakësorët i ngrenë pusi, ai mezi pret një shenjë pendimi të tyre dhe harron gjithçka.

I drejtë, si na e tregon historia bashkë me gojëdhanën, ndëshkon si të huajin ashtu dhe nipin apo kunatin, pa i hyrë askujt në hak. Urtia e shndrit në çdo hap: sundimin duke vdekur nuk e mbështet tek i biri, por dorës më të fortë të prijësve shqiptarë. Duke e përsiatur kështu fizionominë e këtij burri madhështor të shqiptareve, a duhet sot ta marrim si shembull, apo ta kemi si ideal?

Shembulli merret mbrapa pikë për pikë, ndërsa ideali vetëm deri aty ku mundet të arrije çdo njeri. Sot Shqipërinë e kemi, të bërë komb dikur prej Gjergj Kastriotit, por jo ashtu si e gjet e si e bëri ai në të njëjtën gjatësi vale me shpirtin e kohës, as në një Europë si në kohën e epopesë së tij të lavdishme.

Megjithatë, ka mjaft elemente që mund të përbejnë atdhetarin e sotëm, ashtu siç e përbënë në atë kohë e ashtu siç duhet ta përbëjnë deri në të ardhmen më të largët: dashuria për vendin dhe popullin, zotësia dhe dituria e lartësimit të ndjesive të tij më të shenjta e më thelbësore, si drejtësia, urtësia, besimi – siç e thotë dhe himni ynë- në atë dorë të Zotit, që i krijon kombet e s’i lë të humbasin, por mbi të gjitha shpirti i disiplinimit të sakrificës për të, pa një grimë ndërprerje, përgjatë gjithë jetës.

Këto e bëjnë – dje, sot e përgjithmonë Gjergj Kastriotin, si modelin e idealit të atdhetarit shqiptar, që duhet të ndiqet edhe sot, nga kushdo që pretendon një emërtim të tillë, qoftë përballë Shqipërisë e pavarësisë së saj reale, por sidomos përballë Europës dhe kauzave të përbashkëta për të gjithë popujt e saj, siç ishte atëherë e ashtuquajtura “çështja e Lindjes”, për të cilën aq shumë kontribuuan dhe flijuan veten gjenerata të tëra shqiptarësh me Skënderbeun në krye.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mazhoranca zgjedh sot kryeprokurorin e ri, ja kandidati favorit

Socialistët kanë thirrur sot seancën plenare për të votuar Prokurorin e Përkohshëm....
Read More
CLOSE
CLOSE