S’keni parë gjë akoma!

Nga Reshat Kripa – “S’keni parë gjë akoma”, foli kryeministri ynë para disa kohe. Natyrisht me këtë shprehje ai donte të thoshte se ndëshkimet dhe, si rrjedhojë, të mirat do të vijnë më prapa. Kështu gjykatësit apo prokurorët që ishin majmur në saje të detyrës së tyre do të dënoheshin dhe në vend do të mbretëronte shteti ligjor dhe i së drejtës. Po politikanët e korruptuar dhe biznesmenët që janë pasuruar brenda një nate a do të ndëshkohen vallë?

“S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeministri dhe ne presim dhe presim se kur do të vijë ajo ditë që ne të shohim se si hiqet e keqja nga gjiri i shoqërisë shqiptare.

Dëgjoj kryeministrin dhe menjëherë më del para syve pyetja:

  • Po për kthimin e pronave ish-pronarëve çfarë do të bëhet? Si do të veprohet?

Zhvillimi i ngjarjeve të këtyre 28 viteve të “sistemit demokratik” ka treguar se asnjëra palë nuk ka qenë e interesuar që prona të shkojë tek i zoti i ligjshëm. Në të kundërt ajo është gllabëruar nga njerëz të lidhur me pushtetin që me anën e asaj kanë arritur majat e pasurimit.

Më lejoni të tregoj disa shembuj personalë lidhur me këtë drejtim.

Para disa ditësh lexova në shtypin e përditshëm vendimin e qeverisë që kishte caktuar një fond prej 15 miliardë lekësh për kompensimin e 5000 pronarëve që u është njohur e drejta e kompensimit. Midis tyre ishte edhe emri i bashkëshortes sime, që përfitonte kompensim për një pronë të trashëguar nga i ati me një vleftë prej 71.634.061 lekësh. U interesuam pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe na thanë se po të jenë dakord të gjithë trashëgimtarët të marrin 20% të vleftës brenda vitit të ardhshëm, atëherë duhet të deklarojnë se heqin dorë nga pjesa tjetër e pasurisë.

“S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeministri. Çfarë do të shohim? Mos vallë grabitjen e 80% të pronës që kërkoni t’jua falim për ta gllabëruar bosët që sundojnë vendin? Por nuk përfundon këtu. Jo më vonë se data 16 gusht 2018 lexojmë në gazetën “Panorama” vendimin e qeverisë për shitjen e 1735 objekteve shtetërore. Në të shkruhet:

“Të drejtën për aplikim për fillimin e procedurës së privatizimit e kanë si qytetarët, biznesi dhe investitorët”.

Ndërsa në datën 17 po kjo gazetë shkruan:

“Vendimi parashikon që për pronat, të cilat do të nxirren në shitje dhe nuk do të ketë blerës, të kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve”.

“S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeministri. Përse zoti kryeministër këto prona nuk i shpërndani për kompensimin e ish-pronarëve por ua dhuroni biznesmenëve dhe investitorëve që kanë arritur majat dhe që praktikisht drejtojnë edhe shtetin shqiptar? Nuk e di nëse do të jeni në gjendje të përgjigjeni.

Le të shohim tani edhe dy çështje të tjera që burokracia shtetërore i ka zvarritur me vite.

Rasti i parë. Qysh në vitet 1993-1994 kemi dorëzuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mbi kthimin në natyrë, në emrin e babait tonë dhe xhaxhait, të një sipërfaqe trualli prej 1129 m2, brenda së cilës ndodhet një godinë prej 1025 m2. Më vonë janë dorëzuar aktet e trashëgimisë të të gjithë trashëgimtarëve që kishin ndërruar jetë dhe prona kaloi në pronësi të tyre. Për çdo trashëgimtar që ndërronte jetë është paraqitur akt-trashëgimia e tij dhe është marrë nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vërtetimi i pronësisë. Ky veprim u zhvillua edhe për shkak të ndërrimit të jetës së motrës tonë të fundit, duke dorëzuar më datën 13.07.2018 akt-trashëgiminë e saj. Por, çuditërisht në vend që të më vinte dokumenti i pronësisë si herët e tjera, më vjen një letër me numër protokolli 3468, ku, midis të tjerave thuhet:

“Për vazhdimin dhe trajtimin e praktikës tuaj, ju lutem na vini në dispozicion aktin ligjor të fitimit të pronësisë pasi nga verifikimi i dosjes tuaj mungon origjina e pronës”.

Qysh më datë 4 gusht 2018 u ktheva përgjigjen ku cilësoja se si ka mundësi që gjatë gjithë këtyre viteve kam dorëzuar aktet e trashëgimisë dhe për secilin prej tyre kam marrë vërtetimin e pronësisë ndërsa kësaj here nuk më jepet pasi gjoja mungoka origjina e pronës, logjika e do se ky akt duhet të ndodhet në zyrat e tyre dhe jo tek unë. Kanë kaluar 16 ditë dhe ende nuk ka mbërritur asnjë përgjigje. Kush të mundet le të më përgjigjet.

‘S’keni parë gjë akoma’, thotë kryeministri por deri kur?

Rasti i dytë. Me privatizim e tokave të ndërmarrjeve bujqësore, me aktin numër 21566 të marrjes në pronësi të tokës, lëshuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës, kemi përfituar një sipërfaqe prej 20.000 m2 ku ndodhen 200 rrënjë ullinj. Mirëpo, meqenëse nuk kishte sipërfaqe të lirë të kësaj madhësie, morëm dy parcela me sipërfaqe 12.070 m2 dhe 7.930 m2 që të dyja së bashku plotësojnë sipërfaqen e përfituar në akt.

Me daljen e vendimit të qeverisë për kalimin e këtij akti të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, u paraqita në zyrën përkatëse të bashkisë së qytetit të Vlorës. Pasi plotësova të gjithë dokumentet e kërkuara i dorëzova më datën 18 mars 2013. Bashkia dokumentet e dorëzuara nga unë, pasi i shqyrtoi ia kaloi zyrës së Këshillit të Qarkut e cila, pasi i shqyrtoi edhe ajo, ia dorëzoi zyrës së Prefekturës së Vlorës qysh në nëntor 2013. Duke filluar që nga kjo datë dhe deri më sot, kanë kaluar pese vjet dhe ende dokumentet nuk janë dorëzuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kam shkuar disa herë në Vlorë për këtë çështje, por nuk kam mundur të zgjidhë asgjë. Së fundi, në muajin qershor të këtij viti zyra e prefekturës më dorëzoi një shkresë me anën e së cilës duhet t’i drejtohem Gjykatës së Rrethit për zgjidhjen e çështjes. Dua t’i pyes nëpunësit e asaj zyre:

  • Mos vallë duheshin pesë vjet për të më kthyer këtë përgjigje? Po të

mundeni m’u përgjigjni. Shtoj se deri tani kam shpenzuar për këtë qëllim një shumë prej 200.000 lekësh. Përse?

“S’keni parë gjë akoma” thotë kryeministri. Çfarë do të shohim më zoti kryeministër? Mos vallë shtimin e anormalitetit të administratës shtetërore apo, ndoshta, ndonjë vendim që të gllabërohen të gjitha ato prona që kanë mbetur ende?

Po mundët përgjigjuni edhe për këtë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Si sot 107 vite më parë lindi Gonxhe, shqiptarja më e famshme e botës

Si sot 107 vite më parë në një familje shqiptare në Shkup...
Read More