“S’më la Rama të sqaroj: Teatri të ndërtohet vetëm nga shteti, jo me privat”

Projekti për godinën e Teatrit Kombëtar mbledh sërish aktorët, jo të gjithë, të aneksuar nga media, për të shprehur kundërshtinë e tyre për projektin e prezantuar javën që shkoi nga kryeministri Edi Rama. Ka qenë nismë personale e aktorit Robert Ndrenika për të folur mbi maketin danez të projektit të ri të teatrit, duke thënë me ironi se në Kryeministri “iu ndal fjala” dhe ky është rasti për të deklaruar e sqaruar publikisht se pa një projekt, që ngjante me një lojë fëmijësh; një projekt i propozuar nga Bujar Kapexhiu bën bashkë aktorët

Projekti për godinën e Teatrit Kombëtar mbledh sërish aktorët, jo të gjithë, të aneksuar nga media, për të shprehur kundërshtinë e tyre për projektin e prezantuar javën që shkoi nga kryeministri Edi Rama. Ka qenë nismë personale e aktorit Robert Ndrenika për të folur mbi maketin danez të projektit të ri të teatrit, duke thënë me ironi se në Kryeministri “iu ndal fjala”, dhe ky është rasti për të deklaruar e sqaruar publikisht se pa një projekt, që ngjante me një lojë fëmijësh. Ai është shprehur se është absolutisht kundra jo vetëm të projektit, por edhe mënyrës koncesionare të ndërtimit me partneritet publik-privat, duke folur dhe për variantin më të ri që është shfaqur këto ditë në rrjetin social të karikaturistit Bujar Kapexhiu. Aktori ka thënë se teatri duhet të ndërtohet vetëm nga shteti, me paratë e taksapaguesve.

Fjala e plotë e Ndrenikës: “Punojnë këto mikrofonat, se në kryeministri pa dashje m’i hoqën. Dua të sqaroj disa gjëra që atje, në kryeministri pa dashje m’i hoqën, edhe kameran edhe mikrofonat, dhe dua të them që unë për projektin që u paraqit atje, nga danezi në përgjithësi më pëlqeu. E kam thënë edhe te zyra e Veliajt, se më ka pëlqyer ai variant, por në hollësi nuk e di. Kërkova maketin, por ajo që më paraqitën ishte një lojë kalamajsh. Nuk mund të gjykoja mbi të. Kam pretendime sidomos për sa i përket sallave, se skenës po e po. Njerëzit e teatrit kanë parë dhe i dinë këto gjëra. Por, ajo që më shqetësoi atje ishte e ashtuquajturi partneritet privat, që unë personalisht jam kundërta këtij, për arsye se jam i bindur dhe nuk ma luan nga mendja perëndia, që teatri është një objekt që duhet ta bëjë shteti me paret e taksapaguesve. Jam i bindur që duhet ta bëjë shteti. Në çdo vend edhe në Maqedoni, shteti e bën jo vetëm për maqedonasit por edhe për shqiptarët. Më paraqiti zoti Kapexhiu një pamje të re të teatrit, dhe më pëlqeu. Ka variante sa të duash, ka variante që mund të marrin të gjithë tokën e teatrit ku përveç shtatë apo tetë kullave që duan të bëjnë le të bëjnë dhe tre apo katër tek trualli i teatrit, dhe le të na japin sheshin te vëllezërit Frashëri. Ai rri bosh aty. Aty le të bëhet një teatër i mirë. Ka variante. Këtë kam diskutuar në Kryeministri. Gjithë shtypi thonë se partneriteti privat është në interes të privatit, jo të teatrit, për të fituar ata. Prandaj jam absolutisht kundra”.

Ndërkohë, Arben Derhemi tha se një projekt i realizuar nga regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu është më ambicioz dhe i pranueshëm nga artistët. “U prezantua projekti nga danezi, ne sjellim projektin e shqiptarit (Kapexhiut)”, -tha aktori Arben Derhemi.

Pak ditë më parë, Kapexhiu është shprehur për herë të parë në rrjetin e tij social, në Facebook, kundër shembjes së teatrit, duke propozuar një projekt të ri, duke shtuar një godinë, krahas dy të tjerave, për të krijuar një hapësirë me një kompleks teatror.

Ndërsa dje Kapexhiu tha: “Ka dy gjëra kryesore që duhen diskutuar, jo për projekte teatrosh, e rëndësishmja është kjo: Do ndërtohet një teatër i ri? Shumë bukur. Por ky teatër i ri ku do ndërtohet? Dhe në qoftë se do ndërtohet këtu ku janë dy teatrot e vjetra, po i quajmë kështu, atëherë këto të dy, do prishen apo do qëndrojnë? Pra do të rrafshohen dy teatrot dhe do të ndërtohet një teatër i ri apo ky teatër i ri do ndërtohet së bashku me rikonstruksionin e këtyre dy teatrove? Sot nga eksperienca botërore, kudo që të shkoni do të shikoni se godinat e vjetra nuk shemben por i qëndron e gjithë fasada anësore dhe ndoshta gërryhet nga brenda dhe bëhet një konstruksion i brendshëm, por anësoret gjithmonë qëndrojnë. Ju keni një shembull këtu shumë të bukur: Ishte banka, pse nuk u shemb banka? Për kërkesat që kishte ajo u shtua dhe u shtua me të njëjtin stil dhe është shumë bukur. Unë dhe miq të tjerë kemi menduar që këto të dy të mos shemben, le të mos hyjmë në vlera historike e të tjera, por do të themi këto të dyja a janë në të vërtetë vlera historike, të qëndrojnë dhe midis këtyre të dyjave të cilat do rikonstruktohen dhe mund të rikonstruktohen, të bëhen fare mirë, midis tyre të bëhet një godinë e këtij stili apo një stil modern, klasik apo neoklasik, këtë do ta zgjidhin arkitektët. Ajo godinë që do të ndërtohet midis këtyre të dyjave dhe do ti lidhë këto të dyja së bashku dhe aty duhet të ndërtohen mjediset qe i mungojnë këtyre dy teatrove…Këtë godinë të projektuar nga një arkitekt danez, padyshim arkitekturë moderne, shumë e bukur dhe shumë interesante, si kuti. Problemi është që arkitektura, urbanistika që janë probleme që i dinë shumë më mirë të tjerat sesa unë por me sa kemi dëgjuar godinat nuk duhet të jenë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra”.

Por më në fund me dekonspirimin e projektit të kullave, dhe nën to, ndërtimi i teatrit të ri kombëtar ka hasur sërish pengesa. Aktorët pothuaj në një zë nuk e duan, jo projektin por rrudhjen e hapësirave të Teatrit. Sindikata e Artistëve të skenës dhe ekranit është nga zërat konsistentë që vazhdon kundërshtimin, por ende pa marrë qoftë edhe një takim të drejtpërdrejtë me zyrat e shtetit, pothuaj e shpërfillur. Në këto kushte, Teatri është bërë si një lojë kungulleshkash, ku nuk i gjendet infiniti i zgjidhjes derisa ndonjë ditë do shihen ruspat duke e sheshuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Shpërthimi” i ambasadorit Lu për agjendën gay tregon diçka tjetër

Nga Fitim Zekthi Kultura është themeli mbi të cilin ndërtohet sjellja dhe...
Read More