Sokol Çunga; Lasgushi, Mitrushi dhe Bibla

 

Megjithëse heziton të bëjë rekomandime -pasi edhe uria për letërsinë vjen sipas shijeve -arkivisti, bizantologu dhe studiuesi këshillon jo pak, por çdo rresht të shkruar nga  Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli e çdo varg  i Biblës.

Edhe nëse do të ndodhte një përmbytje si ajo e shkruar në Dhiatën e Vjetër, në Arkën e Noes do të merrte me vete po të njëjtët…Sokol Çunga rrëfen udhëtimin e tij me librat, prej abetares deri te Kodikët e epokës Bizantine e madje bën edhe një thirrje për një libër me autograf që dikush ia ka marrë e nuk ia ka kthyer më…

Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Teksti: Epi i Gilgameshit. Objekti: Metodë e mësimit të greqishtes për arabët e Palestinës, Jeruzalem, 1880.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Kur janë libra pune, nga zhanri. Kur janë letërsi, edhe nga autori, edhe nga zhanri.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Librat po, por seritë e periodikëve, ende po i lexoj.

Libri i parë që keni lexuar…

Si të gjithë, Abetarja dhe Leximi. Pas këtyre, “Aventurat e Çufos”.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Një libër nga seria “Yje të pashuar”, dikur më 1988-89.

Me kë i keni ndarë librat?

Me këdo që m’i ka kërkuar: miq, kolegë, të panjohur. Ca herë i kam marrë pas.

A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Qysh prej 20 viteve.

A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Kam shkuar dhe vazhdoj të shkoj, në varësi të nevojës. Pezhishka e kudondodhur (world-wide web) krijon shumë lehtësira.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Po, e kam bërë. Fjalor anglisht-shqip.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po. Vallja e yjeve e Poradecit, botimi i parë, redaktuar nga Mitrush Kuteli.

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë, nuk u besoni shumë shijeve të të tjerëve? 

Kur jam unë që e zgjedh librin, funksionon më mirë dhe e vlerësoj më shumë.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Në tryezë, karrige apo në divan, kolltuk, shtrirë. Me kusht që të mos ketë zhurma akute përreth.

A lexoni në banjë?

Kush nuk lexon në banjë, nuk lexon.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Greqisht, anglisht.

Ç’libër keni në duar aktualisht?

Disa, libra studimorë. Për shah me mendjen, “Kulla e sahatit” nga Ardian Vehbiu.

Mbani shënime kur lexoni?

Në varësi të librit. Për librat e profesionit, po. Kur lexoj letërsi, jo. Çfarë nuk më ngulet në mendje, nuk meriton ta shënoj. Përjashtim është përmbledhja e poezive të Lasgush Poradecit.

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor të preferuar, lexoni gjithçka të tij apo të saj?

Nuk bëj dallime dhe nuk fiksohem pas një autori. Lexoj në varësi të oreksit.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Rekomandimet e librave janë si menuja në restorant, apo si lista e verërave në kantinë. Jo çdo stomak tret njësoj, jo çdo kokë nuk tronditet nga vera. Sidoqoftë, këshilloj çdo rresht të Lasgush Poradecit, çdo rresht të Mitrush Kutelit, çdo rresht të Biblës. Jo domosdo për arsye patriotike, përkatësi krahinore apo fetare. Flasim për libra, apo jo?

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Çdo libër është Libri Total. Po të mbledhësh atë që ka dhe pastaj të përfytyrosh atë që nuk ka, del totali. Në fund të fundit, libri këtë qëllim ka.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Ndoshta më mirë 3 njerëz?! Mbetem tek treshja që këshillova më sipër: Lasgushi, Mitrushi, Bibla.

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

“Libri është një qenie e gjallë, që mban brenda shpirtra njerëzish të njohur a të panjohur, të cilët na flasin sa herë që e hapim”. Është një kolofon (tubë vargjesh përmbyllëse) nga dorëshkrimet bizantine. Vlen edhe për librin modern.

Na thoni një varg të preferuar poezie…

Bonus një strofë:

“Ti po vjen që prej së largu, magji-plotë e dal-ngadal.

Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lëndina.

Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trëndelina,

Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.”

Poradeci (e mbaj mend përmendësh, nuk e kopjova).

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Tashmë nuk i veçoj më. Më herët ka qenë Gjerasimi tek “Mumu” i Turgenievit, kapiteni Hateras i Xhyl Vernit, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel i Gaqo Bushakës.

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Autografi i shkrimtarit britanik Clive Sinclair, i cili, pasi më tërhoqi vëmendjen pse nuk e kisha lajmëruar kur botova të përkthyer një nga tregimet e tij, më dërgoi një libër të vetin. Tani që kujtohem, atë libër nuk e kam më. Dikujt ia huazova, dhe nuk e mbaj mend kujt… Të lutem, ti që ke “The Lady with the laptop” të Clive Sinclair me dedikim për mua, më jep një fotokopje, të paktën!

Shkruar Nga
More from Redaksia

A mund të kemi një sjellje të PS dhe PD ndryshe nga kjo e sotmja?

Nga Fitim Zekthi - Është e pamundur të mos e çosh mendjen te...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.

CLOSE
CLOSE