Sokoli: Pse iu riktheva studimeve në moshën 50 vjeç

Shkolla e Studimeve Master në UET organizoi javën e orientimit me studentët e saporegjistruar në programet master, ku përveç studentëve të rinj që vijonin ciklin nga Bachelori kishte dhe shumë studentë me eksperiencë të gjatë profesionale, drejtorë kompanish etj., që iu riktheheshin studimeve për një master të ri

Artur Sokoli është drejtor ekzekutiv i “Event Stories” që prej vitit 2011. Ai njihet në qytet si menaxher i vjetër reklamash në gazeta, ku ka nisur punën që në vitin 1996, kur profesioni i marketingut ishte për të dhe për shoqërinë shqiptare krejtësisht i panjohur.

Sokoli në moshën 50-vjeçare, pasi shënon në CV-në e tij një karrierë të gjatë në marketing dhe në shkollimin e tij, rikthehet për të bërë një master të ri në Universitetin Europian të Tiranës.

Emërtimi “Menaxhimi i korporatave” që ka ky master e nxiti të marrë një vendim të menjëhershëm që t’i rikthehet shkollës me entuziazëm dhe pse ndonjë mik do t’i thoshte: “po ç’të duhet një shkollë tjetër ty?”.

Ai e ka përgjigjen dhe për këtë dhe e ka bindëse: Unë nuk jam kurrë vonë, një parim i filozofisë greke si u bëre i mençur është; Duke mos patur turp të pyes për gjëra që nuk di dhe detyra është se njeriu ka gjithmonë nevojë për të sistemuar përvojat dhe eksperiencat e veta. Kur dëgjova në një bisedë me miken time Ketin, më tha që UET ka një nga degët e masterave profesionalë, Qeverisjen e Korporatave, kam kërkuar në sekondë të kontaktoj me drejtoreshën e programeve master dhe pas 10 minutash kam qenë 100 % i bindur që do ta vazhdoja këto studime. Për më tepër që pas një bisede me të kisha një ide më të qartë, jo vetëm për programin të masterit profesional, por dhe masterit ekzekutiv për të cilin UET pret të licencohet. Dhe unë do jem studenti i parë që do ta ndjek atë.

Por marrëdhënia e tij me UET-in është e veçantë, pasi përveçse ka zgjedhur të jetë një student, ai është ftuar që të jetë edhe lektor në programet e marketingut për shkak të eksperiencës së gjatë në këtë fushë.

“Unë zotin Sokoli e kam ftuar si lektor në kuadër të bashkëpunimit që UET ka me shumë kompani, ku CEO të ndryshëm ftohen të japin leksione praktike për studentët e masterit. Është kënaqësi që do ta kem edhe student, edhe koleg në një farë mënyre”, thotë dr. Orkida Ilollari, Drejtoreshë e Programeve Master.

Para këtij masteri ai ka bërë dje një specializim për media menager në Southern Illinois University në USA.

Eksperienca e jetës dhe rastësia e lidhjes së tij me Marketingun, ku ka shkëlqyer më pas si menaxher, do të jetë shumë interesante për studentët. “Unë kam mbaruar në vitin 1991 në Universitetin e Tiranës, dega Gjeodezi, inxhinier gjeodeg. Punova në vitet e para si inxhinier topograf dhe pastaj që nga viti ’96 largohem dhe i futem marketingut. Marketingun e kam zbuluar krejt rastësisht në një kafe me gazetarin Jani Duri, i cili është personi që më ka ndryshuar jetën. I them mikut tim Duro se jam mërzitur se më nxorën në asistencë, mendo isha një baba dhe papritur mbeta pa punë. Ai më thotë pse nuk bëhesh menaxher reklame. Nuk e kisha hasur as si koncept. Ai më tha ti e bën këtë sepse ti je shumë bindës kur flet. Dhe kjo më bëri të besoj te vetja që mund ta bëja. Dhe pas një jave faqja e fundit e gazetës së tij “E panjohura” ishte plot me reklama”, tregon ai momentin se si i ka hyrë kësaj karriere.

Sokoli ka punuar te Gazeta Shqiptare si menaxher i reklamave, te gazeta Metropol dhe së fundmi si drejtor i një agjencie që ka klientë kryesorë Telekom.

Si Sokoli ka disa drejtues të tjerë kompanish që i ka besuar një shkollimi të dytë për veten dhe kanë zgjedhur të studiojnë në shkollën Master në UET, ku shikon nga studentë 22-vjeçarë deri në 50-vjeçarë.

Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në bankat e shkollës dhe për të “sistemuar përvojat e jetës”, siç do të thoshte Sokoli.

Masteri, si të përmirësosh karrierën tënde

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Ardian Civici gjatë fjalës së mbajtur për t’i uruar mirëseardhjen studentëve të rinj në Master nënvijëzoi rëndësinë e masterit, si një “mjet” për të thelluar nivelin e profesionalizimit:

“Unë nuk besoj se ju keni vendosur të bëni një master thjesht për t’i shtuar një spaletë më tepër formimit tuaj akademik apo profesional. Besoj se gjithsecili prej jush ka vendosur të ndjekë një cikël masteri ose në funksion të vendit të punës dhe profesionit që ka, në mënyrë që ta përsosë atë, ose si vazhdim i ciklit të dytë të masterit shkencor duke i hapur në këtë mënyrë vetes edhe një perspektivë më tepër”.

Prof. dr. Adrian Civici është shprehur gjithashtu se të gjithë studentët të cilët kanë zgjedhur UET për të vazhduar studimet e tyre, do të gjejnë në këtë universitet cilësinë e kërkuar jo vetëm nga ata por edhe nga tregu i punës.

“Në UET do të gjeni një master që përpiqet të përputhet sa më mirë me gjithë zhvillimet që kemi ne sot për t’ju përgjigjur edhe fjalës ‘master’ që do të thotë mjeshtërim, pra për t’u mjeshtëruar, për t’u profesionalizuar sa më mirë në ato segmente të tregut të punës, së institucioneve apo aktiviteteve ku ju jeni të angazhuar”.

Ndërkohë drejtoresha e Programeve Master, Orkida Ilollari, e cila ka asistuar pjesën më të madhe të studentëve të rinj në përzgjedhjen e programit të studimit, është shprehur në lidhje me dinamikën e studentëve të regjistruar në këtë cikël studimi.

“Të gjithë këta student nuk janë studentë të cilët kërkojnë thjeshtë një spaletë apo diplomë për ta pajisur CV-në e tyre por janë pikërisht ata studentë kërkues të cilët kërkojnë shumë nga vetja e tyre pasi janë ambiciozë në tregun e punës dhe ndoshta kërkojnë edhe një karrierë më të guximshme. Këtu ka një varg moshash të ndryshme, duke filluar që nga mosha 22-23 të cilët kanë mbaruar Bachelor dhe kanë vazhduar studimet master dhe ka edhe mosha më të mëdha të cilët kërkojnë të t’iu rikthen studimeve”.

Studentët e rinj njihen me universitetin 

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka për studentët e vitit të parë orientimi i tyre për programet, pedagogët, njohjen e ambienteve, rregullave dhe gjithçka ka lidhje me atë që do të përballen gjatë 3 viteve të ardhshme, Universiteti Europian i Tiranës zhvillon çdo vit në fillim të Tetorit Javën Orientuese. Java Orientuese për të gjitha fakultetet nisi sot me synimin për ta bërë sa më komod dhe të thjeshtë nisjen e vitit akademik për të rinjtë që kanë për herë të parë universitet dhe në UET.

Para studentëve të çdo dege folën dekanët, shefat e departamentit, rektori prof. dr. Tonin Gjuraj, presidenti, prof. dr. Adrian Civici dhe drejtues të tjerë administrativë, si sekretarja e Përgjithshme Holta Heba dhe Dekania e Studentëve Anisa Subashi.

Ata vunë në dukje se studenti është në qendër të vëmendjes në UET, jo vetëm për mësimdhënien, por dhe për çdo problem të tyre akademik ose dhe personal dyert e stafit dhe pedagogëve do të jenë të hapura. Për të qenë pranë çdo studenti në raste të nevojës për këshillim është dhe psikologia Fleura Shkëmbi, e cila u ofron asistencë.

“Po të shohim nr. e studentëve në UET, që kur ne jemi themeluar në 2006 deri në këtë moment, pra është viti i 11-të, ka një rritje të numrit të studentëve në programet e studimit. Dhe për këtë ka qenë edhe reputacioni, imazhi, programet tona që janë bashkëkohore, pedagogët, literaturën që ne përdorim, tekstet bazë që përditësohen vazhdimisht etj. Nëse që në ditët e para vëreni diçka që nuk shkon ose që nuk e kuptoni mos hezitoni të vini, në çdo kohë”, -iu tha prof. dr. Tonin Gjuraj studentëve, duke i orientuar dhe për gjithë marrëdhënien që kanë me universitetin gjatë shkollës.

Dekania e Fakultetit Juridik Eriona Canaj u tha studentëve se Fakulteti Juridik ka programe studimi bashkëkohore, ka pedagogë shumë të mirë me eksperiencë, pedagogë të cilët kanë përfunduar studimet e tyre në universitetet më të mira të Europës Perëndimore dhe kurrikula bashkëkohore.

“Fakulteti Juridik është i përbërë nga dy departamente dhe një qendër kërkimore. Është departamenti i Të Drejtës Publike, departament i cili përgatit studentët në të drejtën publike, në të drejtën kushtetuese, administrative, penale, procedurë penale. Pra, janë disa lëndë që përgatisin studentët në fushën e të drejtës publike. Ndërsa departamenti E Drejtë Private përgatit studentët në lëndë të tjera, fusha, që janë e drejtë civile, e drejtë e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë e punës, e drejta tregtare, pra janë disa lëndë që janë specifike dhe janë në këtë departament”, -tha ndër të tjera ajo.

Dekani i Shkencave Sociale dhe të Edukimit, prof. dr. Ferit Duka po ashtu prezantoi këtë fakultet, kurrikulat dhe pedagogët më të njohur që japin mësim aty.

“UET është një universitet ku diploma fitohet me punë, ku diploma merret me lodhje gjatë orëve të studimit, prandaj unë kam një sugjerim edhe në cilësinë e dekanit, pedagogut por edhe të prindit, që nga minuta e parë e fillimit të shkollës, deri në të fundit ju lutem mësoni sa më shumë, përgatituni sa më shumë, në mënyrë që të merrni një diplomë solide dhe ju të keni nesër akses të lehtë në tregun e punës”, u shpreh profesor Duka.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A po kërkon ndihmë Edi Rama te Partia Socialiste e vjetër?

Nga Ervis Iljazaj Ilir Zela është zgjedhur nga Parlamenti Kryetar i AKEP-it....
Read More