Sot afati i fundit për koalicionin, Rama–Meta pa vendim

rama-meta_2016_06_24_22_0Përfundon sot në mbrëmje afati për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. LSI nuk ka pranuar të firmosë për t’u regjistruar si koalicion me PS-në. Socialistët në dilemë nëse duhet të paraqesin kërkesën sot apo jo. Hidhet varianti i shtyrjes së afatit deri në 2 maj.

Skadon sot në mbrëmje afati i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por me shumë mundësi, si asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare, brenda këtij afati ligjor nuk do të kemi asnjë koalicion të regjistruar që të garojë për zgjedhjet e përgjithshme. Përveç forcave të djathta që nuk janë regjistruar fare si subjekte zgjedhore, as të majtët nuk janë gati të konfirmojnë koalicionin e tyre elektoral. Kjo për vetë faktin se Partia Socialiste nuk ka mundur dot të bindë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet që të hedhin firmën për të qenë pjesë e këtij koalicioni për zgjedhjet e ardhshme. Ndaj për këtë arsye socialistët kanë qenë në dilemë dje nëse duhet të paraqiten sot në KQZ dhe të depozitojnë kërkesën për regjistrimin e koalicionit të tyre me partitë e tjera të vogla që kanë pranuar të jenë sërish bashkë me të në një formacion elektoral. Kjo pasi në rast se do të paraqitet sot për të regjistruar koalicionin e vet, socialistët do të pranonin faktin se aleanca me LSI dhe PDIU është prishur. Por nga ana tjetër, socialistët në rast se nuk do ta ndërmarrin këtë hap brenda ditës së sotme atëherë ata do të pranojnë nga ana tjetër se do ketë një zgjidhje politike e cila mund të pranonte edhe shkeljen e afateve ligjore për të bërë të mundur regjistrimin e partive si subjekte zgjedhore dhe më pas edhe të koalicioneve.

Kodi

Neni 65 pika 1 e Kodit Zgjedhor përcakton se “dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Pra, ky nen për të regjistruar koalicionet kërkon së pari, që forcat politike që duan të konkurrojnë në zgjedhje të jenë regjistruar më parë si subjekte zgjedhore dhe së dyti, përcakton si afat të fundit që kjo mund të bëhet jo më vonë se 60 ditë nga ata e zgjedhjeve. Sa i përket kërkesës së parë, dihet tashmë se në KQZ janë regjistruar si subjekte zgjedhore afro 46 parti, kryesisht të majta, por edhe disa parti të tjera të vogla të djathta. Por nuk ka pranuar ta bëjnë këtë forcat politike të djathta që përbëjnë opozitën kryesore në vend, përfshi këtu edhe Partinë Demokratike. Ndaj në këto kushte të vetmet parti që kanë mundësi që të paraqiten dhe regjistrohen si një koalicion në këto zgjedhje e kanë partitë e majtë, përfshi këtu PS-në, LSI-në, PDIU-në e shumë forca të tjera të dorës së dytë ose të tretë. Por duket se as të majtët nuk janë të gatshëm që të vijojnë këtë proces në mënyrë të njëanshme. Kjo për vetë faktin se përveç mosregjistrimit të opozitës në këto zgjedhje, PS në rast se do të ndërmarrë një veprim të njëanshëm për të shkuar në zgjedhje me çdo kusht do të humbasë edhe dy aleatët e saj më të mëdhenj, me të cilët bashkëqeveris vendin prej afro 4 vjetësh, pra LSI-në dhe PDIU-në. Burime nga PS kanë bërë të ditur se LSI dhe PDIU nuk kanë pranuar deri dje në mbrëmje që të firmosin praninë e tyre në këtë koalicion. Dhe për këtë ata e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se kjo do të ishte e parëndësishme dhe pa asnjë vlerë në rast se më parë do të gjendej një zgjidhje për të rikthyer opozitën në zgjedhje. Madje LSI ka qenë e qartë kur pak javë më parë me anë të kryetarit të saj do të deklaronte se nuk do të bëhej pjesë e një palë zgjedhjeve që sipas saj pa opozitën do të ishin një farsë. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje të saktë për këtë çështje, ndërsa për disa herë me radhë iu shmang pyetjeve të gazetarëve. Ai do të theksonte se më e rëndësishme ishte zgjidhja e krizës dhe zhvillimi i zgjedhjeve me opozitën. “Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka mazhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si mazhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndësishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje”, – u shpreh Luan Rama për gazetarët. Madje ai do të theksonte se ka ardhur koha e përgjegjësisë politike dhe e arsyetimit nga partitë kryesore mbi bazën e prioritetit që merr interesi i vendit. Për këtë ai iu ka bërë thirrje atyre që të ulen sa më shpejt në tryezën e dialogut dhe për të zhbllokuar ngërçin politik dhe institucional. “LSI e ka bërë të qartë dhe ju mos prisni që unë të them sot, sepse nuk do ta dëgjoni asnjëherë, që interesi i LSI-së apo interesi i koalicionit është më i rëndësishëm se sa interesi i Shqipërisë. Është imperativ, është urgjent, është e rëndësishme ulja në tryezën e dialogut dhe gjetja e zgjidhjes për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë”, – theksoi Luan Rama. Ndaj në këto kushte PS ka vendosur që të presë sot deri në orët e fundit kur skadon ky afat, ndërsa vetë KQZ ka konfirmuar dje se nuk ka asnjë vendim për shtyrjen e tij. Gjithsesi burime nga PS kanë bërë të ditur se edhe gjatë ditës së djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes është punuar që të konfigurohet koalicioni me pjesën tjetër të partive politike që kanë pranuar deri më tani të jenë bashkë me të në zgjedhje. Ndërkohë që të njëjtat burime kanë bërë të ditur se nuk është vendosur ende nëse kjo listë partish do t’i paraqitet sot KQZ-së për regjistrim apo jo. Për këtë çështje në PS ka patur dy alternativa, ku njëra ka theksuar se është i domosdoshëm regjistrimi brenda ditës së sotme edhe pa LSI-në, ndërsa një alternativë tjetër ka këmbëngulur që kjo të mos bëhej, duke i lënë mundësi politikës që të gjejë zgjidhje për situatën. Natyrisht në rast se do të ndiqej rruga e parë, pra regjistrimi gjatë ditës së sotme kjo do të thoshte që PS përfundimisht do të humbiste dy aleatët e saj kryesorë në qeverisje, ndërsa do të mbetej vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por në rast se do të ndjekë rrugën e dytë, natyrisht PS do të pranojë se afatet ligjore janë shkelur dhe për t’i rivendosur ato në kuadrin ligjor do të duhet me patjetër një marrëveshje politike me opozitën.

Shtyrja

Por për t’i dhënë kohë politikës që të gjejë një zgjidhje nuk kanë munguar dje edhe interpretime të tjera të ndryshme të Kodit Zgjedhor sa iu përket afateve të regjistrimit. Kështu, një prej këtyre interpretimeve është edhe ai për shtyrjen e datës së regjistrimit të koalicioneve deri në 2 Maj, kur edhe është afati i fundit i regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve për deputetë. Një prej këtyre politikanëve që ka mbështetur këtë alternativë ka qenë edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili duke folur gjatë një emisioni televiziv do të shprehej se ka kohë për regjistrimin e koalicioneve deri në maj, duke e lidhur këtë akt me paraqitjen e listave të kandidatëve. Natyrisht që kjo do të ishte një sforco shumë e madhe interpretimi, pasi juristë dhe njohës të ligjit zgjedhor kanë theksuar se kjo është e pamundur të ndodh me këtë Kod. Natyrisht një mundësi tjetër është që në rast se PS nuk e paraqet sot koalicionin e saj, atëherë ajo mund të dalë e vetme në zgjedhje pa koalicion, ku të njëjtën mundësi e kanë pastaj edhe LSI e PDIU, si dhe gjithë forcat e tjera që janë regjistruar tashmë në KQZ.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zgjedhjet pa opozitën janë kundër të gjithëve, edhe kundër PS dhe Ramës

Nga Fitim Zekthi Kriza politike ndonëse shumë e madhe dhe e rrezikshme...
Read More