Sot takimi Trump-Putin, presidenti i SHBA: Nuk do ndodhë gjë e keqe

President Donald Trump tha të dielën se nuk ka pritshmëri të madhe nga takimi që do të ketë të hënën në Helsinki me Presidentin rus Vladimir Putin. Këto komente ai i bëri në një intervistë që dha për televizionin CBS News. Presidenti amerikan nuk tha se cilat janë synimet e takimit të parë me zotin Putin, por premtoi se “nuk ka për të ndodhur asnjë e keqe” nga takimi.

Të dy udhëheqësit kanë patur rastin të bisedojnë më parë gjatë takimeve ndërkombëtare. “Mendoj se është mirë të takohemi. Unë besoj në takimet. Takimet me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut janë një zhvillim i mirë. Asnjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi”- tha Trump.

Para takimit me zotin Putin, presidenti amerikan qëndroi dy ditë në klubin e tij privat në Turnberry të Skocisë, ku e kaloi kohën me “takime, telefonata dhe pak golf, – siç shkroi ai në një tweet. Hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 është një çështje që e ndërlikon takimin mes dy udhëheqësve. Të premten Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Disa senatorë demokratë i kërkuan Presidentit ta anulonte takimin me zotin Putin, në se nuk e bën sulmin rus ndaj zgjedhjeve amerikane çështjen kryesore të diskutimeve. Këtë qëndrim të demokratëve e mbështeti edhe senatori republikan John McCain.

Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk ka shanse që takimi të anulohet. Të dy udhëheqësit, sipas burimeve diplomatike, para bisedimeve ku do të përfshihen edhe ndihmësit e tyre, do të takohen kokë më kokë për 30 minuta, deri në një orë, vetëm në praninë e përkthyesve./voa

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përplasjet në Himarë, miratohet plani rregullues nën mbrojtjen e FNSH

Në mbledhjen e këshillit bashkiak të mbajtur në Kuç, këshilltarët e PS,...
Read More