Sovranistët pa sovran

Nga Ervis Iljazaj

Përtej debateve të shumta për sa i përket krizës politike aktuale, një vend të rëndësishëm ka zënë dhe roli i ndërkombëtarëve në punët e brendshme të Shqipërisë. Ka nga ata që anatemojnë qëndrimet e tyre deri në afera personale. Një sulm i paprecedent kundër tyre ka ardhur nga ana e opozitës. Si kurrë më parë nuk është vënë në diskutim roli i tyre.

Absurditeti më i madh që ekziston në këto debate është fakti se shumë prej tyre kujtojnë se politika e jashtme apo gjeopolitika bëhet në varësi të ideologjive politike apo nëpërmjet bindjeve personale të çdo përfaqësuesi të huaj në Tiranë apo të dërguarve të posaçëm nga kancelaritë më të rëndësishme perëndimore.

Karta antisorosiane që po luan opozita sot, me shpresën se Trump do t’i dëgjojë ndonjë ditë ulërimat e saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka ngelur e vetmja shpresë që të shpëtojë marrëdhëniet e saj me perëndimin. Kjo është një tentativë e dëshpëruar për të mbajtur gjallë shpresat e revolucionit që nuk duket askund në horizont, këto marrëdhënie të cilat janë vënë realisht në diskutim. Jo vetëm kaq, por të gjitha këto qëndrime armiqësore ndaj selive të huaja vetëm për faktin se nuk po legjitimojnë ultimatumet e opozitës, po cenon marrëdhëniet edhe me Shqipërinë.

Opozita me qëndrimet e saj kundër tyre po ndërmerr një aventurë të rrezikshme të rrezikshme. Pretendon se ka fuqinë politike dhe në emër të popullit shqiptar shprehet kundër tyre. Nuk ka asnjërën dhe as tjetrën.

Ndërkohë, që në të gjitha sondazhet e zhvilluara deri më tani, 95 % e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në Bashkimin Europian. Atëherë, në emër të cilit popull degradojnë sulmet ndaj përfaqësuesve të BE-së në këtë farë feje?!

Këto sulme arrijnë deri në atë pikë sa ne, një vend tepër i vogël dhe fare i parëndësishëm në të gjitha zhvillimet ndërkombëtare, arrijmë deri atje sa të gjykojmë ecurinë e Bashkimit Europian deri më tani. Ka nga ato mendime që qarkullojnë rëndomtë në mediat shqiptare, ku nuk pranohen qëndrimet e tyre për faktin se Europa në këtë moment i ka keq punët për vete. Çfarë absurditeti!! A thua se Europa është duke na kërkuar ne dhe jo anasjelltas.

Ndër të tjera, përfaqësuesit e diplomacisë perëndimore janë persona juridikë dhe jo fizikë. Ky është një dallim i madh. Emrin mund ta kenë çfarëdo, ndoshta edhe të vështirë për t’u shqipëruar për shkak të origjinës, por qëndrimet e tyre kanë gjithmonë vulën zyrtare të shtetit apo institucioneve që përfaqësojnë. Kush nuk kupton këtë gjë elementare, nuk ka kuptuar asgjë nga politika e jashtme e fuqive të mëdha botërore.

Të gjithë zërat kritikë ndaj qëndrimeve perëndimore kohët e fundit, mund të quhen ndryshe zëra sovranistë. Por ama, sovraniteti i Shqipërisë që kur kanë filluar proceset e integrimit euroatlantik, ka reshtur së qeni i plotë. Këtë duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë. Kjo është rruga që kemi zgjedhur. Andaj, qëndrimet e BE apo të SHBA nuk janë aspak fakultative. Janë të detyrueshme. Kush mendon të kundërtën nuk ka kuptuar asgjë nga Bashkimi Europian në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kërkon të mbajë Shqipërinë një ishull të izoluar, por sovran.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çështja Çako, shpërthen lufta qeveri-prokurori-gjyqësor

Kryeministri Edi Rama dhe ministri Saimir Tahiri e konsiderojnë gjyqtarin Arjan Aliaj,...
Read More