Sovraniteti i interesave



Eugjen MerlikaInteresi i flet të gjitha gjuhët dhe reciton të gjitha rolet, edhe atë të të dizinteresuarit”- La Rochefoucauld

Nga Eugjen Merlika*

Aktivizimi i ambasadorëve të SHBA-së dhe BE në Shqipëri, kohët e fundit, është vënë në tehun e kritikës së disa politikanëve e  gazetarëve në bisedat e tyre. Takimet e tyre me grupet parlamentare për të shpejtuar procesin e miratimit të Reformës së Drejtësisë, është quajtur si diçka e pazakontë, si kalim i “vijës së kuqe”, madje edhe si shkelje e “sovranitetit” të shtetit shqiptar, anëtar i NATO-s. Ky përshkallëzim, edhe se në dukje të jashtme mund të ketë diçka të vërtetë, sinqerisht më duket i tepruar dhe kundërprodhues.

Pa hyrë në imtësi të teorive të sovranitetit në politologjinë e sotme, jam i mendimit se bashkësitë e shteteve nuk mund të shkojnë përpara, pa respektuar dhe zbatuar rregulla të pranuara njëzëri, pra pa pasur një kalim kompetencash nga Vendet e veçanta tek Institucionet e Bashkësisë. N’Evropën e sotme ka një krizë funksionimi të kësaj ideje, madje kjo shpjegon edhe faktin se pse ajo ka mbetur prapa në proceset vendimmarrëse, në krahasim me një tjetër Bashkësi më të hershme e më të konsoliduar si ajo e SHBA-së.

Por tema për të cilën flitet këto ditë nuk ka asgjë të përbashkët me këto pikëpamje. Besoj se ka të bëjë me një farë provincializmi të mendimit e politikës sonë, që kushtëzohen jo nga teori akademike, por nga interesa të ngushtë e një farë vështirësie për të pranuar gabimet e përgjegjësitë, edhe kur këto janë të dukshme. Shprehjet e mësipërme janë shqyti i fundit që politika shqiptare ka gjetur për t’u mbrojtur nga padia që i vjen nga vetë rendi i gjërave, që detyron masa të shpejta, të cilat nuk janë vetëm kërkesa të brëndshme të jetës së Vendit, por edhe një “detyrim” që e kërkon BE, në përputhje me strategjinë e tij të zgjerimit.

Është një gjë e pazakontë që ambasadorët më të rëndësishëm të trupit diplomatik t’akredituar në Tiranë, të ndërhyjnë në grupet kuvendore për t’i bindur ata që të miratojnë Reformën e Drejtësisë, por anomalia e rastit nuk qëndron te ta por te përfaqësuesit e politikës sonë. Kjo duhet të dalë nga bizantinizmat e një çerek shekulli, të sqarojë idetë e saj, të thotë shkoqur, shqip, nëse do të hyjë në BE apo jo. Dyfaqësia e qëndrimit kundrejt kësaj zgjedhjeje është në dritën e diellit prej vitesh. Të gjitha shtetet që janë futur në BE kanë qenë të detyruara të kryejnë disa reforma, të cilat janë quajtur të domosdoshme nga Komisioni Evropian. Sot e tillë për ne quhet Reforma e Drejtësisë, për të cilën prej shumë muajsh po punohet nga dhjetëra specialistë të së drejtës, shqiptarë e të huaj, me këshillimin e vazhdueshëm edhe të Komisionit të Venedikut, një autoritet i njohur në kontinent në fushën e ligjeve. Në drejtim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, kusht i domosdoshëm për reformën, jam i bindur se ai Komision është një siguri e plotë.

Në një Vend normal, me një klasë politike të vullnetshme për të çuar përpara atdheun në rrugën e demokracisë dhe modernizimit, një proces i tillë do të kishte zgjatur jo më shumë se tre-katër muaj. Tre apo katërfishi i kohës, që kërkojnë partitë politike në Shqipëri, bëjnë pjesë në anormalitetin e gjendjes. Ngulmimi për të ruajtur gjendjen ekzistuese, e cila e ka kaluar me kohë “vijën e kuqe” të rrezikut të përhershëm, tregon se në lojë janë interesa madhorë vetjakë apo të grupeve. Janë ata interesa që kanë përcaktuar ngjarjet në Shqipëri, në këto vite të kalesës mbas komuniste, që përkojnë me strategjinë e Katovices, të shpallur dikur nga Ramiz Alia.

Gjithçka ka shkuar sipas atyre udhëzimeve e parashikimeve, në të cilat mungonte vetëm integrimi në BE, i cili ishte i parakohshëm edhe për t’u menduar në 1989, por që mbas 15 vjetësh u bë një flamur që kalon nga një dorë në një tjetër, sipas alternativave pushtetore. Në këtë drejtim, mendoj se ka një marrëveshje të fshehtë, të pashpallur, të mbuluar e pa zë: Shqipëria nuk duhet të hyjë n’Evropë, sepse interesat e drejtuesve të saj nuk përkojnë me atë veprim. Një Vend që, në një çerek shekulli, ka krijuar miliarderë nga njerëz që janë marrë vetëm me politikë, nuk mund të jetë i interesuar për rregulla, ligje, kode që rregullojnë jetën e Bashkësisë. Si pasojë, politika ka vetëm një synim, vegjetacionin, status-quon, por duke dhënë përshtypjen se lëviz, se përpiqet të ndryshojë, se do të plotësojë kushtet që i kërkohen. Kështu është shkuar përpara për shumë vite, por sot nyja ka hasur në krehër.

BE kushtëzon gjithçka në procesin e integrimit me Reformën e Drejtësisë. E po atij mendimi është edhe Qeveria e SHBA-së. Përfaqësuesit e tyre, përballë pingpongut të shkarkimit të përgjegjësive nga njëra parti shqiptare te tjetra e anasjelltas, kanë mbetur keq. Duan të bëjnë katalizatorin e një procesi politik, që shkon kryesisht në dobinë tonë si komb, sepse interesat e tyre, në një Vend të vogël e problematik si i yni, janë të vogla e të realizueshme.

Politikanët tanë, përfaqësuesit e popullit, “të zgjedhur me vota të lira” në listat e paracaktuara, nuk dihet mirë se mbi çfarë kriteresh, fyhen e ankohen se u është shkelur “sovraniteti”. Po t’ishte e vërtetë, qoftë edhe për një refleks atavik të krenarisë kombëtare, do të kishim qenë të gjithë përkrah tyre. Nuk ka nevojë për të shtjelluar teoritë e ndryshme gjeopolitike mbi temën e marrëdhënieve mes shteteve. Kujtoj se vlen më shumë të ndërgjegjësohemi për gjendjen e Shqipërisë së sotme, të bëjmë krahasimet me të tjerët e raportin mes asaj që kemi bërë e asaj që duhej të kishim bërë, mes asaj që jemi e asaj që duhej t’ishim. Besoj se para këtij kuadri, nuk ka vend as për një grimcë vetëkënaqësie. Përulësisht klasa politike, që është përgjegjësja kryesore e kësaj drame shqiptare, duhet të bëjë një provim ndërgjegjeje. Por ajo nuk e bën atë, fle mbi dafina të përfytyruara, edhe se gjithandej ka vetëm ferra. Provimi i saj është ai i interesave, i milionave të fituara. Sigurisht, kjo nuk vlen për të gjithë, por pjesa e ndershme, nëse ekziston, duhet ta thotë me forcë fjalën e saj, sepse kemi hyrë në ceitnot politik e nuk mund të ecim më me ritmet e këtij çerek shekulli.

Për reformën ka gati një vit që diskutohet, mund të diskutohet përsëri, mund të merren këshillat e të huajve të painteresuar, por nuk mund të fshihemi mbas gjethes së fikut “se atë do ta bëjnë shqiptarët” Po, ata do ta bëjnë, por deri tani, fatkeqësisht, nuk e kanë bërë dhe gjasat janë se nuk do ta bëjnë, se nuk kanë dëshirë ta bëjnë, se sovranitetin e duan për interesat  e tyre. I jepet rëndësi formës për të mbuluar mungesën e përmbajtjes. Nuk kam dëgjuar asnjë prej këtyre zotërinjve politikanë, apo analistë në justifikim të tyre, të flasin ndonjëherë për sovranitetin kombëtar dhe thelbin e tij, synimin strategjik të bashkimit të kombit. Ai i delegohet Evropës, si përgjegjësi e si perspektivë, pa pasur kurajën as ta vënë në tryezën e bisedimit. Ngrihet “problemi” i sovranitetit, kur dikush me njerëzi u thotë se drejtësia në Shqipëri është një kazan në pikën e vlimit.

A e dinë këta zotërinj se si funksionon, në Vendin e tyre, ky segment, nga më të rëndësishmit për një shtet? Ka gjyqtarë e gjyqtare në Shqipëri që janë kthyer në kohën e Hasan Zyko Kamberit: “Kadiut po t’i rrëfesh paranë / Ters e vërtit sherianë”. Ata tjetërsojnë pronësitë e qytetarëve, duke ligjësuar padrejtësisht në dobi t’atyre që paguajnë më shumë, lirojnë kriminelë e  dënojnë një fakir që kishte gjetur një ombrellë në rrugë dhe e kishte shitur, detyrojnë qytetarin të paguajë dy herë faturën e korrentit, i japin burrit gjithë pasurinë e një familjeje të ndërtuar nga puna e të dyve, kur gruaja kërkon ndarjen, arrijnë të vënë në diskutim edhe testamentet e firmosura para një noteri, një përbindshmëri juridike e panjohur n’asnjë Vend të qytetëruar etj. etj.

Ithtarët e sovranitetit të interesave, në vend të padisë për sedrën vetjake të “fyer”, do të ishte mirë të na thoshin se si u arrit në këtë gjendje, kush e mban përgjegjësinë, e cila është zgjidhja e këtij problemi që po i merr frymën Shqipërisë. Në vend që t’iu tregojnë “vijën e kuqe” ambasadorëve, të cilët po përpiqen të futin bisturinë e kirurgut në plagën tonë të gangrenizuar, do të ishte mirë të hynin shpirtërisht në dramat e mijëra bashkatdhetarëve të tyre, që përballen prej vitesh me një drejtësi të korruptuar e me një shtet që është bashkëpunëtor me të.

Personalisht nuk gjej asgjë shqetësuese në marrëdhëniet e ambasadorëve me klasën politike, madje si një qytetar i Shqipërisë, edhe se jetoj jashtë saj, e quaj për detyrë t’i falënderoj për punën e tyre, në dobi të çështjes sonë. Jam i bindur se duke ruajtur gjendjen e tanishme, duke mbajtur në brendi të institucioneve njerëz jo të pastër moralisht, duke iu dhënë mundësi atyre ta kthejnë Shqipërinë në një çiflig për t’u vjelë nga bijtë e bijat e saj të pandershme, humbasim të gjithë ne, dëmtohet Atdheu, por nuk humbasin asgjë SHBA dhe Evropa.

*publicist

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Manojlloviq, i shqetësuar për serbët e tij: Ne urrehemi dhe grindemi

Nuk bëhet fjalë për një mendim politik, ashtu siç mund të jetë...
Read More