Sovraniteti, territori dhe njohja pa “korrigjimin e kufijve”

Nga Qemal Lame – Ruajtja e sovranitetit dhe kufijve aktualë të Kosovës është domosdoshmëri për stabilitetin politik, forcimin e shtetit të së drejtës, ruajtjen e interesave ekonomike e pasurive natyrore, respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, vazhdimin e mbështetjes nga partnerët strategjikë, paqen e sigurinë në Ballkan dhe rritjes së njohjeve nga shtetet e tjera që nuk e kanë njohur deri tani.

Vlerësimi me këto vizione i situatës politike dhe përkushtimit në finalizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, orienton dhe udhëheq arritjen me efektivitet të mbrojtjes së interesave kombëtare, si dhe mënjanon në kohë rreziqet e “korrigjimit të kufijve”..

Shqetësimet e drejta të krijuara për interesat kombëtarë nga deklarimet për ndarje, shkëmbin të territoreve shqiptare me territore shqiptare në favor të Serbisë, nisma për “korrigjimin e kufijve”, “shënimin e kufijve” patën reagime të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, në Serbi e Maqedoni, në politikën europiane e atë amerikane. Natyrshëm u shtrua edhe pyetja nëse po ndodh një ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën e Serbinë dhe në tërësi për Ballkanin! Pati edhe mendime se ky ishte një test për të testuar reagimet e politikës e të opinionit publik!

Presidenti Hasim Thaçi nxiti diskutimet e shqetësimet me nismën për “korrigjimin e kufijve” dhe arritjes së marrëveshjes me konsensus. Është e kuptueshme dhe e natyrshme, ashtu si dhe ai e ka deklaruar vetë, se çdo problem është biseduar dhe çdo vendim do të arrihet me miratimin e partnerëve ndërkombëtarë. Por kjo garanci nuk ishte e mjaftueshme. Kjo ide dihej se ishte në dosjet e mbyllura dhe në bisedimet në Bruksel, por nuk arrihej të publikohej pikërisht për vetë pasojat që shkaktoheshin në politikën dhe opinionin publik ndërkombëtar.

Politikanët e tjerë shqiptarë deklaruan se kufijtë vendosen me luftë dhe mbrohen me luftë. Drejtpërdrejtë Kancelarja gjermane Angela Merkel, deklaroi se nuk pranohet ndryshimi i kufijve. Kryeministrja britanike, Mayer, më herët ka kërkuar njohjen pa kushte të Kosovës. Ambasadori britanik theksoi, se kufijtë shkruhen në letër dhe mbrohen me plumba. Pra, politika dhe opinioni publik u deklaruan përgjithësisht kundër kësaj ideje.

Në këto kushte, përfundimisht, Thaçi deklaroi në Twiter se: “Fundi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe shënimin e kufirit 400 kilometra në mes të dy vendeve, duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata tjera. Opinionet tjera rreth rezultateve të këtij dialogu, janë të pakuptimta apo interpretime false”.

Reagimi nuk arriti të sqarojë e qetësojë sa duhet, pasi mendohet të shënohet kufiri prej 400 km, pa u njohur zyrtarisht shteti i Kosovës. Vijat kufitare saktësohen nga komisione të përbashkëta ndërmjet shteteve sovrane. Kur ka mosmarrëveshje, kërkohet edhe ndërmjetësimi ndërkombëtar. Janë dy probleme shqetësuese: 1. Aktualisht Serbia nuk e ka njohur akoma Kosovën. 2. Demarkacioni me Malin e Zi solli si pasojë heqjen nga Kosova të 8 000 hektarëve tokë.

Kosova dhe Serbia përballen me fazën e marrëveshjes përfundimtare. Ndarja e territorit dhe kufijtë kanë qenë tema kryesore që ka penguar për më shumë se 13 vjet bisedimet dhe mos arritjet e suksesit nga ndërmjetësimi i BE-së, në marrëveshje me SHBA-në. Kufijtë u vendosën nga ndërkombëtarët. Papritur u orientua që Kosova e Serbia të merren vesh dhe të vendosin me përgjegjësinë e tyre!

Bashkimi Europian si ndërmjetësja në bisedime, si dhe SHBA me kontribut dhe interesa të njohur për Kosovën, Serbinë e Ballkanin, duan që të mënjanohen qëndrimet e interesat krejt të ndryshme ndërshtetërorë dhe të opinionit publik shqiptar e serb, si dhe të arrihet zgjidhja përfundimtare.

Partnerët ndërkombëtarë të interesuar e investuar për marrëveshjen e kanë të qartë, se për vetë historinë dhe realitetin që përjetohet, zgjidhja me kompromis dhe me dhimbje nga të dy palët, nuk do të ishte e drejtë dhe do të sillte pasoja të dëmshme sidomos për shqiptarët, në rast se do të merrej si “me rastin e Kufirit me Malin e Zi që ju dha më shumë se 8 000 hektarë tokë”, “emri i Maqedonisë”, “deti Greqi-Shqipëri” etj.

Argumentet e mbështetësve të “korrigjimit” apo “shënimit” të kufirit 400 km, nuk mbështeten gjerësisht. Është i drejtë referimi te plani i njohur i deklaruar nga Junker për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e përcaktimin e qartë të kufijve. Por nuk mund të pranohet imponimi i zgjidhjeve në kundërshtim me interesat kombëtarë. Marrëveshja midis Kroacisë dhe Sllovenisë për Piranin, krijoi kushtet për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Por Kosova dhe Serbia janë në kushte të tjera. As ndarja e Çekisë nga Sllovakia, nuk janë model krahasues. Rasti i fundit i shkëmbimit të një territori të kufizuar midis Holandës dhe Belgjikës, është i papranueshëm dhe nuk gjen mbështetje nga opinioni publik. Ndërsa shkakton ilaritet kur tentohet të jepet si rast edhe për “shënimin” e kufirit Kosovë-Serbi.

Është e drejtë ideja për përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedime dhe bashkimi i saj me Kosovën. Në situatën e tanishme, kjo ide kuptohet si një veprim taktik për të balancuar kërkesat e Serbisë për Veriun e Kosovës dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Është idealizëm të pranohet të kthehet nga Serbia ky rajon, pa u plotësuar kërkesat e saj ultimative për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e një Srpska të re në territorin shqiptar. Lugina e Preshevës kërkohet të bashkohet me gjithë territorin, jo me seleksionime e ndarje, pasi rrezikohet të asimilohet, të shpërngulet, të emigrojë etj., pjesa që mund të ngelet në Serbi.

Serbët e Republikës së vetëshpallur Srpska-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, janë në pritje të një marrëveshjeje të mundshme për t’u bashkuar me Serbinë. Kjo nuk do të mbetet si një rast i veçantë. Me të drejtë theksohet rreziku potencial real i reaksionit zinxhir në Ballkan, Europën Lindore, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Azi e në rajonet e tjera që ndodhen konkretisht në konflikte politike territoriale.

“Hapja e kutisë së Pandorës” mbetet rrezik real e potencial me pasoja të paparashikueshme. Tronditjet e stabilitetit dhe situatës politike, nuk do të mund të mënjanohen më thjesht me argumentet e pretenduara, se këto shtete ballkanike janë anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. SHBA, BE dhe NATO janë të forta dhe kanë mundësitë të përballojnë presionin e Rusisë, nuk do të lejojnë të ndodhi një tronditje e re si me Brexin e Anglisë, do të realizojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, do të garantojnë shtetin funksional të Bosnjës e Hercegovinës etj.

Tensionimi i situatës politike dhe reaksioni zinxhir në Ballkan e më gjerë, do të ishin të pashmangshme. Ky rrezik nuk mund të nënvleftësohet. Pasojat lehtësisht të parashikueshme, nuk mund të tejkalohen me argumentet se formula e korrigjimit të kufijve ofron pajtimin e palëve në negocim për shkak të marrjes së Preshevës dhe dhënies së një pjese minore të Veriut, me miratimin konsensual nga SHBA dhe Rusia.

Mbështetësit e idesë së “korrigjimit” apo “shënimit” të kufirit, mbivlerësojnë pajtimin e arritjen marrëveshjes e vlerësojnë si mbyllje e kontesteve bilaterale Kosovë-Serbi që do të mundësojë njohjen reciproke, plotësimin e kushteve për integrimin europian dhe anëtarësimin në OKB e organizmat e tjera ndërkombëtare. Me papërgjegjshmëri mohohet fakti se dhurohen territore, anashkalohet tragjedia e shkëmbimit të territoreve shqiptare me territore shqiptare, njohjen e pushtimit dhe politikës shoviniste serbe.

Këta mbështetës të “korrigjimit të kufijve”, është e nevojshme të vlerësojnë edhe qëndrimin e përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës që bashkimi i mundshëm me Kosovën të bëhet për të gjithë territorin dhe jo pjesë të veçanta. Ata kundërshtojnë ndarjen dhe dhënien e territoreve Serbisë. Për këto arsye, vënë interesin kombëtar të ruajtjes së territoreve dhe sakrifikojnë të vazhdojnë të mbeten në territorin e Serbisë.

Një proces i tillë nuk mund të konceptohet thjesht në terma të garancive objektive që korrigjimi territorial Kosovë-Serbi nuk do të prodhojë efekte askund tjetër në rajon. Është i dëmshëm edhe mendimi, se nëse një proces i tillë bazohet në parimin e konsensusit midis palëve për ndryshim territorial, gjithçka rezulton të jetë jo vetëm në përputhje me parametrat e Helsinkit por njëherazi edhe afirmim që kjo praktikë është e vlefshme vetëm në rast të dakordimit paraprak ndërshtetëror. Pra, nga pikëpamja parimore, ajo mund të aplikohet vetëm në rastin e Kosovës edhe Serbisë.

Të pranosh e të pretendosh për një rast të vetën për Kosovën e Serbisë dhe të nënvleftësosh reagimin e mundshëm agresiv të nacionalistëve serbë, do të thotë në rastin më të mirë që idealizohet, pa thënë që krijohet tragjedi e re politike. Është e pafalshme të mos merret në konsideratë klima e ashpërsuar politike që do të krijohet nën efektin e këtij procesi “korrigjimi” dhe tendencave reale e në ngritje të nacionalistëve të Republika Srpska-s në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një proces i tillë ndarjeje do të sinkronizojë nacionalizmat, ndarjet e paralizimin e federatës së Bosnje e Hercegovinës që funksionon kryesisht në saje të pranisë ndërkombëtare. Nuk mund të bëhet fjalë për mbajtjen nën kontroll të situatës nga koordinimi ndërmjet BE, SHBA, Turqi, Rusi.

Me këtë këndvështrim, vlerësohet se janë të gabuara mendimet e disa politikanëve, gazetarëve e personaliteteve të tjera në Kosovë, partizanë të “korrigjimit të kufijve”.

Politikanët serbë që duan marrëveshje me politikanët shqiptarë, kërkohet të reflektojë në politikën e vjetër, të reagojnë në pretendimet dhe të vendosin me ndërgjegje për njohjen pa kushte të Kosovës. Nacionalistët dhe Kisha Ortodokse nuk mund të mbajnë peng fatet e serbëve që duan miqësi me shqiptarët dhe integrim me meritë në Bashkimin Europian.

Politikanët shqiptarë kanë përgjegjësinë kombëtare për të kërkuar dhe realizuar njohjen pa kushte nga Serbia.

Shkruar Nga
More from Redaksia

SHBA vendos sanksione ndaj oligarkëve rusë

  Administrata e Presidentit Donald Trump shpalli të premten sanksione të gjera...
Read More