S&P: Rritje 4%, por kujdes PPP-të dhe detyrimet e prapambetura

Standard & Poor e ka vlerësuar pozitivisht ecurinë ekonomike dhe fiskale të vendit, por megjithatë ka bërë dhe paralajmërime për rastet kur mund të ndërmarrë një ulje të renditjes, që lidhen me konsolidimin fiskal, ku rreziku më i madh janë projektet e partneritetit publik-privat dhe krijimi i detyrimeve të prapambetura.

Standard & Poor, gjatë analizës së renditjes së borxhit sovran afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të cilën e ka vlerësuar në B + / B, me perspektivë të qëndrueshme, ka dhënë edhe arsyet që mund të çonin në një rritje të vlerësimit apo një ulje të tij. Përgjithësisht agjencia e ka vlerësuar pozitivisht ecurinë ekonomike dhe fiskale të vendit, por megjithatë ka bërë dhe paralajmërime për rastet kur mund të ndërmarrë një ulje të renditjes, që lidhen më së shumti me një ngecje të konsolidimit fiskal dhe rrëshqitje fiskale, ku rreziku më i madh janë projektet e partneritetit publik-privat dhe krijimi i detyrimeve të prapambetura. Edhe kreditimi i dobët i ekonomisë shihet nga S&P si një tregues që do e nxiste atë të ulte vlerësimin në renditje. “Ne mund të ulnim renditjen nëse do të konstatohen shkarje fiskale, që do të vijë nga deficitet e larta fiskale apo materializimi i detyrimeve të qëndrueshme nga projektet PPP apo pagesat e prapambetura të qeverisë. Ne gjithashtu mund të ulim vlerësimin nëse vëmë re një periudhë të zgjatur të rritjes së dobët të kredisë, që do të ishte tregues për një mekanizëm të dobët të politikës monetare”. Agjencia ka theksuar edhe nevojën për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të rritur investimet përtej projekteve të mëdha, si TAP, në sektorë me vlerë më të lartë, siç janë shërbimet e biznesit dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.

Rritje 4 për qind

“Ne presim që rritja reale e PBB-së të Shqipërisë të jetë mesatarisht pothuajse 4% gjatë tri viteve të ardhshme, nxitur nga rritja e investimeve dhe eksporteve të shërbimit”, tha në një deklaratë agjencia vlerësuese Standard & Poor. “Shqipëria vazhdon të përparojë me konsolidimin fiskal, duke rezultuar në rreziqe të reduktuara lidhur me borxhin ende të lartë publik, por ne konsiderojmë se sfidat e konsolidimit mbeten, duke i lidhur me projektet e partneritetit publik-privat të qeverisë (PPP)”, vuri në dukje Standard & Poor. Agjencia e vlerësimit tha gjithashtu se e ardhmja e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen e saj se Shqipëria ka të ngjarë të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe nuk ka gjasa që të ketë imbalanca të mëdha fiskale apo të jashtme gjatë tri-katër viteve të ardhshme. “Përveç kësaj, ne shohim që ndërhyrjet e fundit të këmbimit valutor nga Banka e Shqipërisë do të jenë të përkohshme dhe të kufizuara”, -tha agjencia.

Nivel i lartë informaliteti

“Vlerësimet kufizohen nga kuadri relativisht i dobët institucional i Shqipërisë, i cili karakterizohet veçanërisht nga një sistem joefikas gjyqësor dhe sundimi i kufizuar i ligjit. Pavarësisht normave të larta të rritjes, nivelet e të ardhurave në Shqipëri janë ende më të ulëta se shumë vende fqinje dhe mbeten të kufizuara nga një ekonomi e madhe informale dhe një sektor joligjor me peshë të rëndësishme. Megjithatë, performanca fiskale e vendit është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në vitet e fundit, si rrjedhojë e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe një kuadri të përmirësuar fiskal, i cili tani përfshin një kufi formal të borxhit dhe rregulla të tjerë fiskalë (Ligji Organik i Buxhetit). Kjo do të ndihmojë në uljen e mëtejshme të rreziqeve që lidhen me borxhin publik të lartë dhe nevojat shumë të larta të rifinancimit vjetor, veçanërisht në tregun e brendshëm. Hyrjet nga remitancat dhe eksportet e shërbimeve vazhdojnë të frenojnë deficitin e llogarisë korrente, të cilat financohen nga fluksi i lartë i investimeve të huaja direkte (IHD), por pozicioni i jashtëm i ekonomisë së përgjithshme mbetet i brishtë. Banka e Shqipërisë po i përdor aktualisht instrumentet e saj të politikave në një mënyrë të kufizuar në formën e reduktimit të interesit bazë dhe ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, por rritja e kredisë mbetet e brishtë dhe niveli i euroizimit i lartë, duke bërë që mekanizimi i transmisionit të politikës së bankës qendrore të jetë i dobët”. S&P pret që qeveria e Shqipërisë të vazhdojë të ndjekë agjendën e saj të reformës strukturore, e cila duhet të përmirësojë gradualisht kuadrin e saj politik dhe institucional. Pavarësisht ngecjes të situatës, e përpjekjeve për reforma pas zgjedhjeve, agjencia pret vazhdimësinë e politikave dhe reformave të qëndrueshme strukturore në lidhje me ekonominë, administratën publike, dhe veçanërisht sektorin gjyqësor. Këto do të jenë të ankoruara nga përpjekjet e qeverisë për t’u përgatitur për pranimin potencial në BE.

“Ne i njohim përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale, me qëllim përmbushjen e kërkesave për pranimin në BE. Deklarata e fundit në Sofje përcaktonte që negociatat e pranimit në BE për Shqipërinë do të ngjarë të fillojnë në 2019”. Megjithatë, duke patur qëndrimin kundër zgjerimit nga vende të caktuara të BE-së, S&P vlerëson se anëtarësimi i Shqipërisë nuk ka gjasa të ndodhë para vitit 2025.

Duhen investime të huaja në afatin e gjatë

Edhe S&P ka theksuar nevojën për të tërhequr investime të huaja në afat të gjatë, pas përfundimit të pritshëm të projekteve të mëdha si gazsjellësi TAP. “Në afat të gjatë, reformat e qeverisë duhet të mbështesin një mjedis më të mirë biznesi dhe të ndihmojnë vendin për të tërhequr IHD shtesë. Kjo do të ndihmonte në zhbllokimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, për shembull në fushat e energjisë, turizmit dhe potencialisht në sektorë me vlerë më të lartë, siç janë shërbimet e biznesit dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit”. Raporti vlerëson se kërkesa e fortë e brendshme, rritja e konsumit, investimet private dhe turizmi do të nxisin ekonominë në të ardhmen. “Ne presim që ekonomia formale e Shqipërisë të rritet mesatarisht me 3.8% në terma realë, midis 2018 dhe 2021, megjithëse ende nga një nivel i ulët zhvillimi”.

Kujdes ecurinë fiskale dhe kreditimin

S&P thotë se perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen se Shqipëria do të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe nuk ka gjasa që të ketë zhbalancime të mëdha fiskale apo të jashtme gjatë tri-katër viteve të ardhshme. “Një periudhë e fortë dhe më e theksuar e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke nxitur tërheqjen e vazhdueshme të investimeve të huaja direkte (FDI) dhe duke luftuar me sukses ekonominë informale, mund të çojë në një vlerësim pozitiv. Mund të ketë rritje vlerësimi nëse konsolidimi fiskal forcohet më tej, duke tejkaluar pritshmëritë e agjencisë për uljen e borxhit publik, ose një faturë më të ulët të shpenzimeve të interesit, në raport me të ardhurat e qeverisë. Përveç kësaj, përpjekjet efektive të deeuroizimit nga Banka e Shqipërisë (BSH) do të rrisin transmetimin monetar dhe mund të ndikojnë pozitivisht vlerësimin”. Por, agjencia ka paralajmëruar dhe rastin kur mund të ulë renditjen e vendit. “Ne mund të ulnim renditjen nëse do të konstatohen shkarje fiskale, që do të vijë nga deficitet e larta fiskale apo materializimi i detyrimeve të qëndrueshme nga projektet PPP apo pagesat e prapambetura të qeverisë. Ne gjithashtu mund të ulim vlerësimin nëse vëmë re një periudhë të zgjatur të rritjes së dobët të kredisë, që do të ishte tregues për një mekanizëm të dobët të politikës monetare”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

KLGJ dhe KLP kalon pa konsensus, përbërjen e caktojnë goglat 

Pas shqyrtimit dhe hedhjes në votim nga nënkomisioni, asnjë prej kandidaturave nuk...
Read More