“StartUp comes to universities”: Studentët nxiten drejt sipërmarrjes

UET, për të dytin vit radhazi, bëhet pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme të Komisionit Europian, që mbështet dhe nxit të rinjtë të shkojnë drejt sipërmarrjeve të reja, ose startup-eve. Orientimi i universitetit drejt edukimit sipërmarrës është i rëndësishëm për studentët, në drejtim të dhënies së njohurive dhe aftësive mbi sipërmarrjen, por dhe në krijimin e kompetencave sipërmarrëse.

“StartUp Europe Comes to Universities” është një iniciativë e Komisionit Europian dhe e rrjetit StartUp Europe University, e cila javën e kaluar erdhi në Shqipëri, në edicionin e dytë të saj përmes Universitetit Europian të Tiranës . SEC2U është një iniciativë për të promovuar angazhimin e universiteteve europiane në krijimin e një kulture të fortë të sipërmarrjes dhe të inovacionit nëpërmjet bashkëveprimit me komunitetit. Vlerat e këtij networku janë: të përmirësojë programet e sipërmarrjes në universitetet pjesëmarrëse, të stimulojë transferimin e njohurive nëpërmjet eventeve të rregullta online dhe offline, të gjenerojë bashkëpunime të reja /projekte/mundësi kërkimi; të informojë rreth mundësive të reja të financimit, të ofrojë përditësim të informacionit rreth infrastrukturës se vlefshme sipërmarrëse; të gjenerojë bashkimin dhe të stimulojë lidhje të reja midis sipërmarrësve, të informojë dhe të lidhë sipërmarrësit me mundësitë me të mira të financimit

“Prej disa vitesh UET po përpiqet që krahas disa drejtimeve të saj strategjike, të ketë prioritet të tij dhe edukimin sipërmarrës. Ne e dimë, që numri i studentëve sa vjen dhe rritet, nga ana tjetër tregu jo në të gjitha rastet t’i përthithë të gjithë studentët. Atëherë edukimi sipërmarrës, sipërmarrja, merr një rëndësi të veçantë. Në këto kushte, fokusimi i universitetit drejt sipërmarrjes është i rëndësishëm jo vetëm për t’iu dhënë studentëve njohuritë dhe aftësitë e duhura, por të krijojë dhe kompetencat sipërmarrëse tek ata. Për këtë, shërbejnë jo vetëm aktivitetet brenda orës së mësimit por edhe një sërë projektesh extracurriculare e të bashkëpunimit me biznesin e aktorë të tjerë në vend dhe jashtë tij”, është shprehur prof. asoc. dr. Ermira Qosja, pedagoge në Departamentin e Menaxhimit dhe Marketingut.

Përmes këtij bashkëpunimi realizuar nga Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut dhe Zyrës për Projekte dhe Partneritete në UET, një hap i ri drejt ndërkombëtarizimit është ndërmarrë nga UET-ja, duke krijuar lidhjet me shumë universitete prestigjioze, të cilat janë pjesë e SEC2U, si: Universiteti i Kembrixh, Universiteti Nova i Lisbonës, Universiteti Dublin City, Qendra Universitare U-Tad, Universiteti Teknik i Kartagjenës, Ravensbourne dhe Universiteti i Kantabrias, ndër të tjera.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave shumë të rëndësishme në vend, si Juliana Hoxha e Partners Albania, Koli Sinjari i Biznes Albania, Suela Bala e “Junior Achievement”, Jetona Myteveli e Balance, të cilat zhvillojnë një veprimtari të gjerë në ndihmë të sipërmarrjeve të reja.

Aktivitetin e përshëndeten dhe Gjovalin Hasanaj dhe Luis Ndreka si biznesmenë të rinj të suksesshëm, pasues të biznesit të prindërve.

Historitë personale të startup-eve të Albi Zhulalit, Pezana Rexhës, Alen Saqes, Isa Fidës dhe Vitjola Visos, krijuan një ambient sfidues për studentët e Fakultetit Ekonomik e të Teknologjisë së Informacionit të UET-së, të cilët patën mundësinë të njihnin si u krijuan këto startup-e, si u zhvilluan, sfidat me të cilat janë përballur, por dhe mundën të përcillnin mesazhe frymëzuese për studentët e rinj të cilët aspirojnë një karrierë në sipërmarrje.

Tridhjetë e gjashtë universitete i janë bashkuar iniciativës nga pesëmbëdhjetë vende të ndryshme, si: Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Portugalia, Izraeli, Qipro, Holanda, Greqia, Rumania, Shqipëria, Italia, Kroacia, Gjermania, Hungaria dhe Austria. Me rreth 2000 pjesëmarrës, kjo iniciativë nxit dukshëm bashkëpunimin dhe arrin një impakt të gjerë në Europë.

Ermira Qosja: Pse i kushtojmë rëndësi edukimit sipërmarrës në UET

Eventi i organizuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, SEC2U, një nga organizatoret, prof. asoc. dr. Ermira Qosja në fjalën e saj vuri në dukje se UET është bërë pjesë e kësaj iniciative tetorin e kaluar. Sipas saj, pjesëmarrja e Universiteti Europian të Tiranës në të tilla iniciativa është një indikator i rëndësishëm i frymës së inovacionit dhe përpjekjes aktive për të nxjerrë në tregun e punës një student të mirëformuar dhe të aftë për të shkuar drejt suksesit.
“Përse UET u përfshi në këtë iniciativë? Dhe përse ne jemi të kënaqur që edhe drejtuesit e kësaj iniciative të cilët kanë mbështetjen direkte të Komisionit Europian, na bënë pjesë të saj?
Prej disa vitesh UET po përpiqet që krahas disa drejtimeve të tij strategjike të ketë prioritet të tij edhe edukimin sipërmarrës. Në këtë drejtim, ne jemi përpjekur ta sjellim edukimin kah sipërmarrjes brenda orëve të mësimit, brenda Fakultetin Ekonomik dhe të Teknologjisë së Informacionit, ku kjo është më e theksuar prirja kah biznesit, por edhe në degë të tjera siç është ajo e Komunikim-Dizajnit, të cilët nëpërmjet një atelieje në universitet, kanë realizuar punë e nisma frymëzuese.

Sipas prof. asoc. dr. Ermira Qosja ka një sërë arsyesh për të cilat edukimi sipërmarrës merr një rëndësi të veçantë për edukimin në përgjithësi dhe veçanërisht për universitetin. Që nga viti 2000, Komisioni Europian ka përcaktuar kompetencën sipërmarrëse si një nga tetë kompetencat që edukimi duhet të formojë në një shoqëri të njohurisë; rritja shumë e madhe e numrit të studentëve në universitet në 12 vitet e fundit, pamundësia e kompanive të mëdha për të gjeneruar vende të reja pune, por dhe mungesa e kompanive të reja të mëdha në treg ka sjellë jo vetëm që norma e papunësisë për grupmoshën 16-29 vjeç të jetë mbi 30%, por dhe që papunësia te të arsimuarit të jetë më lartë.

Gjithashtu, vlen të theksohet sipas prof. Qosja që mbi 80% e punësimit në Shqipëri vjen nga SME-të, në këtë mënyrë krijimi i biznesit personal mund të shihet si mundësia e parë e punësimit, për më tepër sot sipërmarrja dhe në vendet e zhvilluara po shihet si një rrugë karriere. Global Entrepreneurship Monitor, evidenton që sipërmarrësit në fazën e tyre fillestare janë në moshën mes 23-34 vjeç, të rinjtë e kësaj moshë në Shqipëri ndjekin universitetin në një nga nivelet BA apo Master; dhe së fundi, rëndësia për sipërmarrjen është rritur dhe në research, e në këtë drejtim ne jemi sot të përfshirë në projekte europiane e ndërkombëtare të fokusuara në këtë drejtim.

“Sipërmarrja nuk është vetëm një pasion i dikujt që e dëshiron, por sipërmarrja për shumë prej jush, mund të jetë dhe një rrugë karriere. Për këtë arsye ne po punojmë, dhe do vazhdojmë të punojmë në drejtim të inspirimit të sipërmarrjes, dhe për këtë do shërbejnë jo vetëm aktivitetet që ne bëjmë brenda mësimit, por edhe një sërë projektesh siç është edhe ky i sotmi ku ju përfshiheni”, përfundoi ajo.

Partners Albania, partnerët e startup-eve

Partners Albania është një organizatë joqeveritare e pavarur, e cila krahas të tjerave, punon për të mbështetur sipërmarrjet e reja, veçanërisht ato sipërmarrje të gjelbra dhe sociale.
E ftuar në “Startup Europa” në UET ishte znj. Juliana Hoxha, Drejtoreshë e Partners Albania.
“Pjesa e edukimit në shkollë është shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha neve sot na mungojnë modelet. Dhe jo sepse këto modele nuk ekzistojnë, por sepse nuk ka ose janë të limituara, mekanizmat që i evidentojnë ato dhe i nxjerrin në sipërfaqe. Kështu që unë do të thoja se e vlerësoj shumë kur ka diskutime të tilla, kur ka sipërmarrës të cilët jo vetëm janë bërë të suksesshëm në Shqipëri, por na bëjnë krenarë edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe me guximin e tyre. Kështu që për këtë edhe një herë do të doja të falënderoja universitetin dhe t’ju inkurajoja për të qenë sa më kërkues dhe aktivë”,  ka thënë ajo në fjalën e saj përshëndetëse.
Ndërkohë që ka shpjeguar për auditorin e pranishëm, tri shtyllat me të cilat Partners Albania punon, research-in, trajnimet dhe krijimin e platformave mbështetëse për sipërmarrjen. Te këto të fundit, një ndër më të njohurat, është konkursi i Ideve të Gjelbra. Ide të Gjelbra është një konkurs i përvitshëm organizuar nga Partners Albania, që synon të shërbejë si një inkubator për ide të gjelbra që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit. Fituesi i këtij konkursi shpërblehet me një vlerë të konsiderueshme monetare, që i lejon të zhvillojë startup-in e tij, si dhe i jepet mundësia për të konkurruar më tej, edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
“Në qoftë se të rinjtë sot dhe me ato pak mënyra dhe mundësi që ekzistojnë, nuk motivohen, nuk shikojnë asnjë lloj interesi për të bërë diçka, unë këtë e shikoj si rrezikun më të madh”, është shprehur znj. Hoxha

Albi Zhulali, sipërmarrësi i ri që njihet nga Silicon Valley

Ish-studenti i UET-it, Albi Zhulali, është një nga shembujt më të mirë të nxitjes së startup-eve. Ai është një sipërmarrës i ri, i cili po korr mjaft sukses me startup-in e tij. Ky startup konsiston në një software të quajtur Softmogul, i cili është i dizenjuar dhe i fokusuar në menaxhimin e hoteleve dhe kompanive të turizmit.
“Ideja për Softmogul lindi rreth 3 vite më parë. Softmogul është një software i cili menaxhon shumë aspekte të një hoteli, që te check-in, check-out, integrimi me gjitha kanalet e shitjes të tilla si Booking, Tripadvisor etj., si dhe mundëson pranimin e pagesave, duke zëvendësuar në këtë mënyrë bankën etj. Një nga risitë e këtij software-i është se përdoret në tabletë dhe nuk është e vështirë të punosh me të, duke lejuar kështu fleksibilitet dhe efikasitet”, është shprehur Albi në lidhje me këtë startup.
Kompania e tij është bërë pjesë së fundmi, e platformës Plug and Play në Silicon Valley në SHBA, ku janë zhvilluar edhe kompanitë më të fuqishme në fushën e teknologjisë, si: Google, Dropbox, PayPal etj.
Sigurisht kurioziteti për këtë sipërmarrje të re ishte i madh, duke marrë parasysh edhe suksesin në rritje të saj. Albi iu është përgjigjur pyetjeve të shumta të auditorit të pranishëm si dhe ka ndarë me ta jo vetëm rrugëtimin e tij por edhe disa këshilla.
“Nëse dëshironi të realizoni një dëshirë tuajën duhet të punoni fort. Është një punë e gjatë, në të cilën do të përballesh me mjaft vështirësi, por nuk duhet të dorëzohesh. Ne tanimë kemi rreth 2 milionë dollarë investim në kompani, dhe vlera e saj parashikohet në rritje. E gjithë kjo vjen falë punës dhe përkushtimit”.

Pezana Rexha: Sipërmarrja është një shkollë e jashtëzakonshme

“Pana” është një ndër bizneset sociale më kreativë në Shqipëri, me prodhimin e mobilieve nga druri i ricikluar dhe njëkohësisht me përkrahjen e grupeve të margjinalizuara. Themeluesja e kësaj sipërmarrjeje, Pezana Rexha, ishte e ftuar në konferencën e organizuar në ambientet e UET, për të folur jo vetëm për “Pana”, por edhe për një sipërmarrje të re tejet interesante, të quajtur “Eduaktiv”.
“Eduaktiv” është një platformë online, ende në hapat e parë të saj, në të cilën mund të gjesh të renditura një serë institucionesh arsimore, shtetërore dhe private, informacione të detajuara për to, review nga vetë prindërit dhe mundësinë për t’i krahasuar ato mes tyre.
“Për Eduaktiv po punohet prej rreth 8 muajsh tashmë, por platforma online është lançuar para pak ditësh. Momentalisht ajo përfshin çerdhe dhe kopshte, por së shpejti do të ketë edhe shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe universitetet”, ka treguar Pezana për Eduaktiv.
Ndërkohë, Pezana shprehet se sipërmarrja është një shkollë e jashtëzakonshme, dhe se falë saj mund të shohë ndryshime të mëdha, te vetja dhe te të tjerët.
“Unë në këto pesë vjet kam parë ndryshime të jashtëzakonshme te vetja, dhe te personat me të cilët punoj. Shoh këto ndryshime edhe te sipërmarrës të tjerët të cilët i takoj pas një farë kohe. Numri i të rinjve sipërmarrës në Shqipëri është ende shumë i vogël, ne njihemi praktikisht të gjithë me njëri-tjetrin, dhe kjo nuk është gjë e mirë. Përkundrazi, unë mendoj se ka shumë persona të tjerë të cilët janë shumë të talentuar dhe që mbase duan thjesht një shtysë. Të gjithë ata që duan të krijojnë një sipërmarrje duhet ta provojnë. Investoni në vete, mos e humbisni kohën kot”.

“Dentem”, startup-i që po shënon kthesë në fushën e stomatologjisë

Teknologjia është shndërruar prej kohësh tashmë, në një pjesë mjaft të rëndësishme të jetës sonë të përditshme. Pajisjet teknologjike janë bërë të domosdoshme dhe ndikimi i tyre, i pashmangshëm. Dentem është një software i krijuar për të ndihmuar dentistët të menaxhojnë çdo aspekt të punës dhe përditshmërisë së tyre, që nga ruajtja e skedave të pacientëve, menaxhimi i orareve etj.
Për të folur për këtë sipërmarrje inovatore, i ftuar në konferencën SEC2U, ishte Alen Saqe, themeluesi i këtij startup-i, i cili po rritet me ritme të shpejta. Duke folur për auditorin e pranishëm, Aleni ndau me studentët jo vetëm filozofinë dhe planet për të ardhmen e Dentem, por u fokusua gjithashtu në dhënien e disa këshillave për të gjithë studentët që aspirojnë të kenë sipërmarrjen e tyre në të ardhmen.
“Unë kisha vetëm disa sugjerime për të gjithë ju që mund të bëheni sipërmarrës. Të gjithë e keni potencialin për t’u bërë milionerë apo bilionerë në moshën që jeni, sepse idetë janë të gjitha aty dhe thjesht ajo që e diferencon një ide nga një tjetër, për të qenë i suksesshëm, është ekzekutimi. Ju e keni të gjithë mundësinë të ekzekutoni absolutisht në mënyrë perfekte çdo ide që mund të keni, vetëm duhet të keni kurajë. Jo çdo ide e bukur do të mbështetet nga gjithkush, nëse dikush ju thotë që ideja nuk ka vlerë dhe ndërkohë dikush tjetër ju thotë që ka, atëherë ju thjesht mos u dorëzoni, kërkoni të shtyni përpara idenë tuaj dhe vizionin që keni. Pra, bëni sakrifica! Sakrificat duhet të bëhen nga gjithkush dhe në të gjitha periudhat e biznesit, dhe tregohuni të qëndrueshëm. Jo çdo herë që haseni me një pengesë në bizneset tuaja apo në idetë tuaja tërhiquni. Në vend të kësaj gjeni mënyra për t’i evituar pengesat”.
Ndërkohë që startup-i që Aleni drejton, është tashmë i njohur ndërkombëtarisht, ka marrë investime të konsiderueshme dhe pritet të marrë edhe më tepër në të ardhmen, kjo edhe falë përmirësimeve dhe inovacioneve që parashikohen të sillen për këtë shërbim.

Françeska Shollo dhe Valbona Muso: UET nxit karakterin tonë sipërmarrës 

Fitueset e konkursit që UET zhvillon “Ideja më e mirë e biznesit”, studentet Françeska Shollo dhe Valona Muso, ndanë me audiencën e pranishme këndvështrimet e tyre në lidhje me sipërmarrjen.
“Në konkursin e idesë më të mirë të biznesit, organizuar nga UET për degët Menaxhim Biznesi, Financë Bankë, dhe Informatikë Ekonomike, ne krijuam planin tonë të biznesit dhe falë projektit tonë, arritëm të fitonim çmimin e parë. Megjithatë ky aktivitet nuk konsiston thjesht në krijimin e një plani biznesi, por na stimulojnë të nxjerrim në pah karakterin tonë sipërmarrës. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për ne”. Françeska dhe Valbona vlerësuan rëndësinë e këtyre aktiviteteve në nxitjen e sipërmarrjes te të rinjtë: “Janë pikërisht këto aktivitete, këto ide, të cilat na shtyjnë jo vetëm ne studentëve, por edhe persona të tjerë për t’u bërë pjesë e tregut. Për të marrë ide të reja dhe për të hyrë në atë botën e entrepreneur-ve , fillimisht për të konkurruar në treg, dhe më pas pse jo edhe për ta përmirësuar idenë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çapaliku te Marubët: Letërsia dhe fotografia, si u shkrua një roman

Fototeka Kombëtare Marubi në Shkodër po shndërrohet në një pikëtakim kulturor të...
Read More