Statuti dhe Kuvendi i Partisë Demokratike nuk shtoi asnjë energji opozitare

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarjet e brendshme të Partisë Demokratike, hartimi dhe miratimi i Statuti të ri në Kuvendin e djeshëm, mund të konsiderohet një procedurë e brendshme partiake, apo një rutinë që, për mënyrën se si u zhvillua nuk i shtoi asnjë energji shtesë opozitës shqiptare. Dhe ky është lajm jo i mirë për politikën në tërësi.

Sepse, problemi i opozitës sot nuk është aspak Statuti, i cili mund të ketë një lloj rëndësie për anëtarësinë, por politikisht nuk jep asnjë përparim plus në opinionin publik shqiptar, ndaj të cilit Partia Demokratike duhet të fitojë terren.

Si të thuash, ajo ishte një ngjarje tërësisht procedurale, dhe nuk përbën asnjë lajm të rëndësishëm për momentin politik të cilin po kalon vendi dhe opozita vetë.

Është vështirë të nxjerrësh një konkluzion politik domethënës nga Kuvendi i djeshëm për disa arsye.

E para, momenti i hartimit të Statuti të ri dhe Kuvendin e djeshëm nuk e bashkoi Partinë Demokratike, por përkundrazi, ndjeshmëritë dhe kritikat e grupit anti Basha ngelën po njësoj. Në këtë kuptim, ajo që pritej, një moment i ri politik i Partisë Demokratike nuk ndodhi. Pakënaqësitë dhe ndasitë brenda Partisë janë po aty. Dhe, të mendosh që jemi vetëm dy vite përpara zgjedhjeve parlamentare dhe një vit larg atyre lokale.

Së dyti, Kuvendi tregoi në mënyrë të plotë dualizmin protagonist midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Një çështje e cila vazhdon të jetë problem për Partinë Demokratike. Me gjithë meritat që ka Sali Berisha për atë parti, ky dualizëm vazhdon të jetë një problem për atë parti. Statura dhe historia e tij politike do të eklipsonte çdokënd tjetër që do ishte në krye të Partisë Demokratike. Prezenca simbolike e Sali Berishës në Kuvendin e djeshëm, nuk i bën aspak mirë konsolidimin plotësisht të lidershipit të Lulzim Bashës. Dhe, pa një lidership të qartë, asnjë parti politike nuk mund të vijë në pushtet. Një lidership i qartë, një ekip i qartë janë kusht i domosdoshëm për suksesin politik. Vizion i lidershipit dhe ekipit të tij janë elementi bazë rreth të cilit bashkohet komuniteti politik.

Së treti, nga Kuvendi i djeshëm i Partisë Demokratike nuk doli asnjë vizion i ri politik, asnjë mesazh për opinioni publik. Edhe pse Kuvendi ishte mbledhur për miratimin e Statutit, gjithmonë në këto raste, një parti politike shfrytëzon momentin për të treguar vizionin e saj për vendin, për qeverisjen apo për programin e saj. Nuk ka moment më të mirë për një parti politike se sa momenti i Kuvendit për të rilancuar mesazhet e saj politike, pasi aty ndihet më e fortë, më e sigurt, dhe me më shumë besim. Ndërkohë që, pothuajse të gjitha diskutimet ishin teknike, që flisnin për procedurë, dhe aspak frymëzuese.

Për të gjitha këto arsye, mund të thuhet që, tjetër gjë pritej nga Partia Demokratike në këto momente. Pritej një mesazh i fortë politik dhe një energji shtesë në aksionin politik të saj. Por, i vetmi lajm që u ndërtua ishte hartimi i Statutit të ri, që për hir të vërtetës nuk i thotë asgjë elektoratit të gjerë. Në këtë kuptim, Kuvendi ishte një ngjarje rutinë, që nuk u shfrytëzua aspak për qëllime politike. Prandaj, asgjë e re nga fronti opozitar nuk u përcoll tek opinioni publik, përveçse disa diskutime procedurale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Cool Germany

Gjermania po bëhet më e hapur dhe e larmishme. Me lidershipin e...
Read More