“Strategjia e Katovicës i erdhi Ramiz Alisë nga Jugosllavia!”

Nga Servet Pëllumbi

Pjesë nga libri “Përmbysja e Komunizmit”, një botim i UET-Press

Në kohën që vendet ish-socialiste të Europës Qendrore dhe Lindore, përfshi dhe Bashkimin sovjetik “zienin” në vorbullën revolucionare demokratike, Shqipëria vazhdonte të qëndronte plotësisht e izoluar dhe zhytej në krizën e vet të përgjithshme ekonomike, politike, sociale dhe shpirtërore pa ditur mirëfilli se ç’duhej të bënte. Krahasimi me optimizmin e krijuar në dekadat e para të pas çlirimit, me periudhën e reformave demokratike të viteve të para të socializmit, kur me mbështetjen, mundin e djersën e pa kursyer të popullit u realizuan reforma agrare, lufta kundër analfabetizmit, bonifikimi dhe tharja e kënetave, ndërtimi i hekurudhave, elektrifikimi dhe industrializimi i vendit, nuk kishte më vlerat e dikurshme dhe dukej si diçka e largët dhe e papërsëritshme. Atmosfera e solidaritetit, e besimit tek ideali i ofruar, gatishmëria për vetësakrifica në dobi të asaj që propagandohej, ishte zëvendësuar me zhgënjim, me qëndrimin kritik e kërkues në raport me “narkozën” propagandistike të përdorur në vite. Njerëzit, që dikur u bënë bashkë rreth një “utopie”, duke krijua rreth vetes dhe një klimë joshëse, nuk mund të pranonin njëlloj edhe dështimin e pasojat e tij. Sidomos gjeneratat në rritje nuk mund të ndanin njëlloj dhe të mbaheshin gjatë me një sistem vlerash që më tepër ekzistonte në letër, në teorinë e socializmit dhe të komunizmit, se sa në realitetin e jetës ekonomike, politike e sociale. Pikërisht, në një atmosferë të tillë filloi të flitet me zë të ulët, për dështim të sistemit në vendet e tjera socialiste. Ndodhi përmbysja e madhe e vitit 1989! Shqipëria edhe pse vazhdonte të ishte e izoluar nga vendet e tjera socialiste duhej të bënte afërsisht të njëjtën gjë. Veçse, përsëri kemi një nga rastet e vonesave historike nga të cilat siç thotë Faik Konica, “Shqipëria gjithnjë e ka pësuar”.

Debate të shumta vazhdojnë të bëhen tek ne në çdo përvjetor të rënies së “Murit të Berlinit”, apo dhe të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Edhe pse pjesëmarrës e protagonistë kanë pasur e kanë rastin të dëshmojnë për ngjarje të tilla e të nxjerrin në pah të vërtetën tashmë historike, vazhdojnë të qarkullojnë opsione nga më kontradiktoret, prej të cilëve do të theksoja:

  1. Socializmi dështoi në garën me Perëndimin, përpjekjet për reformim nuk patën sukses. Të merren masa për ndërrim të sistemit pa trauma (Strategjia e servirur nga M. Gorbaçov me emrin “Katovica” e njohur “që para dy vjetësh” nga R. Alia, siç thotë vetë më 13 tetor 1989. (AQSH, 1989, dosja nr.30).
  2. Shqipëria s’është as Lindje as Perëndim, ne do të ndjekim rrugën tonë të mbrojtjes së socializmit përmes demokratizimit dhe pluralizmit të mendimit (Tezë e mbrojtur publikisht nga R. Alia).
  3. Çështje tradhtie. R. Alia nga komunistët e rralluar të sotëm cilësohet si kryetradhtar, sepse sipas tyre, pas vdekjes së E. Hoxhës tradhtoi socializmin dhe punoi për të sjellë kapitalizmin në Shqipëri (“Kur tradhtohej socializmi”, i M. Xhafës, sekretar i parë i PPSH e rindërtuar, botuar në vitin 2010).
  4. Vetë R. Alia në intervistën që kërkoi të botohej pas vdekjes e që supozohet të ketë më tepër sinqeritet, nënvizon: “Përmbysja që ndodhi nuk ishte një fenomen i izoluar që preku vetëm Shqipërinë. Kjo u nxit dhe u inkurajua nga jashtë, nga Perëndimi. Bëra sa munda për të evituar gjakderdhjen dhe përmbysjen e çdo gjëje në emër të një antikomunizmi primitiv…!”

Pa u marrë me interpretimin apo vlerësimin e njërit opsion në raport me të tjerët, mendoj se metoda më e mirë e analizës do të ishte sjellja e ngjarjeve, e ideve, deklarimeve dhe e argumenteve të përdorura nga protagonistët, të mbështetura mbi fakte dhe dokumente të kohës. Këtë e dikton situata paradoksale që shpaloset me raste përvjetorësh të vendosjes së pluralizmit, ashpërsimi i debateve lidhur me të vërtetat e dhjetorit 1990, që shpesh shoqërohen me fantazi të habitshme pjesëmarrësish, me interpretime nga më radikalet, përfshi dhe përpjekje për të deformuar faktet, ngjarjet historike të zhvilluara më me intensitet gjatë viteve 1990-1991, kur në vendet e lindjes europiane ishin kryer revolucionet demokratike, që në vjeshtën e 1989-ës. Ngjallin reaksion, sidomos rastet kur protagonistë të njohur të ngjarjeve nga të dy krahët sjellin fakte që dëshmojnë, se “Lëvizja e dhjetorit 90”, ka qenë e orkestruar nga udhëheqja komuniste, po kështu dhe krijimi i partive politike pas dekretimit të pluralizmit politik…

Kjo ndodh ngaqë nuk merren gjërat në kohë dhe trajtohen nga këndvështrimi i sotëm, kur në të vërtetë më ‘90-ën, nuk mund të ndodhte ndryshe veçse duke u kombinuar ilegalja me legalen, demonstrimi masiv me dialogun e negociatat në mjedisin që donte “udhëheqësi” i partisë në pushtet. Aq më tepër kur kërkues, njëherësh dhe të revoltuar e protestues, nuk ishin ish-të përndjekurit politikë, por studentët e pedagogët, bijtë e bijat e atyre që ishin pjesë e sistemit. Nga vonesa karakteristike, që vinte nga ky lloj gradualiteti i diktuar “nga lart”, udhëheqjen Shqiptare të asaj kohe, por dhe masat popullore; përgjithësisht i shkundi në mënyrë të veçantë vrasja e çiftit Çaushesku në Rumani, më 25 dhjetor 1989 dhe që u transmetua nëpërmjet stacioneve televizive. Një tablo e pazakontë që u përjetua me një panik e frikë çoroditëse, sidomos nga kasta drejtuese “komuniste” në Shqipëri, nga R. Alia që drejtonte partinë dhe shtetin shqiptar pas vdekjes së Enver Hoxhës

Pas kësaj, për R. Alinë opsion kryesor u bë evitimi i spontanitetit të “rrugës”. Ai pretendon se pati guximin dhe bëri aq sa mundi “që t’u hapte rrugë zhvillimeve të mëtejshme demokratike… qysh para vitit 1990” (R.Alia, Shpresa dhe zhgënjime” Voskopoja”, 1993, f.100). Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Një parashikim të saktë për atë që do të zinte vendin e E. Hoxhës, e ka bërë Montaneli. Një ditë pas vdekjes së E. Hoxhës do të shkruante artikullin e botuar në “Le vie delmondo-Viaggi d’autore-Albania, 12 prill 1985: “Nuk besoj, shkruante ai, se hoxhizmi mund t’i mbijetojë Hoxhës dhe as nuk mendoj se pasardhësi i tij kushdo qoftë ai, mund ta mbajë Shqipërinë në pozicionin e “izolimit (le të themi) të mrekullueshëm”, në të cilin Hoxha e kishte vendosur në planin ndërkombëtar”.

Duke e lënë Montanelin në parashikimin e tij të saktë, le t’u referohemi fakteve konkrete. Pas kongresit IX, të PPSH-së (1987), në të cilin R. Alia u betua në emrin e Partisë e të popullit shqiptar se do të ecte besnikërisht në rrugën e Enverit, shterpësia ideore u thellua, vendi u mbush me monumente e buste, me emërtimin “Enver Hoxha” të Portit të Durrësit, të Universitetit të Tiranës, të Akademisë ushtarake, të rrugëve e shesheve anë e mbanë vendit. Vazhdonte botimi i “veprave”..! Në një atmosferë të tillë, reflektimi i përmbysjeve që ndodhën në Lindje dhe sidomos vrasja e Çausheskut, nxorën në shesh ndarjen reale që ekzistonte tek ne midis popullit dhe nomenklaturës “komuniste”, e mbuluar pas sloganit të “unitetit të çelniktë Parti-Popull”.

Nuk kishte kaluar as edhe një javë nga vrasja e Çausheskut, kur në Shkodër plasi demonstrata e parë, më 11 janar 1990, që si kërkesë kryesore kishte rrëzimin e monumentit të Stalinit. Ajo u pasua nga një demonstratë e dytë më 14 janar 1990, me një pjesëmarrje më masive (me rreth 15 mijë pjesëmarrës), e cila kishte po atë kërkesë si objektiv kryesor, rrëzimin e Stalinit. Veprime konkrete “armiqësore”: U hodh dinamiti para Komitetit të Partisë së Punës, por që nuk shpërtheu pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit; shpërndarje fletushkash në tre lagje të qytetit dhe në disa fshatra; djegie të veprave të Enver Hoxhës; u këndua kënga “O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri, mjaft në robëri”.

Me shqetësimin “po na ikën pushteti”, më 22-23 janar 1990, u mblodh Plenumi i IX-të i KQ të Partisë. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë në raport me socializmin, apo që përmbysja e “komunizmit” në vendet ish-socialiste të Europës të mos kish të bënte me Shqipërinë, edhe në këtë plenum u fol me një gjuhë dogmatike dhe optimizmi shterpë. “T’u bëjmë ballë presioneve të jashtme të borgjezisë dhe reaksionit ndërkombëtar, që siç tregojnë ngjarjet e lindjes europiane, tha R.Alia në fjalën e tij, synojnë të shkatërrojnë socializmin e të rikthejnë rendin e shtypjes e të shfrytëzimit, të likuidojnë lirinë e fituar dhe të zhdukin pavarësinë e sovranitetin kombëtar të Shqipërisë”. Pas parullave demagogjike si ato për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për pluralizmin politik e për zhvillimin e demokracisë etj., vazhdoi ai, “shihet synimi kundërrevolucionar i reaksionit dhe i borgjezisë për t’i rrëmbyer popullit lirinë dhe pavarësinë e tij”. (AQSH, Fondi 14/AP, ou dosja 1).

Po në këtë plenum, Ramiz Alia u shpreh, se në Shqipëri nuk kishte një traditë të pluralizmit dhe se hegjemonia i takonte PPSH-së. Gjithë meraku i tij ishte që ndërtesa e re politike pluraliste të mos ngrihej jashtë hijes së tij dhe të njerëzve rreth tij, ndryshe nuk ishte i sigurt për të. Këtë përvojë e njihte mirë dhe besoj, nuk ishte e rastit që fillimisht, siç thuhet, materiali për strategjinë e Katovicës i erdhi nga Jugosllavia! Po kështu nuk mendoj se ishte e rastit që R.Alia në këtë plenum e vë theksin kryesisht mbi veçoritë e Shqipërisë. Lidhur me këtë ai theksoi: Partitë e shumta në lindje e kanë bazën te ndryshimet e thella social-klasore që kanë ekzistuar dikur dhe që u ringjallën e u thelluan në vitet kur në fuqi qenë revizionistët. Atje shoqëria u diferencua dhe u shkallëzua, u polarizua, lindën klasa dhe shtresa me interesa të ndryshme që objektivisht nuk mund të gjenin strehë dhe të përfaqësoheshin nga një parti që nuk ishte e tyre. Tani secili prej këtyre grupimeve kërkon pjesën e vet në pushtet.

Ne jemi deklaruar për hegjemoninë e Partisë së Punës, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky është një kusht bazë për ndërtimin socialist që përputhet edhe me rrethanat objektive të vendit tonë…“Në kushtet e vendit tonë, vazhdoi ai, thirrjet e borgjezisë ndërkombëtare për pluralizëm partish duan të thonë ringjallje e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit, ose krijim i organizatave të tjera të ngjashme politike, antisocialiste e antikombëtare.

Kjo nuk do të ishte shprehje e demokracisë, por mjet për dobësimin e unitetit kombëtar dhe krijimin e kushteve për shkatërrimin e socializmit”(AQSH, Fondi 14/AP ou. dosja.1) Pra, kreu i PPSH-së bëri ndarjen e prerë: Në Shqipëri nuk do të lejohet të ndodhë ajo që ndodhi në vendet ish-socialiste të Europës! Duke mbyllur çdo shteg për pranimin e pluralizmit politik, R.Alia parashtron në plenumin IX të KQ të PPSH-së një variant tjetër të tezës: “Shqipëria as Lindje as Perëndim”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mendime për juritë letrare

Nga Rudolf Marku* Në një kohë që në shumë vende të botës,...
Read More