Strategjia e sigurisë, Trump: Amerika, e para!


Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të hënën një strategji të re të sigurisë kombëtare, e bazuar mbi mesazhin e fushatës “Amerika e para”.

Ai fajësoi paraardhësit e tij në pushtet se nuk bënë sa duhet për t’u kujdesur për qytetarët e tyre.

Siç raporton “Zëri i Amerikës”, strategjia e re e sigurisë i shikon vendet e ndryshme në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, nuk përfill paralajmërimet e ish-presidentit Obama mbi ndryshimet klimatike dhe thekson se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë sovranitetin e tyre në mënyrë të njëanshme, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e marrëveshjeve me vendet e tjera, marrëveshje që kanë dominuar politikën e jashtme amerikane që nga Lufta e Ftohtë.

Nëse zbatohet plotësisht, strategjia e Presidentit Trump do të ndryshonte ndjeshëm marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-së.

Ajo përqendrohet në katër tema kryesore: mbrojtja e vendit, nxitja e begatisë amerikane, demonstrimi i paqes nëpërmjet forcës dhe avancimi i ndikimit amerikan në një botë gjithnjë e më konkurruese.

Sipas doktrinës Trump, vendet e ndryshme janë në konkurrencë të vazhdueshme dhe SHBA duhet të luftojnë në të gjitha frontet për të mbrojtur sovranitetin e tyre, si nga miqtë, ashtu edhe nga armiqtë.

Dokumenti i mëparshëm i strategjisë, i përgatitur nga Presidenti Barak Obama në vitin 2015, e shpallte ndryshimin e klimës një “kërcënim urgjent dhe në rritje për sigurinë kombëtare”.

Plani i zotit Trump nuk e përmban një deklaratë të tillë. Strategjia përcakton synimin për të qenë një shtet “dominues në pikëpamje të energjisë” dhe thotë se Shtetet e Bashkuara “e pranojnë rëndësinë e kujdesit për mjedisin”.

Strategjia flet gjithashtu për kërcënimet e “regjimeve të papërgjegjshme”, si Koreja e Veriut.

Aty thuhet se Kina dhe Rusia “sfidojnë fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane, duke u përpjekur të shkatërrojnë sigurinë dhe begatinë e vendit”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përshëndetje nga Holanda, vendi ku shqiptarët nuk janë vetëm të inkriminuar

Nga Ardian Lekaj* Megjithëse i larguar për më shumë se çerek shekulli,...
Read More