Strategjia parlamentare e opozitës është në dobi të interesit publik

Nga Ervis Iljazaj

Sesioni i ri parlamentar ka filluar nën shenjën e debateve të ashpra dhe konflikteve midis opozitës dhe mazhorancës. Në seancat e fundit punimet parlamentare kanë përfunduar pothuajse të gjitha të bllokuara për shkak të agresivitetit politik midis dy palëve.

Pa hyrë në debatin se cila nga palët ka të drejtë, dhe nëse mazhoranca i mbyll gojën opozitës apo Kryetari i Kuvendit thjesht zbaton rregulloren, një klimë e tillë politike i shërben opozitës dhe kauzës së saj.

Debatet e ashpra vetëm sa kanë shtuar vëmendjen e opinionit publik te problematikat që po kalon vendi në këtë moment dhe që opozita pretendon se janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë.

Opozita e ka të vetmen tribunë politike Parlamentin, ku zëri i saj merr rëndësi të veçantë, dhe në këtë mënyrë nuk duhet ta shpërdorë atë. E gjithë përpjekja e saj duhet të jetë kalimi i mesazhit politik te qytetarët dhe ndoshta kjo është mënyra më e fortë për ta bërë një gjë të tillë.

Çështjet që janë në fokus të opozitës shqiptare në këto momente janë thelbësore për demokracinë dhe politikën në përgjithësi. Opozita ka një meritë të veçantë, pasi çështjet si sistemi zgjedhor dhe votën e lirë e ka kthyer që në fillim të legjislaturës, çështjen kryesore të Parlamentit, dhe jo siç ndodh gjithmonë në çështjen e fundit të tij.

Po ashtu, kriminaliteti dhe lidhjet e tij me politikën, janë një problematikë që po bëhet gjithmonë e më shumë e pamenaxhueshme dhe po del jashtë kontrollit.

Më një fjalë, opozita është tërësisht në rolin që i takon, dhe po e kryen mirë atë deri më tani.

Por, nuk duhet të bjerë pre e agresivitetit deri në atë pikë sa vëmendja të kalohet nga problemet që ajo parashtron te konfliktualiteti në vetvete si problem.

Andaj, bllokimet e parlamentit tregojnë vendosmërinë për të gjitha këto çështje, por ato duhen të kalojnë përtej kësaj.

Megjithatë, ndonjëherë kur ndodhesh përballë një qeverie të fortë, e vetmja mënyrë për të përcjellë mesazhin politik, është tensioni politik, në të kundërt “zëri i qetë” i opozitës bie në vesh të shurdhër.

Me gjithë të drejtën që ka opozita për të organizuar strategjinë politike dhe aksionin e saj opozitar, një gjë është thelbësore. Ky aksion nuk duhet të kalojë politikën institucionale. Çdo aksion politik, opozita bën mirë ta mbajë në binarët e politikës së ligjshme dhe procedurave demokratike, në të kundërt kauzat e saj të drejta dhe të rëndësishme do të zbehen.

Deri më tani, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por nëse vazhdohet me këtë ritëm konfliktualiteti, rrezikojmë vërtet që politika të dalë nga rruga e saj normale dhe të kthehet në një lojë batutash dhe akuzash, që nëse nuk ndiqen siç duhet, do të harrohen shumë shpejt dhe asgjë s’do të ketë vlerë nga denoncimet e rëndësishme të opozitës.

Në këtë kuptim, opozita në këto momente është duke kryer rolin që një demokraci ia ngarkon. Megjithatë demokracia ka rregullat dhe momentet e saj të zgjidhjeve të problemeve. Andaj i gjithë aksioni opozitar duhet ta ketë parasysh këtë. Kjo është demokracia! Ndoshta nuk është sistemi më i mirë në absolut, por e sigurt është se sistem tjetër më të mirë deri më tani nuk kemi parë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ermal Telha: Masteri në Komunikim që më ndryshoi karrierën

Profil ALUMNI-UET: Ish-studenti i komunikimit në UET drejton sot një kompani shitjesh,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.